Misioni dhe pasionet e kryeministrit Rama në Bruksel

Misioni dhe pasionet e kryeministrit Rama në Bruksel

Rama i qëndroi besnik vetes si njeri që vjen nga fusha e artit dhe nuk e braktisi as në këtë rast sjelljen sfiduese dhe ekstravagante në fushën e politikës e të diplomacisë. Ai mbeti këmbëngulës në qëndrimet që prej disa vitesh e kanë bërë të veçantë në rrethet diplomatike ndërkombëtare, ku më shumë hapësirë gjen sjellja burokratike me formula standarde se batutat e stilet e të veshurit ndryshe. Rama i bëri homazh ndikimit të kulturës franceze, sepse në një mision politik e diplomatik shtetëror kishte zgjedhur si frymëzues e protektor Alber Kamynë.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Më 19 korrik 2022 nga Brukseli erdhi sihariqi se u mbajt Konferenca e Parë Ndërqeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Tani shumica e shqiptarëve do ta ndjejnë (kujtojnë) veten më europianë se kurrë. Por, pushtetarët, politikanët, propagandistët dhe qytetarët, gjatë dekadash të tejngopur me aroma e shije artificiale të markës “europianizim”, duhet ta çojnë në mendje sërish se ky është vetëm fillimi i një tjetër rruge të vështirë për ta, ndoshta edhe më të gjatë se ajo që kanë përshkuar deri tani. Nuk po shihet ende qartë si do të jetë ajo “Europa e Bashkësisë Politike”, për të cilën po flitet se është në proces riformatimi sipas “Planit Makron”. Ka ende rrezik që shqiptarët ta shohin veten të strukur në ndonjë kthinë të ngushtë, si Ballkani Perëndimor, në vend Europës së Bashkuar.

 

* * *

 

Në ceremoninë e Brukselit, më 19 korrik 2022, folësit u munduan të ishin sa më të kujdesshëm, profesionalë, të kthjellët e të matur, që edhe të mos fshihnin vonesat e papërligjura për hapjen e bisedimeve, të cilat i kishin lënduar shqiptarët, as të mos krijonin përshtypje se punët janë bërë në mënyrën më të mirë të mundshme. Në një ekran televiziv, lexuam pak fjalë si kuintesencë të fjalimit që mbajti Varheli, komisionari hungarez për zgjerimin e BE-së, drejtuar shqiptarëve në sallë: “Ja, durimi u shpërblye”. Kjo thënie më kujtoi këshillat për maturi nga pleqtë e dikurshëm në fshat “Sabër-selamet” dhe një shprehje nga Fjalori i Orientalizmave në gjuhën shqipe: “Sabri e ka selametin mbrapa”. Tani mendjen duhet ta kemi se si do të jetë e kur do të na vijë selameti. Më të shkoqitur këtë “lloj muhabeti” shqiptarët natyrshëm e prisnin nga kryeministri i tyre, që i takonte të ishte folësi kryesor, i cili edhe kësaj radhe në një ceremoni me shumë autoritet, para një auditori ku kërkohej më shumë se kurrë përgjegjësi politike e diplomatike, për misionin shtetëror sesa zotësi stilistike për pasionet personale, u përpoq të ishte i suksesshëm në të dy drejtimet.

Kryeministri i Shqipërisë e nisi me “vetëqortim” qortues se deri në çastet e fundit nuk e besonte shumë se mund të ndodhte shpejt ajo që po përjetonin në atë sallë, ku i duhej më shumë të falënderonte Brukselin bujar që po i hapte si papritmas derën e mbyllur për një kohë të gjatë. Madje, harroi dhe inatin që e kishte zënë me Bullgarinë, kur akuzonte për “pengmarrje bullgare” të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, mirësjelljen nuk e çoi deri atje ku duhej, që t’u kërkonte falje bullgarëve, që i kishte fyer aq shumë deri atëherë si “shtet pengmarrës” në BE. I takonte Ramës të bënte një gjest më pendues ndaj Bullgarisë edhe për arsyen se rezultoi që bullgarët kishin pasur të drejtë që u interesuan për interesat e tyre kombëtare deri në një zgjidhje të pranueshme për heqjen e bojkotit ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut, një interesim që Republika e Shqipërisë asnjëherë nuk e ka treguan për interesat e veta kombëtare.

