Micotakis – Kovaçevski: Po punojmë në pavarësinë energjetike

Micotakis – Kovaçevski: Po punojmë në pavarësinë energjetike

Perspektiva energjetike e Maqedonisë së Veriut, mundësitë për bashkëpunim, kriza energjetike botërore dhe thellimi i bashkëpunimit dhe i projekteve energjetike, janë në fokus të takimit që sot në Athinë filloi mes kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, Dimitar Kovaçevski dhe Kiriakos Micotakis, lajmëroi korrespondentja e MIA-s.

Micotakis theksoi se sot kanë shumë punë për të cilat do të bisedojnë dhe e përsëriti mbështetjen greke për rrugën e vendit drejt BE-së, por edhe lidhur me krizën energjetike, ndërsa tha edhe se në interes të të dy vendeve është të promovojnë investime.

Kryeministri Kovaçevski u falënderua për mbështetje të Greqisë për fillim të negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian, duke potencuar se dy vendet fqinje janë shembull për marrëdhënie të mira jo vetëm për rajonin, por edhe për botën.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut informuan se dy kryeministrat konstatuan se bashkëpunimi rajonal është me rëndësi të madhe me theks të posaçëm në rëndësinë e bashkëpunimit në sektorin energjetik, për çka u dakorduan se ka potencial të madh, nëse merren parasysh projektet e përbashkëta për ndërtim të terminalit për gaz të lëngshëm të naftës (LNG) në Aleksandrupoli, si dhe ndërlidhje të gazit mes të dy vendeve.

Kryeministrat i konfirmuan angazhimet në pajtim me planifikimet, më së voni deri nga mesi i vitit 2024, të ketë furnizim me gaz nga Greqia dhe konkluduan se projektet strategjike janë me rëndësi të madhe për pavarësinë energjetike afatgjate për furnizim stabil dhe të përhershëm me gaz të lëngshëm në kohë krize.