` . Migrimet e jashtme dhe formimi i diasporave - TV SHENJA

Migrimet e jashtme dhe formimi i diasporave

Midis migrimeve të jashtme dhe formimit të diasporave ekziston një lidhje shumë e ngushtë. Në të vërtetë, pa këtë tip të migrimeve nuk mund të ketë as formim të diasporave. Në formimin e diasporave (fjala diasporë do të thotë shprishje, shkepje, shpërndarje, shkapërderdhje), siç dihet, ndikim të drejtpërdrejtë kanë migrimet e popullsisë dhe, më konkretisht, migrimet e jashtme definitive, si dhe migrimet e jashtme të përkohshme, të nxitura nga një varg motivesh të braktisjes së vendlindjes.

Shkruan: Hivzi ISLAMI, Prishtinë

Migrimet e popullsisë si dukuri shumëdimensionale kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në evolucionin e përgjithshëm demografik dhe shoqëror të njerëzimit, para së gjithash në zgjerimin e ekumenës, në ndryshimin e strukturës së popullimit dhe, rrjedhimisht, të hartës së popullatave të botës. Rol vendimtar në këtë drejtim luajtën migrimet e jashtme si një ndër tipat e rëndësishme të migrimeve të popullsisë, si horizontale, ashtu edhe vertikale ose hapësinore dhe sociale, që zhvillohen midis vendeve, pastaj brenda kontinenteve (interkontinentale) dhe midis kontinenteve (intrakontinentale). Migrimet e jashtme kanë një historik të gjatë dhe janë shumë më të ndërlikuara se migrimet e brendshme (brenda një shteti), më të shtrenjta, zhvillohen në distanca më të gjata hapësinore dhe bartin pasiguri dhe rreziqe të ndryshme (A. Sauvy). Këto migrime janë intensifikuar gjatë dhjetë shekujve të fundit dhe, veçanërisht, pas zbulimeve të mëdha gjeografike dhe kolonizimit të “Botës së re”, kur lëvizjet hapësinore të bashkësive etnike, raciale e gjuhësore morën përmasa të gjera dhe pasqyra etniko-demografike e ekumenës sonë pësoi ndryshime të mëdha, të cilat u shpejtuan me revolucionin teknik dhe zhvillimin e komunikacionit, si dhe me ndryshimet e mëdha në sferën materiale. Përveç faktorëve ekonomikë, në lëvizjet migruese ndërkombëtare kanë ushtruar ndikim edhe determinantet joekonomike, çfarë janë shkaqet politike, persekutimet etnike, fetare, racore, pastaj motivet individuale-psikologjike, familjare etj. Ndikimin e këtyre faktorëve e gjejmë te shumë popullata në periudha të ndryshme kohore (Max. Sorre; L. Dollot).

Nga historiku i migrimeve të jashtme është i njohur fakti se meqenëse zhvillohen në distanca të gjata dhe janë më të shtrenjta, atëherë mjetet e komunikacionit dhe mundësia e blerjes së biletave kanë luajtur një rol të madh, veçanërisht në migrimet përtej oqeanit, në Amerikë dhe në vendet e tjera të “botës së re”. Në këtë mënyrë në fazën e parë rëndom e marrin “botën në sy” të pasurit dhe njerëzit e gatshëm për rreziqe. Në anën tjetër, informacioni mbi përparësitë, të metat dhe mënyrën e shkuarjes në botën e jashtme ka një rëndësi të madhe për fillimin dhe masovizimin e procesit (P. Klinar). Popullata nga territoret dhe vendet që posedon informacione mbi mundësitë dhe përparësitë e shkuarjes në botën e jashtme krijon një vetëdije tjetër ndaj “botës së huaj” në raport me popullatën e viseve dhe vendeve të izoluara në pikëpamje gjeografike dhe sociale dhe mbi këtë bazë krijohet edhe tradita e migrimit (J. Beaujeu-Garnier). Kur emigrimi shkon “from the Know to the Know” (nga e njohura në të njohurën), siç thonë irlandezët, dhe zhvillohet përmes kanaleve farefisnore, fqinjësore, miqësore etj., atëherë bëhet shpejt më masiv dhe pa dyshim më i lehtë (J. Serriere, INED).

