` . Mithat Frashëri për gjuhën shqipe - TV SHENJA

Mithat Frashëri për gjuhën shqipe

Mithat Frashëri, në vazhdimësi, shkroi e botoi artikuj për gjuhën shqipe, për rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të saj. Ai bënte thirrje që turqizmat e greqizmat që kishin zënë vend në shqipe të largoheshin, të mos përdoreshin kur kemi fjalë shqipe, pos nëse shqipes i mungonin.

Abdurrahim MAXHUNI, Prishtinë

Përpjekja më e madhe për një gjuhë shqipe të pastër, të zhvilluar e të përparuar i takon brezit të autorëve të Rilindjes Kombëtare. Kjo periudhë njihet si periudha e artë e zhvillimit kulturor, letrar e gjuhësor e popullit shqiptar. Të kësaj periudhe janë studimet më të rëndësishme të gjuhës shqipe, fjalorët e gramatikat e para me autorë, si Kristoforidhi, Veqilharxhi, vëllezërit Frashëri etj. I kësaj periudhe konsiderohet edhe Mithat Frashëri, i biri i Abdyl Frashëri, ose Lumo Skëndo, siç njihet me pseudonimin e tij.

Ky personalitet i kohës lindi në Janinë më 25 mars 1880 dhe u rrit në mesin e shumë figurave të ndritura shqiptare brenda dhe jashtë familjes së tij. Vitet e para i kaloi në vendlindje, për t’u shpërngulur pastaj në Stamboll, ku babai i tij ishte në internim, ndërsa axhallarët e tij, Naimi e Samiu, vepronin atje. Ai u rrit në kujdesin e këtyre personaliteteve. Për këto figura të ndritura ai do të shprehje se qysh në moshë të re kishte mësuar histori e gjeografi nga Abdyli, stilistikë e poetikë nga Naimi, ndërsa gramatikë nga Sami Frashëri.

Mithat Frashëri ishte mendimtar elitar, politikan, ekonomist, analist, publicist, shkrimtar, historian, autor tekstesh shkollore, përkthyer, lëvrues i gjuhës shqipe etj. Një pjesë e materialeve të Mithat Frashërit ruhet në dorëshkrim në Arkivin e Shtetit Shqiptar, ndërsa një pjesë e konsiderueshme është botuar në organet e shtypit shqiptar brenda dhe jashtë në diasporën shqiptare, por edhe në gjuhë të huaja, në gazetat e revistat më të njohura evropiane. Ai, përmes këtyre shkrimeve, është munduar ta dëshmojë edhe në botën perëndimore historinë, kulturën e identitetin e shqiptarëve. Vepra e këtij autori të njohur është një pasuri kombëtare, si shqiptare, ashtu edhe evropiane, e cila nuk është studiuar dhe nuk është shumë e njohur në hapësirat tona.

Pas vdekjes së anëtarëve të Shoqërisë së Stambollit, Mithat Frashëri  u bë shtyllë kryesore e kësaj shoqërie. Lidhjet që i krijoi me klubet dhe shoqëritë shqiptare i mbajti e i shpeshtoi, duke botuar edhe shkrime në organet e shtypit shqiptar. Lumo Skëndo qysh në moshë të re filloi të botonte shkrimet e para. Në moshën 17-vjeçare ai botonte shkrime në gazetën “Albania”, ndërsa nga mosha 18-vjeçare filloi të publikonte shkrime në “Kalendarin Kombiar”. Botimet e shkrimeve i vazhdoi edhe në revistat të tjera, si: “La Nazione Albaneze”, ndërsa nisi të botonte edhe gazetën “Lirija” e revistën “Diturija”, dy revista që u bënë vend i studimeve, krijimeve shkencore e letrare shqiptare, përmes të cilave u ngrit çështje kombëtare, kulturore e gjuhësore e shqiptarëve.

Një nga qëllimet për të cilat punonte ai, si edhe gjithë brezi i Rilindjes ishte gjuha, shkrimi, mësimi dhe ruajtja e saj. I rritur në një familje ku gjuha shqipe lartësohej, as ai nuk do të qëndronte indiferent karshi gjuhës, karshi laramanisë së përdorimit të saj, karshi shkarjeve të saj. Ndërsa libri e dituria për të ishin më të larta e më të përshtatshme se trimëria. Për diturinë do të shprehej: “Mos pandehni se me trimëri mund të bëjmë ndonjë punë të madhe. Trimëria e shqiptarëve nuk e shpëtoi as Nishin, as Vranjën, as Leskovcën që i rrëmbeu Serbia, as Tivarin e Ulqinin që i gllabëroi Mali i Zi, as Çamërinë që e mori Greqia. Shqiptarit, aq sa i duhet buka, i duhet dituria dhe nacionalizma.” Me pseudonimin

Lumo Skëndo hartoi dhe botoi për shkollat shqipe librat: “Këndimet”, “Dhetregonjë”, “Këndimet për shkollat e para”, “Këndime diturije me figura”. Përveç librave shkollor, ai në shumë shkrime të publikuara do të qortonte dhe do të bënte thirrje për përdorimin e drejtë të shqipes, për largimin e fjalëve të huaja e për kultivimin e saj. Kështu, qysh më 1905, ai boton shkrimet e para për kujdesin që duhet të tregojmë ndaj gjuhës: “Thjeshtësia është bukuri në gjuhë”, “Shqip kuvendojmë, apo çorbë trazojmë” etj.

