` . “Meduza” e pushtetit dhe “moraliteti” elektoral - TV SHENJA

“Meduza” e pushtetit dhe “moraliteti” elektoral

Pikërisht për shkak të këtij rreziku politik dhe bashkë me këtë edhe elektoral periudha paszgjedhore duket kaq e koklavitur dhe me spine të shumta kuturu, që e kërkojnë shumicën, por nuk e kanë idenë se çfarë mund të jetë kjo shumicë dhe si mund të menaxhohet, si një qeverisje e re para së cilës ndodhen sfida të panumërta. Pavarësisht se kush me kë do ta krijojë qeverinë një gjë mbetet e sigurt që qeveria e ardhshme do të jetë e brishtë dhe e “lëndueshme”. Secili variant i krijimit të shumicës parlamentare duhet të llogarisë në menaxhimin e kontradiktave të skajshme, të kompromiseve “të dhimbshme” partiake.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI, Tetovë

Insistimi për zgjedhje të shpejta për të krijuar një qeveri politike duket se është shndërruar në një apati paszgjedhore me shumë të panjohura. Urgjencat politike të fazës parazgjedhore që trumbetonin përballje me pandeminë dhe krizën ekonomike janë fashitur në numrat befasues që dolën nga zgjedhjet e 15 korrikut.

Rezultate zgjedhore ofrojnë shumë kombinatorika për formimin e qeverisë, por që realisht dalin të komplikuara për shkak të retorikave të skajshme zgjedhore dhe për shkak të antagonizmave politike dhe ideologjike që e bëjnë formimin e qeverisë një proces të vështirë dhe me shumë kalkulime partiake.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor, ndërkohë, ka zyrtarizuar mandatet e partive, ndërsa që opozita në bllokun politik shqiptar ka kontestuar zgjedhjet, duke ankimuar parregullsi zgjedhore. Brenda kohës në bllokun politik shqiptar kemi retorika antagoniste politike që lënë shumë pak hapësirë për një konvergjencë politike për shumë çështje etnike të afishuara gjatë fushatës, duke përfshirë këtu edhe idenë për kryeministrin shqiptar të lansuar nga BDI. Edhe pse shqiptarët në këto zgjedhje nxorën 32 mandate, fragmentarizimi dhe kundërvëniet ideologjike nuk lënë shumë hapësirë për një sinergji minimale unifikuese pavarësisht se cila parti do të jetë në qeverinë e ardhshme.

Objektivat e avancimit të çështjeve etnike, siç ishin afishuar dhe strukturuar në programet politike, duket se do të presin mbase një moment qetësimi dhe kthjellimi, një moment tjetër që mund t’i fashit përplasjet politike mes partive.

Partitë me më tepër mandate, në këtë rast LSDM te blloku politik maqedonas dhe BDI te blloku politik shqiptar, duket se do ta kenë shumë të vështirë krijimin e koalicionit qeverisës për shkak të acarimit të skajshëm gjatë fushatës edhe pse i kanë numrat, gjegjësisht kanë 61 mandate aq sa duhet për ta formuar qeverinë.

Ideja e kryeministrit shqiptar, përveç që krijoi përplasje të fortë gjatë fushatës zgjedhore, tashmë shfaqet si një hendek i madh mes këtyre dy partive. Dhe, pikërisht kjo ide e bën që ky koalicion të jetë në kufijtë e së pamundshmes për shkak të pozicionimeve të forta, që në situatën paszgjedhore idenë e fituesit mund ta shndërrojnë në ide humbësi. Çdo tërheqje do të përkthehej si dorëzim dhe braktisje e qëndrimit parazagjedhor.

Opozita shqiptare, Aleanca dhe Alternativa, kanë një rezultat solid zgjedhor dhe mund ta shohin veten në kombinatorikat paszgjedhore. Ndërkohë, edhe VMRO-DPMNE ka shfaqur pretendimin për krijimin e një shumice parlamentare. Horizonti i kombinatorikave paszgjedhore mbetet i hapur, i komplikuar dhe me shumë mundësi për të zgjedhur pushtetin në vend të idesë, por edhe për të zgjedhur në këtë rast zhgënjimin elektoral që në të ardhmen e afërt me siguri do të reflektonte në kredibilitetin partiak. Ky rrezik vlen për të gjitha partitë varësisht se cilën rrugë do të zgjedhin.

