Messi kërkon revanshin, shansi i fundit për trofe me Argjentinën

Messi kërkon revanshin, shansi i fundit për trofe me Argjentinën

Lionel Messi ka fituar gjithçka me Barcelonën, ka thyer çdo relord të mundshëm në Europë, por me kombëtaren e Argjentinas kthehet gjithmonë në një lojtar të zakonshëm. Trofetë me përfaqësuesen e vendit të tij i mungojnë në karrierën spektakolare. “Pleshti” kërkon ta ndryshojë këtë gjë. Kupa e Botës duket e pamundur për vetë moshën e sulmuesit, ndërsa triumfi në Kupën e Amerikës është më shumë se i arritshëm.
Këtë e beson edhe Messi, i cili ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e kombëtares argjentinase për turneun që do të zhvillohet nga data 14 qershor deri më 2 korrik në Brazil. Konfirmimi vjen nga trajneri Lionel Scaloni, i cili publikoi listën me 23 lojtarët që do të ketë në dispozicion për këtë edicion të kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit në Amerikën e Jugut. Bashkë me Messi, trajneri argjentinas ka zgjedhur në sulm Sergio Aguero, Paulo Dybala dhe Lautaro Martinez, duke lënë jashtë Mauro Icardi.
Sulmuesi i Interit ishte përfshirë në listën paraprake, por shpresat e tij u shuan me publikimin e 23 futbollistëve që Scaloni ka vendosur të marrë me vete në Brazil. Në këtë mënyrë, pas problemeve me Interin, mos grumbullimi me Argjentinën ka zyrtarizuar sezonin e errët të Mauro Icardi. /BW/