` . Misteret e regjistrimeve në RMV - TV SHENJA

Misteret e regjistrimeve në RMV

Ka spekulime të ndryshme se pse ndodhi kjo marrëveshje në mes liderëve maqedonas. I pari sigurisht që është përgjigja masovike e diasporës shqiptare, që kishte motiv të jashtëzakonshëm të dëshmojë se sa shumë jemi në numër në Maqedoni të Veriut. Pra, ta dëshmojë të vërtetën. Për mendimin tim, arsyeja e pandemisë nuk mban, sepse atë e kishim edhe në momentin kur u soll ligji. Pra, arsyeja e vërtetë janë numrat.

Shkruan: Halil SNOPÇE, Gostivar

Regjistrimi, gjegjësisht censusi i popullsisë, në një shtet normal duhet të sigurojë informacione nga fusha të ndryshme, që do mundësojnë pasqyrë të qartë nga një set i gjerë i entiteteve të cilat regjistrohen. Informacionet nga regjistrimi janë të nevojshme për krijimin e politikave zhvillimore të shtetit. Nëse informaacionet nuk janë të sakta, respektivisht nëse ato bazohen në informata joreale, atëherë edhe projeksionet që do i bëjë shteti për të ardhmen do jenë të gabuara dhe, rrjedhimisht, mund të ketë pasoja të paparashikuara.

Pra, në një shtet normal qëllimi i regjistrimit është zhvillimor dhe jo politik. Parashtrohet pyetja se cili është qëllimi i regjistrimit në Maqedoninë e Veriut? Të gjithë pa përjashtim e theksojnë karakterin e pastër statistikor të këtij procesi. Fatkeqësisht, këto janë vetëm deklarata boshe jashtë realitetit që pasqyrohet në Maqedoninë e Veriut. Pra, me një fjalë, ekziston një tension ndërmjet reales dhe formales për sa i përket këtij procesi në shtetin tonë. Të gjithë formalisht deklarojnë se ky do të duhej të jetë një proces i pastër statistikor, por realisht të gjithë e dimë se është një proces i pastër politik për shumë arsye.

Gjatë gjithë këtij debati, sipas mendimit tim, ka qenë vetëm opozita shqiptare ajo e cila haptazi dhe pa ekuivoke e ka përmendur edhe në foltoren e Kuvendit, edhe gjatë emisioneve debative, se në shtetin tonë ky proces është pastër politik, kjo pasi jemi shtet ku të drejtat dhe liritë përkufizohen në bazë të përqindjeve. Pra, kemi thënë se jemi shtet qesharak, pasi të drejtat tona definohen me përqindje dhe gjuha shqipe, në bazë të kushtetutës, definohet si gjuha e 20% të popullatës që jeton në shtet. Si pasojë, varësisht nga rezultatet e regjistrimit, në Maqedoninë e Veriut mund të kemi raste që në ndonjë komunë ndonjë komunitet të fitojë të drejta, nëse hipotetikisht si rezultat i regjistrimit del mbi 20%, por po ashtu mund të ndodhë që në ndonjë komunë tjetër edhe t’i humbë të drejtat, nëse si rezultat i regjistrimit del ndër 20%. Pikërisht për këtë jemi shtet qesharak. Pra, të drejtat demokratike të popullatës jomaqedonase janë të varura nga rezultatet e regjistrimit. A nuk e bën kjo që operacion i regjistrimit të jetë pastër politik? Pra, a ka dikush tani që beson se bëhet fjalë për operacion statistikor? Imagjinoni, Maqedonia e Veriut është nënshkruese e konventave të ndryshme ndërkombëtare për garantimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve në shumë sfera që duhet të garantohen edhe në bazë të kushtetutës dhe ligjeve të këtij shteti. Në shtetin tonë shumë të drejta varen prej rezultateve te regjistrimit.