 

Formimi i diasporave historike dhe bashkëkohore

 

Midis migrimeve të jashtme dhe formimit të diasporave ekziston një lidhje shumë e ngushtë. Në të vërtetë, pa këtë tip të migrimeve nuk mund të ketë as formim të diasporave. Në formimin e diasporave (fjala diasporë do të thotë shprishje, shkepje, shpërndarje, shkapërderdhje), siç dihet, ndikim të drejtpërdrejtë kanë migrimet e popullsisë dhe, më konkretisht, migrimet e jashtme definitive, si dhe migrimet e jashtme të përkohshme, të nxitura nga një varg motivesh të braktisjes së vendlindjes. Gjatë historisë pjesëtarë të shumë popujve, të grupeve racore dhe etnike, për arsye ekonomike, politike, etnike, racore, religjioze etj., janë ndarë nga trungjet e tyre të para etniko-gjeografike, duke u vendosur larg tyre, madje edhe në kontinentet e tjera. Shprishje të mëdha të popujve ndodhën që nga koha e invadimeve të fiseve barbare, që njihen si dyndje të mëdha të popujve (gjysma e shek. IV deri në gjysmën e shek. VII) dhe lidhen me kalimin nga jeta endacake në jetën e ngulitur dhe aspiratat për përvetësimin e territoreve të pushtuara me dhunë dhe luftëra (M. Reinhard, A. Armengaud, J. Dupâquier).

Procesi i formimit të diasporave lidhet ngushtë edhe me pushtimet e mbretërive të mëdha dhe zgjerimin territorial të tyre, pastaj me konfliktet midis shteteve e kombeve dhe konfesioneve të tyre, me lidhjet migruese midis vendeve evropiane dhe vendeve “të botës së re” në kohën moderne, si dhe me zgjerimin e njerëzimit përmes procesit të migrimeve në përgjithësi dhe ndryshimin e hartës popullative të botës (W.-H. McNeill; L. Dollot). Pas zbulimeve të mëdha gjeografike pasojnë pushtimet dhe popullimet e kolonizimet e tokave të reja nga evropianët në gjithë kontinentin amerikan, pastaj në Australi, Zelandë të Re, në Afrikën e Jugut dhe, lidhur me to, edhe ndryshimet ekonomike, sociale, kulturore, etnike, gjuhësore etj. (M. Reinhard ). Emigrimet e vullnetshme të evropianëve (Irlanda, Britania e Madhe, Gjermania, Spanja, Italia, Suedia, Norvegjia, Suedia, Polonia etj.) bëhen më masive në historinë e migrimeve nga fillimi i shekullit XIX deri në vitet e 30-ta të shekullit XX. Kështu në periudhën 1820-1930 midis 55 dhe 60 milionë njerëz nga vendet evropiane emigrojnë në vendet e “botës së re” (SHBA, Brazili, Argjentina, Kanadaja, Australia e Zelanda e Re, si dhe Republika Jugoafrikane). Prijnë imigrantët në SHBA, ku në periudhën 1820-1950 legalisht hynë rreth 40 milionë njerëz (83% nga Evropa) dhe në periudhën 1950-1990 edhe rreth 15 milionë të tjerë nga gjithë bota (L. Bouvier; R. Gardner). Në vitin 1850, për shembull, vetëm rreth 12% e popullsisë kishte lindur në SHBA, ndërsa pjesa tjetër në Evropë (52% në Irlandë, 18% në Angli e Skoci dhe po aq në Gjermani dhe në vendet e tjera). Rreth vitit 1800 në SHBA kishte vetëm rreth 4 milionë të bardhë, ndërsa në Australi në vitin 1840 kishte më pak se 200.000 evropianë dhe vetëm 2.000 të tillë në Zelandën e Re (H. Jones).

Përkundër ardhjeve të mëdha në SHBA të bashkësive popullative me përkatësi etnike, gjuhësore, ndjenja fetare dhe kulturë tjetër nga popullsia vendëse, megjithatë kazani i pamëshirshëm asimilues amerikan (Melting Pot) të gjithë imigruesit i ka bërë “me vullnet” amerikanë, duke iu nënshtruar identitetit dhe parimeve demokratike amerikane. Imigruesit kanë mundur të hynë dhe të sillen në SHBA vetëm si individë, pa të drejta të bashkësive etnike, me të drejta kolektive. Në qendrat e mëdha urbane të SHBA-ve ka të përqendruara masa milionëshe popullative, me përkatësi të ndryshme etnokulturore, çfarë është rasti me italianët a me kinezët etj. në Nju Jork dhe në qytete tjera.