Rrugën të cilën e zgjodhi Mithat Frashëri ishte emancipimi kombëtar e kulturor nëpërmjet tri shtigjeve: a. përhapja e librave dhe e gazetave në gjuhën shqipe; b. hapja e klubeve kulturore për sigurinë e veprimtarive politike e kulturore; c. hapja e shkollave shqipe, për njohjen e identitetit kombëtar shqiptar në botë.

Mithat Frashëri dhe Kongresi i Manastirit

 Kontributi i tij për gjuhën shqipe la gjurmë në Kongresin e Manastirit, i cili erdhi si rezultat i nevojës së unifikimi të shqiptarëve me një alfabet të vetëm. Ishte klubi kulturor “Bashkimi” që e mori nismën për një kongres të përmasave të tilla mbarëkombëtare, ku morën pjesë 50 delegatë nga gjithë hapësirat shqiptare. Mithat Frashëri ishte kryetar i këtij kongresi. Më 1908, në gazetën “Ilirja”, ai e botoi procesverbalin e Kongresit. Për qëllimin e mbajtjes së këtij kongresi ai shprehet: “Nga çdo a’ne e Shqipërisë ishin ftuar gjithë ata që me dijen, mendjen dhe fuqin’e tyre mund të ndihnin, për t’i dhënë një fund kësaj ngatërrese, abecesë, për të zbukuruar gjuhën dhe për të përhapur mësimin në vendin tonë”. Përdorimit të shumë alfabeteve do të duhej t’i jepej fundi në këtë kongres, sepse sipas tij shqiptarët, për të lënë një emër pas, krijojnë një alfabet të ri, duke ua ndërruar tingullin shkronjave: “Ashtu edhe shqiptarët! Më i dobëti i shkronjësve, më i gjori fjalërrudhosës, kujtonte se do të linte një emër të pavdekur, duke ngrehur një pakë shkronja të reja dhe duke ndërruar zënë (tingullin) e shkronjave. E kështu dita më ditë po na dilte nga një abece, si kërpudhat pas shiut!” Shqetësimi i tij ishte se libra, fletoret, gazetat e shkrime e tjera nuk përhapeshin dot në Shqipëri, sepse nuk mund të lexoheshin dhe se nuk është punë e lehtë që njeriu çdo ditë të mësonte një abece të re. Andaj, kongresi kishte për qëllim shërimin e kësaj plage. Edhe pas njësimit të dy alfabeteve në Kongresin e Manastirit, në gazetat e kohës në Stamboll botoheshin artikuj të ndryshëm ku bëhej thirrje për përdorimin e alfabetit turko-arab, sepse për arsye politike shqiptarët do të duhej të rrinin me Turqinë për interesin tonë dhe meqë Kurani ishte i zbritur në gjuhën arabe, e që për të mbajtur fenë islame duhej të përdoreshin edhe shkronjat arabe. Frashëri, në një shkrim të botuar në revistën “Ilirija”, mbron qëndrimin se shqiptarët duhet ta përdorin alfabetin latin, madje ai refuzon ta quajë latin, por e quan shqip. Si njeri me njohuri të mëdha nga fusha e gjuhëve të tjera, ai përmend rëndësinë e shpikjes së shkrimit, fillet e tij dhe format e tij. Njeriu nuk bëhet i pafe nëse përdor një palë shkronja, sepse besimi qëndron në zemër e jo në shkronja: “Sot shkronjat arabisht i përdorin katolikët dhe ortodoksët e Sirisë, po asnjëri prej atyre s’bëhet mysliman; dhe asnjë mysliman s’bëhet i krishterë, duke përdorur shkronjat latine a shqipe.” Andaj, sipas, tij, duke e parë natyrën e shqipes, ajo shkruhet vetëm me shkronja latine, sepse është më afër gjuhëve të Evropës sesa gjuhëve semite si arabishtja ose turanike si turqishtja.