Çështja tjetër qesharake është se edhe kryeministri i vendit Zaev, por edhe presidenti i vendit Pendarovski, kanë dhënë deklarata publike se, pavarësisht rezultateve të regjistrimit, të drejtat e arritura nuk do të preken. Pra, përsëri deklarata qesharake, pasi që dihet mirëfilli se të drejtat e qytetarëve nuk varen prej deklaratave individuale, qoftë ai kryeministër ose kryetar shteti, por ato varen nga kushtetuta dhe nga ligjet e shtetit.

Regjistrimet në Maqedoni çdoherë kanë qenë të shoqëruara me mistere të llojeve të ndryshme, të cilat është vështirë të sqarohen me analizën logjike dhe shkencore të lëvizjeve të popullatës. Nëse analizohen informatat zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikës, kemi lëvizje të çuditshme te popullata rome, vllahe, serbe, turke dhe shqiptare. Për shembull, popullata rome prej vitit 1948 deri 1953 është rritur për 962 banorë, prej vitit 1953 deri në vitin 1961 është shtuar vetëm për 144 banorë, pastaj prej 1961 deri 1971 është shtuar për 3899 banorë, ndërsa prej 1971 deri në 1981 është shtuar për 18.620 banorë. Kjo lëvizje e çuditshme vazhdon deri në vitin 2002. Ose popullata vllahe, që ka pësuar rënie prej vitit 1948 deri në vitin 1981. Popullata serbe, për shembull, prej vitit 1948 deri 1971 ka shënuar rritje për 16.744 banorë, ndërsa pastaj deri në vitin 2002 ka shënuar rënie prej 10.526 banorë. Një gjë e çuditshme është se si në vitet 1948-1953 popullata shqiptare dhe turke kanë shënuar një rritje prej 73.133 banorësh, por, çuditërisht, në vitet 1953-1961 numri i shqiptarëve dhe i turqve është zvogëluar për 51.870. Pra, si është e mundur që një popullatë që për pesë vite shënoi rritje prej 73.133 banorësh, pastaj në tetë vitet e ardhshme të shënojë rënie prej 51.870 banorësh?

Edhe një fakt tjetër interesant është që edhe pse sistemi monist i akuzonte shqiptarët për natalitet të madh, numrat flasin ndryshe. Për shembull, prej vitit 1948 deri në vitin 1971 numri i shqiptarëve jo që nuk është rritur, por ka pësuar rënie prej 0.13%. Parashtrohet pyetja e thjeshtë: ku u tret gjithë ai numër i madh i shqiptarëve si pasojë e natalitetit? Pra, edhe një dëshmi për të dhënat e mistershme të regjistrimeve në të kaluarën.

Regjistrimet në Maqedoninë e Veriut kanë qenë problematike edhe pas pavarësimit të shtetit. Shqiptarët e bojkotuan regjistrimin e vitit 1991. Pas kësaj, me intervenim të faktorit ndërkombëtar, e kishim regjistrimin e jashtëzakonshëm të vitit 1994. Faktori politik maqedonas punoi shumë që ky operacion të kishte konotacione të tjera, e jo atë të qartësimit të hartës demografike të shtetit. Ata kishin arritur ta bindin faktorin ndërkombëtar se shqiptarët më parë do ta zgjedhin rrugën e bojkotit sesa te pajtohen me vlerësimet qeveritare për numrin e shqiptarëve. Këtë e konfirmon edhe ish presidenti Kiro Gligorov, i cili në memoaret e tij shkruan se e ka bindur kryeministrin e atëhershëm Cërvenkovski për organizimin e regjistrimit, për të cilën ka pajtueshmëri ndërkombëtare, me qëllim, siç thotë ai, që elementeve ekstreme shqiptare t’u merret e drejta e kontestimit të shtetit të Maqedonisë. Në vijë të kësaj është edhe letra e ambasadorit të atëhershëm në Kombet e Bashkuara, Denko Maleski, i cili kishte shkruar letër Sekretarit të Përgjithshëm, ku e kishte njoftuar se Maqedonia ka vendosur ta përsërisë regjistrimin me kontroll ndërkombëtare, që të evitohen manipulimet me numrin e shqiptarëve. Kjo letër është dërguar edhe në adresë të Këshillit të Europës.

