` . Meditime në “Kullën e ngujimit” nga Covid-19 - TV-SHENJA

Meditime në “Kullën e ngujimit” nga Covid-19

Epidemitë e sëmundjeve ngjitëse e kanë shoqëruar gjithmonë njeriun e njerëzimin. Gjatë ditëve të ngujimit kemi mësuar shumë gjëra që nuk i dinim ose na janë freskuar plot historira që i kishim harruar mbi dinamikën historike të këtyre sëmundjeve dhe rrjedhoja që kanë lënë pas në jetën e popujve dhe të vendeve të ndryshme.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

 

“Kulla e ngujimit” është një institucion i veçantë kanunor në të drejtën dokësore shqiptare. Ishte vendi ku mbyllej njeriu (burri) që kishte bërë vrasje derisa të viheshin në veprim procedurat sipas Kanunit për trajtimin e mëtejshëm të çështjes së hasmërisë së lindur rishtas ose të gjakmarrjes së mëparshme. Në të drejtën moderne më afër këtij institucioni është dhënia nga gjykata e masës paraprake me “arrest shtëpiak”.

Me “arrestin shtëpiak” ngjan në njëfarë kuptimi edhe “vënia në karantinë” e njeriut. U bënë tre muaj që gjendemi përballë një paradoksi të papërjetuar: nën karantinë (në kullën familjare të ngujimit) është vënë praktikisht i gjithë njerëzimi, jo sipas rregullash “kanunore”, por për domosdoshmërinë e shmangies së infeksioneve korona-virusore.

Pamë që njerëzimi kurrë nuk ka qenë kaq i bashkuar në nevojë e në fatkeqësi. Kjo masë për kufizimin drastik të lëvizjes së njerëzve u mor pa ngurrim nga autoritetet kushtetore në shumicën e vendeve të botës dhe u pranua qetësisht, pa kundërshtime, nga shumica e njerëzve si veprimi më i shpejtë dhe më efikas për t’i ngadalësuar ritmet e përhapjes së “pandemisë pulmonare”, të quajtur COVID-19. E humbi kuptimin dhe vetë termi “karantinë” (“karantinim”), që ka qenë sajuar për të emërtuar një periudhë 40-ditore të izolimit të njerëzve, të gjësë së gjallë dhe të mallrave, që hynin në një vend nga vende ku ishin përhapur sëmundje të rrezikshme infektive. Kurse tani i gjithë njerëzimi ndjehet njëherësh viktimë ose i kërcënuar, sepse nuk ka ende mjete të posaçme farmaceutike kurimi, as vaksina parandalimi, as praktika të njohura trajtimi kurues. Ka muaj të tërë që për tema të tilla e mjaft të tjera, që kanë lidhje me to, dëgjojmë specialistë të fushave të ndryshme, të shkencave mjekësore e farmaceutike, apo shkencave të tjera; dëgjojmë drejtues shtetesh, politikanë e propagandistë, që përpiqen të thonë diçka udhëzuese, qetësuese, por që ende nuk dinë si mund ta kryejnë mirë këtë detyrë. Është krijuar një atmosferë e përgjithshme frikësuese, që ushtron trysni psokologjike, e cila e bën edhe më tronditës efektin mbi njerëzit e infektuar ose jo nga koroanavirusi fajtor-agresor. Shumë specialistë nga fusha e mjekësisë paralajmërojnë se pas qetësimit disi të fatkeqësisë “Covid-19” duhet t’i trembemi rrezikut të një “pandemie mentale”, për shkak të pasojave që do të lërë “pandemia pulmonare” në psikologjinë e njerëzve.

Shumë specialistë nga fushat e ekonomisë e të financave flasin për një rrezik pandemik edhe në këto fusha. Paralajmërohet një përkeqësim i madh i plagës së pashëruar të njerëzimit: i urisë. Në një emision televiziv u dëgjua shprehja drithëruese e një qytetari nga Nigeria: “Më mirë të vdes nga Covid-19 se nga uria”. Uria është vërtet sëmundja më e tmerrshme endemike, që e ka torturuar vazhdimisht njerëzimin. Të gjitha përbetimet për luftën kundër kësaj sëmundjeje nuk e kanë çrrënjosur atë, madje as frenuar, në zona të gjera të globit. “Vaksina” për kurimin e “pandemisë së urisë” është e njohur me kohë, por ajo është prodhuar në sasinë e pamjaftueshme dhe është shpërndarë në mënyrë jo të barabartë.