Para mbajtjes së kongresit, Frashëri shprehet se kjo nismë u prit me një ftohtësi, sepse njerëzit mendonin se shqiptarët nuk kishin arritur në atë pikë sa për ta zgjidhur këtë çështje madhore. Madje, kishte një frikë se delegatët do ta mbronin alfabetin që përdorte shoqëria e tyre dhe se kjo nismë do të mbaronte pa e arritur qëllimin. Gjithë kjo frikë ka qenë një ëndërr e ligë, një ëndërr e zezë: “Tani themi se shkrimi i gjuhës sonë u rregullua, themi se abeceja u njësua; tani do të mbledhim gjithë fuqinë, për të shkruar dhe për të përparuar gjuhën, pa humbur kohën në zihje e në grindje të abeceve. Tani gjithë dëshira jonë do të jetë për të sjellë në dritë vepra të nevojshme, për të përhapur mësimin dhe për të lulëzuar gjuhën, librat shkollorë, diturakë dhe letrarë.

Kontributi i tij vijoi edhe më tutje, me nismën e thirrur nga ai, më 1909 për Kongresin Arsimor të Elbasanit, i cili iu kushtua shkollave shqipe. Shtimi i nevojave dhe mundësia më e madhe për të hapur shkolla shqipe, përmes të cilave do të mësohej gjuha shqipe, e shtyn Frashërin të merrte një nismë të tillë. Përhapjen e përparimin e gjuhës shqipe, ai e shihte nëpërmjet hapjes së shkollave, andaj u dërgoi ftesë të gjitha shoqërive, klubeve e qyteteve për t’i bashkuar forcat për këtë qëllim. Ndër vendimet që u morën në këtë kongres, ishte edhe ai i hapjes së ‘mësonjëtores për mësonjës’ në Elbasan.

Programin që ua dërgoi klubeve e shoqërive shqiptare ishte ky:

  1. Themelimi i shkollave shqip, numri dhe vendi i tyre.
  2. Themelimi i një shkollë për mësonjës (ecole normale).
  3. Si do të mbahen shkollat? Ku do të gjenden të hollat? Sa do të ndihin klubet?
  4. Programi i shkollave; ç’mësime do të mësohen dhe me sa rreshta do të jenë shkollat?
  5. Bydçe e shkollave dhe të zgjedhurit e mësonjësve.
  6. Të zgjedhurit një këqyrtari për gjithë shkollat.
  7. Të bërët një qender për të rregulluar dhe për të shikuar punët e shkollave.

