Midis Lindjes dhe Perëndimit: Pse aq shumë ledhatohet Serbia?

Midis Lindjes dhe Perëndimit: Pse aq shumë ledhatohet Serbia?

Serbia ka një ndikim të madh mbi Republika Srpska-n në Bosnjë e Hercegovinë, mbi rajonin kompakt në veri të Kosovësm që shkon drejt një lloji të autonomisë, mbi Kishën Serbe në Mal të Zi me ndikim të madh edhe në skenën politike malaziase dhe një ndikim të madh në opinionin publik në Maqedoninë e Veriut. Kjo shtrirje e ndikimit serb në rajon përbën një rrezik të madh për destablizimin e tij në rast se Serbia do të pranonte të luajë me tërë kapacitetin e saj për interesat e Rusisë.         

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Serbia është vendi kyç për orientimin gjeostrategjik të Ballkanit Perëndimor. Një shtet me afër 9 milionë banorë, që përbën gjysmën e popullsisë së rajonit më problematik të Europës, dhe një qendër me një ndikim të madh në të gjitha shtetet tjera, përveç Shqipërisë, Serbia është duke u vlerësuar si lojtar i gjeopolitikës së rajonit, por edhe të Europës. Pikërisht për këtë ka një kohë të gjatë që Perëndimi dhe Rusia janë në një lloj gare se kush do të ketë ndikim më të madh mbi Serbinë. Të dyja polet e politikës ndërkombëtare në Beograd e shohin çelësin e stabilizimit, por edhe të destabilizimit të Ballkanit dhe më gjerë.

 

Fundi i politikës së “dy karrigeve”

 

Ky pozicion është shfrytëzuar maksimalisht nga presidenti më jetëgjatë serb, Aleksandër Vuçiq, i cili ka kohë që zbaton një politikë të jashtme të “dy karrigeve”. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës duket se e ka luhatur këtë doktrinë të Vuçiqit, i cili gjithnjë e më shumë shtyhet të zgjedhë një karrige: o me Perëndimin o me Rusinë. Perëndimi është partneri më i madh ekonomik i Serbisë, ka pjesën më të madhe të investimeve në vend dhe është tregu më i madh i prodhimeve serbe. Rusia, nga ana tjetër, nga pjesa më e madhe e serbëve shihet si mbrojtës i të gjithë sllavëve të botës, partneri më besnik i Serbisë dhe vendi me të cilin ndahen shumë tipare kulturore, duke filluar nga gjuha e deri te religjioni. Pra, Serbia po detyrohet të zgjedhë midis pragmatizmit politik dhe afërsisë kulturore, me kokë ose me zemër, me arsye ose me emocion. Nëse e zgjedh Perëndimin, do të duhet të ballafaqohet me zemërimin e opinionit publik, shumica e të cilit është thellësisht prorus, kurse nëse e zgjedh Rusinë – do të duhet të përshëndetet nga rritja e vazhdueshme ekonomike. Në fakt, Perëndimi ka punuar të fitojë vetëm mendjen e Serbisë, ndërkohë që zemrën ia mban Rusia. Rrjedhimisht, Serbia është e dëgjueshme ndaj Perëndimit vetëm për sa kohë përfiton para për ekonominë e saj, ndërkohë që dëgjueshmëria ndaj Rusisë shihet si një lloj detytimi kombëtar.

Kjo lojë e Serbisë ose diplomacia e “dy karrigeve”, duket se do të marrë fund. Serbia pritet ta zgjedhë Perëndimin, aty ku i ikën rinia për një jetë më të mirë, sepse Rusia nuk është as alternativë politike e as ekonomike për të. Në marrëdhëniet ndërkombëtare përherë në radhë të parë vihen interesat konkrete shtetërorë para vlerave dhe parimeve. Edhe Serbia nuk pritet të bëjë përjashtim nga kjo qasje ekskluzivisht realiste, e cila nënkupton arsyen e jo emocionet, tregun euro-amerikan para vlerave të përbashkëta me Rusinë ose ekonominë e lidhur me Perëndimin para parimeve të vëllazërisë me Moskën.

Gjithsesi se Serbia dëshiron të përfitojë më shumë nga kjo “kthesë historike” në marrëdhëniet me jashtë. Ajo kërkon që prishja e raporteve miqësore me Rusinë të shpërblehet me integrim të shpejtë në Bashkimin Europian (BE), zgjerim të tregjeve për produktet serbe (përfshirë edhe armët), rol kyç në iniciativat rajonale dhe marrëveshje të favorshme me shtetet fqinje me të cilat ka konteste – Mali i Zi dhe Kosova. Kosova, pa dyshim, do të jetë çështja më e rëndë për Serbinë, pasi në fund të procesit do të duhet të njohë pavarësinë e saj, që nënkupton edhe ndryshimin e Kushtetutës.

 

Ndikimi serb dhe lufta Perëndim-Rusi

 

Që nga 27 shkurti i këtij viti, Perëndimi është në luftë me Rusinë. Kjo luftë nuk nënkupton vetëm fushëbetejat në Ukrainë, por edhe rritjen oseruajtjen e ndikimit në pjesë të ndryshme të Botës, sidomos në Europë. Ballkani është pjesa më e cenueshme e Europës, e cila shpesh ka qenë katalizatori i shumë luftërave. Ndikimi në këtë pjesë të Europës në këtë kohë të polarizimit më të madh gjeopolitik, që nga Lufta e Dytë Botërore, është i një rëndësie të veçantë. Tre vende të Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – janë anëtarët më të rinj të NATO-s, ndërkohë që në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë Aleanca Veri-atlantike e ka praninë e saj. Edhe pse kjo e ka ngushtuar hapësirën e penetrimit rus në rajon, megjithatë nuk ka siguruar një stabilitet të qëndrueshëm. Prania Ruse në ekonominë dhe në hapësirën mediatike të Ballkanit është e vakët, por kjo shpesh përplotësohet nëpërmjet shteteve mike të Rusisë.

