` . Moratorium për bisedime me BE! - TV SHENJA

Moratorium për bisedime me BE!

Diskutimet që tani bëhen në Komitetin e Kongresit Amerikan për Politikë të Jashtme lidhur me Ballkanin Perëndimor dëshmojnë se rajoni papritur është kthyer në fokusin e administratës së Xho Bajdenit dhe Kamala Harrisit, si një dyshe e gatshme për të rivendosur vlerat tradicionale të politikës së jashtme amerikane, të bazuar në dy shtyllat fundamentale – multilateralizmin dhe aleancën transatlantike.

Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar

Tradicionalisht, paqen në Ballkanin e ngarkuar me shumë stereotipa e kanë mbajtur faktorë të jashtëm, që nga Pandoria e Karlit të Madh, Monarkia e Habsburgëve, Perandoria Osmane e, së fundmi, SHBA-ja. Këtu, mosmarrëveshjet e brendshme, mungesa e projekteve zhvillimore, hendikapet sociale e mentale dhe rivalitetet gjeopolitike të faktorëve të jashtëm formojnë një kombinim inflamator kronikisht destabilizuas. Procesi i përfshirjes së rajonit në NATO dhe në eurointegrime nuk jep rezultate të duhura, pasi shumëçka ka ndryshuar krahasuar me dy dekada më parë, andaj rajoni vazhdon të funksionojë si laborator i testeve gjeopolitike.

Xho Bajden do të kishte dashtë ta zhbënte konceptin e Trampit për një rajon të favorizuar për Serbinë, por si duket tani në Ballkanin Perëndimor kemi parametra të një realiteti të ri, shumë më ndryshe nga ai i viteve 1990-të dhe i fillimit të viteve 2000. Në histori ndodhë që disa vite t’i parashtrojnë pyetjet, kurse vitet të tjera t’i japin përgjigjet. Kështu, administrata e re ka të ngjarë të vazhdojë atje ku u ndal Trampi, por me strategji të reja, të bazuara në rolin e Gjermanisë dhe Turqisë në Europë. Shumë analistë tashmë parashikojnë një politikë amerikane të bazuar “në muskuj”, veçanërisht ndaj Serbisë dhe Republikës Sërpska, e cila do t’i zhbënte ëndrrat e tyre për një Serbi të Madhe.

Por, si duket këtë agjendë të Bajdenit nuk e pëlqejnë disa faktorë evropianë, të koordinuar në rend të parë nga Parisi dhe të ndihmuar nga Moska. Para do kohe u publiku një artikull me titull “A dëshiron Sllovenia shpërbërjen paqësore të Bosnjës e Hercegovinës”? Mediat sllovene transmetuan se pas kësaj qëndrojnë kryeministri slloven Jansha dhe presidenti Pahor, të sponsorizuar nga disa qendra serioze europiane (ku nuk bën pjesë edhe Gjermania). Dokumenti me titull “Western Ballkans – a way forward” (Ballkani Perëndimor – një rrugë përpara) parasheh shpërbërjen e BeH-së. Aty përfliten kufij të rinj për pothuajse gjithë Ballkanin Perëndimor dhe se ky dokument iu paska dërguar Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, Komisionit Europian, madje edhe disa udhëheqësve të tjerë europianë etj.

Disa ditë më pas Televizioni N1 raportoi se ministri i Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, këtu kishte parë shansin për “bashkimin e serbëve në një shtet”, ndërkaq presidenti Vuçiq vazhdon të jetë më i kujdesshëm. Madje, edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, pretendoi se e kishte parë vetë hartën e kontestueshme, por nuk e kishte komentuar. Njëherazi, presidenti Slloven Pahor u kishte thënë drejtpërdrejt tre anëtarëve të presidencës boshnjake – Dodik, Xhaferoviq dhe Komsiq – se “kohëve të fundit, në Europë gjithnjë e më shumë po flitet se shpërbërja e Jugosllavisë duhet të përfundojë. “Vallë a mund të ndaheni paqësisht në Bosnjë dhe Hercegovinë?” i kishte pyetur ai.

