` . Modeli ballkanik për Amerikën - TV SHENJA

Modeli ballkanik për Amerikën

Askush nuk mund t’i imagjinojë reagimet që do të pasonin sikur këto racistë të bardhë të ishin një grup muslimanësh, një grup zezakësh ose ndonjë grup prej cilitdo komunitet që e kanë klasifikuar si “bota e tretë”. Po sikur në vend të flamurit të Izraelit brenda kësaj turme të valvitej edhe ndonjë flamuri turk ose i ndonjë vendi tjetër të asaj bote!? Vetë përfaqësuesja e Dhomës së Kongresit për Missouri Cori A. Bush u shpreh se: “Sikur njerëzit e zinj të bënim të njëjtat gjëra, reagimi do të kishte qenë krejt ndryshe”.

Shkruan: Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

Një oficer policie (Brian D. Sicknick) në Selinë Qeveritare ishte i fundit që u konfirmua i vrarë [CNN, 8.01.2021] nga një turmë mbështetësish të një partie politike, që vandalizuan ndërtesën e qeverisë dhe sulmuan forcat policore të mërkurën më 6 janar 2021. Pamje shqetësuese të gazit lotsjellës dhe përleshjeve me policinë, dyer e dritare të thyera, vjedhje sendesh elektronike, dokumentesh e materialesh zyrtare [Observer, 8.01.2021]. Një grua (Ashly ​​Babbitt) u qëllua për vdekje duke sulmuar [NYM,11.1.2021], tre vdiqën në urgjencat spitalore [CBS, 7.1.2021], dhjetëra të tjerë të plagosur dhe të arrestuar! Videot e paverifikuara, të shpërndara në rrjetet sociale, treguan një oficer policie që bënte selfie me disa protestues brenda Selisë dhe një tjetër tregonte oficerët që lëviznin barrikada për të lejuar turmën e njerëzve për t’iu afruar ndërtesës! Politikanë e ligjvënës në rendin e dhunuesve! Një barrikadë oficerësh të armatosur policorë qëndronin përpara tyre, më kot, në përpjekje për t’i ndaluar këta që kishin ardhur “në shtëpinë e popullit” që “ta shkatërrojnë anarkinë” [Newyorker, 6.01.2021].

Në përmbajtje duket sikur është një lajm i rëndomtë në ndonjë nga dhomat qeveritare të Ballkanit gjatë tre dekadave të fundit, në rastin kur njëra prej partive e humb elektoratin! Jo. Është dhunë në një vend që shpenzon 750 miliardë dollarë për mbrojtjen e vendit nga një grusht njerëzish racistë, thuhet të motivuar politikisht nga Presidenti Trump në zemrën e demokracisë amerikane! Është hera e parë që dikush guxon të hyjë në këtë “tempull” prej vitit 1812, kur forcat britanike tentuan ta rrënojnë dhe e dogjën ndërtesën [NYT, 10.01.2021]. Por, kësaj radhe ishin vetë amerikanët të joshur nga vetë Presidenti i tyre, i cili refuzoi ta pranojë vullnetin e më shumë se 81 milionë amerikanëve të tjerë që kishin votuar kundër tij. Prandaj kjo ka shkaktuar një valë tronditëse në mbarë vendin dhe i ka shtyrë ata të përpiqen ta kuptojnë se çfarë nënkupton kjo për të ardhmen e vendit! Të mësuar gjithherë të merren me punët e të tjerëve, sikur kanë harruar vetveten dhe vetëm tani po dyshojnë nëse ky është vetëm fillimi i fundit për t’u marrë si një model për demokracitë botërore?

Natyrisht, se ngjarjet që u zhvilluan në Washington DC nuk janë të ngjashme me ato që ndodhin në Ballkan ose në vendet shpesh të referuara si “bota e tretë”, në ato “në zhvillim” ose “ata atje”, sepse këto janë vendet ku SHBA-të përgjithësisht kanë ndërhyrë ose i kanë pushtuar për t’ua sjellë demokracinë. Megjithatë, kanë një ngjashmëri sipërfaqësore me pamjet e protestuesve shiitë që sulmuan Selinë e parlamentit të Irakut (2016), me të armatosurit që sulmuan parlamentin e Libisë (2014), me talebanët kur filluan sulmet vdekjeprurëse ndaj parlamentit (2015) sose grusht-shtetin “popullor” në Egjipt që hoqi nga pushteti Mohamed Morsin (2013) [CNN 7.01.2021]!