Por, në fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë kishte shumë pjesë të tjera që ndoshta janë më tërheqëse e më domethënëse, të cilat e bëjnë këtë “fjalimin politik të jetës së tij”, që ndoshta do të mbetet edhe si ndërthurja e tij më e mirë stilistike e diplomatike. Rama u përpoq ta arrinte këtë duke i treguar Europës sa i motivuar dhe i ndikuar është ai nga mendimi politik e filozofik i një intelektuali të shquar francez, si Alber Kamy (Albert Camus). Rama, sigurisht, nuk mund të ankohej më se Europa e kishte sjellë vërdallë për një kohë të gjatë, sepse pastaj trashej shumë zullumi. Por, edhe pa lëshuar ca psherëtima të fundit për zvarritjet e kota me vite, ai nuk duhej ta mbyllte fjalën e vet. Prandaj thelbi, tharmi i gjithë asaj që tha qëndron në zgjedhjen për busull orientimi e shpërthim zemërimi të “Mitit të Sizifit”, siç e ka mësuar nga shkrimet e mendimtarit të madh franko-algjerian. Rama i qëndroi besnik vetes si njeri që vjen nga fusha e artit dhe nuk e braktisi as në këtë rast sjelljen sfiduese dhe ekstravagante në fushën e politikës e të diplomacisë. Ai mbeti këmbëngulës në qëndrimet që prej disa vitesh e kanë bërë të veçantë në rrethet diplomatike ndërkombëtare, ku më shumë hapësirë gjen sjellja burokratike me formula standarde se batutat e stilet e të veshurit ndryshe. Rama i bëri homazh ndikimit të kulturës franceze, sepse në një mision politik e diplomatik shtetëror kishte zgjedhur si frymëzues e protektor Alber Kamynë.

Me esetë e Kamysë më ka pas rënë rasti të njihem sipërfaqësisht para më shumë se gjysmë shekulli, kur Ambasada e Francës në Tiranë më kishte bërë dhuratë pikërisht librin e tij “ESSAIS”, një vëllim të formatit mesatar, po me 1975 faqe, me shkrim të imët në letër të hollë, botuar në Francë në vitin 1965. “Miti i Sizifit” zë shumë faqe në këtë përmbledhje, krahas shumë temave të tjera të veçanta filozofike, politike, publicistike e kulturore. Libri i Kamysë është i vështirë në lexim për njerëzit me përgatitje arsimore e kulturore të marrë në kushtet e Shqipërisë komuniste ose me shijet e përpunuara nën ndikimin e vlerave kulturore socialiste në përgjithësi. Pasi e dëgjova Kryeministrin Rama që i ishte dorëzuar plotësisht artit letrar të Kamysë për të qenë impresionues në auditorin ku fliste, rimora në dorë, pas shumë kohësh, librin e Kamysë dhe u ndala tek eseja “Miti i Sizifit” (f. 195-198) nga ku po nxjerr disa vlerësime. Shpresoj se këto mund ta bëjnë më të kuptueshme për lexuesin perceptimin tim mbi raportet midis misionit shtetëror dhe pasioneve individuale të Kryeministrit Rama, kur mbajti fjalën e tij në Bruksel.

Kamy shpjegon fillimisht mitin siç e kemi pas ditur: “Perënditë e kishin dënuar Sizifin që të rrokulliste një shkëmb përpjetë deri në majën e një mali nga ku guri do të binte sërish poshtë për shkak të peshës së vet. Ai kishte njëfarë arsyeje të mendonte se nuk ka ndëshkim tjetër më të tmerrshëm se kjo punë e padobishme e pa shpresë”. Kaq rreshta mjaftojnë të mendojmë se Rama ka dashur të shprehë vlerësimin dhe ankesën e tij se Europa kështu ka bërë për shumë vite me Shqipërinë dhe me vetë kryeministrin e saj.