Sipas non-paper-it, Republika Sërpska ose siç është shkruar në dokument, “pjesa më e madhe e saj”, do t’i aneksohej Serbisë, kurse Kosova Shqipërisë (por, që pjesa veriore e Kosovës do të merrte një status të ngjashëm me Tirolin e Jugut brenda Kosovës, por shpirtërisht e lidhur për Serbinë). Kantonet kroate të BeH-së do t’i bashkoheshin Kroacisë ose do t’u jepej një status i ngjashëm me Tirolin e Jugut. Ndërkaq boshnjakët do ta kishin “shtetin e tyre të pavarur”. Gjithçka në emër të ndarjes etnike. Por, çfarë ndarje etnike do të ishte ajo kur kroatët nga Livno do të qëndronin përsëri në pjesën myslimane dhe myslimanët nga Mostari do të përfundonin në Kroaci apo serbët nga Dërvari do të mbeteshin në “Xhamahirinë” Boshnjake?! Pastaj “çfarë do të ndodhë me rrethin e Bërçkos, me Tomisllavgradin, Posushjen, Grudin, Shiroki Brijeg, Çaplinan, Stolacin e Neumin? – komenton gazetari i famshëm sarajevas Senad Haxhifejzoviç. Shkrimtari Andrej Nikolaidis thotë se, pas ndarjes eventuale, myslimanët do të shndërroheshin në palestinezë evropianë, kurse malazezët në kurdë europianë. Interesant, në shikim të parë, në dokumentin famoz s’ka asgjë për Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, por nëse e shikojmë nga afër “kristalomantinë” e tyre, aty pa dilemë se ka shumë më tepër ferra se sa trëndafila dhe zemra.

 

Kush qëndron pas non-paper-it?

 

Teza e parë është se pas këtij dokumenti qëndron trekëndëshi Jansha, Orban dhe Vuçiq, heshtazi të përkrahur nga Parisi dhe Moska. Nuk janë bindëse konstatimet se Sllovenia, si kryesuese e radhës e Këshillit, “paska pasur nevojë të flasë në favor të përgatitjeve për samitin e radhës së BE mbi Ballkanin Perëndimor”. Ose, pretendimet se Presidenti Slloven, Borut Pahor, i cili paska qenë tejet “i shqetësuar” për funksionimin e BeH-së dhe për këtë arsye duhej t’i pyeste të tre anëtarët e presidencës së BeH-së për mundësinë e një ndarjeje paqësore, pasi BeH-ja edhe 26 vjet pas luftës nuk është shtet funksional, madje atje vazhdon të dominoj retorika secesioniste serbe. Në disa qendra europiane mendohet se ndarja e BeH-së mund të hapë mundësi efektive zhvillimore. Përndryshe, në një të ardhme të parashikueshme, aty do të vinin afrikanët që fare lehtë do të krijonin problem sigurie rajonale.

Teza e dytë është se ky dokument është një matje pulsi në rajon nga forca shumë më të mëdha, të cilat janë të vetëdijshme se në të ardhmen e afërt do të duhet të gjendet një zgjidhje midis Serbisë dhe Kosovës, pasi një Serbi me zhvillim të shpejtë nesër mund të diktojë politika rajonale me ndihmën e Rusisë dhe Kinës. Andaj duhet vepruar në kohë për një zgjidhje të qëndrueshme përderisa s’është vonë. Dodiku (besoj, jo vetëm ai) thotë se “nëse Kosova ndahet nga Serbia, ne do të shkëputemi nga Bosnja e Hercegovina”. Nga ana tjetër, zhvillimi i hovshëm ekonomik i Serbisë për disa vjet mund të shndërrohet lehtësisht në një forcë gravituese për popullatat sllave ortodokse në rajon dhe kjo mund ta prishë ekuilibrin gjeopolitik rajonal. Madje, kjo u pa gjatë “vaksinimit human”, kur shumë qytetarë rajonalë shkuan në Serbi me shumë ekzaltim. Kjo do t’i vetëshkatërronte disa shtete fqinje, veçanërisht Maqedoninë e Veriut dhe BeH-në, të cilat funksionojnë sikur kanë të meta të përhershme mentale. Maqedonisë, që i këndohet refreni “Lind një diell i ri”, fare lehtë mund t’i shuhet edhe ai që e ka. Bllokada e papritur bullgare ndaj këtij shteti vështirë se burimin e ka vetëm në Sofje. Kur jemi te ekonomia, Serbia vitin e kaluar kishte 3.6 miliardë euro investime të huaja, kurse së bashku të gjitha shtetet e tjera në rajon – Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia – vetëm 1.7 miliardë euro.

