Mercedes Vision EQXX theu rekordin e vet për përshkimin e një rruge me një karikim të vetëm

Mercedes Vision EQXX theu rekordin e vet për përshkimin e një rruge me një karikim të vetëm

Mercedes Vision EQXX tërësisht elektrik arriti të përshkonte 1202 kilometra me një karikim të vetëm gjatë një rruge nga Stuttgarti në Gjermani deri në pistën Silverstone në Angli, shkruan Autoblog.

Rekordi i mëparshëm mbahej po nga ky model i Mercedesit, prej 1007 kilometrash të arritur në rrugën nga Sindelfingen në Gjermani në Cassis në Francë.

Udhëtimi dyditor që zgjati 14 orë e 30 minuta u zhvillua në të njëjtat kushte reale në trafik, me kolona e ndalesa. Kondicioneri është përdorur për më shumë se tetë orë gjatë vozitjes.

Pasi mbërriti në vijën e finishit në pistën në Silverstone, vetura kishte ende shumë energji elektrike në bateri, sa që piloti i Formula E, Nick de Vries, bëri me EQXX edhe 11 xhiro të tjera dhe arriti një shpejtësi maksimale prej 140 kilometrash në orë para se përfundimisht të mbaronte fuqia. Në këtë udhëtim, Mercedes EQXX kishte një konsum mesatar energjie prej vetëm 8.3 kWh për 100 kilometra. Shpejtësia mesatare ishte 83 km / orë.

Mercedes nuk e bën të ditur kapacitetin e baterisë EQXX përveç se është më pak se 100 kWh. Paketa e baterisë ka 50% më pak volum.