Në këtë mënyrë janë formuar diasporat historike dhe bashkëkohore, të vogla ose të mëdha, të shumë popujve, përfshirë edhe diasporën shqiptare. Migrimet, si përcjellës permanent në evolucionin e njerëzimit dhe, lidhur me to, krijimi i diasporave, lanë gjurmë të rëndësishme në jetën e popujve, të grupeve të ndryshme të popullsisë, të familjeve dhe të individëve (P. George). Një nga pasojat më të mëdha është edhe përzierja racore e popullsisë, veçanërisht në SHBA, me sjelljen me dhunë të robërve nga Afrika Perëndimore nga fundi i shekullit XVII deri në gjysmën e shekullit XIX. Është kjo tregtia më e madhe me njerëz: robërit shiteshin si fuqi punëtore për t’u punësuar në minierat dhe plantacionet e vendeve të “botës së re”, nga puna e të cilëve janë realizuar profite të mëdha. Vlerësohet se në periudhën 1783-1793 rreth 300.000 robër nga Afrika në Amerikë u sollën me anijet britanike nga Liverpuli dhe Bristoli (M. Frigan). Ndërkaq, deri në gjysmën e shekullit XIX rreth 15 milionë robër u importuan nga Afrika në vendet e “botës së re”. Pasoja tjetër e deportimit të robërve është demografike: shpopullimi i Afrikës Perëndimore dhe efekti tjetër sociokulturor e politik është diskriminimi racor, si një nga problemet kryesore të brendshme të SHBA-ve nga themelimi i tyre si shtet e deri në ditët tona (R. Appleyard).

 

Dominimi i faktorit ekonomik në migrimet e jashtme

 

Pas Luftës II Botërore në botë ndodhën ndryshime të mëdha ekonomike, sociale, politike, kulturore etj., natyrisht më shumë në vendet e zhvilluara, por edhe vendet e pazhvilluara dhe në vendet dhe rajonet në zhvillim. Kështu u intensifikua edhe mobiliteti hapësinor dhe social i popullsisë dhe i fuqisë punëtore, proces ky që e përshkon tërë botën bashkëkohore, me specificitete për çdo mjedis sociokulturor. Edhe pse lëvizja hapësinore e popullsisë në kërkim të punës është relativisht e vjetër, e manifestuar në një formë të caktuar dhe në shoqërinë agrare dhe veçanërisht në vendet e zhvillimit të hershëm ta kapitalizmit dhe të akumulimit të kapitalit, migrimi me këtë motiv (të punës) dallon qenësisht nga çdo mobilitet i mëparshëm. Dallimet vërehen si në vëllimin dhe dinamikën, ashtu edhe në strukturën, motivet që e nxisin, drejtimet e lëvizjes dhe veçanërisht pasojat që dalin nga ky proces. Por, pa marrë parasysh këto dhe dallimet e tjera, në lëvizje të tilla hapësinore-sociale faktori kryesor dhe i përbashkët paraqitet baza ekonomike (M. Oliveira-Roca).

Në kohën më të re, përveç lëvizjes së fuqisë punëtore nga imperativi ekonomik në kuptimin më të gjerë brenda shtetit, janë paraqitur edhe lëvizjet migruese të popullsisë dhe të fuqisë punëtore jashtë kufijve shtetërorë, të njohura si migrime të jashtme ose migrime ndërkombëtare. Përveç tensioneve të krijuara në botë e konfrontimeve në relacion perëndim – lindje ose SHBA – BRSS, kjo si pasojë e krijimit të blloqeve, dhe, mbi këtë bazë, të “Luftës së Ftoftë”, brenda kontinentit të vjetër, Evropës, nisën lëvizjet migruese në drejtimin “vendet dhe territoret e pazhvilluara drejt vendeve dhe territoreve të zhvilluara”. Këto lëvizje masive migruese janë të njohura si “lëvizje të lira ekonomike” ose “migrime të fuqisë punëtore” si indikator i rëndësishëm i shkallës jo të njëjtë të zhvillimit ekonomik e shoqëror, në një anë, dhe zhvillimit demografik, në anën tjetër, midis vendeve industrialisht të zhvilluara dhe vendeve ekonomikisht të pazhvilluara. Masa të konsiderueshme të kontingjentit të punës nga tri pjesë të Evropës së pazhvilluar (Siujdhesa Pirineje: Spanja dhe Portugalia; Siujdhesa Apenine: Italia, veçanërisht pjesa jugore e saj; dhe Siujdhesa Ballkanike: Greqia; ish-Jugosllavia) dhe nga Turqia iu drejtuan vendeve të Evropës Perëndimore, Qendrore dhe Veriore, industrialisht të zhvilluara, me deficit të fuqisë punëtore dhe mundësi të mëdha për punësim në ato degë dhe profesione që i refuzonte punëtori i vendit.

