Mitrevski: Materialet për kornizën negociuese të cilat i kërkon opozita do t’iu dorëzohen deputetëve

Mitrevski: Materialet për kornizën negociuese të cilat i kërkon opozita do t’iu dorëzohen deputetëve

Materialet për të cilat insiston opozita në lidhje me Informacionin për përmbajtjen e propozim-kornizës negociuese, të dërguar nga Qeveria në shtëpinë ligjvënëse, do t’iu dorëzohen deputetëve përmes kryetarit të Kuvendit, informoi sot koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitrevski pas koordinimit të sotëm kushtuar Informacionit.

“Nëse këto materiale nuk janë të kapshme, atëherë çka kemi bërë ne 3-4 orë, në bazë të cilave dokumente kemi biseduar. Në bazë të cilave dokumente krijohet përshtypja ose në bazë të cilave dokumente mbahen konferencat për media nga ana e partisë opozitare, kështu që për këtë edhe një herë këtë mund ta quaj vetëm folklor politik”, tha Mitrevski.
Sa i përket asaj nëse do të mbahet takim i ri i grupit të punës së partive politike kuvendore në lidhje me propozim-kornizën negociuese, Mitrevski informoi se ideja në takimin e parë ishte që të dakordohen konkluzionet sa i përket Informacionit dhe pas përfundimit të diskutimit për të, ato konkluzione të jenë mjet i votimit.

Ai shtoi se me ato propozim-konkulzione do të hiqen të gjitha dilemat në publik, në pjesën e gjuhës, edhe pse është i pastër, edhe për pjesën e historisë, çështjet bilaterale, për arsimin, për veçantinë e popullit maqedonas, për veçantinë me të gjitha elementet e saj, për identitetin.

Në lidhje me protokollin bilateral me Bullgarinë, Mitrevski potencoi se përmbajtja e tij ende nuk është dakorduar dhe një dokument i tillë nuk është nënshkruar.

“Kur do të nënshkruhet dhe kur do të dakordohet atëherë do të publikohet për të gjithë publikun dhe besoni se me këtë që tani flitet do të shihni se atëherë kur do të publikohet do të përgënjeshtrohet”, shtoi Mitrevski.