` . Mesazhe të kundërta nga Prishtina, Parisi dhe Brukseli - TV-SHENJA

Mesazhe të kundërta nga Prishtina, Parisi dhe Brukseli

Është fjala për kuptimin që duhet t’u japim jehonave që kanë pasur disa zhvillime politike gjatë muajit tetor 2019 dhe që prekin gëzueshëm apo trishtueshëm jetën politike, kombëtare, shtetërore të shqiptarëve.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Në Kosovë ndodhi zhvillimi më i rëndësishëm dhe më i gëzueshëm: përfunduan me rregull të plotë dhe me arritjet që priteshin dhe dëshiroheshin zgjedhjet e parakohshme më 6 tetor 2019. Ishin zgjedhje shembullore, që në Shqipëri nuk po i shohim gjatë tri dekadash. Nga Prishtina u dhanë mesazhe me shumë rëndësi për jetën politike, shtetërore e shoqërore të shqiptarëve në tërësi.

Kjo u pa qysh në organizimin e zgjedhjeve, në fushatën zgjedhore serioze e dinjitoze, që edhe për Kosovën përbën risi. Garuesit politikë, për pushtetin, e përmbushën rolin e tyre si duhet me shumë përgjegjësi. Zgjedhjet e arritën si duhej qëllimin për të cilin u bënë para kohe. Ato i dhanë fund të gëzueshëm për të gjithë një gjendjeje paradoksale që ishte krijuar, sepse vendi po qeverisej nga një qeveri e pakicës, që mbahej në këmbë edhe mbi një patericë serbe, faktorin politik parlamentar serb në Kosovë, që dirigjohet nga Beogradi. Për mjaft kohë, opozita parlamentare shqiptare e kishte toleruar këtë paradoks nga zori, për shkak të ballafaqimeve të Kosovës me Serbinë në bisedimet e Brukselit. Por, kishte ardhur koha që kjo të merrte fund dhe u bë mirë që këtë e kuptuan në kohë qeveritarët e pakicës dhe Kryeministri Ramush Haradinaj. Ky ndryshim bëri që ndryshimi në raportin e forcave dhe alternativën qeverisëse në zgjedhjet e 6 tetorit të vinte më natyrshëm e më qetë, pa të cilat nuk do të kishte dobi shpallja e zgjedhjeve të parakohshme ose të bëheshin zgjedhje të kontestuara, sikurse ndodh në Shqipëri sa herë bëhen zgjedhje në kohë e para kohe. Ky, pra, është mesazhi i parë i madh i këtyre zgjedhjeve që duhet të na bëjë të gëzohemi e të mendohemi këtu në Tiranë. Është mësim shumë i vlefshëm ai që vjen nga Kosova se të gjithë aktorët politikë e kuptuan rëndësinë e përgjegjësinë e momentit dhe kërkuan ndihmën e elektoratit shqiptar për të vënë interesat shtetërore, kombëtare dhe politiko-shoqërore në krye të listës së përparësive politike. Në Kosovë, pas zgjedhjeve, është krijuar tashmë një bazë e re politike-ligjore për t’i dhënë vendit një qeverisje të qëndrueshme nëpërmjet një koalicioni pas zgjedhor midis dy partive që fituan shumicën e duhur të votave në votime.