Nga vendet eksportuese të fuqisë punëtore merrnin pjesë kryesisht zonat ruralo-agrare, me suficit të fuqisë punëtore. Ky tip i migrimeve brenda kontinentit plak mori hov këto pesë deceniet e fundit dhe atë jo vetëm për shkak të disproporcionit midis zhvillimit të hovshëm ekonomik dhe rritjes demografike, por edhe për arsye të tejkalimit të mosmarrëveshjeve dhe normalizimit të raporteve politike midis vendeve evropiane. Një numër jo i vogël i këtyre punëtorëve, më vonë, pas një situimi, i sjellë edhe anëtarët e familjes në vendet imigruese, si fillim i formimit të diasporave të reja. Bashkësia Ekonomike Evropiane (Franca, Italia, Gjermania Federale dhe vendet e Beneluksit) që nga formimi në vitin 1957 kishte paralajmëruar “qarkullimin e njerëzve, të shërbimeve dhe të kapitalit”, ndërsa në vitin 1970, kishte proklamuar “qarkullimin e lirë të punëtorëve” brenda gjatështëshes evropiane dhe jashtë saj (H. Çelik). Deri në vitin 1974 brenda BEE-së, përfshirë edhe Zvicrën, kishin hyrë tashmë rreth 12 milionë punëtorë të huaj dhe anëtarë të familjeve të tyre (Hommes et Migrations, Documents No 856/1974).

 

Rritja e ksenofobisë

 

Zhvillimi industrial dhe teknologjik i vendeve imigruese ua diktoi kushtet e punësimit vendeve emigruese. Punëtori i huaj u detyrua ta pranojë atë vend të punës të cilin e liroi ose e refuzoi punëtori i vendit. Janë këto kryesisht vende të punës të degëve ekonomike të cilat kërkojnë mund të madh fizik, çfarë janë ndërtimtaria, metalurgjia e rëndë dhe e zezë, komunaliet, bujqësia etj. Punësimi në këto degë, së bashku me kushtet e tjera jo të përshtatshme për numrin më të madh të punëtorëve (ushqimi, banimi, puna jashtë orarit të punës etj.), është një goditje për kondicionin fizik të punëtorit dhe pasojat e emigrimit ekonomik janë të mëdha dhe afatgjate për vendet eksportuese të fuqisë punëtore. Punëtorët e huaj detyrimisht janë banorë të qyteteve dhe kryesisht të paralagjeve të tyre (suburbanizimi), meqenëse vendet e punës të degëve të përmendura gjendet në këto territore, ku formohen aglomeracione të veçanta etnike, kulturore, sociale etj. Procesi i urbanizimit këtu është i pakontrolluar dhe stihik, i karakterizuar me ndërtime “të egra”. Në një mënyrë, të huajt, punëtorët dhe familjet e tyre, janë futur në geto. Ata janë të diskriminuar në pikëpamje sociale, kulturore, infrastrukturore etj. Në fazën e parë të ardhjeve, imigrantët e punës janë vendosur në ndërtesa të improvizuara, në baraka, në objekte të braktisura, në kazerma të vjetra etj. (O. Rabut; H. Çelik, INED).

Sa i përket strukturës sociodemografike, “proletariati” jashtë atdheut, që nga fillimi i shkuarjes në vendet e huaja, i përket moshës së re, biologjikisht të shëndoshë, kryesisht gjinisë mashkullore, të kualifikuar ose të rikualifikuar në vendet e punës të shteteve imigruese. Meqenëse tregu i punës së vendeve importuese të fuqisë punëtore është më mirë i organizuar sa u përket kushteve të punës dhe fitimeve të migrantëve, në shtetet e punës vjen edhe një pjesë e fuqisë punëtore, e cila është shumë e nevojshme dhe e domosdoshme për ekonominë dhe shoqërinë e vendeve emigruese. Duhet vënë në pah gjithashtu edhe faktin se në këto lëvizje imigruese të fuqisë së huaj punëtore, në vendet importuese të këtij “proletariati”, përveç dobive të mëdha materiale e financiare, shkaktohen edhe probleme e implikime, të përcjella me ksenofobinë ndaj imigrantëve të huaj. Duke ardhur nga një sistem shoqëror dhe kulturor në tjetrin, imigranti i punës bie në konflikt me shumëçka në mjedisin dhe univerzumin e ri, duke u ballafaquar me shumë të panjohura dhe probleme. Vështirësitë e para janë mosnjohja e gjuhës dhe e kulturës së vendit imigrues, tradita, strukturimi institucional i shoqërisë, normat ligjore etj. Gjithnjë ai ndjehet i përbuzur, inferior, i dyshimtë për gjithçka të keqe që ndodhë aty ku ai sillet, i frikësuar se po përcillet në çdo kënd nga sigurimi e policia dhe do të burgoset, do të ndiqet nga vendi, duke mos i ditur as të drejtat e veta për t’u mbrojtur etj. (A. Girard, INED).

