Messi pranon se kjo është humbja me e rëndë që e ka përjetuar

Messi pranon se kjo është humbja me e rëndë që e ka përjetuar

Ylli i Argjentinës, Lionel Messi ka shfaqur zhgënjimin e tij pas humbjes nga Arabia Saudite. Messi ka thënë se kjo disfatë ishte goditja më e rëndë që e ka përjetuar me këtë grup të lojtarëve tek Argjentina.
Ai shtoi se tani, Argjentinës nuk i mbetet asgjë tjetër veçse t’i fitojë dy ndeshjet e radhës për ta synuar avancimin nga Grupi C.

Sipas tij, Argjentina e humbi ndeshjen brenda pesë minutave nga Arabia Saudite, e cila e shtangu me të filluar pjesa e parë.

“Gabimet brenda pesë minutave na kushtuan me rezultatin 2:1. Ne u ngatërruam dhe pas golave gjërat u komplikuan edhe më shumë. Nuk ka arsyetime për golat që nuk na i pranuan, pasi ishin në pozitë jashtë loje. E kemi ditur se Arabia Saudite është një ekip që nëse e lejon të luaj, do të shkaktojë telashe. Ata luajtën shumë mirë”, është shprehur Messi.

“Kurrë nuk kam marrë një goditje kaq të fortë me këtë grup lojtarësh. Gjërat ndodhin për një arsye. Tani, padyshim se duhet t’i fitojmë dy ndeshjet tjera”.