Në rrafshin politik konkurrimi nënkupton pushtetin, qeverinë, por në Ballkan, sidomos në Maqedoninë e Veriut, gjërat komplikohen për shkak të zotimeve që marrin partitë në fushatën zgjedhore. Dhe, në këtë pikë, politika tashmë nuk është vetë pushtet i pastër, por edhe një moralitet i brendshëm, që mund të përcaktojë ndëshkimin elektoral. Ndaj këtij rreziku tashmë janë ekspozuar partitë dhe formula për një kalim të qetë në qeverisje duket e paarritshme.

Pikërisht për shkak të këtij rreziku politik dhe bashkë me këtë edhe elektoral periudha paszgjedhore duket kaq e koklavitur dhe me spine të shumta kuturu që e kërkojnë shumicën, por nuk e kanë idenë se çfarë mund të jetë kjo shumicë dhe si mund të menaxhohet, si një qeverisje e re para së cilës ndodhen sfida të panumërta.

Pavarësisht se kush me kë do ta krijojë qeverinë, një gjë mbetet e sigurt – se qeveria e ardhshme do të jetë e brishtë dhe e lëndueshme. Secili variant i krijimit të shumicës parlamentare duhet të llogarisë në menaxhimin e kontradiktave të skajshme, të kompromiseve të “dhimbshme” partiake. Tash për tash duket se gjithçka mbetet në nivele deklarative dhe shpeshherë në nivele spinesh të lëshuara nga partitë politike për të matur gatishmërinë e kompromiseve dhe për të matur reagimin e opinionit publik. Kjo është faza kur para partive shfaqet “meduza” e pushtetit, por në të njëjtën kohë edhe “sikleti” se me çfarë pozicionesh do të kalohet “pragu” për t’u futur në qeveri, sepse një gjë mbetet e qartë – se kompromiset e përfshirjes nënkuptojnë edhe një lloj “dorëzimi” nga retorikat e afishuara, por edhe të stimuluara gjatë periudhës së kaluar.

Krijimi i shumicës së LSDM-së me BDI ka për barrierë idenë e kryeministrit, ndërkohë që krijimi i një shumice tjetër me opozitën në bllokun politik shqiptar nënkupton përfshirjen e “Të majtës” së Apasievit, i cili në opinion njihet si një person kontrovers dhe me ide ekstreme që janë në kundërshtim me orientimin e përgjithshëm të partive kryesore për integrime euro-atlantike. Edhe operacioni i transfereve të mundshme nga opozita maqedonase duket kaq i komplikuar, ndërkohë që VMRO-DPMNE ka shfaqur pretendimin për të krijuar shumicë parlamentare dhe bashkë me këtë edhe krijimin e qeverisë.

Duket se “kreshperimet” parazgjedhore ia kanë lëshuar vendin një sfilitjeje lojërash politike që dita-ditës duken më të turbullta dhe më të pakuptuara. Demokracia njeh numrat, por edhe minimalisht njeh një moralitet politik që nuk mund të neglizhohet në raport me elektoratin që përfaqësojnë partitë politike. Kjo e bën situatën paszgjedhore një “panair” të paidentifikueshëm paktesh dhe lojërash politike.

Tash për tash faktori ndërkombëtar nuk duket i impenjuar në këtë konstelacion forcash. Duket se u është lënë në dorë partive politike të zhvillojnë lojërat e tyre politike në suaza të një normaliteti demokratik. Mesazhi i vetëm që jepet nga ata është se Maqedonia e Veriut duhet ta vazhdojë rrugën e integrimit dhe të reformave. Ky duket të jetë kursi kryesor që ata e mbrojnë si vlerë demokratike.

Maqedoninë e Veriut e pret një periudhë me shumë sfida, në menaxhimin e pandemisë, në menaxhimin e krizës ekonomike që pritet të shfaqet në vjeshtë dhe në procesin e zhvillimit të bisedimeve me BE-në. Pikërisht ky kontekst nuk e përjashton mundësinë e krijimit të një qeverie të zgjeruar me partitë kryesore politike.

Sidoqoftë, dinamikat politike për formimin e qeverisë dita-ditës do të marrin trajta të reja dhe deri në momentin e fundit do të jenë të paparashikueshme. Secila parti me strategjinë e vetë dhe secila parti ndërkohë do të përllogarisë edhe rrezikun e zhbërjes së “moralitetit” parazgjedhor, që realisht do të mund të reflektonte në elektorat me humbjen e kredibilitetit. Krijimi i shumicës së re parlamentare do të kalojë nëpërmjet lojërave të pafundme dhe një gjendjeje sfilitësh, që partitë do të duhet ta durojnë!