Mes optimizmit dhe ankthit, ndryshimet kushtetuese drejt finalizimit (Video)

Mes optimizmit dhe ankthit, ndryshimet kushtetuese drejt finalizimit (Video)

Mes optimizmit dhe ankthit,  ndryshimet kushtetuese po shkojnë drejt finalizimit. Aktualisht vazhdojnë pëgatitjet e fundit për sigurimin e dy të tretave të votave, numër ky i nevojshëm për të ndryshuar Kushtetutën. Nesër do të mbahet seanca e parë e fazës së fundit të ndryshimeve kushtetuese, megjithatë akoma nuk dihet saktë nëse janë siguruar apo jo votat që do t’u jepnin përfundimisht dritën jeshile ndryshimeve kushtetuese të dala këto nga Marrëveshja e Prespës.

Nga Qeveria janë optimistë se do të sigurohet shumica e nevojshme. Sipas disa burimeve brenda VMRO-DPMNE-së qarkullojnë spekulime se në grupin e tyre parlamentar ka deputetë që vlerësojnë se duhet të ofrojnë mbështetje për këto ndryshime, megjithatë pas paralajmërimeve se VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në këtë proces në Kuvend, udhëheqësia e kësaj partie  ka gjetur një mënyrë që t’i mbaj deputetët sa më larg sallës plenare, me qëllim që të mos përsëritet 19 tetori, ku tetë deputetë votuan për nevojën për ndryshime kushtetuese, pas çka u përjashtuan nga partia.

Kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës i ftojnë deputetët që të mos votojnë ndryshimet kushtetuese. Lëvizja “Maqedonia bllokon” ka paralajmëruar një tubim para Kuvendit gjatë kohës që zhvillohet seanca brenda Kuvendit.

Seanca e nesërme e Kuvendit është tema kryesore edhe në të gjitha mediat greke. Ato shkruajnë se është e mundur që madje deri të premten më 11 janar, të bëhet i ditur rezultati i votimit në Kuvend. Një pjesë e mediave greke shkruajnë se është e mundur shumicë e më shumë se 80 votave, ndërsa një pjesë tjetër theksojnë se ka mundësi për obstrukcion institucional nga ana e presidentit, megjithatë ata vlerësojnë se më së voni deri më 15 janar do të përmbyllet i gjithë procesi, pas çka topi do të kalojë në terrenin grek. Më 10 dhe 11 janar kancelarja gjermane Angela Merkel do ta vizitojë Athinën, vizitë kjo që sipas mediave greke, është pikërisht siguri se Marrëveshja e Prespës do të miratohet nga ana e Maqedonisë.

Pasi të përfundojë miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Maqedoni, menjëherë pritet që në Athinë të fillojë procedura për miratimin e Marrëveshjes së Prespës dhe protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Ajnur Bafqari /SHENJA/