` . Ministri turk i Mbrojtjes takon kreun e Këshillit Presidencial të Libisë - TV SHENJA

Ministri turk i Mbrojtjes takon kreun e Këshillit Presidencial të Libisë

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar, takoi kreun e Këshillit Presidencial të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Libisë (GNA) të njohur ndërkombëtarisht, Fayez al-Sarraj, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi, në të cilin mori pjesë edhe shefi i ushtrisë turke, Gjeneral Yaşar Güler, u realizua gjatë Forumit të 19-të të Dohas në Katar.

Në takim është diskutuar pakti detar midis Turqisë dhe Libisë për Kufizimin e Zonave të Juridiksionit Detar të nënshkruar më 27 nëntor.

Po ashtu, Akar dhe Sarraj kanë biseduar edhe për bashkëpunimin ushtarak dhe atë në fushën e sigurisë.

Pas takimit, Akar tha për AA se Turqia ka bërë dhe do të vazhdojë të bëjë atë që duhet në kuadër të së drejtës dhe interesave të saj detare.

“Ne vetëm po mbrojmë të drejtën tonë që buron nga ligji ndërkombëtar”, theksoi Akar.

– Pakti Detar Turqi-Libi

Pakti u nënshkrua më 27 nëntor dhe kaloi në parlamentin e Turqisë me 5 dhjetor. Ai hyri në fuqi më 8 dhjetor pasi të dy vendet e publikuan atë në gazetat e tyre zyrtare.

Memorandumi që përcakton juridiksionet detare të të dy vendeve kundërshton aktivitetet e njëanshme dhe të paligjshme nga vendet e tjera të rajonit dhe firmat ndërkombëtare dhe synon të mbrojë të drejtat e të dy vendeve.

Sipas Institutit Amerikan të Studimeve Gjeologjike, rajoni i Mesdheut vlerësohet të ketë miliona fuçi naftë dhe triliona metra kub gaz natyror me vlerë qindra miliardë dollarë.

Turqia u bëri thirrje vendeve të rajonit që të kenë një qasje të bazuar në barazi, por thirrjet e saj hasën kryesisht në vesh të shurdhër. Turqia vazhdon operacionet e saj të shpimit dhe kërkimit në rajon nën mbrojtjen e marinës së vendit.

Që nga viti 2011, kur sundimtari katërdekadësh libian Muammar Gaddafi u rrëzua nga pushteti dhe u vra, në Libi janë shfaqur dy qeveri rivale, një në Libinë Lindore dhe tjetra Qeveria e Pajtimit Kombëtar në Tripoli, e cila njihet nga OKB-ja.