Më tej Kamy ka shkruar: “Nëse i besojmë Homerit, Sizifi ishte më i urti (i mençuri) nga vdekatarët. Por, sipas një rrëfimi tjetër, ai anonte nga mjeshtëria e banditit. Këtu unë nuk shoh kontradiktë. Opinionet ndryshojnë mbi motivet që atë e bënin të ishte punëtor i padobishëm në ferr. Ai qortohet për njëfarë mosbindjeje ndaj Perëndive. Ai kishte përhapur sekretet e tyre”.

Më poshtë Kamy thotë: “Kur Sizifi ishte në shtratin e vdekjes, i shkrepi të vinte në provë besnikërinë e dashurisë së gruas. Ai e urdhëroi atë ta hidhte trupin e tij pa ceremoni mortore në sheshin publik. Sizifi u gjend në ferr. Dhe, atje i zemëruar nga bindja ndaj dashurisë njerëzore, ai mori nga Plutoni lejen të rikthehej në tokë e të ndëshkonte gruan e tij”. Pastaj shkrimtari francez përmend se Sizifit i pëlqeu jeta në tokë dhe “Mërkuri erdhi e mbërtheu guximtarin për zverku dhe duke ia hequr kënaqësitë e riktheu në ferr, ku gurin e kishte gati dhe po e priste. Kështu e kuptuam tashmë se Sizifi ishte heroi i absurdit. I tillë është po aq për pasionet e tij sa për marramendjen e tij. Shpërfillja e tij për Perënditë dhe urrejtja për vdekjen i kushtuan këtë sakrifikim të papërshkrueshëm, ku e gjithë qenia përpiqet pa përfunduar asgjë. Ky është çmimi që duhet paguar për pasionet e kësaj toke”. Lidhur me këto fjali të Kamysë mund të themi të njëjtën gjë që edhe Kryeministri i Shqipërisë, si të gjithë ata që kanë sunduar këtë shtet e këtë popull prej më shumë se 30 vitesh, i ka shpërfillur “Perënditë e (pa)drejtësisë” dhe kanë qenë pasionet e tij për pushtet e pasuri që e kanë vënë edhe atë, si edhe shumë pushtetarë shqiptarë, në këtë pozitë të Sizifit. Me siguri nuk do të mësojmë asnjëherë se çfarë kanë menduar atje në Bruksel për fjalët e Ramës mbi “Mitin e Sizifit” të Kamysë, por ne këtu në Shqipëri apo shqiptarët kudo duhet të mendojnë se Sizifi ende nuk është rehatuar përfundimisht në vendin që i kanë lënë në ferr pranë “gurit të famshëm”. Prandaj edhe pas kthimit nga Brukseli vetë kryeministri i paralajmëroi shqiptarët se për ta do të fillojë një tjetër periudhë “pune prej Sizifi” para se të bëhen me të vërtetë anëtarë të plotë të BE-së. Kurse vetë Rama, mbase, tashmë e quan të kaluar mundimin më të madh personal të “punës prej Sizifit” për çeljen e rrugës që Shqipëria të anëtarësohet në BE.

Nuk mund ta dimë se sa ka qenë i ndikuar në këtë frymë Rama nga fjalët e Kamysë, kur ai disa herë ka përsëritur (aq sa të mërziste dhe dëgjuesit ndërkombëtarë) se në Shqipëri po prisnin me ankth e dëshpërim “nusen europiane” që nuk po u vinte nga Brukseli. “Nusja europiane” tani erdhi, por a do të gëzojnë dot gjatë pas “dasmës” shqiptarët apo Perëndesha Europë do t’u thotë se e kanë bërë hak me mëkatet e tyre të zbresin edhe një herë në ferr si Sizifi pranë gurit që po pret për t’u ngritur deri atje ku duhet, sepse meqenëse deri tani në Shqipëri gjithçka ka shkuar si mos më keq në përgatitjet për t’u pranuar shpejt në BE?!

