MEVLUDI SI LINDJE E VAZHDUESHME DHE PËRDITËSIM I PERSONIT METAFIZIK TË PEJGAMBERIT A.S.

MEVLUDI SI LINDJE E VAZHDUESHME DHE PËRDITËSIM I PERSONIT METAFIZIK TË PEJGAMBERIT A.S.

Shkruan: Metin Izeti

Ardhja fizike, më drejtë, lindja e Pejgamberit a.s., në këtë botë, padyshim, është një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë hotizontale të gjinisë njerëzore në hapësirën botnore. Tharmi i bekuar i Pejgamberit a.s. u trajtësua në lidhjen bashkëshortore të Abdullahut dhe Amines dhe si rrjedhojë në vitin 571 lindi zotnia e gjithësisë Pejgamberi a.s.. Kjo ngjarje, si rrjedhojë e personalitetit të rëndësishëm të Pejgamberit a.s., është shndërruar në një koncept të rëndësishëm fetar, kulturor dhe qytetërimor në periudhën e mëvonshme, pra, menjëherë pas nderimit të Pejgamberit a.s. me kunorën e dërgesës hyjnore. Ngjarja e lindjes së Pejgamberit a.s. nga ana e ummetit të Pejgamberit a.s. është konsideruar si një ngjarje emocionale dhe ngazëlluese dhe si pasojë rreth saj janë ndërtuar një numër i madh i koncepteve fetare dhe kulturore të muslimanëve më vonë.

Lindja e Pejgamberit a.s. në këtë botë ka lozur rolin e një koncepti të urtësisë perreniale në historinë e mendimit islam dhe në të gjitha periudhat e saj ka paraqitur një paradigmë të dashurisë thelbësore e cila është veshur me petkun e traditës fetare dhe kulturore. Si rrjedhojë, në historinë e mendimit islam, përveçse në dy tri dekadat e fundit të shekullit të XX, kjo paradigmë është diskutuar nga aspekti i ndërgjegjes dhe vetëdijes fetare (vixhdani) dhe jo nga aspekti literar dhe juridik. Pra, bëhet fjalë për ndjenjën e gostitjes të përbotshme të personit metafizik të zotnisë së gjithsisë dhe jo për përmasën juridike të formës së këtij manifestimi.

Të gjithë mendimtarët janë të përbashkët në konstatimin se ndjenja e dashurisë dhe ndjekjes me përulësi thelbësore (itaat) të personit të Pejgamberit a.s. është urdhëresë e pamohueshme e Allahut xh.sh. në Kur’anin famëlartë. Dua të them që ta duam dhe ta ndjekim Pejgamberin a.s. është pjesë e besimit islam dhe është farz në drejtësinë islame. Dhe mendoj se thelbi i kësaj çështjeje duhet të jetë i përqëndruar në këtë pikë referimi. Mënyrat e manifestimit të lindjes së Pejgamberit a.s. janë çështje të cilat paksa i përkasin gnozës popullore dhe kohore dhe si të tilla mbeten një kohë të gjatë të pranishme në shoqërinë njerëzore ose jo. Nëse e shikojmë nga ky aspekt, pra nga aspekti i antropologjisë kulturore e vërejmë se manifestimi i lindjes së Pejgamberit a.s., pra Mevludi, me formën siç e manifestojmë edhe ne, ka zënë vend të konsiderueshëm në jetën kulturore dhe fetare të muslimanëve dhe ka shërbyer si paradigmë me të cilën është ndier lindja e vazhdueshme e personit metafizik të Pejgamberit a.s. dhe është bërë një lloj i përditësimit (update) i insan-i kamilit (njeriut të plotë) të përfaqësuar në jetën dhe veprën e Pejgamberit a.s..

Manifestimi i lindjes së Pejgamberit a.s. në të gjitha periudhat e jetësshoqërore të muslimanëve ka lozur rolin e gjallëruesit dhe përkujtuesit të dashurisë dhe përuljes thelbësore ndaj personit dhe sunetit të Pejgamberit a.s., mendoj se edhe sot e kësaj dite kjo çështje nuk e ka humbur aktualitetin e saj dhe vazhdon të ndriçojë me po të njëjtën energji edhe në periudhën që jemi duke jetuar.