Mithat Frashëri për gjuhën letrare

Pas njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manstirit, siç dihet, rilindësit i mundonte mungesa e një gjuhe letrare që do të përdorej nga të gjitha anët dhe në librat e shtypur, edhe pse ishin të bindur se koha nuk ishte e përshtatshme për një të gjë të tillë. Sikurse alfabete të ndryshme që përdoreshin, në hapësirat shqiptare përdoreshin edhe dialektet e shqipes, gegë dhe toskë, të cilat ruheshin e përdoreshin me fanatizëm nga folësit e tyre. Në një shkrim të botuar në revistën “Diturija”, Mithat Frashëri shprehej se sado që gjuha është një dhe e vetme, nuk mund të mohoheshin ndryshimet e mëdha në mes të dy dialekteve të shqipes, pa i numëruar edhe nëndialektet e tjera. Si rezultat i kësaj, librat e shkrimet e shkruara në dialekte e të folme shpeshherë mbeteshin pa u kuptuar prej të tjerëve. Frika e tij ishte se për një komb të vogël dhe të dobët ndarjet dhe çarjet e tilla ishin një rrezik i madh që nuk mund të shihej me gjakftohtësi, andaj nevoja për gjuhën shqipe të shkruar në një gjuhë të vetme letrare, e cila do të përdorej nga të gjithë shqiptarët anembanë, ishte e madhe. Por, si do të realizohej kjo? Duke pasur parasysh thirrjet e disa autorëve që elbasanishtja të bëhej gjuhë letrare për të gjithë, Frashëri hedh dyshime në realizimin e kësaj ideje kur në elabsanishte nuk kishte ndonjë vepër të madhe, as ndonjë ‘shkronjëtore’, që do t’i shpjegonte me thjeshtësi rregullat e kësaj të folmeje. Aq më shumë që as Kristoforidhi nuk kishte përdorur elbasanishten në veprat e tij, por një gjuhë të përzier për të qenë e kuptueshme nga të gjithë shqiptarët. Ai do të shprehej se “Edhe pa një vepër të mirë, pa një udhëheqës të mbaruar, s’mund të mësohet me gjithë bukuritë e saj një gjuhë letrare”. Ai shpreh mendimin se qendra e dialektit gegë është Shkodra, sepse shkrimtarët e mësuesit e gegërishtes ose janë shkodranë ose kanë qëndruar disa vjet në Shkodër. Pastaj e vetmja shtypshkronjë që ka ekzistuar në Shqipëri ka qenë në Shkodër, ku janë shtypur shumë libra fetarë krishterë, por edhe librat shkollorë janë shkruar prej shkodranëve. Por, sipas tij gabimi i tyre ka qenë përdorimi i drejtshkrimit të Kristoforidhit “dhe ashtu duket gjuha si fare e huaj, një gjuhë që s’flitet asgjëkundi në Shqipëri shumë kanë vuajtur mësonjësit me këta libra, duke i ndërtuar sipas gjuhës që flitet, për të lehtësuar mësimin në shkollë”. Dialektet e gegërishtes, ashtu siç është përmendur edhe në studimet e tjera, kanë dallime nga njëri-tjetri dhe qëndrojnë më larg njëri-tjetrit sesa dialektet e toskërishtes dhe këtë shprehet se e sheh kudo po të hedhim një vështrim në botimet që ekzistonin. Ndërkaq për toskërishten mendon se është një kullim i disa të folmeve dhe se shkrimtarët e saj janë nga pjesë të ndryshme, pa një qendër siç është Shkodra për gegërishten. Andaj, duke e parë këtë ndarje dialektore në mesin e shqiptarëve, mendon se për gjendjen e përgjithshme në të cilën ndodhen shqiptarët është mirë që përdoren të dy dialektet, porse mësuesit do të duhej të mësonin dhe t’i përdornin të dy dialektet e shqipes, po ashtu t’ua mësonin të tjerëve, ku në tekstet e të dy dialekteve të futeshin edhe pjesë nga dialekti tjetër. Megjithatë, edhe pse ishte një gjendje e tillë “aspak s’mund të na ndalojnë që tani të nisim e të mendohemi mbi një gjuhë të përgjithshme, e cila do të jetë për tërë shqiptarët, sikundër që kanë bërë kombet e qytetëruara”. Ndonëse shqiptarët kanë dy dialekte, dallimet që ekzistonin ndërmjet folësve e besimeve nuk do të duhej të ishin pengesë për një gjuhë të vetme. Gegët dhe toskët, sikurse të krishterët dhe myslimanët do të duhej të bashkoheshin si një trup i vetëm që ka një shpirt dhe shpirti i kombit është gjuha që flet dhe se gjuha shqipe është një gjuhë e vetme, andaj duhet të përdoret një alfabet, një drejtshkrim dhe një terminologji për t’i ikur asimilimit nga kombet e tjera fqinje. Për të arritur këtë, Frashëri mendon se qendra e burimit të shqipes mungon dhe se ka mbetur e huaj dhe e panjohur, “dialektet e qendrës që janë pa dyshim më të kthjellët, nuk i dimë apo më mirë themi, palcën e shqipes, s’e njohim aspak. për të vërtetuar dëshirën e nevojshme, që përmendëm, lypset domosdo në rend të parë ta njohim e ta mësojmë qendrën e gjuhës dhe ashtu, pa dyshim, do të mundemi me kohë ta gjejmë ndër këto dialekte të qendrës edhe kërthizën e gjuhën sonë, të cilën duhet ta mësojmë e pastaj ta përhapim nëpër tërë Shqipërinë.”

 Mithat Frashëri për fjalët e huaja dhe për drejtshkrimin

Mithat Frashëri, në vazhdimësi, shkroi e botoi artikuj për gjuhën shqipe, për rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të saj. Ai bënte thirrje që turqizmat e greqizmat që kishin zënë vend në shqipe të largoheshin, të mos përdoreshin kur kemi fjalë shqipe, pos nëse shqipes i mungonin, si: çorbë, hesap, akoma. Ai ishte kundër atyre myslimanëve dhe të krishterëve, të cilët e trazonin shqipen me fjalë nga turqishtja e greqishtja. Sipas tij, për fjalën efendëm, duhet të themi zot, zotni; në vend të vade, të themi punë; në vend sebep, të themi shkak; në vend të katl të themi vrasje; në vend të mahqum të themi u dëmtua. Ndërkaq për fjalët greke, të cilat i përdorin të krishterët, si: malista, parakolla, kalimera, matotheo, efharisto etj., sipas duhej të përdoreshin fjalët shqipe: urdhëron, të lutem, mirëdita, për perëndinë, tungjatjeta etj. Fjalët e huaja, të botuara jo vetëm në libra e revista, por dhe ato që përdoren në përditshmërinë e njerëzve, në kafe, me miq e me shok, i pengonin, sepse shqiptarët mburren kur përdorin fjalë të huaja gjatë bisedave, “do me turqisht qoftë, do me greqisht, ata që trazojnë gjuhën shqipe me fjalë të tjera, bëjnë një faj të madh. Bëjnë faj se është një gjë fort e shëmtuar të vërë njeriu fjalë të huaja në një gjuhë. Kur e flet vetë, njeriu s’i vë re: po kur dëgjon një tjetër, që kuvendon një gjuhë të përzier me fjalë të huaja, ahere e kupton se sa shëmtim ka.