Serbia ka një ndikim të madh mbi Republika Srpska-n në Bosnjë e Hercegovinë, mbi rajonin kompakt në veri të Kosovësm që shkon drejt një lloji të autonomisë, mbi Kishën Serbe në Mal të Zi me ndikim të madh edhe në skenën politike malaziase dhe një ndikim të madh në opinionin publik në Maqedoninë e Veriut. Kjo shtrirje e ndikimit serb në rajon përbën një rrezik të madh për destablizimin e tij në rast se Serbia do të pranonte të luajë me tërë kapacitetin e saj për interesat e Rusisë.

Ta marrim shembull Maqedoninë e Veriut. Opinioni etnik maqedonas është i ndarë kur është fjala se cilën palë të mbështesë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Derisa pothuajse të gjitha partitë parlamentare, përveç Levicës (E Majta), e kanë dënuar agresionin rus kundër Ukrainës, qendrat dhe autoritetet me ndikim ende po shprehin mbështetjen për Rusinë, duke argumentuar operacionin e saj. Rezultatet e anketave, edhe pse mund të merren me rezerva, flasin për një mbështetje të tillë. Sipas sondazhit të IPSOS, të porositur nga VMRO-DPMNE, 29 për qind e të anketuarve kanë shprehur mbështetje për Ukrainën, 13 për qind për Rusinë, 10 për qind i mbështesin të dyja palët, 10 për qind janë përgjigjur se nuk e dinë çështjen, ndërsa pjesa tjetër – 27 për qind – janë kundër luftës në përgjithësi. Një sondazh i urdhëruar nga IRI, në mars të vitit 2022, tregoi se ndikimi rus dhe kinez në Maqedoninë e Veriut po rritet. Gjashtëdhjetë për qind e qytetarëve të saj pajtohen se marrëdhëniet e forta me Rusinë u shërbejnë interesave të tyre, ndërsa gjashtëdhjetë e katër për qind e mendojnë të njëjtën gjë për Rusinë. Kjo është një rritje prej njëmbëdhjetë për qind për Kinën dhe gjashtë për qind për Rusinë, krahasuar me sondazhin e shkurtit 2020. Një mbështetje të konsiderueshme për Rusinë ka treguar edhe anketa e Institutit “Prespa”, me seli në Shkup. Në pyetjen “Në përgjithësi, cili vend apo aleancë/union ndërkombëtar është miku më i madh i Maqedonisë së Veriut?”, mes maqedonasve etnikë, këtë vit, 3.5 për qind e njohin Rusinë si mikun më të madh të vendit. Përqindja mbetet e ulët, por shumë më interesante kur përgjigja e pyetjes shihet nga prizmi i përkatësisë partiake ose lidhjes ideologjike. Votuesit e partisë politike Levica (E Majta) kanë shprehur mbështetjen më të lartë për Rusinë, me ç’rast 6.9 për qind e tyre e shohin Moskën si mikun më të madh të vendit. Për votuesit e Levicës, Rusia është zgjedhja e dytë për mikun më të madh, menjëherë pas Serbisë, e cila është te 68.1 për qind e tyre është zgjedhja e parë. Kjo parti politike ishte gjithashtu e vetmja që nuk votoi për Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut që dënon pushtimin e Rusisë në Ukrainë dhe zhvilloi një takim zyrtar me ambasadorin rus në këtë vend. Për votuesit e VMRO-DPMNE-së, Rusia është zgjedhja e tretë për mikun më të madh, menjëherë pas Serbisë, e cila është e para me 57,7 për qind  dhe SHBA-së si e dyta me 6,3 për qind. Në pozita më të disfavorshme Rusia shfaqet te mbështetësit e LSDM-së, me vetëm 1.1 për qind, pas Serbisë si e para, SHBA-së si e dyta, Gjermanisë, BE-së, Turqisë e kështu me radhë.

E përbashkëta e të gjitha partive politike të maqedonasve etnikë është se te mbështetësit e tyre, diku më pak e diku më shumë, Serbia shihet si vend më mik i Maqedonisë së Veriut. Kjo i jep mundësi Rusisë që, përveç ndikimit të drejtpërdrejtë, të ushtrojë edhe ndikim të tërthortë nëpërmjet Serbisë si partner strategjik isaj, sidomos nëse në agjendë vendos destabilizimin e rajonit. Nxitja e një lufte në Ballkan do ta zhvendoste vëmendjen ndërkombëtare nga Ukraina dhe do ta detyronte Europën që më shumë të merret me vetveten.

Ky pozicion e bën Serbinë të jetë në qendër të vëmendjes edhe te faktori ndërkombëtar, i cili ka kohë që përdor “ndikimin e butë” për ta kthyer në aleat të Perëndimit. Përveç lidhjes emocionale, ndihma e Rusisë në sigurimin e gazit të lirë dhe ndihmës ushtarake ngelet ende tunduese për Beogradin.