Të fuqishmit e njerëzimit kanë menduar më shumë si ta mbajnë njerëzimin nën “tmerrin endemik” nga prodhimi pa kursim i armëve të shkatërrimit në masë dhe nën frikën që ngjall përdorimi i tyre, sepse përdorimi i tyre, në mos qëllimisht, atëherë aksidentalisht, është gjithnjë i mundshëm. Por, për “çudi”, ky tmerr endemik, që mund të shndërrohet lehtë në “shpërthim pandemik”, ende nuk është shpallur terrorizëm ndërkombëtar(!). Madje, janë shprehur dyshime se edhe pandemia “Covid-19” mund të jetë pasojë e një etjeje të madhe për t’i përsosur armët e shkatërrimit në masë, të kategorisë “armë për luftë biologjike”. Teoritë konspirative, që i ushqejnë këto hamendësime, mund të duken të përbindshme në vetvete, por nuk janë për t’u shpërfillur ende plotësisht. “Armët bakteriologjike”, për nga natyra e tyre dhe pasojat që mundtë sjellin, nuk janë gjë tjetër veçse binjake të armëve kimike, bërthamore dhe në kohën e sotme edhe të armëve kibernetike, me të cilat shtete të fuqishme ose edhe korporata kriminale, mund të kërcënojnë njëri-tjetrin pa pyetur fare për fatet e mbarë njerëzimit.

Tani njerëzve po u thuhet pa pushim se po përballen me një dukuri të rrezikut masiv, me natyrë e përmasa të papara më herët e, mbi të gjitha, me një armik të padukshëm, që ende nuk përcaktohet dot nëse është rezultat i mutacionit natyror virusal ose një gjë edhe më e keqe, një keqpërdorim me apo pa qëllim nga njeriu i kërkimeve shkencore ose një dalje nga kontrolli i “rebelit koronavirus”, pjellë e eksperimentimeve shkencore që janë bërë deri tani. Por, një gjë është qartë: “koronarovirusi” do të jetë edhe në të ardhmen armik tejet i rrezikshëm, që nuk mund ta dish me siguri se ku e si ta ka zënë pusinë. Një ide të tillë u mundua t’ua përcillte shqiptarëve, me një figurë letrare bajate, edhe presidenti i Shqipërisë kur tha: “Unë nuk kam frikë nëse dalin tanket në rrugë, sepse i përkas sojit të Vojo Kushit (guerrilasit që thuhet se kërceu mbi tankun e armikut gjatë Luftës së Dytë Botërore), por i trembem koronaviruesit të padukshëm”.

Pasi autoritetet pushtetore, shtetërore e mjekësore dhanë komandën “Rrini në shtëpi”, njerëzit e pranuan me fare pak kundërshtim e qysh në çastet e para, më shumë nga bindja se kështu u bëhej mirë sesa nga frika e ndëshkimeve të paralajmëruara. Prandaj ishin nganjëherë të tepruar zërat kundërshtues se po shkeleshin rëndë të drejtat e njeriut, sidomos “lëvizja e lirë” etj.. Është krijuar tashmë një përvojë krejt e veçantë se si mbarë njerëzimi mund të drejtohet e të kontrollohet fort drejt një qëllimi të caktuar nëpërmjet një bindjeje kaq vullnetare. Dhëntë Zoti që kjo përvojë të mos keqpërdoret ndonjë ditë edhe për eksperimente të vendosjes së kontrollit të plotë mbi bindjet, ndjesitë, sjelljet e deri në shkallën e robotizimit të tyre nga forcat e së keqes njerëzore, sa të kthehet në “pandemi virusologjike” edhe “social ingeniering-u” i tanishëm, që është identifikuar nga studiues me autoritet si një e keqe që po e kërcënon jo vetëm psikologjinë shoqërore, por dhe rregullat e sjelljes ndërkombëtare të shteteve.

Çdo njeri tani po ballafaqohet me një përvojë të vogël krejt personale dhe me një shumësi përvojash gati të pakapshme kolektive që po grumbullon njerëzimi i ngujuar nga koronavirusi. Personalisht (dhe familjarisht) ngujimin gati dymujor për shkak të pandemisë e kam kaluar shumë më mirë e më lehtë seç mund ta mendoja në nisje. Një arsye e veçantë për këtë besoj se është mënyra ime e mëparshme e jetesës dhe e punës. Ngujimi nuk ma ndryshoi fort këtë mënyrë, as ritmin tim biologjik të jetës. Edhe më parë kam qenë i prirë drejt një jete të thjeshtë, kushtuar më shumë punës mendore, me minimumin e domosdoshëm të lëvizjeve jashtë banesës, më pranë leximit e shkrimeve, sa më larg veprimtarive kohëhumbëse ose mjediseve sociale, që i japin tonin jetës tiranase të kafeneve. Sigurisht nuk mund të them se nuk kam ndjerë asnjë mungesë nga koha e para-karantinimit. Më kanë munguar shëtitjet e përditshme, në oraret e caktuar të ndërprerjes së punës, si dhe disa takime pune me kolegë e miq.