Në atë kohë faktori politik shqiptar ishte i vetëdijshëm se shqiptarët janë përafërsisht 1/3 e popullatës. Kjo e dhënë bazohej kryesisht nga rezultatet e referendumit për autonomi politiko-territoriale të shqiptarëve, sipas cilit vetëm numri i votuesve me të drejtë vote arrinte diku 400.000 mijë banorë. Si pasojë e presionit ndërkombëtar, faktori shqiptar ishte i detyruar të pajtohet me ligjin e atëhershëm, që ishte i disfavorshëm për shqiptarët. Në vitin 1994 shqiptarët u regjistruan si të huaj në vendin e vet. Nuk u regjistruan qytetarët që ishin në punë të përkohshme jashtë shtetit. Neni 38 parashihte posedimin e shtetësisë si kusht për regjistrim që ishte jashtë standardeve europiane. Përdorimi i gjuhës amtare lejohej vetëm përmes deklarimit të mëparshëm personal, gjë që po ashtu ishte në kundërshtim me praktikat botërore. Pastaj, gjuhët e tjera ishin të shkruara me shkronja shumë më të vogla se gjuha maqedonase. Po ashtu ishte edhe pozita nënçmuese e instruktorëve dhe regjistruesve shqiptarë, të cilët nuk mund të shkonin askund në terren vetëm pa shoqërues maqedonas, e nga ana tjetër kjo nuk vlente për maqedonasit, të cilët e kishin lirinë e plotë të lëvizjes. Pra, dukej qartë se shqiptarët do të ishin vetëm formalisht të kyçur në proces. Si pasojë, kishim rezultate të pranuara ndërkombëtarisht, e në fakt sipas disa qarqeve të atëhershme rreth 180.000 shqiptarë nuk kanë qenë të regjistruar.

Pastaj e kemi regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, i cili u anulua me një marrëveshje të arritur ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Gruevski dhe Ali Ahmetit. Nuk e dimë se cilat ishin shkaqet e anulimit. A ishin politike apo teknike? A ishin manipulative apo reale? Pra, nuk i dimë shkaqet e vërteta. Atë që e dimë është se askush nuk u përgjigj, sepse patëm ligj për amnistinë e të gjithë atyre që ishin përgjegjës për regjistrimin. Pra, të dështojë regjistrimi, të ketë akuza për falsifikim, e nga ana tjetër askush mos të përgjigjet. Çfarë ishte porosia e regjistrimit të anuluar? Porosia ishte që nuk kemi instanca kredibile, respektivisht nuk kemi shtet kredibil.

Siç shihet, regjistrimet në Maqedoninë e Veriut historikisht kanë qenë jo shumë të besueshme. Mosbesimi kryesisht ka ardhur nga ana e shqiptarëve, sepse historikisht të dhënat janë plasuar nga Enti Shtetëror i Statistikës, i cili institucion ka qenë diskriminues ndaj shqiptarëve. Edhe në sistemin monist, prej afërsisht 200 të punësuarve, ka pasur vetëm një të punësuar shqiptar. Madje, edhe sot nuk mund të lavdërohemi shumë. Aty kemi 9 sektorë, por asnjë udhëheqës shqiptar dhe kemi 39 njësi dhe asnjë udhëheqës shqiptar. Numri i të punësuarve shqiptarë aty është rreth 14%. Këto të dhëna e bëjnë mosbesues këtë institucion, që ka kompetencën ekskluzive për të proceduar censusin edhe të këtij viti. Ne, si shqiptarë, duke u bazuar në këtë arkiv historik të këtij institucioni, jemi të prirë që t’i shprehim dyshimet tona dhe të mos kemi besim. Jorastësisht kanë qenë edhe amendamentet e opozitës shqiptare për ligjin për regjistrim të këtij viti. Metodologjia nuk ishte pjesë e ligjit. Pas miratimit të ligjit kishte tentativa nga drejtori i Entit që ta problematizojë çështjen e regjistrimit të diasporës, por fatmirësisht opozita shqiptare reagoi ashpër dhe e detyroi drejtorin që të kërkojë falje dhe ta pranojë publikisht se diaspora do të ketë të drejtë ta tregojë përkatësinë etnike dhe për regjistrim mjafton vetëm numri amë. Pra, ka pasur tentativa për manipulime edhe pas miratimit të ligjit të vitit 2021.

