` . Mohim - TV-SHENJA

Mohim

Përballë së vërtetës që kumton kumtuesi ka dy gjendje: pranim ose mohim. Njeriu zgjedh anën nga do të anojë anija e tij. Nëse zgjedh mohimin qoftë edhe në heshtje, atëherë ka refuzuar pranimin e së vërtetës si të tillë dhe ka pranuar të banojë në shtëpinë e mohimit.

Shkruan: Nuredin NAZARKO, Korçë

Njeriu është skena ku lufta ose përleshja, quajeni si të doni, mes të qenit në njërën ose në tjetrën anë, vazhdimisht i sjell seritë e reja të një lufte të vjetër sa vetë njeriu. Njeriu nuk mund të qëndrojë në mes kur i duhet të marrë një vendim për anësinë e vet. Do të ishte e pakonceptueshme të marrësh vendim për të qenë në një anë të caktuar dhe të vazhdosh të qëndrosh në mes.

Ajo çfarë ndodh jashtë njeriut nuk është as më shumë e as më pak vetëm se zgjatim i asaj që ndodh në brendësinë e njeriut. Skena ku njeriu luan aktet e jetës së vet, janë të ngjyrosura me brendinë e tij. Ligj i pandryshueshëm. Ligj që tejkalon edhe kohën historike të njeriut mbi tokë. Askush nuk i shpëton gjykimit të këtij ligji.

Njeriu mund të mundohet të shfaqet i qetë, gjakftohtë, paqedashës, duke dashur të tregojë se është zotërues i vetes, por llava që zien brenda tij do ta gjejë oxhakun për të shpërthyer. E në momentin e shpërthimit del krejt qartë se kush në të vërtetë ishte ky njeri që në pamje të parë ngjan me një orakull të urtë e mendjendritur. Shpërthimi llavës, zgjyra e ngjyrave të saj, tregojnë mbi llojin dhe karakterin e njeriut. Fytyra është vula e patjetërsueshme e këtij akti. Mund të përdorësh operacionet plastike për ta zbukuruar, por ka një gjë që plastika nuk e ndryshon dot, vështrimin e syve. Ata flasin shumëçka për zgjyrën e ngjyrave të brendshme tek orakulli i urtë e mendjendritur.

Nuk ka njerëz me gjak të ftohtë. Ndryshe do të ishin amfibë ose zvarranikë që kanë këtë cilësi. Gjaku nuk qarkullon njësoj te të gjithë njerëzit. Madje, nuk e ka as të njëjtën ngjyrë. Ai ka ngjyrën e shpirtit që i jep jetë trupit, lëkurës, që e mbulon trupin. Prandaj trupat veprojnë sipas asaj që mban shpirti dhe fytyrat ngjyrosen nga gjaku që ushqehet prej tij.

Përcaktimi i anës në të cilën do të ngjyroset shpirti, mandej gjaku, trupi, lëkura e fytyra, është çelësi që zgjidh fatin e luftës. Çelësi nuk mund ta çelë portën e natës pa feksur. Feksja është çasti i ngjizjes së qartësisë së shikimit me kënaqësinë e ardhjes së ditës që po agon. Është çasti që shkëput errësirën nga drita dhe i bën të dallueshme rrugët ku duhet ecur e ku nuk duhet ecur. Pa këtë çast ose do të ishim krejt në errësirë e nuk do të dinim se ku do të duhej shkuar ose do të ishte gjithmonë ditë dhe kurrë nuk do të kishte kuptim feksja dhe qartësimi përmes saj mbi vlerën e njeriut si qenie.

Por, lipset që dikush të na tregojë vendin, ku çasti i parë i feksjes jep shenjë. Shenjë e domosdoshme dhe e patjetërsueshme për horizontin drejt të cilit duhet ecur, udhëtuar ose rendur. Thënë ndryshe, duhet një lajmëtar për ta kumtuar atë të vërtetë që qëndron përballë syve tanë, por është ende e padukshme në kthjelltësinë e vet.

Njerëzit e duan qartësinë, kthjelltësinë. Kanë nevojë për to. Por, kur dikush vjen dhe e kumton atë që pritej me kërshëri, atëherë kumtuesi refuzohet. Refuzohet fjala e tij, vepra e tij. Ai përqeshet. Tallet. Nënçmohet. Përçmohet. Shihet si i pabesueshëm. Konsiderohet si dikush që kërkon të vendosë në lojë arsyen e njerëzve më të fuqishëm dhe më të privilegjuar të shoqërisë. Sa më shumë kthjellohet kumti, aq më i fortë bëhet refuzimi kumtuesit, edhe pse kumtuesi nuk kërkon ndonjë shpërblim të caktuar, post, ofiq ose pushtet. E si mundet kumtuesi të kërkojë gjëra të paqëndrueshme, të thërrmueshme e të humbëshme, përballë të vërtetës që nuk vuan nga të tilla gjendje?

Pse refuzohet kthjelltësia kur është thellësisht e dukshme, e qartë dhe shkëlqyese?

Përballë së vërtetës që kumton kumtuesi ka dy gjendje: pranim ose mohim. Njeriu zgjedh anën nga do të anojë anija e tij. Nëse zgjedh mohimin, qoftë edhe në heshtje, atëherë e ka refuzuar pranimin e së vërtetës si të tillë dhe ka pranuar të banojë në shtëpinë e mohimit. Refuzimi i kumtuesit vjen si pasojë e mohimit që i bëhet pranimit të së vërtetës. Nëse kumtuesi nuk do ta kumtonte të vërtetën, nuk do të kishte arsye të refuzohej, sepse nuk do të kishte as arsye për ta mohuar një gjë që nuk vjen me të.

Mohimi kryhet prej atyre që në thelb janë dashurues të mohimit, të mënyrës së të jetuarit deri në çastin kur bëhet i domosdoshëm ndryshimi për t’u ringjallur në një jetë të re, duke qenë ende në jetë.

Horizonti i së vërtetës kërkon ndryshime të thella të mënyrës së të jetuarit. Njeriu duhet të ngrihet në lartësinë që e kërkon feksja. A kemi parë ndonjëherë të kërkohet feksja ndër lugina të thella? A kemi mundur ta shohim ndokund tjetër, përveçse në lartësitë e maleve? Feksja e së vërtetës në thellësinë e zemrës do të thotë lartësim i mënyrës së të jetuarit përmes dritës që e lajmëron largimin e territ.

Mohuesit që nuk e duan këtë ndryshim, lartësim, ngjitje drejt së epërmes, e mohojnë atë dhe refuzojnë t’i ndjekin gjurmët e dritës së feksjes, pasi trashëgimia e paraardhësve u duket më esenciale. Ose, e përdorin si justifikim të mohimit. Sido që të jetë, në fund mbeten mohues dhe refuzues. Kësisoj jeta e mëpasme merr ngjyrat e mohimit. Shkujdesja dhe pavetëdija janë pasojat më dramatike e tragjike të mohimit. Ashtu si të gjitha gjërat e kësaj jete, edhe mohimi nuk zgjat përgjithmonë. Feksja e të sigurtës do t’i shuajë dyshimet e gatuara në terrin e humnerave të thella të shkujdesjes dhe pavetëdijes.

A do të ketë kohë mohuesi të rikthehet nga këto thellësi kur e sigurta të ketë trokitur në derën e tij?