Një tjetër mesazh me shumë dobi për demokracinë zgjedhore tek shqiptarët, në përgjithësi, është se koalicionet partiake parazgjedhore nuk e ndihmojnë, por e ndërlikojnë dhe e vështirësojnë konsolidimin e demokracisë zgjedhore, pasi më shumë shfrytëzohen për të krijuar situata artificiale që i pengojnë zgjedhësit ta vlerësojnë si duhet rolin e ndihmesën e partive dhe të individëve në jetën politike të vendit. U bë shumë mirë që dy partitë kryesore fituese, Vetëvendosja dhe Lidhja Demokratike, si dhe Partia Demokratike, që u radhit e treta, nuk hynë në ndonjë koalicion parazgjedhor. Kjo ia la rrugën çelë elektoratit në Kosovë të vlerësonte me saktësi vlerën e secilës palë. Kjo i ndihmoi dy partitë opozitare, që u renditën të parat në votime, që ta kuptojnë më mirë peshën e pozitën përkatëse si dhe të vetëdijesohen më shumë se mbi ta ka rënë barra e detyrimi për ta bërë Kosovën me qeverisje të re. Partisë që doli e treta iu dha rasti të kuptojë e analizojë me gjakftohtësi se tashmë detyra e saj dhe veprimi i saj i ndershëm do të ishte të kalonte pa ngurrim nga pushteti në opozitë, sikurse e bëri për të mirën e vendit, sapo u dhanë shenjat e qarta se dëshira e elektoratit ishte e tillë. Është për t’u vlerësuar shumë pjekuria politike e elektoratit të Kosovës, që nuk ua mohoi meritat dhe ua la rolin që u takonte sipas peshës specifike politike partive që patën arritje më të pakët në grumbullimin e votave. Në Kosovë, në fakt, ndodhi një konsolidim i mëtejshëm i ndarjes së elektoratit, që ishte bërë qysh në zgjedhjet e mëparshme, sesa një ndërrim masiv i kampeve nga votuesit. Kjo është një garanci se edhe në vitet e ardhshme ata që mund të jenë të pakënaqur nga rezultate e votimeve të tanishme nuk duhet të ushqejnë shumë iluzione se mund të përmbysin lehtë këtë gjendje të krijuar. Qysh tani të dëgjohen fjalë se duhen pritur përsëri zgjedhje para kohe. Në qoftë do të ketë makinacione shqiptare e ndërkombëtare për të mos e lënë Vetëvendosjen të mbajë deri në fund përgjegjësitë e saj programore në qeverisje, atëherë Vetëvendosja ka më shumë gjasa të forcojë se të humbë pozitat e saj të fituara tashmë me përpjekje të gjata, të tendosura e të mençura politike. Zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë duhen vlerësuar jo thjesht si përcaktim i elektoratit në momentin e tanishëm, por si një përcaktim afatgjatë i elektoratit. Historia e luftërave politike në Kosovë në këtë përfundim logjik të çon. Pra, merita më e madhe elektoratit në Kosovë është se e plotësoi si duhet rolin e sovranit për ditën e zgjedhjeve dhe për më vonë. Ky elektorat nuk ia mohoi askujt njohjen në pushtetbërjen në Kosovë, e asaj peshe që realisht solli çlirimin e pavarësimin e Kosovës, por zgjodhi alternativën më të mirë të kohës së sotme. Në Shqipëri dukuri të tilla fatlume për jetën politike të vendit ka një kohë të gjatë që nuk po vihen re.

Në Kosovë, pra, duhet përgëzuar në radhë të parë elektorati serioz, që ishte aktori vendimtar dhe e kaloi me shumë sukses provën në momentin delikat politik ku ndodhej shteti dhe bëri që më tetor të triumfojë realisht parulla fushatore e Vetëvendosjes “beso se erdhi dita”. Tani kësaj parulle mbase e vlen t’i bëhet një shtesë “mirënjohje dhe atyre që e sollën ditën”.

Një arritje e madhe është se elektoratit kosovar u dha mesazhin e duhur faktorëve ndërkombëtarë se çfarë do, çfarë kërkon e çfarë pret Kosova prej tyre. Diplomacia ndërkombëtare duhet ta mbajë shënim, ta marrë seriozisht në konsideratë këtë vullnet që ka shprehur elektorati i Kosovës për ecurinë e mëtejshme të shtetshmërisë së Kosovës. Për programin e Vetëvendosjes realisht është dhe shumica edhe e asaj pjese të elektoratit që ka parapëlqyer të votojë për parti të tjera. Tani në provë nuk është më Kosova para diplomacisë ndërkombëtare, se Kosova e dha edhe një herë me zë të forte e më të prerë përgjigjen e saj për pyetjet që shtrohen prej kohësh, qysh nga Lidhja e Shqiptare e Prizrenit. Në provë tani është diplomacia ndërkombëtare, në radhë të parë ajo e BE-së dhe e SHBA-së, se si do ta interpretojnë vullnetin politik të popullit shqiptar në Kosovë.