 

Forcimi i lidhjeve tradicionale migruese dhe formimi i diasporave të reja

 

Në pjesën e dytë të shek. XX forcohen dhe intensifikohen lidhjet migruese tradicionale midis vendeve evropiane dhe vendeve përtej oqeanit (SHBA, Kanadaja, Australia etj.), sikundër që bëhet zgjerimi demografik dhe territorial i diasporave tashmë ekzistuese dhe formimi i bërthamave të reja. Humbjet dhe dobitë ekonomike, demografike e të tjera janë të ndryshme për vendet emigruese dhe vendet imigruese. Në këtë drejtim ka dallime edhe midis migrimit të jashtëm definitiv dhe migrimit të jashtëm të përkohshëm. Në tipin e parë më shumë përfitojnë vendet imigruese (imigrantët janë të moshës së re, ekonomikisht aktive, fertile në pikëpamje të riprodhimit, punëtorë të kualifikuar, kuadro krijuese, të prira për inovacione etj.), ndërsa në rastin e dytë përfitojnë vendet emigruese (punësimi, fitimet, kursimet etj.). Qarqet politike e të tjera, që janë kundër migrantëve të huaj, veçanërisht migrantëve ilegalë kritikat e tyre i arsyetojnë me faktin se të huajt po i ngarkojnë fondet sociale dhe shërbimet publike, se kriminaliteti është më i madh tek ata sesa te vendorët, se po ua zënë vendet e punës punëtorëve të vendit etj.

Vështruar nga rezoni ekonomik, në literaturën ekonomike migrimi ndërkombëtar është konsideruar përgjithësisht proces pozitiv, i cili ka mundësuar zhvillimin e shumë vendeve sot të zhvilluara, veçanërisht të vendeve përtej oqeanit dhe ka hapur mundësi të reja të punësimit dhe realizimit të fitimeve më të mëdha të miliona njerëzve në botë. Por, pasojat ekonomike dhe shoqërore të migrimeve të jashtme duhet vështruar dhe në lidhje me pasojat e tyre demografike, sepse çdo individ, i cili emigron nga një vend dhe imigron në vendin tjetër, bart me vete karakteristikat e tij demografike, ekonomike dhe të tjera dhe lidhur me të edhe rezultatin e mundshëm prodhues” (A. B. Wertheimer). Migrimet e jashtme, siç u theksua, marrë përgjithësisht, janë më të shtrenjta se migrimet e brendshme, kërkojnë shpenzime më të mëdha individuale dhe shoqërore dhe transferojnë me vete investimet e mëparshme të shoqërisë dhe të familjes në edukimin, shkollimin, mbrojtjen shëndetësore dhe sociale të migrantit. Ato paraqesin rrezik edhe për individin, ngase implikojnë shpenzime materiale dhe pasiguri në suksesin e punësimit dhe të standardit në mjedisin e ri.

Në kuadër të migrimit ekonomik të fuqisë punëtore, të ofertës dhe të kërkesës për punë, midis vendeve të pazhvilluara dhe vendeve të zhvilluara, të intensifikuara pas Luftës II Botërore, janë migrimet selektive, si një veçori e posaçme, përkatësisht lëvizjet migruese të punëtorëve me kualifikime të larta (shkencëtarë, inxhinierë, kuadro teknike, mjekë etj.), që njihen si “migrim i truve” – anglisht “brain-drain”; frëngjisht “l’exode des cerveaux” (S. Mooney; I. Angell). Por, këto migrime nuk kanë pasur ndikim në fuqizimin demografik të diasporave. Dhe, në vend se “migrimi i truve”, përkatësisht transferi i ekspertëve, i dijes dhe i teknologjisë të shkojë në drejtimin “vende të zhvilluara – vende të pazhvilluara”, ky transfer po ndodhë në drejtim të kundërt – nga vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim “brain-drain” po bartet në vendet me shkallë të lartë të zhvillimit industrial, shkencor dhe teknologjik (SHBA, Kanada, Australi, Zelandë të Re, Evropë Perëndimore etj.), të cilat nga kjo kategori e migrantëve po nxjerrin një “ekstraprofit” joshës. Në fakt, në vendin më atraktiv për migrantët nga gjithë bota, në SHBA, pas vënies së regjimit rigoroz të imigrimit, në kuadër të politikës selektive migruese nga viti 1914, ky vend ka zbatuar politikën imigruese “brain-drain” (J. D. Muir; A. B. Wertheimer).