: Askush nuk mund t’i imagjinojë reagimet që do të pasonin sikur këto racistë të bardhë të ishin një grup muslimanësh, një grup zezakësh ose ndonjë grup prej cilitdo komunitet që e kanë klasifikuar si “bota e tretë”. Po sikur në vend të flamurit të Izraelit brenda kësaj turme të valvitej edhe ndonjë flamuri turk ose i ndonjë vendi tjetër të asaj bote!? Vetë përfaqësuesja e Dhomës së Kongresit për Missouri Cori A. Bush u shpreh se: “Sikur njerëzit e zinj të bënim të njëjtat gjëra, reagimi do të kishte qenë krejt ndryshe”.

Por, problemi i demokracisë amerikane nuk ka filluar dhe as nuk mbaron me Trump-in. Amerika ka probleme shumë më të mëdha. Ajo e ka humbur emrin me pretekse të trilluara për të sulmuar Irakun, me të dyshuarit në Gjirin Guantanamo pa procese të rregullta, me mbështetjen e vazhdueshme të diktatorëve, monarkive dhe autokratëve kur e ka pasur për interes të vetin! Periudha e Trump-it vetëm e shqeu velin për të zbuluar brendësinë e kësaj shëmtie. Ajo na tregoi të vërtetat e mishërimit në vrasjet e amerikanëve zezakë, në brutalitetin policor dhe racizmin sistematik [CNN 7.01.2021]. Kush i ka ndjekur fjalimet e Trump-it në fushatat zgjedhore të 2016-tës, ka të drejtë të besojë në urtësinë popullore se: “gjuha e një personi të jep të kuptosh se çfarë shijesh ka zemra e tij”.

Trazira të këtilla ishin paralajmëruar prej kohësh! Pas zgjedhjeve të 8 nëntorit, një provokator në internet dhe nacionalist i bardhë me emrin Tim Gionet [“Baked Alaska”] postoi video të njëpasnjëshme në rrjetet sociale, në të cilat paralajmëronte vazhdimisht për trazira nëse rezultatet nuk do të përmbyseshin. Vetëm një video e mëhershme kishte 45.000 pamje. “Trump ose luftë” thoshte ai në një video të postuar një ditë më parë. Të nesërmen ai transmetoi një video të drejtpërdrejtë nga brenda zyrës së Kryetarit të Dhomës, Nancy Pelosi [WSJ, 01.08.2021]. Disa të tjerë i takonin grupit të djathtë ekstremist “Proud Boys”, të themeluar në vitin 2016, të gjithë meshkuj anti-emigracion. Në debatin e parë presidencial të SHBA-ve Presidenti Trump i quajti “Djem krenarë – qëndroni prapa dhe qëndroni pranë” [NBC, 7.01.2021]. Një prej anëtarëve të tyre – Nick Ochs, e postoi në Twitter një “selfie” brenda Selisë, duke shkruar: “Përshëndetje nga Selia, lol”. Një tjetër emër i këtij grupi i cili u përfol shumë në rrjetet mediatike është Richard Barnett [nga Arkansas], ai buri që u duk i ulur në zyrën e politikanes demokrate Nency Pelosi. Në mesin e tyre ishte edhe ligjvënësi i shtetit të Virgjinisë Prendimore Derrick Evants, i cili kishte bërë një ”video-selfie” në mesin e përkrahësve të Presidentit Trump, duke thirrur: “Ne jemi brenda” [CBS, 01.07.2021].

Kishte gjithashtu protestues që mbanin flamuj lartë, duke shfaqur një gjarpër të mbështjellë në një sfond të verdhë, të shoqëruar shpesh nga fraza “mos më shkel”. Ky është i njohur si Flamuri i Gadsdenit, duke iu referuar revolucionit amerikan dhe luftës për të dëbuar kolonialistët britanikë [BBC, 7.1.2021]. Të paktën një prej tyre mbante një Flamur të Konfederatës, i cili përfaqësonte SHBA-të kur mbështesnin vazhdimin e skllavërisë gjatë luftës civile amerikane. Prandaj të shumtët e kanë konsideruar të jetë simbol i racizmit dhe ka pasur disa herë thirrje për ta ndaluar në SHBA. Një pjesëmarrës i arrestuar u akuzua për posedim të një “arme automatike”, një tjetër për sulm ndaj një oficeri policorë me një shkop, kurse një tjetri i nevojitej një përkthyes rus, për t’i thënë gjykatësit: “Unë nuk e di se çfarë hyrje të paligjshme i referoheni.” [WP, 8.01.21].

