Mitchell: Nuk është koha për provokime në Ballkan që mund të çojnë në konflikt

Mitchell: Nuk është koha për provokime në Ballkan që mund të çojnë në konflikt

Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane Wess Mitchell, tha të martën se nuk është koha për provokime nga asnjë palë në Ballkan që mund të çojë në një konflikt, ndërsa bëri thirrje për shtimin e veprimeve diplomatike për zgjidhjen e problemeve në rajon.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë në kuadër të takimit të nivelit të lartë Ballkani Perëndimor 2022 i organizuar nga “The economist”, ku diplomatë amerikanë e evropianë, udhëheqës vendas e analistë diskutuan për Ballkanin Perëndimor dhe pasojat e ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë.

Zoti Mitchel, i cili ka shërbyer si Ndihmës Sekretar amerikan i Shtetit gjatë viteve 2017 deri 2019, tha se Rusia ka luajtur rol përçarës në rajon dhe asnjëherë nuk ka ofruar ndonjë alternativë konstruktive.

“Është plotësisht e mundur që Rusia të kompensohet për humbjet e saj në Ukrainë duke nxitur trazira në Ballkan. Ne jemi qartazi në një moment shumë të rrezikshëm ndërkombëtar. Kemi një luftë në Evropë, rritje e tensioneve për Tajvanin që mund të çojnë në konflikt të hapur dhe nuk është në të vërtetë momenti për provokime nga asnjë palë në Ballkan që mund të çojë në një konflikt të llogaritur gabimisht”, tha ai duke nënvizuar se lufta e Ukrainës paraqet edhe disa mundësi për diplomacinë në Ballkanin Perëndimor.

“Mendoj se lufta nënvizon një rëndësi strategjike të Ballkanit për Evropën, duke përfshirë jo vetëm si një rajon tranzicioni për gazin jo rus, por më e rëndësishmja mendoj se është një kujtesë se anashkalimi i aspiratës së Bashkimit Evropian në këtë rajon vetëm lejon që tensionet të përshpejtohen dhe të përhapen në konflikte që na prekin të gjithëve dhe e gjithë kjo më sugjeron mundësinë për diplomaci krijuese dhe ne duhet ta përdorim atë me maturi”, tha ai.

Diplomacia perëndimore ka shtuar përpjekjet për të shmangur përplasjet në rajon në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.

Në këtë kuadër Shtetet e Bashkuara ritheksuan pritjet për një marrëveshje lidhur me përdorimin e targave të makinave në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që palët “mund të zgjidhin çështjen e targave paqësisht përgjatë ditëve në vijim”.

“Siç e dini Sekretari i Shtetit, Blinken, është thellësisht i angazhuar në këtë proces. Ai ka biseduar me të dy, presidentin serb (Aleksandar) Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti më herët gjatë këtij muaji. Ai ka nënvizuar mbështetjen tonë për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ndërsa ka bërë thirrje për angazhim përmbajtjesor në garantimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon”, tha ai.

Javën e kaluar i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili vizitoi Prishtinën dhe Beogradin tha se bashku me diplomatët evropianë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të zgjasin afatin e konvertimit të targave të makinave për dhjetë muaj dhe tashmë janë në pritje të përgjigjes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se afati për konvertim të targave është shtyrë një herë dhe data e fundit do të jetë 31 tetori, por theksoi se qeveria e tij i trajton seriozisht dhe me kujdes këshillat e partnerëve ndërkombëtarë.

“Përveç se duam të respektohet rendi dhe ligji, gjithashtu jemi të kujdesshëm që të mos rrezikohet paqja edhe siguria. Prandaj edhe kur aleatët, partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë na japin sugjerime, ne ato i marrim shumë seriozisht dhe i analizojmë më kujdes”, tha kryeministri Kurti,

Ai tha se është në bashkërendim të vazhdueshëm me KFOR-in dhe Departamentin amerikan të Shtetit.

Në Beograd ndërkaq presidenti serb tha se “na presin kohë të vështira, do të jemi me serbët në Kosovë, të cilët kanë treguar se nuk duan ta dëgjojnë Kurtin e as të tjerët, por veten dhe ndërgjegjen e tyre”.

Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave u ulën pas një marrëveshjeje për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe shtyrjes për dy muaj të afatit për konvertimin e targave të makinave për qytetarët serbë që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.

Kërkesa perëndimore për shtyrjen e sërishme të këtij afatit ndodhë në një periudhë kur janë shtuar zërat për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që do të përparonte procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet tyre./VOA