Nga esetë e Kamysë mund të nxirren shumë thënie të mençura që e vlen t’ua kujtosh politikanëve e pushtetarëve të Shqipërisë. Shpresojmë që, në njëfarë mase, këtë ta bëjnë “Perënditë Olimpit Europian” tani që po hapen kapitujt e gjatë e të mundimshëm të bisedimeve konkrete teknike, e jo më të llafeve në përgjithësi. “Perënditë Europiane” kanë premtuar edhe tani, si edhe herë të tjera, se do të japin gjithë ndihmën e tyre për të ngritur në këmbët e saj Shqipërinë, që ajo të mos bëjë më “punë prej Sizifi”. Dhe, ka shumë gjëra për t’u bërë, përveç luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që u theksua me të madhe edhe në konferencën e 19 korrikut në Bruksel.

Së pari, Brukseli duhet të ndihmojë shumë më tepër për t‘i sjellë Shqipërisë demokracinë e humbur gjatë tri dekadash. Kjo duhet të nisë nga ndërtimi prej themeli i një sistemi demokratik zgjedhor, që ka 30 vite që i mungon Shqipërisë. Pa këtë kot të bëhen llafe për votën e lirë, për zgjedhje të drejta, të lira e të pakontestueshme.

Në Shqipëri është dëmtuar rëndë, deri në themele, e gjithë ngrehina dhe struktura e pluralizmit politik, fitores më të madhe historike të shqiptarëve në ditët e rrëzimit të monizmit komunist. Provën e kësaj zmbrapsjeje të demokracisë në Shqipëri na e dha dhe konferenca e 19 korrikut në Bruksel, ku në radhët e palës shqiptare nuk kishte fare përfaqësues të opozitës, siç e kërkonte tradita. Edhe në ceremoninë e organizuar të nesërmen para selisë së qeverisë në Tiranë paraqitej e njëjta pamje e zymtë. Kjo nuk ndodhte vetëm për faj të qeverisë, por për faktin se së pari në Shqipëri tani ka vetëm pluralizëm politik fantazmagorik, pa opozitë reale serioze. Gjatë vitit 2022 pretenduesit për rolin e opozitës bënë bujshëm vetëm gjeste vetëvrasëse. Kamy ka shkruar për rastin e vetëvrasjes individuale esenë “Absurditeti dhe vetëvrasja”, që e nis me këto fjalë: “Ka vetëm një problem filozofik me të vërtetë serioz: vetëvrasja. Të gjykosh nëse jeta e vlen apo nuk e vlen mundimin për ta jetuar është përgjigje për çështjen themelore të filozofisë”. Nëse arsyetimin e mësipërm e kalojmë në fushën e pluralizmit politik, atëherë vëmë re se problemi kryesor që pret përgjigje në Shqipëri tani është: kemi apo nuk kemi pluralizëm politik institucional? Është e njohur thënia despotike e mbretit francez “pushteti jam unë”. Tani në Shqipëri dëgjohet Sali Berisha të shpallë “opozita jam unë”, në një kohë që shqiptarët presin ende të mësojnë nga gjykata se cila është Partia Demokratike zyrtare, ajo që rithemeloi Saliu apo ajo e kundërshtarëve të tij. Ky është turpi i atyre që e degraduan pluralizmin politik në Shqipëri deri në këtë derexhe. Prandaj e kishte të lehtë Kryeministri Rama të përdorte cinizmin e tij se nuk kishte ku të gjente opozitë që ta ftonte në ceremonitë për Konferencën e Brukselit.

Pra, ndërtimi i rendit të plotësuar pluralist e real politik mbetet punë e madhe e mundimshme, “prej Sizifi”, për t’u bërë. Europa nuk duhet ta harrojë këtë derisa Shqipëria të jetë vërtet e përgatitur për të hyrë në BE. Europa duhet ta nisë punën jo nga njohja formale e një opozite sa për të qenë në Shqipëri, por nga kujdesi për rikthimin në skenën politike shqiptare të frymës së vërtetë të pluralizmit politik. Pa këtë nuk do të ketë asnjëherë alternativë të suksesshme që autoritarizmi i tanishëm qeverisës t’ia lërë vendin një qeverisjeje më demokratike dhe të krijohet tradita e mirë për riciklime të mëvonshme.