Mos u habisni aspak në mesin e këtyre u panë edhe flamuj të vegjël shqiptarë, gjë që verifikon edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në të! Po qëndronin para atyre dyerve, pas të cilave u autorizuan forcat amerikane për të ndërhyrë në Kosovë. Mund të tingëllojë si e pabesueshme, por ka pasur shumë shqiptarë të cilët verbërisht e kanë përkrahur ideologjinë “trumpiste” përçarëse dhe kundër emigrimit duke qenë vetë emigrantë! Shumë shqiptarë, madje, kanë kaluar nga Partia Demokrate në atë Republikane për hatër të Mark Kepit, që garonte për Asamblenë e Nju-Jorkut vitin e kaluar kundër znj. Nicole Malliotakis [Illyria, 15.6.2020]!

Ishte e dukshme se në Selinë e Kongreseve, ku po bëhej ratifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, nuk ekzistonte ajo ndjesi sigurie siç kishte qenë në dekadat pas 11 shtatorit 2001 [Newyorker, 6.01.2021]!? Në fillim kishte vetëm 2000 forca policore për gjithë sigurinë e Selisë, që përshfin një sipërfaqe prej 4.425 metrash katrore. Arsyet mbeten të paqarta përse pjesa tjetër e sigurisë nuk arriti në kohë, ndërsa protestuesit kishin rrethuar Selinë, para së cilës pak kohë më parë Trump-i kishte mbajtur një fjalim, ku e quajti elektoratin “shkelje skandaloze e demokracisë sonë”, duke i nxitur mbështetësit e tij të marshojnë drejtë Selisë në “një marsh për të shpëtuar Amerikën”. Numërimi i votave elektorale nga Kongresi, natyrisht, që ishte vetëm një formalitet që u shoqërua për disa javë me kërcënime në rrjetet sociale, për disa protesta që mund të eskalonin në dhunë dhe megjithatë nuk u bë asnjë përgatitje paraprake për ta siguruar ndërtesën nga agjencitë e tjera federale të sigurisë. Vetë kryetari i Bashkisë nuk u mobilizua deri kur protestuesit kishin shkelur për herë të parë barrikadat [Reuters, 7.1.2021]!

Lidhje me këtë ngjarje teoritë e konspiracionit si zakonisht u përhapën gjithandej, duke gjetur fajtorin ku është e ku nuk është! Paul A. Gosar (Ariz.) shkroi në Twitter për “provokimet e Antifa-s”. Me këtë akuzë doli edhe republikani Mo Brooks (Ala), duke shtuar se pas kësaj “mund të ishte kushdo tjetër, përveç mbështetësve të presidentit Trump”. Edhe Shannon Grove, udhëheqësja republikane në Senatin e shtetit të Kalifornisë, shkroi në Twitter (dhe fshiu më pas) një postim duke hedhur fajin tek Antifa: “Patriotët nuk veprojnë kështu… kjo ishte antifa.” [LAT, 6.1.2021] Në Newsmax, një kanal kabllor që ka fituar favorin e presidentit për mbështetjen e pretendimeve të tij të “zgjedhjeve të vjedhura”, ka lëshuar mbështetësin e Trump-it dhe themeluesin e “MyPillow”, Mike Lindell, i cili gjithashtu ka pretenduar se “ka pasur ndoshta disa njerëz antifa të fshehtë, që visheshin si mbështetësit e presidentit Trump“!

