Medvedev: Rusia mund të përdorë edhe armë bërthamore për t’i mbrojtur rajonet në lindje të Ukrainës

Medvedev: Rusia mund të përdorë edhe armë bërthamore për t’i mbrojtur rajonet në lindje të Ukrainës

Zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, tha se vendi mund të përdorë edhe armë bërthamore për të mbrojtur Donbasin dhe rajonet e tjera në Ukrainë që kanë paralajmëruar referendum për bashkimin me Rusinë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim, Medvedev komentoi fjalimin e djeshëm të presidentit rus Vladimir Putin drejtuar kombit dhe tha se ai sheh tre fokuse kryesore.

“Së pari do të ketë referendum, republikat e Donbasit dhe rajonet e tjera do të përfshihen në Rusi. Së dyti, forcat e armatosura ruse do të forcojnë objektet e mbrojtjes në të gjitha rajonet e përfshira. Së treti, për mbrojtjen e këtyre zonave mund të përdoren jo vetëm aftësitë mobilizuese, por edhe armët ruse, duke përfshirë armët bërthamore strategjike”, porositi Medvedev.

Separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës kanë paralajmëruar mbajtjen e një referendumi për bashkimin me Rusinë, përkatësisht të ashtuquajturat republika popullore Donetsk dhe Lugansk, si dhe rajonet Zaporizhzhia dhe Kherson.

Referendumet në këto rajone nën kontrollin e forcave ruse janë paralajmëruar për periudhën nga 23 deri më 27 shtator.

Ndaj këtyre njoftimeve ka reaguar ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i cili tha se këto janë referendume të rreme që nuk do të ndryshojnë asgjë.