Në Shqipëri janë bërë lëmsh çështjet e drejtësisë. Mbi të gjitha është përdhosur trajtimi ligjor i pronësisë dhe shumë mbrapshti janë bërë tashmë të pariparueshme. Pronësia mbi tokën është ende e pastabilizuar me dokumente të rregullt dhe nuk jep asnjë garanci për investime serioze nga jashtë Shqipërisë. Njëri nga fajtorët më kryesorë të kësaj gjendjeje, Sali Berisha, në një takim të fundit me fshatarë të Belshit mori guximin hipokrit e tallës të thoshte se Ligji 7501 “Për tokën bujqësore” ka qenë i gabuar qysh në fillim, por ai nuk e kishte kuptuar këtë gjë se nuk e kishte të qartë konceptin kur u miratua ky ligj, por që tashmë është një gabim që nuk mund të ndreqet më. Berisha mund të mos dinte ta kuptonte se me miratimin e këtij ligji po bëhej një gabim fatal që do të rrënonte Shqipërinë, por ka plot prova të shkruara e të regjistruara që kjo gjë i është thënë qysh në fillim e pa pushim se ishte një ligj që fuste në vëllavrasje njerëzit për disa breza. Nuk mund të rri pa ia kujtuar se kam kundërshtuar fanatizmin e tij në mbrojtje të Ligjit 7501 në forumet e PD-së e në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe në më shumë se 40 shkrime që kam botuar gjatë dy dekadave. Duhej t’i mjaftonte shkrimi i shkurtër me titull “Sali, mjaft u talle me pronarët” (“Rimëkëmbja”, 17 mars 1998) që të bënte Mea Culpa të sinqertë që atëherë e jo në një hipokrizi të re tani në Belsh. Para atij shkrimi duhej ta kishin sjellë në gjykim të ftohtë edhe mbi 30 tubimet e organizuara nëpër Shqipëri kundër Ligjit 7501 në gjysmën e parë të vitit 1994. Kurse Berisha edhe tani vazhdon hipokrizinë dhe del e pretendon “opozita jam unë”, prandaj pushtetin duhet ta marr unë për herë të tretë në Shqipëri. Pa u larguar rreziqet e këtilla nga jeta politike, Shqipëria nuk ka përse të anëtarësohet në BE, sepse thjesht nuk do të ketë ndonjë dobi nga ky anëtarësim.

Ka dhe shumë çështje të tjera që Europa bën mirë t’i ndjekë me kujdes e rreptësinë më të madhe. Ne vetëm mund të shpresojmë e të presim se çfarë do të na sjellë “Perëndesha” e demokracisë dhe përparimit, Europa, sepse kemi mbërritur në gjendjen e “popullit të heshtur”, për të cilin ka shkruar edhe Kamy. Por, kjo është temë për ndonjëherë tjetër. Këtu dua të shtoj dhe një koment…

Kush po i pret kërthizat e krizave në Ballkan?