Para një provimi të vështirë tani do të jenë edhe qeveritarët e politikanët e Tiranës, sepse zgjedhjet në Kosovë i ngritën lart vlerat e nacionalizmi e të patriotizmit të sovranitetit e dinjitetit kombëtar. Në një kohë që këto vlera i shpalosi për gjithë botën nga tribuna e OKB-së edhe Presidenti i SHBA, Donald Trump, Albin Kurti ka theksuar fuqishëm edhe tani pas fitores zgjedhore se flamur i Vetëvendosjes (në njëfarë mënyre edhe i qeverisjes së tij) është Flamuri Kombëtar Shqiptar dhe do të punojë për integrimin e shqiptarëve midis tyre, të shqiptarëve në Europë, por me prirjen e pandryshuar për të shkuar drejt bashkimit kombëtar. Këto janë premtime me të cilat asnjë politikan nuk do të guxonte të luante lehtë kur vjen në pushtet pa pranuar më parë zhvleftësimin e vet. Unë besoj fort se politikanët që kanë marrë mandatin të qeverisin Kosovën nuk kanë pse të mos i qëndrojnë besnikë porosisë së madhe të elektoratit të tyre.

Pushtetarët e politikanët në Tiranë pas zgjedhjeve në Kosovë duhet të marrin mbi vete më shumë përgjegjësi politike intelektuale rreth çështjeve madhore kombëtare të bëjnë më pak gafa e shpenzojnë më pak energji për ndezje grindjesh politike brenda radhëve të shqiptarëve. Elektorati kosovar, me votën e fuqishme për Lëvizjen Vetëvendosje e Lidhjen Demokratike të Kosovë, ua bëri të qartë se çfarë kërkon si zgjidhje politike për problemet kombëtare e shtetërore shqiptare në të gjitha fushat për forcimin e shtetshmërisë në kuadër të integrimeve europiane të Shqipërisë e të Kosovës. Kundërshtarët e kësaj platforme, që e ka mbrojtur e mbron me vendosmëri Vetëvendosja dhe që vjen qysh nga koha e Lidhjes së Prizrenit, duhet t’i bëjë të mendohen mirë kundërshtarët e këtij bashkimi në të gjitha hapësirat shqiptare, sepse ky bashkim ka tashmë dhe vullnetin e shprehur në zgjedhjet e 6 tetorit.

Jam i mendimit se këtu e ka shqetësimin dhe diplomacia ruse. Prandaj kryeministri nxitoi rus ta vizitojë Beogradin e të bisedojë për çështjen e Kosovës. Prandaj, ndoshta pas zgjedhjeve të 6 tetorit u zemërua shumë dhe diplomacia franceze që e nxori inatin duke e ekzagjeruar deri në përmasat e një pakënaqësie të gjerë diplomatike europiane refuzimin nga vetë Presidenti i Francës të vendimit të BE-së për të caktuar një datë për hapjen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Nuk na bie barra të merremi hollë e gjatë me “arsyet e mosarsyes” së presidentit të Francës për këtë qëndrim. Atij duhet t’i mjaftojnë qortimet që ka marrë nga shumë diplomatë, politikanë e vëzhgues europianë, madje dhe nga analistë shqiptarë të dëshpëruar që politikën e Perëndimit, sidomos të Francës, e kanë pasur tabu. Kryeministri i Italisë, Konte, e quajti “gabim historik” qëndrimin e Makronit. Pakënaqësinë nuk e fshehu as kancelarja gjermane, Merkel, e shumë funksionarë të BE-së. Nga Gjermania shqiptarëve u erdhi dhe një herë fjalia ngushëlluese e zbavitëse “por Shqipëria i ka dyert e hapura për në BE”. Kjo shprehje prej shumë vitesh më shkakton alergji, siç e kam rrëfyer edhe në “Shenja”, në dhjetor të viti 2012 në shkrimin me titull “Dera hapur…hyrja nga oxhaku!”. Tani besoj se lexuesi nuk ma merr për keq të shtoj se pikërisht kështu ndodhi, por po na mbyllet dhe vrima e oxhakut të BE-së, se është mbushur me blozë dhe është e bllokuar deri kur presidenti francez t’i ketë përfunduar punimet e pastrimit me projektin e reformimit të BE-së. Megjithatë, shqiptarët nuk duhet të mërziten. Pritën 30 vjet. Mund të presin dhe 50 të tjera. Europianët mund t’i nisnin bisedimet e t’i zvarritin si me Turqinë.