Teza e tretë është ajo se me iniciativën e Lubjanës, Budapestit dhe Beogradit, si dhe me ndihmën e popullatës së madhe serbe në Mal të Zi, do të mund të sigurohej hyrja e Putinit dhe Lavrovit në detet jugore, për të krijuar kështu një bazë të fuqishme detare ruse në Adriatik, që do t’i servisonte forcat e saj ushtarake detare në Mesdhe. Njëherazi Rusia, përmes turbulencave në Ballkanin Perëndimor, dëshiron të fitojë pozicione për zgjidhjen e problemeve të saj lidhur me Krimenë, Luganjskën dhe Donjetskën.

 

Projekti amerikan

 

Diskutimet që tani bëhen në Komitetin e Kongresit Amerikan për Politikë të Jashtme lidhur me Ballkanin Perëndimor dëshmojnë se rajoni papritur është kthyer në fokusin e administratës së Xho Bajdenit dhe Kamala Harrisit, si një dyshe e gatshme për të rivendosur vlerat tradicionale të politikës së jashtme amerikane, të bazuar në dy shtyllat fundamentale – multilateralizmin dhe aleancën transatlantike. Amerikanët i kundërshtojnë non-paper-ët e ofruar, por jorastësisht nga shumë analistë europianë morën përgjigje se “mu vet amerikanët në Ballkan jetësuan non-paper-ë, pasi ata i ndryshuan kufijtë e Ballkanit”!

Por, është fakt se dy shtyllat e përmendura amerikane për vite i përcjellin një seri krizash të mëdha, që e kanë dobësuar interesin amerikan dhe strukturën institucionale të BE-së: referendumi refuzues në Francë dhe Holandë për draftin e Traktatit të Lisbonës (2005); hyrja e Rumanisë dhe Bullgarisë (2007) e thelloi hendekun politik midis Europës Lindore dhe Perëndimore; kriza ekonomike dhe financiare (2008) e zbuloi një mungesë solidariteti midis anëtarëve; kriza ukrainase dhe aneksimi i Krimesë (2014) definuan sfida të reja gjeopolitike në kontinent; kriza e migrimit dhe vala pasuese e sulmeve terroriste në Europë (2015); BREX-it e minoi idenë e një Europe të bashkuar; dhe, përfundimisht, Covidi e rrënoi solidaritetin europian. Që këtu s’është pa bazë deklarata e diplomatit të shquar suedez, Karl Bild, se “integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE ka pësuar vdekje celebrale”. Andaj, zgjerimi i BE-së me këto vende tani duket si një mision kozmik drejt një planeti me miliona vjet drite larg. Problem shtesë është se këtu tanimë sikur janë bërë traditë bllokimet ndaj fqinjit – Sllovenia Kroacinë për shkak Gjirit të Piranit, Greqia dhe Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, ndoshta nesër Kroacia ndaj Serbisë, pastaj Serbia ndaj Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës etj. Gjithë kjo në vazhdimësi hedh sherbet në “tatlinë” e Moskës.

 

Ana tjetër e medaljes

 

Nga ana tjetër, SHBA-ja synom depërtimin e thellë ekonomik në Serbi, në veçanti përmes Korporatës Amerikane Zhvillimore e Financiare (e cila tanimë funksionon në Beograd), me qëllim të margjinalizimit të pretendimeve kineze. Investimi prej 9 miliardë eurosh për “Agjendën e Gjelbër të Ballkanit Perëndimor”, i përcjell nga logjistika e Procesit të Berlinit, ka për qëllim pengimin e investimeve kineze në Ballkan, përmes projektit “Rripat dhe Rrugët”, që është duke depërtuar fuqishëm në rajon.