Antifa nuk është ndonjë grup i organizuar, por një ideologji e majtë politike anti-fashiste dhe anti-raciste në Amerikë, e cila synon në arritjen e objektivave të veta përmes protestave kryesisht të padhunshme, përmes fjalimeve, posterëve e fletëpalosjeve, marshimeve të organizuara kundër fashistëve, racistëve, supermacistëve e ekstremistëve të bardhë, etj. Veprimet e tyre kanë marrë mbështetje, por edhe kritika nga organizata dhe ekspertë të ndryshëm. Të parët i akuzojnë për veprime “terroriste”, të dytët i lavdërojnë për veprime liberale! Vetë Antifat përgënjeshtruan akuzat që u drejtoheshin, por nuk pati as prova për të mbështetur këtë pretendime [WP, 7.01.2021]. Përveç kësaj, një postim i shpërndarë gjerësisht pretendonte për një protestues që kishte një tatuazh “çekiçin komunist”, si provë se ai “nuk ishte një mbështetës i kryetarit Trump”! Të tjerët, sikurse Pete Hegseth [FoxNews] nuk besonte të ishte një “teori konspirative e motivuar në gënjeshtra”, por një “zgjim nga ato që kanë shkaktuar të majtët“ [Media, 7.1.2021]

Akuzat e tjera të gjitha shkojnë në adresë të Tramp-it! Ndërkaq nënkryetari Mike Pence nuk besonte ta kishte fuqinë për të bllokuar certifikimin e fitores së Joseph R. Biden-it në zgjedhjet presidenciale (306:232), Trump-i shkroi në Twitter se “Nënkryetari ka fuqinë të refuzojë zgjedhjet me mashtrim”. Ai disa herë kishte paralajmëruar për një ngjarje “të egër” që synonte ta kthente humbjen e tij në zgjedhjet e nëntorit, duke inkurajuar kështu mbështetësit e tij për “të treguar forcë e për të qenë të fortë” [Reuters, 7.1.2021].

Kundër këtij synimi për të minuar rezultatet e zgjedhjeve dolën edhe shumë republikanë, përfshirë Tim Scott-in e Karolinës së Jugut dhe James M. Inhofe të Oklahomas: “Mënyra se si Trump-i po e formulon atë, nuk ka asnjë meritë”, tha Edward B. Foley, drejtor i programit të së drejtës zgjedhore në Universitetin Shtetëror të Ohajos. Ajo që ai kërkon me çdo kusht është kontrolli i rezultateve që do të çojë atë në shpallje të mandatit të dytë për President” [NYT, 5.01.2021].

Disa nuk mjaftuan me kaq, por sugjeruan që Trump-i të ndiqej penalisht për krim e, madje, të dëbohej në bazë të Amendamentit të 25-të të Kushtetutës! Kështu deklaroi Rep. Jimmy Gomez [D-Calif], duke e konsideruar këtë si “një fillim për grusht-shtet” që synon “të vdesë demokracinë”. Ndërkohë senatori Ben Sasse [R-Neb], i cili kishte shpesh përplasje me Trump-in, u tha gazetarëve se “Gënjeshtrat kanë pasoja. Kjo dhunë ishte rezultati i pashmangshëm dhe i shëmtuar i varësisë së Presidentit për të nxitur vazhdimisht përçarje” [WSJ, 7.1.2021]. Kundër kësaj nxitjeje dhe mospranimit të zgjedhjeve dolën edhe shumë republikanë të tjerë, si senatori Ted Cruz [R-Texas], Paul Gosar [R-Ariz.], senatori Josh Hawley [R-Mo.] dhe Scott Perry [R-Pa.].

Nikoqiri i Fox News-it, Tucker Carlson, e trajtoj atë si njollë për Amerikën: “Ajo që ndodhi sot do të përdoret nga njerëzit që marrin pushtetin për të justifikuar heqjen e të drejtave me të cilat ka lindur Amerika… gjithçka tani është në rrezik”, tha ai [HP, 7.01.2021]. Akoma më i ashpër u tregua i ftuari në “Morning Joe” [MSNBC,7.1.2021] Joe Scarborough, i cili kërkoi madje që jo vetëm Trump, por edhe avokati i tij Rudy Giuliani, të arrestoheshin dhe të paraqiteshin para drejtësisë, sepse nxitja e tyre ishte asgjë më pak se “kryengritje kundër SHBA-ve”. Në të kundërtën: “Amerika nuk do të jetë më një komb ligjesh por individësh” [HP, 7.1.2021]! Të njëjtin qëndrim e kishin edhe disa ligjvënës, përfshirë Rep. Ilhan Omar [D-Minn.] dhe Rep. Alexandria Ocasio-Cortez [D-N.Y.] [NPR, 7.1.2021].