Dashuria dhe përulësia thelbësore ndaj jetës dhe veprës së Pejgamberit a.s., mendoj, se vazhdon të jetë arketipi kryesor dhe shumë i rëndësishëm i cili ka mundësi të ngadhnjejë mbi konceptin e informacionit të thatë dhe arrogant të fetarisë statike dhe fenomenologjisë fetare të fundshekullit të XX dhe fillimshekullit XXI. Bota në këtë periudhë, si pasojë e ndikimit të mendimit të përgjithshëm filozofik me materializëm të sforcuar që dukshëm ndikoi edhe në ligjërimin fetar, e humbi sensin e ndjenjës dhe emocionimit me Zotin dhe Pejgamberin dhe vendin e tyre e zuri informacioni për fenë dhe teologjia e thatë. Pikërisht për këtë konstatoj se rikthimi i ndjenjës dhe emocionimit fetar ka mundësi të ndodhë vetëm me rikthimin e dashurisë dhe përulësisë thelbësore ndaj personit metafizik të Pejgamberit a.s.. E them këtë duke u bazuar në tre pasqyrime të personit metafizik të Pejgamberit a.s. në thelbin dhe përditshmërinë e botës që nga fillimi e deri në fundin e saj:

  1. Personi i Pejgamberit a.s. si mëshirë e Allahut xh.sh. për ekzistencën

Njeriu i sotshëm është i mësuar të mendojë se, gjithsesi nën ndikimin e materializmit historik, të gjithë njerëzit janë të barabartë, pra kuanititeti është shndërruar në koncept kualitativ. Gjithsesi se ky koncept që e ka vendin e vet në çështjet juridike dhe sociologjike nuk është absolut sa i përket çështjes së elementeve që kanë të bëjnë me përmasën metafizike. Më konkretisht, Allahu xh.sh. në mesin e njerëzve ka zgjedhur njerëz zë caktuar, pra e kam fjalën për pejgamberët, të cilët e kanë bartur porosinë hyjnore në shoqërinë njerëzore. Kjo zgjedhje e tyre nuk është si rrjedhojë e përpjekjes së tyre shoqërore, por është zgjedhje nga ana e Allahut xh.sh.. Pra , në një mënyrë pejgamberët paraqesin një dallim pozitiv, dhe assesi diskriminim negativ, në mesin e gjinisë njerëzore. Në kuadër të kësaj ndiesie poeti në një dyvargësh të famshëm ka thënë:

Muhammedun besherun la ke’l-besher (Muhammedi (a.s.) është njeri (biologjik) por jo si njeriu i zakonshëm)

Bel huve ke’l-jakutu bejne’l-haxher (Ai është si margaritari në mesin e gurëve)

Kjo çështje aspak nuk është e diskutueshme në mesin e dijetarëve fetarë, për shkak se në shumë ajete kur’anore përmendet zgjedhja e pejgamberëve të caktuar në kuadër të komuniteteve të tyre. Ndërsa, sa i përket personit të Pejgamberit tonë a.s. Allahu xh.sh. në suren Enbija ajeti 107 urdhëron se atë e ka dërguar, ekskluzivisht, pasi në gjuhën e arabe e përdor formën e negacionit përjashtuesduke i përjashtuar të gjitha qasjet tjera  (Ve ma erselnake), si mëshirë për të gjitha botnat. Pra, nuk do shumë mend që të konstatohet se këtu bëhet fjalë për një njeri të mbizakonshëm i cili është zgjedhur nga ana e Allahut xh.sh. dhe se afërsia me mëshirën dhe sensin hyjnor mund të bëhet përmes këtij koncepti, pra përmes Pejgamberit a.s.. Dhe gjithashtu, margjinalizimi i Pejgamberit a.s. në rrugën e afërsisë me Zotin, është njëkohësisht margjinalizim i besimit të mirëfilltë në Zotin. Më konkretisht, Pejgamberi a.s. është shenja kryesore botnore e cila na udhëzon dhe na e tregon rrugën drejt afërsisë me Krijuesin e Gjithfuqishëm. Duke e patur parasysh peshën e këtij fakti viteve të fundit në disa qarqe islamofobe dhe antiislame u bënë përpjekje për relativizim të personit të Pejgamberit a.s.. Pikërisht për këtë kujtoj se rikthimi i përmasës së dashurisë dhe përuljes thelbësore ndaj personit të Pejgamebrit a.s. do t’i shpëtojë muslimanët, por më gjerë, edhe njerëzimin nga literarizmi i thatë fetar dhe nga konceptimi i fesë si anëtarësim në një komunitet.