Përveç kësaj, Rusia, përmes “Bulgar transgas” (partnere e “Gazprom”-it rus), synon ndikim të fuqishëm jo vetëm energjetik në Ballkan dhe BE. Jorastësisht tani amerikanët bëjnë të fuqishëm presion ndaj Gjermanisë që të ndalohen punët rreth përfundimit të gazpërçuesit “North Stream-2” (Rrjedha Veriore-2). Rusia, për vite, me të madhe kërkon alternativa për gazpërçuesit e saj që kalojnë përmes Ukrainës. Por, në gjithë këto lojëra të mëdha gjeopolitike, si duket, për momentin Turqia e mbanë çelësin energjetik. Ajo e ndërtoi projektin gjigant gazpërçues TANAP, që pat kushtuar mbi 11 miliardë dollarë, me të cilin gazin natyror azarbajxhanas dhe atë rus (për momentin afro 22 miliardë metro kub në vit) ta transportojë në Europë e më gjerë. Andaj, tani fuqitë botërore ndeshen edhe me një konkurrent serioz gjeopolitik në Ballkan dhe Europë. Aq më shumë pasi bëhet fjalë për një shtet me popullsi dhe ekonomi në rritje të shpejtë, me fuqi serioze ushtarake dhe me pozitë të urës ndërmjet Europës, Azisë dhe Afrikës. Për këtë shtet BE-ja s’është më interesante.

Ndërkaq ne vazhdojmë fatalisht të kërkojmë negociata me BE-në, me siguri jo se i duam reformat, sepse ne jemi kronikisht antireformist të sëmurë, por e kemi si mburrje të rrejshme për qëllime elektorale. Në një rast, një ish-ambasador në Shkup me pat thënë: “Ju na thoni ‘ejani këtu për të punuar për ne, sepse ne nuk e duam punën!’. Ne ua mbledhim edhe mbeturinat nëpër rrugë, ndërsa  ju këndoni për BE-në”! Si duket, ata e kanë hetuar se ne flasim si engjëj, por veprojmë si djall.

Në këso rrethana zërat për zgjerim në Bruksel perceptohet si një këngë e bezdisshme, refreni i së cilës është “mos ngordh gomar sa të dalë bar, por kur doli bari kishte ngordhur gomari”. Bisedimet tani mund të jenë vetëm një aktrim i mërzitshëm. Mali i Zi bisedon 10 vjet, kurse as gjysma e punëve s’janë kryer. Ngjashëm është edhe me Serbinë, ndërsa më herët bisedimet zgjatnin maksimum pesë vjet! Andaj duhet krejt ndryshe, pasi edhe më i ngadalshmi arrin në cak nëse e di ku shkon, për dallim nga i shpejti, që s’e di as ku shkon!

Duket se shpejt do të na afrohen një “mini-Schengen”, i sponsorizuar fuqishëm nga SHBA-të, për të cilin rajoni për momentin nuk është i gatshëm. Mendohet se kundër heqjes së doganave rajonale janë pikërisht udhëheqësit e saj, pasi mbi 50 për qind e krimit të organizuar bëhet përmes doganave. Alternativë e mirë e saj mund të jetë Zona Ekonomike Europiane (European Economic Area – EEA), e cila nënkupton treg të përbashkët me BE-në, por pa pjesëmarrje në organet e BE-së. Në fakt, ne s’kemi edhe çka lypim në ato organe, pos nëse duam edhe më shumë t’i dekontaminojmë. Andaj, udhëheqës normalë do të kishin kërkuar moratorium të bisedimeve për anëtarësim në BE, duke kërkuar bisedime për anëtarësim në EEA. Anëtarësimi në EEA do ta bënte bregdetin shqiptar epiqendër të komunikacionit dhe turizmit rajonal, gjë që me automatizëm nënkupton faktorizim gjeopolitik të Shqipërisë dhe Kosovës (si faktor tranzit korridoresh, TEN-T, SEETO me korridoret – X,VIII, V-b, V-c,etj).