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, e quajti rastin “një dhunë e tmerrshme që shkelë parimet e Kushtetutës”, por nuk tha i kujt mund të jetë faji. Megjithatë, disa zyrtarë e paraqitën kërkesën për dorëheqje, siç qe shefja e stafit për zonjën e parë Melania Trump – Stephanie Grisham, Sekretarja Sociale e Shtëpisë së Bardhë – Anna Cristina Niceta dhe ndihmësja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë – Sarah Matthews [NPR, 7.1.2021]. Reprezentuesi për Illinois – Adam Kinzinger u bë një nga ligjvënësit e parë republikanë që bëri thirrje për largimin e Trump-it si “të papërshtatshëm” dhe me efekte tejet negative politike [WP, 7.1.2021]. U pasua pastaj nga senatorja Lisa Murkowski [R-Alaska] dhe u mbështet fuqimisht nga senatori Pat Toomey [R-Pa.], që e ngarkoi me “përgjegjësi penale”. Ish qeveritari i Chris Christie [NJ], një aleat i vjetër i Presidentit, ishte midis disa republikanëve që e mbështetën fajësimin e dyfishtë, që nuk i ka ndodhur kurrë një presidenti [USAT, 01.10.2021]. Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube e kanë anuluar anëtarësimin e Trump-it deri pas dorëzimit të detyrës së Presidentit të zgjedhur Biden [Time, 7.1.2021, WSJ. 7.1.2021].

Nga Evropa, Amerika Latine dhe Azia, politikanët, qytetarët dhe personalitetet i shikuan jo vetëm me tronditje, por edhe me mosbesim, pamjet e protestuesve pro-Trump, që i shtynin rojet për të hyrë atje ku nuk kishte provuar të hyjë kush prej kohësh. Përfaqësues të ndryshëm e komentuan në mënyra të ndryshme. Bie fjala, udhëheqësi i Partisë Komuniste të Rusisë Gennady Zyuganov, në një deklaratë tha se: “Bumerangu u kthye tek ata. Ishin ata që nisën revolucionet me ngjyra. Në pesëdhjetë vjet ata kryen tre duzina sulmesh, në mos më shumë. Ata rrëzuan udhëheqësit në Afrikën e Veriut dhe Jugosllavi dhe rrëzuan një qeveri normale në Ukrainë. Ata kishin shkuar në Bjellorusi vitin e kaluar. Epo, tani ata po paguajnë për të”. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, thjesht ndau postimin e ish shefit të CNN-it, Jill Dougherty: “Kurrë nuk do të jemi më në gjendje t’i tregojmë botës për shembullin e demokracisë“. Madje, edhe lideri i fundit i BRSS-së, Mikhail Gorbaçov, tha në një deklaratë se: “Stuhia e Kryeqytetit ishte planifikuar qartë paraprakisht dhe është e qartë nga kush”, por nuk sqaroj se kujt i referohej [CNN, 7.1.2021].

Disa të tjerë e komentuan si një hije e së kaluarës fashiste të Evropës dhe trazirave të Amerikës Latine, një “përkeqësim të thellë të imazhit demokratik të vendit”. Kancelarja gjermane Angela Merkel e akuzoi Trump-in dhe mbështetësit e tij për trazirat, ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, bëri një paralele me kapjen e pushtetit të Hitlerit, duke e krahasuar me djegien e parlamentit republikan të Gjermanisë në vitin 1933.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, një aleat i vjetër i Trump-it, shkroi në Twitter për: “Skena të turpshme në Kongresin Amerikan”, kurse Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut – Jens Stoltenberg, kërkoi “respektimin e rezultatit të zgjedhjeve”.