  1. Ndërtimi i identitetit musliman përmes personit të Pejgamberit a.s..

Pejgamberi a.s. edhe si njeri biologjikka shërbyer si koncept përmes të cilit muslimanët e kanë ndërtuar identitetin e tyre. Madje, në disa qarqe, me qëllime të këqija ose jo, muslimanët janë emërtuar edhe si muhammedanë. Pra, personi fizik, madje edhe emri i Pejgamberit a.s. ka shërbyer në tërë këtë periudhë si koncept identitar i muslimanëve. Të gjithë ne jemi dëshmitarë për numër të madh të emrave Muhammed në mesin e muslimanëve në të gjitha periudhat dhe hapësirat botnore. Por ajo që unë dua ta theksoj këtu është personi metafizik i Pejgamberit a.s. i cili ka ndikuar në ndërtimin e identitetit të muslimanëve në përgjithësi.

Përveç se është jetësim i Kur’anit, personi i Pejgamberit a.s. është edhe burim i ontologjisë, epistemologjisë dhe aksiologjisë së muslimanëve. Gjurmët e jetës së tij hasen në të gjitha veprat lëndore dhe shpirtërore të muslimanëve dhe të tjerëve, pavarësisht dallimeve regjionale, racore, kombëtare, strukturore dhe kulturore. Personi i Pejgamberit a. s. ka pasur një rol të madh në përhapjen e Islamit për një kohë të shkurtër në mbarë botën, në vazhdimësinë e tij në vendet ku është vendosur dhe në konstituimin e një trajte të përbashkët jetësore për muslimanët e zonave dhe kulturave të ndryshme. Personi i Pejgamberit a.s., gjithashtu, është konsideruar edhe mjeti kryesor i përcjelljes së paradigmës së ndërtimit të njeriut të plotë në mendimin dhe praktikën islame.

Krahas paraqitjes së gjithanshme të Islamit  për brezat e mëvonshëm, personi i Pejgamberit a.s. është edhe mjeti parësor i përcjelljes së traditës konstituive muslimane në periudhat e ndryshme historike, dhe si i tillë është bërë një epiqendër studimi edhe tek të tjerët. Shumë mendimtarë dhe hulumtues kanë shkruar vepra në lidhje me personin e Pejgamberit a.s. dhe  si pasojë është krijuar një literaturë e pasur në këtë drejtim. Dijetarët muslimanë, nga njëra anë,janë përpjekur që ta përcjellin në mënyrë sa më autentike fjalën e Pejgamberit a. s., ndërsa nga ana tjetër, kanë shqyrtuar mundësitë për të jetësuar parimet dhe vlerat e personit të tij. Mund ta themi lirshëm se përpjekjet për kuptimin dhe komentimin e personit të Pejgamberit a.s. përgjatë historisë, janë orvatje për vendosjen e një ure ndërmjet tij dhe jetës reale të njerëzve. Pikërisht për këtë edhe them se personi metafizik i Pejgamberit a.s. është një çështje identitare për muslimanin dhe vetëm një rrotullim përreth këtij koncepti ka mundësi që të ndërtojë identitetin real të muslimanit në periudhën e ardhshme.

  1. Personi i Pejgamberit a.s. si arketip

Permendja e pejgamberëve të caktuar në Kur’anin famëlartë, në mesin e një numri shumë më të madh që janë dërguar, ka të bëjë me shembulldhënien që Krijuesi i Gjithfuqishëm dëshiron të na e paraqesë prej jetës dhe thirrjes së tyre. Pra, në një mënyrë secili nga pejgamberët mund të konsiderohet si arketip për sjelljen e mulsimanëve në situata të ndryshme. Nuk ka dyshim se kunora e këtyre arketipeve është personi i Pejgamberit a.s.. Ky segment është shprehur edhe në Kur’an, por edhe në praktikën e shoqërisë muslimane që nga gejneratat e para e deri në ditët e sodit.