 

Humbja e kapitalit njerëzor dhe pasojat

 

“Migrimi i trurit”, përkatësisht “migrimet intelektuale” kanë marrë hov pas viteve të ‘70-ta të shekullit të kaluar dhe çështja e këtij tipi të migrimeve është trajtuar në hollësi në tubime shkencore ndërkombëtare dhe në raste të tjera (P. Visaria; J. Bhagwati). Për vendet e pazhvilluara dhe ato në zhvillim, si eksportues kryesor i “migrimit të trurit” në vendet e zhvilluara, ky tip i migrimit paraqet një humbje të madhe të kapitalit njerëzor. Ndonëse sot, në botën bashkëkohore, qarkullimi i lirë i njerëzve, i mallit, i kapitalit dhe i kuadrove, në këtë rast i ekspertëve, po konsiderohet kërkesë dhe nevojë normale, megjithatë, sipas mendimit të sociologëve, “qarkullimi i lirë duhet të jetë patjetër rrugë dykahëshe, sepse vetëm atëherë mund të konsiderohet dukuri normale, ndërsa brain drain është rrugë njëkahëshe” (J. Županov).

Migrimet e popullsisë për shkaqe gjeopolitike e shtetomëdha dhe migrimet e të ikurve politikë për arsye ideologjike ndodhën pas Luftës I Botërore (ikjet nga Rusia komuniste) dhe pas Luftës II Botërore (ikjet nga vendet socialiste përkundër ndalimit nga regjimi i ri). Migrantët shkonin në drejtim të Evropës së zhvilluar dhe demokratike, si dhe drejt vendeve përtej oqeanit. Migrimet e këtij lloji u intensifikuan edhe pas rënies së Murit të Berlinit dhe përfundimit të “Luftës së Ftoftë” në fillim të viteve të ‘90-ta të shekullit XX, kur nga vendet ish-socialiste (Evropa Qendrore dhe Lindore, përfshirë ish-BRSS) një numër i madh i njerëzve emigroi në vendet perëndimore të Evropës dhe në SHBA e Kanada (UN, Economic Commission for Europe). Konfliktet politike dhe luftërat në ish-Jugosllavi në vitet e ‘90-ta të shekullit XX, të nxitura nga hegjemonizmi serbomadh në përpjekjet për ta krijuar Serbinë e Madhe, shkaktuan tragjedi të mëdha njerëzore e materiale dhe shpërngulje të dhunshme masive të popullatave kroate, boshnjake dhe shqiptare, në një anë, dhe të serbëve jashtë Serbisë, në anën tjetër (A. B. Wertheimer).

Edhe zgjerimi i Bashkimit Evropian, në fillim të shek. XXI, kryesisht drejt lindjes (në muajin maj të vitit 2004 u bënë anëtare të BE-së Polonia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Lituania, Letonia, Estonia, Malta dhe Qipro), përcillej nga një frikë pikërisht për shkak imigrimit masiv të njerëzve nga vendet e lindjes në vendet e BE-së, përkatësisht të destabilizimit të tregut të punës në këto të fundit (A. De Tinguy; J. Widgren). Në këtë zgjerim të BE-së vërehet dhe një paradoks, sepse Unioni në një anë kishte tendencë të hapjes, ndërsa në anën tjetër edhe të mbylljes. Mbyllja ndaj disa vendeve kushtëzohet kryesisht nga domosdoshmëria që rrjedhat migruese të vihen nën kontroll. Prandaj edhe kushtet dhe kriteret për integrimin e vendeve të reja në Bashkimin Evropian, veçanërisht të vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjithnjë po ashpërsohen. E fundit që u anëtarësua në BE ishte Kroacia në vitin 2013, ndërsa të tjerat duhet të presin! Me daljen e Britanisë së Madhe, por edhe për arsye të rivaliteteve të brendshme, BE-ja po ballafaqohet me një krizë serioze, e cila, si duket, në të ardhmen do të rritet edhe më tepër!