` . Mesazhe shprese në shkretëtirë - TV SHENJA

Mesazhe shprese në shkretëtirë

Notuesit nëpër fonde publike dhe populistët, që i komplikojnë gjërat e thjeshta nëpërmjet makinerive të tyre propagandistike, jetojnë nën ankth, edhe pse bëjnë sikur besojnë në vlerat amerikane dhe shtiren se i gëzohen këtij urdhri. 

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

Ka lajme të parëndësishme që komentohen gjatë kohë dhe nxisin debate të kota. Ka edhe lajme të rëndësishme që kalojnë në heshtje. Një lajm shumë i rëndësishëm, që do të duhej të zgjonte debate, ishte urdhri ekzekutiv i presidentit amerikan, Joe Biden, për ngrirjen e pronave dhe ndalimin e hyrjes në SHBA të atyre që cenojnë paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor; që pengojnë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të paqes; që abuzojnë me të drejtat e njeriut dhe që merren me korrupsion e keqpërdorim të fondeve publike duke i shfrytëzuar lidhjet me pushtetin.

Ky lajm, të cilit nuk iu dha hapësira e duhur në media, u interpretua nga politikanët sipas logjikës së pesimistit apo optimistit. Sipas optimistit, gjysma e shishes është e mbushur, kurse sipas pesimistit gjysma e saj është e zbrazur.

Megjithatë, urdhri i presidentit amerikan nuk është tekst letrar, që mundëson interpretime të pafundme. Ai është shumë i qartë: kërkohet stabilitet politik dhe respektim i ligjeve në shtetet e Ballkanit Perëndimor, themelet e të cilëve gërryhen nga korrupsioni, kurse patriotizmi është maskë për fshehjen e keqpërdorimeve të shumta.

Notuesit nëpër fonde publike dhe populistët, që i komplikojnë gjërat e thjeshta nëpërmjet makinerive të tyre propagandistike, jetojnë nën ankth, edhe pse bëjnë sikur besojnë në vlerat amerikane dhe shtiren se i gëzohen këtij urdhri.

Vendimi jo vetëm atyre ua ndalon hyrjen në SHBA (shumica shkojnë në vende tjera për pushime) dhe jo vetëm ua ngrin pasurinë që e kanë atje (shumica pasuritë i kanë diku tjetër), por e bën të qartë se kësi politikanësh nuk kanë vend në skenën politike dhe duhet të japin përgjegjësi për veprimet që i kanë bërë ndër vite.

Përderisa vendimet e këtilla i frikësojnë politikanët e korruptuar, njëkohësisht ngjallin shpresë te qytetarët që duan të jetojnë në shtet normal, me stabilitet të brendshëm e të jashtëm, me rend dhe sistem vlerash.

Një shtet nuk mund të përparojë nëse qytetarët jetojnë në gjendje emergjence të përhershme; nëse ligjet nuk vlejnë njësoj për të gjithë qytetarët; nëse humbet besimi në institucionet publike. Një shtet në gjendje anomie është kinse shtet.

Nëntoka politike vepron kundër interesave amerikane dhe europiane. Ajo është e paparashikueshme. I ndryshon ngjyrat sipas nevojës. Për t’i realizuar qëllimet e mbrapshta bashkëpunon edhe me djallin.

Kundër politikanëve të këtillë duhet të veprojnë njësoj edhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Duhet t’i thonë gjërat troç dhe pa diplomaci. Nuk duhet t’u lihet hapësirë të fshihen pas ideve të mëdha dhe kinse “rekomandimeve” të faktorit ndërkombëtar.

Sot nuk merren seriozisht deklaratat e burokratëve të jashtëm. Keqpërdoruesit mund të pastrohen nga skena politike me veprime konkrete. Faktori ndërkombëtar duhet, njëherë e përgjithmonë, t’ua marrë fjalën atyre që bëjnë keqpërdorime dhe thirren në vlera të larta kombëtare, në demokraci apo integrime europiane.

Sigurisht, nuk mjafton vetëm angazhimi i faktorit ndërkombëtar. Duhet edhe përgjegjësia qytetare.

Sot, siç thoshte Ismet Toto, kemi nevojë “për njerëz që bëjnë punë pa pretenduar të bëjnë not në mes të fondeve; njerëz me gjoks të fortë; njerëz që të kenë bindjen se do t’i dalin në krye qëllimeve edhe kur të mos t’i kenë të kompletuara, siç duhet, mjetet dhe veglat”.