Francezët e përdorin shprehjen “Enfoncer une porte ouverte” (Të thyesh një derë që është e hapur), që fjalori Le Petit Robert e shpjegon “të përpiqesh të vërtetosh një gjë që është e dukshme ose e pranuar prej kohësh”. Francezët e dinë se Shqipëria është pjesë e Europës dhe duhet të integrohet në të, por ngurrojnë ta përmbyllin procesin meqenëse shqiptarët janë në shumicën dërrmuese të tyre janë myslimanë dhe duan t’i trajtojnë ende si osmanllinj, si në kohën e Abdylhamitit të II. Nuk mund t’i gjesh shpjegim tjetër sjelljes së tanishme të Francës. Presidenti francez ka bërë dhe një ankesë të pahijshme se emigrantët shqiptarë po pushtojnë Francën dhe kjo e paska vënë atë në vështirësi para popullit të tij. Gazeta “Shqiptarja.com” në Tiranë ka botuar të dhëna nga Ministria e Brendshme e Francës që e hedhin poshtë një pohim të tillë.

Para 4 viteve në Tiranë, gjatë një darke me vizitorë francezë, shumica diplomatë në pension, pata një dialog me një pjesëtare të grupit, që punonte në strukturat europiane në Bruksel. Ajo më tha se Shqipëria do ta ketë gjithmonë një pengesë specifike faktin që shumica e popullsisë është myslimane. Pasi e pyeta se si mund t’i gjendej një zgjidhje kësaj pune që e nuk pret sa të bëhen shqiptarët përsëri të krishterë, edhe sikur të duan, ajo u përgjigj se ndoshta në rastin e Shqipërisë mund të vlente përfundimi i një marrëveshjeje marrëdhëniesh të posaçme me BE-në. Nuk m’u durua, po iu përgjigja me “faleminderit që ma përforcove një dyshim që kisha se ndoshta kjo është vijë politike që diplomatët tanë ende nuk e dinë”, ndonëse presidenti francez Sarkozi e ka hedhur një ide si kjo, që për disa vende mesdhetare integrimi në BE të zgjidhet me marrëveshje të posaçme.

Presidenti francez, Makron, e ka imituar pa kujdes edhe Euard Grein-in, ish-ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe dhe kryetar i Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që i caktoi kufijtë e Shqipërisë në vitin 1913. Në përgjigjet që jepte në Dhomën e Komunave, më 12 gusht 1913, Eduard Grei për çështjen e kufijve të Shqipërisë thoshte: “Jam i bindur se kur të dalin në shesh të gjitha, ky vendim do të kritikohet me të drejtë nga shumë anë, prej çdo njeriu që e njeh vendin dhe e vështron çështjen nga pikëpamja e popullsisë së tij. Por, duhet të kemi parasysh se në bisedimet rreth kufijve të Shqipërisë qëllimi kryesor ishte që të mos hapej konflikti midis Fuqive të Mëdha. Prandaj, në qoftë se marrëveshja për Shqipërinë ia arriti duke mbajtur harmoninë ndërmjet Fuqive të Mëdha, mund të themi se ka qenë sukses i plotë për interesin jetësor të paqes në Europë”. Një vit më vonë paqja në Europë u bë pluhur e hi në tymin e flakët e Luftës së Parë Botërore.

Tani, pas më shumë se një shekulli, Presidenti francez Makron arsyeton se me vendimin që mori ndaj Shqipërisë ka shmangur ndarjen në dysh të BE-së, sepse gjysma e shteteve europiane paskan qenë kundër hapjes së negociatave. Franca, Holanda, Danimarka, po t’u shtosh edhe Spanjën apo Greqinë, nuk bëjnë dot gjysmën e anëtarëve të BE-së. I mbetet diplomacisë franceze të na sqarojë se cilët qenkan shtetet e tjerë që nuk kanë guxim ta thonë të vërtetën, sepse Shqipëria nuk ka çfarë t’u bëjë asnjërit prej tyre.

Politikanët e pushtetarët shqiptarë, vëzhguesit e opinionistët shqiptarë e kanë në dorë vetëm një gjë – të mos ndahen në “pro-makronistë” e “anti-makronistë” për këtë problem. Ata kanë në dorë të mos u shurdhojnë më veshët njerëzve me përralla për mrekullitë që do të gjejnë së shpejti në parajsën europiane dhe të mos e fetishizojnë, si deri tani, mrekullinë e integrimit në BE dhe vetë këtë bashkim. Shqiptarët nuk po i vuajnë pasojat e filozofisë politiko-diplomatike të Makronit e të qëndrimit të tanishëm të Francës, por i vuajnë pasojat e marrëzive, që u janë predikuar e kultivuar pa pushim në mendje nga drejtuesit e politikës shqiptare.

