` . Mijëra qytetarë në disa qytete protestuan kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike (VIDEO) - TV SHENJA

Mijëra qytetarë në disa qytete protestuan kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike (VIDEO)

Në disa qytete paralelisht qytetarët protestuan kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Qytetarët e Shkupit, Tetovës, Gostivarit, dhe Kumanovës kërkojnë që urgjentisht të anulohet vendimi i fundit i Komisionit Rregullator për Energjetikë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 7.4%. Në Shkup protestuesit filluan marshin nga parku i Çairit dhe përfunduan para godinës së Qeverisë, protestuesit e anketuar nga televizioni Shenja thanë se rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk është normale në një vend ku pagat janë të ulëta dhe standardi i jetesës është shumë i ulët.

Qytetar: “Rryma është më së shtrenjti në Europë, në Ballkan. Sot ka ardhur koha më mirë të lahesh në autolarje se sa në shtëpi, këtu hise kërkon ‘izvrshitelli’, gjykata, unë para nuk kam, shteti si të dojë le të lidhet me shëndetësinë, secilin muaj i jap nga 200 gram gjak edhe le ta shesin gjakun, në Bullgari paguajnë rrymë 25 euro, në Kosovë unë i kam dajt, 30-40 euro. Ky shtet nuk duhet të thirret Maqedoni por Maganistan….. Ndonjëherë them shyqyr që ka vdekje, Zoti ka mëshirë”.

Qytetar: “Sot protestojmë pasi çmimi i energjisë elektrike është rritur për më shumë se 7 përqind, kjo është rritje jonormale e çmimit, unë mar ndihmë sociale 6 300 denarë së bashku me motrën time, megjithatë për energji elektrike nuk arrin. Kërkojmë të hidhet poshtë vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, populli është sovran këtu, të protestojë kundër KRRE-së”.

Qytetar: “Më shtrenjtë rryma vjen tek ne se në shtetet tjera, kur ta shohish populli krejt pa punë janë, krejt me ndihma sociale, kjo është katastrofë… Ka njerëz që janë pa punë e ja ndalin rrymën, prej ka të merr njeriu….”

Qytetar: “Rrogën e kena 14 500, a rryma na vjen në muaj 15 000 denarë”.

Qytetar: “S’kam mundësi mi pagu faturat që janë shumë të larta për standardin tonë, e dijmë se standardin ose rrogën minimale e kemi 14 500 denarë, a rryma ndonjëherë vjen 20 000 denarë edhe vetëm me oksigjen me jetu s’mund të jetojmë…”

Omer Bajrami nga Këshilli Organizativ tha se ndodhen aty për t’i thënë STOP, siç e potencoi ai, plaçkitjes legale të parave të qytetarëve nga ana e kompanive pricate të distribuimit të energjisë elektrike në vend.

Omer Bajrami, Këshilli organizativ: “Kjo protestë paqësore ka për qëllim t’ia bëjë me dije Qeverisë së RMV-së se durimit të qytetarëve u ka ardhur fundi. Sot ne duam të ngremë zërin kundër çdo dukurie të keqe që ka qenë vazhdimësi për një kohë të gjatë e ajo është rritja e vazhdueshme e çmimit të energjisë elektrike në vendin tonë”.

Kërkesat e protestuesve në të gjitha qytetet janë thuajse të njejta.

Këshilli organizativ i protestës kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike: “1. Urgjentisht të anulohet vendimi i fundit i Komisionit Rregullator të Energjisë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike
2. Të zhbëhet Komisioni Rregullator i Energjisë, organ që i shërben interesit të grupeve të biznesit dhe koorporatave duke dëmtuar ekonominë mjaft të rënduar të qytetarëve
3. Të krijohet grup i pavarur arbitrar në shërbim të qytetarëve për të verifikuar cilësinë e shërbimeve energjetike
4. Qeveria e RMV-së të kthejë nën administrim të shtetit kompanitë private të distribuimit të energjisë elektrike.
5. Zbritje e çmimit të energjisë elektrike për 46%
6.Qeveria urgjentisht të ndërpresë kontratën famëkeqe me EVN-në, distributorin privat të energjisë elektrike në RMV, e cila me vite të tëra keqpërdori monopolin e dhënë nga Qeveria e RMV-së.”

Organizatorët thonë se nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, do të vendosin tenda para qeverisë deri në marrjen e përgjigjes. Ata thonë së shpejti do të ketë protesta të tjera dhe për një gjë të tillë opinioni do të informohet në kohë. Kërkojnë që të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut të mblidhen në për të protestuar në kryeqytet.

Ajnur Bafqari /SHENJA/