Meta: Rama shfrytëzoi mundësinë që iu dha, për t’i bërë pabesi vendit, Kosovës dhe çështjes kombëtare

Meta: Rama shfrytëzoi mundësinë që iu dha, për t’i bërë pabesi vendit, Kosovës dhe çështjes kombëtare

Ilir Meta akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka prerë në besë Shqipërinë, Kosovën dhe çështjen kombëtare, duke shfrytëzuar mundësitë që i janë dhënë për të drejtuar vendin.

Gjatë një konference për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë e quajti “autogol” të Ramës ligjin e lustracionit të miratuar një natë më parë. “Pa asnjë diskutim do t’i kushtojë shumë. Por ai ka gjëra edhe shumë më të kushtueshme sesa ky, me të cilat do të përballet. Njëkohësisht, emri i Partisë së Lirisë e tmerron, i prish gjumin, sepse e di që në çdo rast fundi i tij është ai që ka menduar t’ua bëjë të tjerëve, atyre që vetëm i kanë dhënë mundësi për të bërë diçka të mirë për këtë vend dhe që ai e ka shfrytëzuar duke shkatërruar me pabesi, ndaj atyre që i kanë dhënë këtë mundësi, përfshirë edhe vetë PS-në që e ka katandisur në gjendje të mjeruar, dhe pabesitë më të mëdha që i ka bërë vendit, Kosovës dhe çështjes kombëtare”, tha Meta.
Meta tha se nuk e kishte ndjekur votimin në Kuvend. “Për çështjen e ligjit që bënë mbrëmë, u mbars mali dhe polli një mi”, thotë populli. Kam qenë në një festë familjare të një mikut tim dhe meqë nuk i dalin ato dy breshkat, uroj që miu ta ndihmojë për t’i përmirësuar frymëmarrjen për betejat që ka përpara”, tha ish-presidenti.
I pyetur nëse i druhet riverifikimit të figurës së tij pas miratimit të ligjit, Meta tha: “Janë investuar qindra milionë euro për të blerë institucionet ndërkombëtare kundër Ilir Metës, u falsifikua edhe firma e kryetarit të kuvendit në Gjykatën Kushtetuese dhe Ilir Meta më 24 korrik e la detyrën, i përshëndeti të gjithë me shqiponjën dhe më 25 filloi fluturimin e tij. Duhet ta dini që shqiponjat fluturojnë gjithmonë lart”.

Duke folur për zgjedhjet vendore, ai premtoi se rezultati i Partisë së Lirisë do të jetë spektakolar. “Në radhë të parë në kryeqytet. Kontributi i PL do të jetë vendimtar në fitoren e opozitës së vërtetë, kundër kandidatëve rilindas, të cilët kanë pasur 100% të pushtetit vendor dhe e kanë treguar si e kanë çuar drejt falimentimit”, tha Meta.