` . Melburni në Shtetrrethim. Masa më e ashpër në Australi, prej rikthimit të koronavirusit - TV SHENJA

Melburni në Shtetrrethim. Masa më e ashpër në Australi, prej rikthimit të koronavirusit

Shteti i dytë më i populluar i Australisë, Viktoria, ka shpallur gjendjen e katastrofës në fundjavë, duke vendosur në shtetrrethim Melburnin, ç’ka përbën kufizimin më të ashpër të vendit për të përmbajtur rikthimin e koronavirusit.  Melburni, qyteti i dytë më i madh i Australisë, që ndodhej në një urdhër 6-javor për të qëndruar në shtëpi, ka hasur vështirësi për të përmbajtur sëmundjen, ndërkohë që infeksionet e reja kanë shënuar nivele rekord.

Ditën e Diel, shteti i Viktorias raportoi 671 infeksione, një nga nivelet më të larta, si dhe 7 vdekje nga Covid-19. Numri i lartë i transmetimeve në komunitet dhe rastet me origjinë të panjohur kanë detyruar masat e reja, që do të vendosen për 6 javë.  “Rregullat aktuale kanë shmangur mijëra raste çdo ditë dhe tragjeditë që kemi parë. Por nuk po funksionojnë në mënyrë të mjaftueshme”,- tha kryeministri i Viktorias, Daniel Andrews.  Shtetrrethimi nga ora 8 e mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit, do të zbatohet çdo ditë në Melburn, duke ndaluar thuajse 5 milionë njerëz që të dalin nga shtëpia, përveç se për punë apo për të marrë trajtim.