Pejgamberi a. s. e ka paraqitur veten si më i afërmi i çdo besimtari, pavarësisht dallimeve hapësinore, kohore, racore dhe kulturore ; dhe e ka theksuar përherë se miqtë e vërtetë të tij janë Allahu dhe besimtarët e sinqertë.  Si rrjedhojë e kësaj, Pejgamberi a. s. ka krijuar një afërsi të madhe me besimtarët, afërsi më e madhe se ajo e gjakut; një afërsi që vështirë se mund të merret me mend. Ai (paqja e Zotit qoftë mbi të) ka krijuar afërsinë e mëshirës, bereqetit dhe besimit. Nga ana tjetër, edhe besimtarët që kanë pranuar miqësinë dhe afërsinë e tij a. s., përulësinë dhe dashurinë e kanë konsideruar si domosdoshmëri e të qenurit besimtar.  Allahu xh. sh. na ka lajmëruar se Pejgamberi a. s. është shembulli më i mirë për muslimanët, dhe një kandil ndriçues për rrugën e tyre.  Pikërisht për këtë, ka kërkuar edhe prej tyre që t’i dërgojnë salate dhe selame.

Sahabët, që e patën trajtësuar jetën e tyre me mësimet e Pejgamberit a. s., që në çdo rast kanë shprehur respektin dhe lidhjen me të, kanë kërkuar edhe më shumë se çu përmend më lart. Ata kërkonin një mjet nëpërmjet të cilit do shprehnin pa pushim dashurinë dhe përulësinë për Pejgamberin a. s., mjet i cili do ngjallte tek ata ndjenjën e afërsisë shpirtërore me të Dërguarin e Allahut, si dhe do u mundësonte vendosjen e lidhjes ndjesore me Pejgamberin a. s.. Për këtë arsye, si në shumë punë të tjera, ata ishin këshilluar dhe kishin pyetur vetë Pejgamberin a. s..

Kështu, Ukbe ibn Amri, i njohur si Ebu Mes’ud El-Ensari, na rrëfen:

“Një ditë ishim duke ndenjur në praninë e Sa’d ibn Ubades, kur u afrua Pejgamberi a. s.. Beshir ibn Sa’di i tha Pejgamberit a. s. që Allahu xh. sh. na urdhëron të të dërgojmë salavate ty; mirëpo ne nuke dimë se si, o i Dërguar i Allahut? Pejgamberi a. s. heshti pak, saqë thamë me veten: “Ah sikur të mos ia kishte bërë këtë pyetje!” Pas pak, Pejgamberi a. s. tha:  “All-llahumme sal-li ala Muhammedin ve ala ali Muhammed, kema sal-lejte ala ali Ibrahime! Ve barik ala Muhammedin kema barekte ala ali Ibrahime! Inneke hamidun mexhid! (O Allahu im, mëshiroje Muhamedin dhe familjen e tij ashtu siç ke mëshiruar familjen e Ibrahimit! Begatoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit ashtu siç ke begatuar familjen e Ibrahimit! Pa dyshim që Ti je më meritori për lavde dhe më i lartmadhëruari!) Kurse selamin, tashmë e dini se si bëhet”.”

Pejgamberi a. s. u ka mësuar shokëve të tij mënyrën se si duhet t’i dërgojnë salavate, por edhe ku dhe kur duhet ta bëjnë këtë. Posaçërisht ka kërkuar që në fund të ibadetit më të rëndësishëm, namazit , pas leximit të lutjes ettehijjatu…, ka kërkuar që t’i dërgohen salavate. Pejgamberi a. s. ka urdhëruar: “Kur të dëgjoni zërin e muezinit, përsërisni edhe ju fjalët e tij. Pastaj më dërgoni salavate mua. Kush më dërgon një herë salavat, Allahu i dërgon dhjetë herë! Pastaj kërkoni afërsinë me mua nga Allahu; sepse afërsia është gradë në xhenet, që i jepet vetëm njërit prej robërve të Allahut. Shpresoj që ai të jem unë! Shefaati im është i domosdoshëm për atë që kërkon me mua afërsi!”  Gjithashtu, gjatë hyrjes dhe daljes nga xhamia është lutur si më poshtë: “O Zoti im, m’i fal mëkatet dhe hapi dyert e mëshirës për mua!”  Dhe kështu është bërë shembull për umetin e tij. Duke folur për ditën e xhuma, Pejgamberi a. s. ka urdhëruar: “Atë ditë më dërgoni shumë salavate, pasi salavati juaj vjen tek unë!”. Pra, personi metafizik i Pejgamberit a.s. i cili jeton në mesin tonë gjithnjë kur e kujtojmë vazhdon të përditësohet nëpërmjet mënyrave të ndryshme të manifestimit të personalitetit të tij.