Zyrtarisht Kina nuk pati ndonjë reagim, përveç shtypit që vuri në dyshim rolin e SHBA-ve si një “model të demokracisë për botën”. Ata iu referuan “Global Times” kur në kohën e protestave në Hong Kong Nancy Pelosi qëndronte pro-demokracisë, duke i dhënë “një pamje të bukur” [GT, 30.5.2020] dhe pikërisht kështu “të bukura” u dukeshin tani atyre pamjet e Washingtonit! Në një model të tillë u pa edhe në Amerikën Jugore, një rajon politikash të trazuara të “metodave demokratike”, të cilat mbajtën në pushtet “njerëzit e urryer”! Ish presidenti i Meksikës – Felipe Calderon, po shihte në SHBA “frytet e diskursit populist”, duke qenë i sigurt se“SHBA-të do ta ndalojnë këtë çmenduri para se të bëhet vonë”.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, në llogarinë e tij zyrtare në Twitter, shprehu shqetësimet për këtë “sulm ndaj demokracisë”, duke shpresuar që “dhuna të mos triumfojë kurrë mbi demokracinë”. Por, në Toronto vërshuan mbështetësit e Trump-it, të cilët krijuan një autokolonë rreth 200 metra të gjatë, që kaloi nëpër qendër të qytetit dhe përballë Konsullatës Amerikane [GN, 6.1.2021 ].

Natyrisht, nëse brenda kësaj “loje” nuk fshihet diçka më e madhe, mbetet të shihet nëse Presidenti aktual Joe Biden do të mund të kurojë ose të zbusë, qoftë edhe për dy mandate (?), përçarjet që ka krijuar presidenti Trump?! Ditën e trazirave në një fjalim televiziv tha se paligjshmëria “nuk është mospajtim, është çrregullim, është kaos që kufizohet me kryengritje dhe duhet të marrë fund tani”. Ai, madje, e quajti si një “sulm ndaj demokracisë” dhe “një turmë e trazuar, kryengritës, terroristë të brendshëm” [ABC 7.01.2021]. Në fjalën e tij të fitores, ai pati premtuar të kapërcente përtej “shtegut”, të punonte me republikanët në mënyrë që të bashkojë vendin. Ky do të ishte një ndryshim i mirëpritur, por për ta bërë këtë, ai ka nevojë për të bashkëpunuar me partinë opozitare [WP, 13.11.2020], po aq sa të ndërmarrë edhe disa masa të cilat mund t’i egërsojnë edhe më shumë pakënaqësitë, veçanërisht tek ata të cilët as nuk e konsiderojnë për presidentin e tyre legjitim!

Nga ana tjetër, u tha se Forcat e Armatosura, që ishin nën komandën e Trump-it, do ta prishnin traditën dyzetvjeçare të celebrimit të lamtumirës dhe nuk do të marrin pjesë në largimin e tij nga Presidenca [Media, 16.01.2021]. Edhe vetë ai bëri një ndryshim, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë që nga ora 8 e mëngjesit, për të mos marrë pjesë në inaugurimin dhe betimin e Presidentit Biden [NBC, 20.01.2021]! Në ora 11:00 ai mbërriti në residencën e tij në Floridë, ku e pritën përkrahësit me afishe: “Presidenti më i mirë i të gjitha kohëve”, “Faleminderit President” etj [BS, 20.1.2021].

Analistët thanë se, përtej humbjes së mandatit të dytë, mundësisë për të rikonkurruar dhe pandëshkueshmërisë ligjore që gëzonte, Trump-i do të përjetojë një seri humbjesh të tjera politike, financiare dhe ligjore. Washington Post ka dhënë një seri problemesh me të cilat përballet organizata e tij, përfshirë anulimin e partneritetit me tre bankat e Nju-Jorkut dhe mbylljen e shumë hoteleve (për shkak të pandemisë). Në katër vitet e ardhshme ai duhet të shlyejë më shumë se 300 milionë dollarë kredi të papaguara. Do të përballet me hetimin e dy prokurorëve të ndryshëm në shtetin e Nju-Jorkut për shkelje të ligjit tatimor, një rrezik serioz prej miliona dollarësh gjobitje që do ta ndjekë penalisht [USAT, 7.1.2021]!

ABC raportoi kohët e fundit se përballja me të tilla probleme mund të jetë shtytësi kryesora që e nxiti Trump-in për “nevojën” e qëndrimit në presidencë edhe për një mandat, duke gjetur arsyetime nga më të çuditshmet dhe nga më absurdet [NYM, 18.01.2021]. Ai, madje, mund të përballet edhe me akuza për trazirat e 6 janarit që mund ta padisin Trump-in për rolin e tij në nxitjen e dhunës. Thjesht, ai do të ecë i zhveshur në një botë të ftohtë dhe pa miq, por shkaktar i shumë trazirave që mund ta pasojnë. Mysafiri i FoxNews-it, Stuart Varney, tha se kujtesa e Trump-it do të mbetet “e lidhur përgjithmonë” me rrethimin në Shtëpisë së Bardhë, presidenca e tij përfundoi në “kaos dhe turp”, kurse vetë partia që përfaqëson do të përballet me “rimëkëmbjen e vetvetes” nga turpi që i ka shkaktuar.