Opozita shqiptare edhe në komision parlamentar, por edhe në seancat plenare, i ka shprehur dyshimet e saj edhe për mbajtjen e regjistrimit të këtij viti. Ajo çdoherë ka potencuar se duhet pasur kujdes që mos t’i përsërisim gabimet e së kaluarës dhe mos lejojmë që përsëri të ketë dështim. Këto dyshime tash për tash dolën të vërteta. Kishim një marrëveshje misterioze të liderëve maqedonas, Zaev dhe Mickovski, për shtyrjen e regjistrimit, ndërsa partia shqiptare në pushtet, BDI, e pranoi shtyrjen pa qenë aspak pjesë e kësaj marrëveshjeje. Ndërkaq, opozita shqiptare e kundërshtoi në mënyrë të rreptë. Marrëveshja për shtyrje kaloi edhe në Kuvend. Shqiptarët nuk e shfrytëzuan të drejtën e Badenterit që ta bllokojnë këtë marrëveshje. Fatkeqësisht, ishte vetëm opozita shqiptare ajo që e bënte këtë ftesë. Nga ana e përfaqësuesve të partisë shqiptare në pushtet (BDI) kishim një laramani deklaratash kontradiktore. Fillimisht, kryeparlamentari shqiptar dhe zëvendëskryeministri shqiptar e kundërshtuan marrëveshjen e liderëve maqedonas. Që të nesërmen partia shqiptare në pushtet doli me një kumtesë ku deklaronte se marrëveshja është e nevojshme dhe e përshëndesnin atë. Pra, historia fatkeqësisht përsëritet, por kësaj radhe faktori shqiptar në pushtet me vetëdije të plotë e pranon këtë marrëveshje, pavarësisht se ka pasur mekanizma që të pengojë atë. Paradoksi qëndron në faktin që në seancën e Kuvendit ishin vetëm deputetet shqiptarë të partisë shqiptare në pushtet që e mbronin shtyrjen e regjistrimit. Pra, vetëm deputetët shqiptarë të pushtetit e mbronin tezën e njëjtë, për të cilën angazhohen të gjitha partitë politike maqedonase, individë, shoqata të ndryshme maqedonase etj.

Ka spekulime të ndryshme se pse ndodhi kjo marrëveshje në mes liderëve maqedonas. I pari sigurisht që është përgjigja masovike e diasporës shqiptare, që kishte motiv të jashtëzakonshëm të dëshmojë se sa shumë jemi në numër në Maqedoni të Veriut. Pra, ta dëshmojë të vërtetën. Për mendimin tim, arsyeja e pandemisë nuk mban, sepse atë e kishim edhe në momentin kur u soll ligji. Pra, arsyeja e vërtetë janë numrat.

Maqedonasit kurrë nuk kanë shfaqur dilema ndaj të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës në lidhje me numrin e maqedonasve në shtet, por kanë shfaqur dilema ndaj numrit të shqiptarëve. Në vitin 2002 ata dolën me akuzat e njohura se numri i shqiptarëve është rritur për 120.000 banorë. Fatkeqësisht, partia shqiptare që ka qenë në qeveri, BDI, asnjëherë nuk e ka kundërshtuar këtë tezë. Ndërkaq arsyetimi kundër kësaj teze është shumë i thjeshtë. Imagjinoni, nëse në vitin 1991, kur shqiptarët e bojkotuan regjistrimin, Enti Shtetëror i Statistikave doli se shqiptarët janë 441.987. E nëse u referohemi rezultateve të vitit 2002 dhe prej atyre rezultateve i zbresim këto 120.000, i bie që numri i shqiptarëve në vitin 2002 do të duhej të ishte 389.083. Atëherë i binte se numri i shqiptarëve në periudhën prej vitit 1991 deri në vitin 2002 është zvogëluar për 52.904. Kjo paraqet një paradoks në vete, që s’ka asnjë kuptim shkencor dhe para së gjithash real, duke marrë parasysh informatat oficiale nga Enti Shtetëror i Statistikës në lidhje me lëvizjen e popullatës në Maqedoninë e Veriut. Pra, as këtë fakt shumë të logjikshëm askush nuk e përmendi. Kemi pasur aktakuza të llojeve të ndryshme nga Lëvizja Popullore Maqedonase e nga Kisha Ortodokse Maqedonase, se numri i shqiptarëve është ndër 20 për qind. Pra, tendenca gjithnjë ka qenë të relativizohet numri i shqiptarëve dhe pesha e problemit të jetë te numri i shqiptarëve.