Në shkrimin “Të vëmë re kur shkruajmë”, Frashëri bën thirrje që të përdorim drejt fjalët shqipe, që ortografia të jenë në përputhje me rregullat e gjuhës shqipe. Ndonëse para më tepër se 250 vjetësh Frang Bardhi thoshte se gjuha shqipe po prishej e po bastardohej, në këtë artikull autori thotë se kjo qëndron edhe sot e kësaj dite. Rregullat e sintaksës së shqipes janë më të thella seç i mendojnë njerëzit. Në shumicën e Shqipërisë lajthitjet që bëhen në fushën e sintaksës janë të mëdha dhe më tepër në shkrime sesa në të folur. Këto lajthitje nga rregullat e gjuhës, që hasen në shkrime, japin një shembull të ligë, sepse shkrimi në vend që ta pastrojë dhe ta thjeshtësojë gjuhën, po i shton lajthitjet. Kështu, moskujdesi në të shkruar do të jetë një dëm afatgjatë, sepse lajthitjet do të mbeten përgjithmonë. Barra e këtij faji u takon atyre “që shkruajnë pa marrë pak mundim që të gjykojnë rregullat dhe bukurinë e gjuhës… dhe pandehin se një gjuhë mund të shkruhet krejt ashtu si flitet në qytet a në fshat të tyre”.

Të gjithë ata që shkruajnë duhet të përkujdesen që t’i zbatojnë rregullat e gjuhës. Ai, në këtë shkrim, ndalet tek disa shkarje gjuhësore që i ka hasur, duke dhënë edhe formë e saktë të tyre, si: njeriut mirë. Në këtë rast i mirë është mbiemër i nyjshëm, sepse ka nyjën i përpara, ndaj duhet të përdoret njeri i mirë, njeriut të mirë, njerëz të mirë. Shembuj të njëjtë has edhe tek emrat femërorë: shtëpisë madhe, në vend të shtëpisë së madhe. Lajthitjet tjetër që has është përdorimi i përemrit tonë, te shembulli vëllai tonë, në këtë rast duhet të përdoret vëllai ynë, sikurse edhe në rrënjët e tjera duhet të përdoret tonë: vëllait tonë, vëllanë tonë (t’ënë), pra, mund të themi vëllait tonë (sado që t’ënë), por asnjëherë nuk duhet të përdoret në emërore. Mund të themi vëllait tonë, por është një gabim i madh të themi vëllaj tonë, ndërsa shumësi duhet të përdoret: vëllezërit tanë dhe jo vëllezërit tonë. E njëjta gjë vlen edhe për gjininë femërore: mëma jonë, mëmës sonë, mëmën tonë, mëmës sonë. Këto gabime, sipas autorit, më së shumti hasen në Korçë.

Një shkarje tjetër gjuhësore, që e vëren autori, është përdorimi i përemrit pronor tim në vend të im, vëllai tim, në vend të vëllai im. Ky përemër, në rastet e tjera, bëhet t’im: vëllait t’im, vëllanë t’im. Tim, sipas autorit përdoret edhe për emrat asnjanës: gjalpët t’im, ujët t’im, ndërsa në femërore: motra ime, motrës s’ime, motrën t’ime.

Për shprehjen do vete, dot vete, thotë kjo duhet të përdoret kështu: do të, do të vete, ndërsa në gegërishte del: kam me vajt. Edhe përdorimi i shkronjës h, të cilën autori e quan shkronjë të gjorë, del i përdorur keq. Disa thonë fryn hera (era), vajçë një erë (herë), hudhë (udhë), elm (helm), arova (harrova) etj.

Shpeshherë, sipas autorit, ngatërrohen fjalët vinte, vente. Andaj, ai mendon këto dy fjalë nuk duhet të ngatërrohen – edhe shumësin e emrave mashkullorë e bëjnë femërorë: këto male, këta male. Andaj tërheq vërejtjen që të kemi kujdes kur të përdorim, ky mal, këto male dhe jo këta male.

Tutje, në këtë shkrim, autori trajton edhe përdorimin e mbaresës t tek emrat në gjinoren e shquar, përdorimin e përemrave ne, neve, foljen të larë, t’u larë, drejtshkrimin e numërove rreshtorë e ngatërrimet që bëhen në mes të emrave urith, iriq. Autori trajton edhe përdorimin e apostrofit, apo shuanjëzës, duke treguar se kur duhet të përdoret, përdorimin e shkronjës ë dhe përdorimin e trajtave të shkurtra.

