Medvedev: Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë

Medvedev: Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë

Një nga aleatët më të ngushtë të presidentit Vladimir Putin, Dmitry Medvedev tha të hënën se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj në konfliktin në Ukrainë sipas kushteve të veta.

Ai paralajmëroi se Perëndimi kishte një plan afatgjatë për të shkatërruar Rusinë, shkruan agjencia ruse e lajmeve, Tass.

“Rusia po kryen një operacion të posaçëm ushtarak në Ukrainë dhe po arrin paqen sipas kushteve tona”, u shpreh ish-presidenti rus, i cili shërben si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë.

Sipas tij, lufta e vitit 2008 në Gjeorgji, zgjerimi i aleancës ushtarake të NATO-s drejt perëndimit dhe lufta në Ukrainë, janë pjesë e një përpjekjeje të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj për të shkatërruar Rusinë.

Më herët, presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski deklaroi se nëse Moska mban referendume për bashkimin me Rusinë në zonat e pushtuara të vendit të tij, nuk mund të ketë bisedime me Ukrainën apo aleatët e saj ndërkombëtarë.

Zelenski theksoi se Ukraina po qëndronte fort në pozicionin e saj për të mos i dhënë asnjë territor Rusisë. /Euronews/