&&&

Mevludi është një përkujtim dhe kyçje në procesin e përditësimit të personit metafizik të Pejgamberit a.s. dhe gjithnjë ka shërbyer dhe do të vazhdojë të shërbejë si ndjenjë e përjetimit të lindjes së vazhdueshme të Pejgamberit a.s..

Përkujtimi i lindjes dhe veprës së Pejgamberit a. s., nga njëra anë është edhe falënderim ndaj tij; sepse ai është përpjekur maksimalisht për përudhjen e njerëzve, dhe duke filluar që me sahabët, të gjithë besimtarët kanë arritur lumturinë me zbatimin e mësimeve të tij. Pikërisht për këtë, besimtarët, kur e dërgojnë jetën e Pejgamberit a. s., përjetojnë edhe përkatësinë e tyre në umetin e tij të bekuar. Ata e kanë me pasion dhe ndjejnë kënaqësi, ngaqë janë të lidhur me të dhe për shkak se shprehin afërsinë dhe falënderimin ndaj tij.

Këndimi i mevludit, gjithsesi duke patur parasysh edhe përmasën letrare dhe estetike melodike të tij, është shpallje e dashurisë për të Dërguarin a. s., si dhe manifestim i lidhjes me të e me Sunetin e tij. Shprehjet gjuhësore janë mjete të rëndësishme për mbështetje, sqarim për lidhshmërinë dhe manifestim i dashurisë. Por, lidhja me Pejgamberin a. s., mbështetja e tij, nuk mund të reduktohen vetëm në disa shprehje gjuhësore. Porosia e Pejgamberit a. s. u është drejtuar shpirtave, por njëkohësiht edhe jetës praktike. Ata që kishin jetuar së bashku me të, pasi i kanë zbatuar në jetën e tyre të gjitha porositë e tij a. s., e kanë pyetur atë se si duhet t’i dërgojnë salavate. Për rrjedhojë, reduktimi i mevludit vetëm te disa shprehje gjuhësore, melodike, nuk është i mjaftueshëm për të shprehur domethënien që i ka dhënë vetë Pejgamberi a. s. salavatit. Krahas leximit të Mevludit me gjuhë, nevojitet edhe mbështetja e Zbulesës së komunikuar nga ai, dhe jetësimi i saj në përdithsmërinë duke e shndëruar atë në kulturë dhe qytetërim.

Te hadithi “Personi më i afërt me mua në Ditën e Kiametit do të jetë ai që më ka dërguar më shumë salavate! , vëmë re lidhjen e fortë midis Pejgamberit a. s. dhe umetit të tij. Nuk ka dyshim se ata që i kanë dërguar më shumë salavate Pejgamberit a. s., dhe që e kanë vendosur siç duhet lidhjen e besimit me të janë ata që e kanë zgjedhur si udhëzues, i janë nënshtruar këtij udhëzimi, kanë mbështetur mësimet e tij përgjatë gjithë jetës dhe janë përpjekur t’ua përcjellin të tjerëve prorosinë pejgamberike. Njërit prej sahabëve, që ka deklaruar se për Ditën e Kiametit ka përgatitur dashurinë për Allahun dhe Pejgamberin, i Dërguari a. s. i ka thënë: “Njeriu është së bashku me atë që do!”

Allah i dashur na e shto dashurinë ndaj të dashurit Tënd dhe mos na e le fenë të thatë…