Çështjes së zbatimit të rregullave të ortografisë shqipe autori i kushton rëndësi të madhe dhe bën thirrje që në të shkruar t’u përmbahemi rregullave. Ai shprehet: “Një shqiptar kur merr pendën në dorë dhe zë të shkruajë, një mijë të vështira i dalin përpara: nuk gjen dot fjalë, nuk i lidh dot këto fjalë dhe të shumtave s’u di ortografinë.” Sipas tij, për t’i ditur rregullat e shkrimit, duhet që njeriu të lexojë shumë. Shqiptarëve u mungon leximi, andaj sheh njerëz që ankohen për vështirësitë e të shkruarit me rregulla dhe sheh njerëz që duan të shkruajnë pa lexuar. Kështu që leximi, sipas tij, është forma e vetme për ta përmirësuar drejtshkrimin.

Mithat Frashëri për historinë e gjuhës

Në shkrimin “Katedrat e gjuhës shqipe në vende të huaja dhe albanologjia” i vërejmë njohuritë e tij për historinë e gjuhës shqipe, për studiuesit e huaj dhe marrëdhëniet e shqipes me gjuhë të tjera. Aty ai trajton çështje të ndryshme për historinë e gjuhës shqipe, dijetarët e huaj që janë marrë me shqiptarët e gjuhën e tyre dhe katedrat e gjuhës shqipe në vendet e huaja që merren me studimin e shqipes. Termi albanolog, albanologji, sipas autorit, ka filluar të përdoret rreth gjysmës së dytë të shekullit XIX për të treguar gjuhën shqipe dhe dijetarin që merret me të, ata që e studiojnë shqipen dhe marrëdhëniet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane, nga pikëpamja e gjuhësisë krahasimtare dhe vendin e origjinës së shqipes dhe shqiptarëve.

Më tej i shpjegon studimet e gjertanishme, që janë bërë janë me interes për historinë e gjuhëve të Ballkanit, kur dihet që shqipja ka pasur ndikim në gjuhën rumune, bullgare, si dhe në greqishten e re. Rëndësia e studimeve albanologjike qëndron në atë se, përmes albanologjisë, mund të hidhet dritë mbi disa popuj të vjetër, nga të cilët nuk ka mbetur ndonjë shenjë, përveç disa toponime. Përveç autorëve të parë, që janë marrë me shqiptarët dhe gjuhën e tyre, Frashëri përmend edhe teoritë e tyre për prejardhjen e shqiptarëve. Kështu, ai e konsideron Johann Thuman-in, profesor në universitetin e qytetit Halle, të parin që ka bërë fjalë për shqiptarët dhe gjuhën shqipe. Ai, në librin e tij, flet për historinë e shqiptarëve dhe vllahëve dhe gjuhën e tyre, duke i konsideruar shqiptarët pasardhës të ilirianëve. Në veprën e vet Thuman-i riboton fjalorin greqisht-vllahisht-shqip të Thodor Kavaliotit. Frashëri përmend edhe librin e oficerit bavarez, Zylendder, dhe mjekut gjerman, Karl Reinhold, të cilët çështjen e gjuhës shqipe dhe të shqiptarëve e bënë të njohur. Ndërsa albanologu Johan Georg von Hahn, konsull i Austrisë në Shqipëri, e botoi librin e tij me shënime historike, përshkrim të Shqipërisë dhe të zakoneve, një gramatikë dhe një fjalor. Megjithëqë, sipas Frashërit, ky libër nuk kishte ndonjë vlerë të madhe si dituri e vërtetë, gramatika dhe fjalori me fjalë e shprehje bëri që të merrnin vëmendjen e filologëve. I kësaj kohe është studimi i Franc Bopit, si dhe shkrimet e linguistit gjerman, August Pot, dhe botimet e shqiptarëve, De Rada dhe Kamarda. Ndërsa Gustav Meyeri për 15 vjet botoi vepra të rëndësishme për gjuhën shqipe. Në të vërtetë, sipas tij, me Boppin e Meyerin, dy autorë të shquar që u morën me shqiptarët e gjuhën shqipe, filloi të njihej origjina e gjuhës shqipe, lidhjet e saj me familjen e gjuhëve indoevropiane dhe prejardhjen e shqiptarëve.