I presin po ato Fuqi të Mëdha që i kanë prerë gjithmonë keq gjatë tre shekujve të fundit. Pak para se të vinte si papritmas mrekullia nga Brukseli, Kryeministri Edi Rama tregohej më skeptik se kurrë se kjo mund të ndodhte. Rama kishte humbur shumë durimin dhe lëshonte bubullima e rrufe kundër Bullgarisë, që kishte “marrë peng” hapjen e negociatave me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nuk ia kursente shigjetat as BE-së, të cilin e akuzonte se ishte i paaftë të bënte zap një anëtar të tij, të papërgjegjshëm e zevzek, Bullgarinë. E pikërisht në këtë kohë mësuam se presidenti i rizgjedhur i Francës, Makron, ishte kujtuar se edhe në fjalorin e frëngjishtes ekziston togfjalëshi “Veza e Kolombit”, që “Le Petit Robert” e shpjegon si “zgjidhje që duket të jetë e thjeshtë, por që nënkupton një ide krijuese”. Ai kishte përgatitur një tekst të tërë për të kënaqur Bullgarinë dhe për të mos zemëruar shumë gjysmën e Maqedonisë së Veriut. Dhe, më në fund, vetoja bullgare u hoq, por pasi meritën më të madhe e mori shumica parlamentare në Maqedoni të Veriut, që pranoi kompromisin francez të përfolur si më favorizues i bullgarëve. Edhe një herë u pre keq kërthiza e një krize në mes të Ballkanit, por rreth saj ka mbetur e pashëruar një vatër infeksionesh të ardhshme.

Në fakt, nuk ishte kujtesa franceze për “Vezën e Kolombit” që mundësoi mrekullinë e Brukselit. Ishin ndryshimet e thella që kanë ndodhur vitet e fundit në Europë, që i diktuan BE-së “të dilte nga apatia ndaj zhvillimeve në Ballkanit”. Ishte ngutja e madhe e BE-së për të lidhur institucionalisht pas vetes Ukrainën dhe Moldavinë, para se ushtria ruse të arrinte ndonjë sukses të befasishëm e të pakthyeshëm me agresionin e saj, që do të vinte fuqitë perëndimore para dilemës së njohjes edhe të më shumë “shteteve kukulla” në hapësirën e sotme ukrainase, moldave, ballkanase, sipas modelit që Rusia ka përpunuar dhe po imponon për “Republikat e Doneckut e Luganskut”. Rusia tashmë i ka shpallur zonat ku jeton popullsi sllavishtfolëse, vendet që kanë qenë një herë përkohësisht nën sundimin e carizmit rus apo të bolshevizmit sovjetik si territore që i trashëgon ajo. Rusia ka ndërtuar gjeopolitikën e re për t’i mbushur këto hapësira me shtete kukulla të Rusisë. Prandaj edhe në Shkup shohim zhvillime politike të ndërthurura me dhunë fizike. Prandaj Rosija (jo më Rusija) mbështeti haptazi “projektin e propozuar nga Beogradi” për Ballkanin e Hapur (jo Nismën e Berlinit), që të shtrijë dhe më shumë e të ngulë edhe më fort këmbët e saj në qendër të Ballkanit. Serbia ka deklaruar me kohë hapur se refuzon të hyjë në NATO. Hyrjen në BE e përdor më shumë si diplomaci spekuluese. Kjo tregon qartë se Serbia do të pëlqente më shumë një “Kaliningrad të dytë” të Federatës së Rosijes në Ballkan dhe jo statusin e një parcele neutrale si në rastet e Suedisë e të Finlandës deri tani. Nuk ishte fare me vend që pjesë e misionit shtetëror të Kryeministrit Rama në Bruksel të bëheshin dhe reklamat zbukuruese për “Open Balkans”. Por, duket pasionet e Ramës për Serbinë e Madhe janë më të fuqishme se misioni shtetëror në këtë çështje të nxehtë për shqiptarët dhe burim krizash të ardhme për Ballkanin dhe Europën. Kësaj here burim frymëzimi nuk mund të ishte ndonjë ese e Kamysë, por obsesioni i Ramës për rol diplomatik mesianik në Ballkan dhe si i vetmi pushtetar i Shqipërisë që arriti ta paraqesë si mik, armikun kombëtar. Kjo do të shënonte fillimin e një kalvari të ri shqiptar të “punës prej Sizifi”. Mirë do të ishte që Kryeministri i Shqipërisë, pas “Mitit të Sizifit” t’i hedhë një vështrim edhe titullit të një interviste ekskluzive të diplomatit amerikan Filip Kaplan, botuar në gazetën “Fjala” më 22 korrik 2022, një titull shumë domethënës “‘Open Balkan’ është një shpërqendrim dhe nismë potencialisht e rrezikshme”.