Ajo që më ka bërë përshtypje inkurajuese është mirëkuptimi i përgjithshëm i njerëzve për të respektuar masat e rekomanduara, që të shmangej transmetimi i infeksionit nëpërmjet kontakteve njerëzore. Një gjë e re që më ka bërë përshtypje të mirë është dhe organizmi pothuaj i menjëhershëm nga rrjetet tregtare i shërbimit të sendeve ushqimore në banesë sipas porosive. Urojmë që kjo përvojë të kthehet në “traditë tregtimi” dhe të vazhdojë edhe pas fitores mbi pandeminë.

Epidemitë e sëmundjeve ngjitëse e kanë shoqëruar gjithmonë njeriun e njerëzimin. Gjatë ditëve të ngujimit kemi mësuar shumë gjëra që nuk i dinim ose na janë freskuar plot historira që i kishim harruar mbi dinamikën historike të këtyre sëmundjeve dhe rrjedhoja që kanë lënë pas në jetën e popujve dhe të vendeve të ndryshme. Tani njerëzit janë në ankthin se “kur do të prodhohet vaksina kundër “Covid-19” që të qetësohen dhe nga paralajmërimi frikësues se ende dyshohet që shërimi i sëmundjes së koronavirusit nuk i krijon imunitet të përhershëm të sëmurit. Vaksina u bë temë e ditës qysh me fillimin e epidemisë. Nuk munguan interpretimet se mund të ishin shoqëritë e pashpirta farmaceutike që e krijuan këtë atmosferë pandemie për të siguruar fitime nga shitja e medikamenteve të tyre. Nuk mungoi qysh në ditët e para konkurrenca se cili do ta prodhojë i pari vaksinën. Madje, presidenti amerikan u tregua i gatshëm ta blinte patentën e një projekti gjerman, që u tha se ishte afër suksesit, por ndeshi në kundërshtimin shtetëror nga Gjermania. Njerëzit vazhdojnë të mbajnë veshët ngritur për lajmin e mirë. Po a do të jetë vërtet vaksina shpëtimtare qysh në fillim? A do të shmangen dot gjasat që për vaksinën e prodhuar me nxitim të shmanget një dukuri hetimore që ka filluar prokuroria në Itali për “vdekjet e dyshimta” në shtëpitë e personave të moshuar?! Ne përdorim janë gjithfarë vaksinash, madje dhe për gripin ose “virozat e stinës”. Por, jo të gjitha kanë dhënë rezultatet e premtuara. Nuk mund të krijohet me nxitim besimi se vaksina kundër Covid-it do të jetë efikase sapo ajo të lëshohet në treg për përdorim.

Edhe pandemitë e kanë vendin e vet në historinë e njerëzimit. Për këtë arsye e shfletova edhe njëherë librin shkencor shumë interesant të profesorit të shkencave politike në Uells, Clive Ponting “World History. A new perspective” (2000), që bën fjalë posaçërisht edhe për fatkeqësitë pandemike, që e kanë goditur Euroazinë gjatë viteve 200-600 të erës së re (f. 264) dhe më vonë në shekullin XIV. Pandemitë e periudhës më të hershme ai i sheh të lidhura me krizën dhe shpërbërjen e Perandorisë Han në Lindje, në Kinë, dhe të Perandorisë Romake, në Perëndim. Sipas tij, kjo krizë u shoqërua me përhapje epidemish në të gjithë Euroazinë. Sëmundjet përhapeshin nga kafshët e zbutura dhe nga jetesa e përbashkëte njerëzve me kafshët. Fillimisht, proceset u vunë re në Kinë dhe arritën në Mesdhe në kohën e luftërave të Peloponezit.

Edhe për epidemitë e shekullit XIV Ponting-u shkruan: “Shpërthimi i parë i pandemisë ndodhi në Kinë në vitin 1331. Arriti në Krime më 1346 dhe në Francën jugore në 1347, si dhe në Moskë në dhjetor të 1350-tës… Ndikimi i pandemisë në Europë, Egjipt, Levant midis viteve 1346-1350 ishte shumë më i keq se në Kinë… . Në Europë gati një e treta e popullsisë vdiq, ndërsa në disa pjesë vdekjet ishin edhe më shumë” (f. 447-448). Vdekjet shkaktoheshin sa nga infeksioni, aq edhe nga uria e kushtet e tmerrshme sanitare. Ponting-u ka dhënë shifra e fakte tmerruese për rrjedhojat e kësaj gjendjeje në Europën e atëhershme. Kur lexon libra si ky, të duket sikur historia nuk do të heqë dorë nga tekat e saj, vepruaka si një rregull i pandryshueshëm, që epidemitë para se të kthehen në pandemi, duhet të niskan në Kinë dhe pastaj të japin goditjet më të forta në Perëndim.