Albanologjia, sipas Mithat Frashërit, deri në atë kohë ishte objekt studimi nga dijetarët gjermanë, ndërsa nuk mund të gjesh ndonjë studiues anglez ose francez që është marrë me shqiptarët dhe gjuhën e tyre. Megjithatë, interesimi për gjuhën shqipe shtohej dita-ditës, kështu që në Napoli më 1900 filloi mësimi i gjuhës shqipe në “Instituto Orientale”, me në krye Guisepe Schiro. Më 1904 në Vjenë filloi kursi i gjuhës shqipe nga Gjergj Pekmezi në Institutin e Gjuhëve të Lindjes për të vazhduar me Kolë Rrotën nga Shkodra. Vazhdimin e kësaj tradite e mori Nobert Jokli, i cili jepte kurse për albanologjinë në universitetin e Vjenës lidhur me krahasimin e gjuhëve indogjermane, kurse që i kishte bërë më parë Kretschmer-i. Ndërkaq, në Paris më 1921 Mario Roques-i e filloi kursin për gjuhën shqipe. Këto kurse i zhvillonin Mithat Frashëri dhe Dimitri Berati, ndërsa më vonë i filloi edhe Stavre Stavro, për të vazhduar nga vetë Mario Rogues. Më 1923 në Shkollën e Gjuhëve të Lindjes ishte themeluar Qendra e Studimeve Shqiptare, për të mbledhur të dhëna mbi Shqipërinë, ndërsa më 1923 filluan kurse në dy kryeqytete të tjera, në Romë dhe Beograd, i pari në Istituto delle Lingue Sllavi e Orientali, i dyti në Universitet, në Seminar të Gjuhësisë Shqipe (Seminar za abranasku filologjiku). Mësues në Romë ishte Hamdi Kavaja, ndërsa në Beograd botohej edhe një mbledhje studimesh nën drejtimin e profesor Bariçit. Më 1925, në Leipzing, Gustav Weigand-i e themeloi kursin e gjuhës shqipe, duke krijuar një seminar shqiptar pranë universiteti të atij qyteti, në të cilin ka edhe një bibliotekë për studime filologjike, historike dhe etimologjike shqiptare.

Frashëri shpreh dëshirën që shqiptarët në Vjenë e Paris të shkonin në kurset e profesor Joklit dhe te Shkolla e Gjuhëve të Lindjes, të mësonin metodat shkencore të gjuhësisë, si dhe të dërgoheshin studentë të veçantë në tre seminaret e Ballkanit, për të vazhduar mësimet dhe për t’i çuar përpara interesat e shqipes dhe të shqiptarëve. Dobi tjetër në përcjelljen e punëve të albanologëve është zgjidhja e shumë problemeve të gjuhës sonë, të gramatikës, të sintaksës, të ortografisë e fonetikës, mendonte ai.

Mithat Frashëri, në një shkrim të gjatë, flet për historinë e shkrimit shqip “Historia e shkrimit shqip”. Në fillim të shkrimit përmend Hanin, i cili rreth mesit të shekullit XIX gjeti në Elbasan disa shkrime shqip për të cilat Hani mendonte se shkronjat ishin marrë drejtpërdrejt nga shkronjat e fenikasve, ndërsa Feitleri thotë se këto shkronja ngjasojnë me finiqishten dhe motrat e shkronjave greqisht. Sipas tij, këto shkronja tregojnë se shqiptarët do të kenë pasur një palë shkronja më vete për të shkruar gjuhën shqipe, megjithëqë deri në atë kohë nuk është gjetur ndonjë shkrim i vjetër në gjuhën shqipe. Këto shkronja të gjetura janë shkronja të shpikura, për të cilat Hani mendon se janë shpikur nga një njeri i ditur, i quajtur Theodor nga fundi i shekullit XVIII. Në kohën kur e kishte publikuar këtë shkrim “Meshari” i Buzukut nuk ishte rizbuluar ende. Andaj ai, si libër të parë e konsideron atë të Pjetër Budit, i shtypur në Romë më 1621. Fjalorin shqip-latinisht të Frang Bardhit e konsideron si librin e dytë në gjuhën shqipe. Por, shqipja, a ishte shkruar më parë? Duke iu referuar parathënies së Fjalorit, ku thotë se e ka parë se gjuha jonë po prishej e po bastardohej, ai mendon se shkrimi nuk përdorej nga të gjithë, por vetëm nga priftërinjtë katolikë. Libri i tretë i shtypur që dihet, sipas Frashërit, është po i Pjetër Budit Dottrina Cristiana e Roberto Bellarmino, i përkthyer në gjuhën shqipe dhe i shtypur më 1664. Librat për fenë e krishterë të Budit, sipas tij, kanë më shumë rëndësi sesa Fjalori i Bardhit, sepse Fjalori i Bardhit ka vetëm pesë faqe në gjuhën shqipe, ndërsa librat e Budit janë shkruar në gjuhën shqipe dhe për studimin e gjuhën shqipe kanë një brumë të begatshëm. Tutje, përmend edhe librin tjetër të Budit Infallibile Verita, po i natyrës fetare, i botuar në Venedik më 1691.

