` . Mourinho leksion Guardiolës, City mban topin, Tottenhami golat - TV SHENJA

Mourinho leksion Guardiolës, City mban topin, Tottenhami golat

Jose Mourinho i rezervon një surprizë të hidhur Pep Guardiolës vetëm pak ditë pasi spanjolli rinovoi deri në vitin 2023 kontratën me Citizens. Tottenhami, skuadra e drejtuar nga portugezi e mposhti 2-0 Manchester City-n në Londër, duke i shkaktuar humbjen e dytë këtë sezon në Premier League. “Spurs”-at u treguan cinikë ndaj një kundërshtari që dëshiron të mbajë gjithmonë kontrollin e topit (në këtë sfidë 67%), duke u shfaqur shumë më efikasë në rastet që iu paraqitën.

Koreano-jugori Son Heung-Min shfrytëzoi në perfeksion pasimin e Ndombelesë në minutën e 5-të, duke mposhtur portierin Ederson. Ishte pikërisht starti i ndeshjes që dëshironte Mourinho, një ekspert në ndërtimin e strategjisë së lojës.

Citizens arritën të tundnin rrjetën në minutën e 27-të me Laporten, por ishin të vëmendshëm zyrtarët në dhomën e VAR-it, që dalluan marrjen e topit me dorë nga Gabriel Jesus, para se të pasonte për shokun e skuadrës.

Në minutën e 65-të, një kundërsulm i shpejtë i Tottenhmit u përmbyll me golin e Lo Celsos, që u shërbye me zgjuarsi nga Harry Kane, 2-0.

Të kota përpjekjet e vazhdueshme të Manchester City-t për të rihapur ndeshjen, madje sapo nisi koha shtesë u desh ndërhyrja e Lloris për t’i mohuar golin Gabriel Jesusit dhe për të ruajtur epërsinë e dyfishtë të vendasve, të cilët morën kryesimin e Premier League-s me 20 pikë, dy më shumë se Chelsea.