U tha në fillim se “tragjedia e koronavirusit”, që shpërtheu në Vuhan, do ta ngadalësonte marshimin kinez drejt fuqizimit ekonomik, politik e diplomatik dhe do ta dobësonte Kinën në luftën tregtare me SHBA, që është faktori më tensionues në botë tani. Por, kur Perëndimi filloi t’i ndjente më dhimbshëm pasojat e mbërritjes me shpejtësi të rrufeshme (jo ngadalë si dikur) të epidemisë që kishte plasur në Kinë, dëgjuam në një debat televiziv moskovit politikanin e analistin rus, Vjaçesllav Nikonov (nipi i ministrit të jashtëm në kohën e Stalinit, Vjaçesllav Molotov) se Kina do të dalë më e fortë e më vepruese nga kjo pandemi, sepse qysh tani pesha e roli i saj në botë janë rritur, Kina ka marrë rol parësor në përpjekjet për përballimin e rrezikut që i kanoset gjithë njerëzimit, çka i jep fund vetëpërmbajtjes së deritanishme të Kinës për të shpalosur ambiciet e saj si sfiduese e parë e “hegjemonisë liberale” amerikane në skenën botërore. Këtë përshtypje sikur e përforcoi aktivizimi i Kinës në ndihmë të Italisë, porositë e mëdha që edhe vendet demokratike të zhvilluara perëndimore bënë në Kinë për mjete e përvojë në luftën kundër koronavirusit. Kina e Rusia shkuan në mbështetje të Italisë së zemëruar seriozisht se u braktis në fatin e vet të keq nga BE-ja. Nikonovi, në atë emision, dhe ministri i jashtëm rus, Llavrov, në emisionin e njëjtë, po në datën 25 prill 2020, theksuan fort se tani erdhi përsëri koha që të kuptohet se në Kinë u arritën suksese të shpejta në përballjen me koronavirusin, sepse shteti u tregua funksional, gjë që nuk ndodhi në Itali e vende të tjera të liberal-demokracisë perëndimore.

Doli me këtë rast në pah dhe një tipar tjetër i politikave në Europën e Bashkuar: mungesa e solidaritetit në ditët e vështira dhe pakënaqësia e frika që kjo ka ngjallur, sidomos në Itali. Kur u rrëzua sistemi komunist në Europën Lindore, analistët perëndimorë në përgjithësi u zunë gafil dhe u habitën se pse atje shpërtheu vala e ringjalljes së nacionalizmit. Tani po vëmë re se shpërthimi i Pandemisë ka bërë të shpërthejë vala e nacionalizmit edhe në Europën Perëndimore. Natyrshëm, në Perëndim nuk vonuan reagimet e fuqishme me pakënaqësi ndaj këtij roli të Kinës, të duartrokitur dhe nga Rusia. Reagoi më ashpër SHBA-ja, që u vu në krye të akuzave ndaj Kinës për pandershmëri, duke mbajtur fshehur nga bota se si plasi epidemia në Kinë dhe pasojat e rënda që ajo solli.

Kinezët e rusët po e fajësojnë më shumë Perëndimin për të keqen që pësuan e që nuk reaguan si duhet ndaj rreziqeve që i paralajmëroi epidemia në Vuhan të Kinës. Tani kjo pandemi po shoqërohet edhe me luftë të ashpër propagandistike, diplomatike e politike. SHBA ka parashtruar hipotezat se kinezët duhet të bëjnë transparencë të re dhe të mbajnë përgjegjësi për telashet që shkaktuan për botën edhe sikur të mos kenë vepruar me dashje.

Me të tilla zhvillime politike e diplomatike diskutimet rreth pandemisë kanë dalë nga orbita e trajtimit shkencor dhe kanë hyrë në sferën e gjeopolitikës ndërkombëtare dhe në lojën e gjeostrategjive në botë, që më shumë synojnë t’i përcaktojnë sferat e ndikimit e të veprimit për periudhën e pas pandemisë. Konturet e trajtimit të tillë të pandemisë u dukën më qartë në mbrëmjen e datës 25 prill 2020 të emisionit javor të radhës në programin “Balshajaigra” (Loja e madhe) në Kanalin 1 të Televizionit Rus. Ato i skicoi ministri i jashtëm i Rusisë, Llavrov, në përgjigjet tejet të studiuara që u dha monitoruesve të këtij programi, rusit Nikonov dhe analistit amerikan Dimitri Sajms nga studio e tij në Uashington.

