Merkel përgëzon Ciprasin për marrëveshjen me Maqedoninë

Merkel përgëzon Ciprasin për marrëveshjen me Maqedoninë

Duke falenderuar kryemistrin Aleksis Tsipras për punën e bërë për të shpëtuar Greqinë nga kriza ekonomike, por edhe për të rritur rolin gjeopolitik të Athinës, kancelarja gjermane Angela Merkel ka shprehur bindjen e saj se zgjidhja e emrit të Maqedonisë është zgjidhja e një ngërçi historik, që mban peng marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në një pjesë të madhe të saj edhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.

“I jam mirënjohëse Aleksis Tsiprasit, i cili punoi së bashku me zotëri Zaevin për zgjidhjen e çështjes së emrit mes dy vendeve. Maqedonia Veriore, kristalizohet situata, riformatohen marrëdhëniet. Nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të përgëzoj kryeministrin grek, pasi zgjidhja e emrit nuk do t’i shërbejë vetëm Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, por gjithë Evropës”, tha Merkel.

“Nuk dëshiroj të ndikoj në qëndrimin e kreut të opozitës, zotëri Micotakis, përsa i përket çështjes së emrit, pasi nuk dëshiroj të marr pjesë në çështjet e brendshme të partive, as të mbivlerësoj qëndrimin e tij, por gjatë takimit me të do t’i ripërsëris, qëndrimin tim se një zgjidhje do të jetë në interes të Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, por nuk besoj se do të influencoj dot tek ai”, përfundoi Merkel.

Ndërsa Aleksis Tsipras u shpreh: “Zonja Merkel erdhi në një vend krejt ndryshe nga Greqia që gjeti herën e parë që erdhi. Atëherë vendi ishte në buzë të greminës, ekonomia në krizë të thellë, me papunësi tepër të madhe, më shumë se 1 milion të papunë, me krizë të thellë ekonomike dhe pa asnjë shpresë rimëkëmbje”.

Vizita e kancelares gjermane vazhdon me takime me Presidentin e vendit, Prokopis Pavllopulos, kreun e opozitës Kyriakos Micotaqis dhe kryetarët e partive parlamentare dhe faktorë të rëndësishëm të jetës ekonomike dhe politike të vendit. /TCH/