Europa, nga njëra anë, na tregon neve shqiptarëve një kukull të stërmadhe të ariut rus ose edhe të një koalicioni grabitqarësh rusë-turq-persë-kinezë, ndërsa, nga ana tjetër, na lë të vetmuar e të izoluar në një cep të Ballkanit, siç ka bërë qysh në kohën e luftërave të Skënderbeut e, sidomos, pas Luftës së Dytë Botërore nën komunizmin dhe tani gjatë 3 dekadave të fundit, që na thotë derën e BE-së e keni të hapur, por mos bëni gabim të përpiqeni të hyni. Shumë europianë e kanë kuptuar marrëzinë e këtij qëndrimi, prandaj edhe janë shprehur me njëfarë zemërimi ndaj Makronit e Francës. Por, kjo fshirje lotësh është pak për të mos ulur besimin e shqiptarëve tek serioziteti i premtimeve të Brukselit.

Është e natyrshme të bëhet pyetja çfarë po ndodh kështu me Europën e Bashkuar? Për të gjetur njëfarë shpjegimi i hodha një sy librit të Nicolas Henin-it “La France Russes’ Enquet sur le reseaux Poutine” (2015), ku lexova: “Njeriu i fuqishëm i kthen besimin opinionit publik të shqetësuar nga çrregullimet e botës, nga krizat ekonomike, krizat e sigurisë e të migrimit”. Mendova se Makroni do të bëjë pikërisht këtë gjë kur shpjegon motivet e tij. Por, autori i librit ka vazhduar: “Prej disa vitesh po shohim se në botën perëndimore ka një krizë lidershipi, analizon eurodeputeti Arno Danzhan. Obama është i pavendosur për të mos thënë më shumë. Fransua Holland mishëron mungesën e lidershipit”. Dhe, më tej autori shton nga vetja “Kjo krizë lidershipi shoqërohet në një frustrim të shoqërisë, duke përfituar në veçanti nga ndjenjat antimyslimane që nguliten, zëvendëson e plotëson antiamekanizmin tradicional. Sipas Donzhan-it, në Francë ndodh një ‘mitizim i vetëmbrojtjes përballë myslimanëve, sipas kësaj mitologjie: rusët na mbrojnë nga islamizmi. Rusia është kështjella e fundit përballë islamizmit kundër hordhive myslimane’” (ff. 58- 59) Kur në një vend si Franca kultivohen përfytyrime e perceptime të tilla, nuk kemi si të befasohemi që pikërisht presidenti i këtij vendi e shpëton atë nga imigrimi i paligjshëm i disa mijëra shqiptarëve edhe e detyron Europën ta lërë Shqipërinë të presë edhe më para derës së hapur të BE-së ose ta mbajë Kosovën edhe më tej në geton e fundit që ekziston në Europë. Shqiptarët duhet të përpiqen të mësojnë sa më shumë për këto dukuri që të mos shfaqin shumë habi kur dera e hapur do të bëhet vrimë gjilpëre për ta. Prandaj, t’i kthehemi më shumë vetvetes, domethënë t‘i përkushtohemi më tepër vetëvendosjes për punët e hallet tona.

I tillë është dhe mesazhi kryesor që dha politika dha elektorati i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit. Për këtë merita i takon në radhë të parë Vetëvendosjes dhe kryetarit të saj Albin Kurti, që në zgjedhje u rikonfirmua si drejtuesi politik dinamik më me peshë në vend.

Zgjedhjet regjistruan dhe një evoluim të mirëpritur të rolit e të peshës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, që ka një traditë të vetën politike për arritjen e ndërtimin e shtetshmërisë së pavarur të Kosovës dhe tani jep shpresa të reja se, duke përzgjedhur një zonjë, si Vjosa Osmani, ta përfaqësojë në nivelet më të larta të qeverisjes së re, do ta bëjë më të ndjeshëm e më ndikues rolin e kësaj partie në plotësimin e dëshirave e të besimit të elektoratit të vet. Natyrisht, elektorati i Kosovës pati avantazhin se për të larguar aktorët e qeverisjes së deritanishme e kishte para tij të ngritur, të gatshme e të besueshme një alternativë partiake.

Besoj se kjo na vlen për të kuptuar gjendjen krejtësisht të ndryshme që ekziston në Shqipëri, ku elektorati është i çorientuar, shumë mosbesues, sepse nuk ka përballë një alternativë partiake për të qenë, që të zëvendësojë menjëherë një qeverisje që vetëm ngjall dyshim e pezmatim. Elektorati në Shqipëri është ende i frikësuar se mos bie nga shiu në breshër.