` . Mijëra bjellorusë protestojnë kundër Lukashenkos - TV SHENJA

Mijëra bjellorusë protestojnë kundër Lukashenkos

Mijëra bjellorusë organizuan demonstrata të reja sot kundër presidentit autoritar Alexander Lukashenko, pavarësisht kërcënimeve nga policia se do të përdorë armët nëse është e nevojshme.

Ministria e Punëve të Brendshme e Bjellorusisë tha për AFP se më shumë se 100 demonstrues janë arrestuar në Minsk deri më tani.

Grupi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Vesna Prolece deklaroi se policia ende po arreston protestues në Minsk dhe qytete të tjera, dhe mediat lokale raportojnë për arrestimin e gazetarëve të tyre.

Ndryshe nga protestat e hershme të dielën, kur u mblodh numri më i madh i qytetarëve, protestuesit nuk u mblodhën sot në qendër të Minskut, por në periferi të qytetit ku ndodhen fabrika të shumta, sipas AFP.

Protesta e sotme është e para që kur udhëheqësja e opozitës Svetlana Tikhanovska, e cila u strehua në Lituani për të shmangur arrestimin, i dha një ultimatum Lukashenkos të dorëhiqej më 25 tetor. Ajo njoftoi se përndryshe do t’u bënte thirrje të gjithë qytetarëve të dalin në rrugë dhe të fillojnë një grevë të përgjithshme.

Tikhanovska, e cila u bë rivale kryesore e Lukashenkos në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit pas arrestimit të figurave të tjera të shquara të opozitës, gjithashtu kërkoi t’i jepet fund shtypjes policore të qytetarëve dhe lirimi i të gjithë “të burgosurve politikë”.

Bjellorusia është goditur nga një krizë politike që nga zgjedhjet presidenciale, kur filluan protestat masive antiqeveritare në të gjithë vendin, iniciuar nga rezultatet zyrtare të votimit, sipas të cilave Lukashenko fitoi më shumë se 80 për qind të votave. Kundërshtarët e Lukashenkos pretendojnë se zgjedhjet ishin vjedhur.

Pavarësisht nga përpjekjet e autoriteteve për të shuar protestat duke arrestuar dhe shtypur protestues dhe aktivistë, nuk ka indikacione se demonstratat janë dobësuar.

Protestat kanë vazhduar për më shumë se dy muaj, me shumicën e demonstruesve që dalin në rrugë të dielën.

Lukashenko, 66-vjeç, i cili ka drejtuar Bjellorusinë me një dorë të vendosur që nga korriku 1994, me shtypjen e opozitës dhe mediave të pavarura, akuzon vendet perëndimore për nxitje të protestave.

Ministria e Punëve të Brendshme të Bjellorusisë paralajmëroi të hënën se policia nuk do të hezitojë të përdorë municione të gjalla “nëse është e nevojshme” në protestat e ardhshme.

Policia tashmë përdori armë në fillim të gushtit, në demonstratat e para në Brest, në jug të vendit. Që nga fillimi i protestave, të paktën tre persona janë vrarë, dhjetëra të tjerë janë plagosur dhe qindra protestues, aktivistë të opozitës, udhëheqës të sindikatës dhe gazetarë janë arrestuar.

Të gjithë politikanët dhe aktivistët e shquar të opozitës bjelloruse janë burgosur ose kanë ikur jashtë vendit.