Llavrovi ishte përgatitur për një debat profesional shumë diplomatik, por me veshje politike të qëruar plotësisht. Dimitri Sajms ia hapi mirë rrugën Llavrovit, që të bënte të qartë se pakënaqësia e SHBA-së me Rusinë nuk është për çështje të veçanta ndërkombëtare, sado të nxehta të jenë ato, por për shkak se në SHBA-ja është e pakënaqur që Rusia synon të jetë aktore e barabartë në përcaktimin e fateve politike e diplomatike të botës, duke qëndruar edhe në krah të Kinës, përballë SHBA-ve dhe Perëndimit. Llavrovi nuk ngurroi të jepte mesazhin se Rusia pikërisht këtë po kërkon, që në Perëndim të kuptohet se ka marrë fund koha kur pretendohej triumfi i rendit të vendosur nga liberal-demokracia perëndimore pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik, që u quajt dhe “fundi i historisë”. Ministri rus këmbënguli në idenë se bota ka hyrë në një epokë të re të multipolarizimit dhe se duhet drejtuar me kujdes nëpërmjet bashkëpunimit e arritjes së konsensusit, një proces i gjatë për krijimin e një rendi botëror të mbështetur pikërisht mbi multipolaritetin.

Ai disa herë theksoi se edhe pandemia tregoi se i duhet dhënë vendi që i takon rolit të shtetit kombëtar në zgjidhjen e problemeve të brendshme e ndërkombëtare e të hiqet dorë nga politika e akuzave për autoritarizëm nga liberal-demokracitë ndaj të tjerëve. Ministri rus nuk ngurroi që të jepte vlerësim të kundërt për qëndrimin amerikan në grindjet me OBSH-në dhe duke theksuar se edhe atje SHBA-ja kanë qenë e pranishme me njerëzit e saj. Dukej sikur edhe Llavrovi synonte të krijohej bindja se edhe Rusia gjeostrategjinë e gjeopolitikën botërore i sheh nga ai këndvështrim që e ka parë ish-Ministri i Mbrojtjes të SHBA-ve, Matis (fjalët e të cilit i kam cituar në shkrimin para këtij në“Shenja”), se bota është rikthyer tek politika e diplomacia e ndeshjeve dhe ujdive midis fuqive të mëdha.

Kjo për shqiptarët paralajmëron kohë më të vështira. Llavrovi edhe më 25 prill nuk harroi të përmendë qortueshëm për ankesën ndaj Perëndimit pse e bombardoi Serbinë për punën e Kosovës. Rusia mund të kërkojë tani nga SHBA-ja ndonjë “dëmshpërblim diplomatik” edhe për këtë çështje, që të fillohet mbarë procesi i propozuar nga Putini që kryetarët e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit (SHBA, Rusia, Kina, Anglia, Franca) të marrin më mirë në dorë rregullimin e fateve të botës, duke krijuar një institucion të posaçëm konsultimesh e vendimmarrjeje midis tyre.

Meqenëse gara midis fuqive të mëdha mund të rivendoset mbi binarët e dikurshëm, duhet t’u rikthehemi kujtimeve se ajo garë ka qenë zhvilluar njëherësh nëpërmjet “grindjesh e ujdish”, prej të cilave shqiptarët kanë pësuar mjaft dëme. Duhet të analizojmë më mirë një dukuri historike e diplomatike që fqinjët e shqiptarëve janë përpjekur vazhdimisht t’i izolojnë Shqipërinë e shqiptarët nga marrëdhëniet me fuqitë e mëdha, duke filluar nga periudha e zgjimit nacional në Ballkan. Kam shkruar edhe më parë se fqinjët sllavë e grekë kanë synuar gjithmonë t’i prishin marrëdhëniet e Shqipërisë me fuqitë e mëdha. Si në rastin e izolimit nga SHBA-ja e Anglia, pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, nga Bashkimi Sovjetik pas prishjes me Jugosllavinë titiste dhe më në fund nga Kina. Tani fqinjët tanë, veçanërisht Serbia, e kanë përqendruar gjithë intrigën diplomatike për ta izoluar Shqipërinë e sidomos Kosovën edhe nga miku më i mirë, SHBA.