MPJ e Maqedonisë notë verbale ambasadorit grek në Shkup për miratimin e ndryshimeve kushtetuese

MPJ e Maqedonisë notë verbale ambasadorit grek në Shkup për miratimin e ndryshimeve kushtetuese

MPJ e Maqedonisë i ka dërguar notë verbale Greqisë për ta informuar se Maqedonia e ka miratuar marrevëshjen e re (Marrëveshjen e Prespes) në Kuvend. Me këtë Maqedonia informoi palën greke se i ka përmbushur kërkesat ligjore për hyrjen në fuqi të marrëveshjes përfundimtare, dhe kështu kërkon që marrëveshja e përkohshme e vitit 1995 të shfuqizohet, njofton SHENJA.

Komunikata e MPJ-së së Maqedonisë:

“Sot, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Maqedoni, i është dorëzuar notë verbale me të cilën në pajtim me nënin 20, paragrafi 3 i marrëveshjes përfundimtare për të zgjidhur dallimet e përshkruara në rezolutat 817 (1993) dhe 845 (1993) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për anulimin e Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995 dhe krijimin e partneritetit strategjik midis palëve (Marrëveshja përfundimtare), informohet pala greke se në Republikën e Maqedonisë janë përmbushur kërkesat ligjore për hyrjen në fuqi të marrëveshjes përfundimtare dhe se Parlamenti më 11 janar 2019 miratoi vendimin për shpalljen e amendamenteve XXXIII, XXXIV, XXXV, XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe vendimin për shpalljen e ligjit kushtetues për ndryshimet e amendamenteve XXXIII në XXXVI të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”. /SHENJA/