Shekulli XVIII, sipas tij, është shekull i shuar për shqiptarët, sepse nuk gjejmë asnjë shkrim shqip, edhe pse ka shpresa që në kisha e manastire të gjendet ndonjë gjë e shkruar shqip në këtë shekull. Shqiptarët, në vend të gjuhës së tyre kanë përdorur gjuhët e huaja, latinishten, greqishten dhe turqishten, duke kaluar qindra mijëra vite pa menduar ta përdorin gjuhën e tyre. Është dashur të pritet shekulli XIX për ta parë gjuhën shqipe të gjallë në përkthimin e Ungjillit të Mateut, ndërsa tri vjet më pas shtypet në Korfuz Dhiata e re. Ky libër, sipas Frashërit u bë udhëheqës për shkrimin shqip dhe se kjo gjuhë nisi të përdorej për vepra të mëdha. Pavarësisht se kanë një vlerë të madhe për historinë e gjuhës, këto libra të shenjta, nuk e kanë gjuhën të qëruar, sepse janë përdorur fjalë turqisht e greqisht. Nderin e përpjekjes për të shkruar bukur e thjeshtë në gjuhën shqipe, ai ia atribuon Konstadin Kristoforidhit, i cili ka dëshmuar njohjen e tij të thellë për gjuhë shqipe, duke treguar se gjuha shqipe qenka e përshtatshme për t’u përdorur si gjuhë e gjallë. Përkthimi i parë i Kristorofidhit është botuar në Stamboll më 1868, për të vazhduar me përkthimin e Dhiatës së Re në toskërisht e gegërisht, duke përdorur thesarin e fjalëve të gjuhës shqipe. Krahas Kristofridhit, matanë Adriatikut, De Rada merrej me kërkime e me mësimin e gjuhës shqipe, madje nxori vepra letrare, vjersha historike, këngë popullore. De Rada i bëri shërbim të madh shqipes, duke e bërë të njohur tek të huajt. Shkrimet e këtyre dy lëvruesve të shqipes kishin gabuar gjuhën dhe mendjen e shqiptarëve. Edhe pse shqipja i kishte këto vepra, akoma nuk ishte bërë e gjallë, sepse për të qenë e gjallë një gjuhë, duhet të përdoret nga mbarë populli, të përdoret çdo ditë, të përdoret në shkolla, në letërkëmbime, në botime etj. Ai shprehet se, në Shkodër, priftërinjtë në mesin e shekullit XVIII kanë pasur një shtypshkronjë, por ata kanë shtypur vetëm libra fetarë, që nuk kanë dalë jashtë kishës. Kështu Veqilharqi, në përpjekje për të bërë gjuhën e gjallë, kishte shtypur një “librezë” me disa shkronja të ndryshme, por që kishte mbetur e harruar.

Sipas Frashërit, mund të thuhet pa u druajtur se mos e kemi gabim se Shoqëria e Stambollit është shkëndija që ndezi të përhapurit e gjuhës sonë, e cila u themelua në Stamboll më 1879. Kjo shoqëri u themelua në një kohë kur Shqipëria ishte në rrezik të madh nga sllavët, andaj ishte nevoja që të zgjohej dhe ta mbronte veten e saj, duke përdorur armët e reja të armiqve të saj. Shoqëria e Stambollit formoi një palë shkronja për shkrimin e gjuhës shqipe. Abetarja e Stambollit doli në dritë më 1879. Kjo shoqëri e re, nëse i shohim emrat e themeluesve të saj, do të kuptojmë se kishte qëllime kombëtare dhe të përgjithshme. Qëllimi i saj nuk ishte të botonte vetëm abetaren, por të vendoste dhe ta përhapte mësimin e kësaj gjuhe. Por, mbi këtë themel duhej të ngrihej një godinë e bukur për t’i ftuar njerëzit, i duhej një shkrimtar e vjershëtor. Andaj, ky njeri ishte Naim Frashëri. Shërbimet e Naimit për gjuhën nuk janë vetëm për literaturën, por edhe për përhapjen e kësaj gjuhe. Ai i kuptoi mirë dëshirat e popullit dhe diti të shkruante me shije të madhe për të gjithë shqiptarët: vjersha për djem, për pleq, për fe, për trimëri, për moral, si dhe shkrime për shkolla. Me këtë njeri, mësimi i gjuhës u ngrit mbi themele të patundura, duke u përhapur anembanë, madje edhe tek kasollja e bujkut e stani i bariut. Pas kësaj nisme gjuha shqipe mori vendin e saj në mesin e gjuhëve të tjera.

Në fund të këtij punimi, konsiderojmë se kontributi i Mithat Frashëri për gjuhën shqipe ishte i madh. Ai ishte pjesë e dy kongreseve të mëdha dhe ishte një lëvrues i gjuhës shqipe. Përmes këtyre shkrimeve që i kemi analizuar dhe shkrimeve të tjera, që nuk i kemi shtjelluar në këtë punim, ai e vazhdoi rrugën e babai dhe xhaxhallarëve të tij.