Interesant është fakti që edhe partitë politike maqedonase, qoftë të pushtetit, qoftë të opozitës, edhe shoqatat e ndryshme, edhe individë të shumtë, asnjëherë nuk merren me numrin e maqedonasve në shtet, por plasojnë teza dhe mendime vetëm për numrin e shqiptarëve. Në fakt, ato tentojnë që ta mjegullojnë realitetin, duke akuzuar se shqiptarët janë të paktë në numër, e nga ana tjetër të gjithë parametrat dhe numrat tregojnë se popullata maqedonase është popullatë e rrezikuar në këtë shtet. Kur them “të gjithë numrat”, u referohem të dhënave zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Gjithnjë sipas të dhënave zyrtare nga Enti Shtetëror i Statistikave, në Maqedoninë e Veriut, në periudhën 2008-2019, kemi rënie të popullatës në 42 komuna prej gjithsej 85 që janë në shtet. Pra, në 42 komuna në shtet mortaliteti është më i madh se nataliteti në periudhën 12-vjeçare. Prej këtyre komunave me shumicë shqiptare është vetëm Komuna e Kërçovës. Pra, 41 komunat e tjera janë me shumicë maqedonase.

Në Maqedoni ka rënie drastike të natalitetit. Në vitin 2019 dhe në vitin 2020 nataliteti është më i vogël se mortaliteti. Në vitin 2019 kemi mbi 600 banorë më pak në shtet, ndërsa në vitin 2020 kemi mbi 6.000 banorë më pak. Pra, kjo është një vlerë alarmante dhe shumë brengosëse. Në periudhën e viteve 2008-2019 në Maqedoninë e Veriut kemi rreth 35.000 maqedonas më pak dhe rreth 53.000 shqiptarë më shumë. Në këtë periudhë, pavarësisht se në dy vitet e fundit kemi pasur rënie të popullatës, shtimi i popullatës në shtet ka qenë rreth 30.000. Kontributi i maqedonasve në këtë shtim ka qenë negativ, edhe atë minus 62%, ndërsa nga ana tjetër kontributi i shqiptarëve ka qenë plus 130%. Në këtë periudhë kanë lindur 51.81% fëmijë me përkatësi etnike maqedonase dhe 32.6% fëmijë shqiptarë. Mortaliteti i maqedonasve është 74.25%, ndërsa mortaliteti i shqiptarëve është vetëm 16.5%. Në vitin 2019, për shembull, 35.64% të fëmijëve të lindur kanë qenë shqiptarë. Vetëm në rrethinën e Shkupit ky numër është rreth 40%, e mos të flasim për numrin e nxënësve në shkollat fillore dhe të mesme, për numrin e kurorëzimeve etj. Nuk ka parametër që nuk është mbi 30%. Shumë prej parametrave janë edhe mbi 35%. Pra, të gjitha këto të dhëna, që mund të gjenden në faqen e Entit Shtetëror të Statistikës, dëshmojnë se brenga kryesore është pikërisht numri i popullsisë maqedonase. Prandaj këtu mund të kërkohet edhe përgjigja se pse në Maqedoninë e Veriut dy dekada të tëra nuk kemi regjistrim.

 

* Autori është deputet i Aleancës për Shqiptarët