Në përmbylljen e këtij artikulli po ndjek fjalimin lamtumirës të Presidentit Trump [19.01.2021], një ditë para se ta lironte Shtëpinë e Bardhë dhe fjalimin inaugurues të Presidentit të 46-të të SHBA-ve, Biden. Trump-i bëri lutje për Administratën e re të Presidentit, por emrin nuk ia përmendi. Ai vuri në pah vështirësitë me të cilat po përballet sot Amerika, me humbjet e 400.000 njerëzve nga pandemia, me krizën ekonomike si pasojë e saj dhe me marrëdhëniet e tensionuara me aleatët! Por, shtoi pastaj, se: “Rreziku më i madh me të cilën po përballemi është humbja e besimit në veten tonë”. Ai shprehu krenarinë e tij që: “Jam presidenti i parë në dekada që nuk kam filluar asnjë luftë të re”. Megjithatë, në përfundim, i siguroi aderuesit e tij, por edhe kundërshtarët, se: “lëvizja që kemi nisur vetëm sa ka filluar”, duke qenë optimist dhe me besim të fortë se për “vendin tonë dhe për fëmijët tanë do të vijnë ditë më të mira” [NYT, 19.1.2021]!

Biden-i, një ditë më pas, filloi me sihariqin: “demokracia ngadhënjeu”. Sot – tha ai – nuk po festojmë triumfin e një kandidati, por triumfin e një kauze, fitoren e popullit që din ta çmojë demokracinë. Ai vuri në pah sfidat që ka përpara, në kohën kur pandemia ka “fshirë” më shumë jetë njerëzore se ç’ka humbur Amerika në Luftën e Dytë Botërore, kur miliona vende pune janë humbur, qindra mijë biznese janë mbyllur dhe kur shumë ndarje racore janë nxitur. Në fund premtoi se do të riparojë aleancat, se do të mbetet partneri më i besuar i paqes, i përparimit dhe i sigurisë. “Ne do të jemi të gjithë bashkë dhe do të ngadhënjejmë mbi përçarjet racore, që po përpiqen të na i ngjallin, do t’i shërojmë plagët që na janë hapur për fëmijët tanë dhe vetëm atëherë do të mund të shkruajmë një kapitull tjetër të madh të historisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vetëm puna dhe lutjet na kanë bërë këta që jemi, dhe unë besoj se të bashkuar të tillë do të mbetemi”. [PBS, 20.1.2021].

Lajmet e gazetave kryesore të shtypin Amerikan, përfshirë New York Times, Washington Post dhe Wall Street Journal, i paraqitën si lajm kryesor të ditës trazirat në Selinë e Kongreseve, lajm të cilën e plasuan gazetat prestigjioze botërore. “Kryeqyteti Amerikan nën rrethim” dhe “Kaosi përfshinë demokracinë Amerikane” ishin pak a shumë titujt në qendër të vëmendjes për shumë vende të botës. Nga “The Times”, “The Independent” dhe “The Telegraph” të Mbretërisë së Bashkuar, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe “Süddeutsche Zeitung” të Gjermanisë, “El Pais” e Spanjës, “Le Figaro” e Francës, “Jeruzalem Post” e Izraelit, etj.

Imazhi më i përfolur, ky burrë 32 vjeçar gjysmë i veshur me gëzof, me një fytyrë të pikturuar, plot tatuazhe me një përkrenare leshi me brirë, duke mbajtur një flamur amerikan. U identifikua si Jake Angeli, i njohur edhe si QAnon Shaman, një mbështetës i njohur i Trump-it dhe i teorisë së konspiracionit. Një aktivist në tubimet politike të krahut të djathtë të Arizonës prej vitit të kaluar [USA Today & Independent, 7.01.2021].

 Shqiptarët në protesta “Pro-Turmp” në Washingotn DC, 6 janar 2021