Mediat sociale, shkaktare të depresionit te vajzat adoleshente

Vajzat adoleshente kanë dy herë më shumë gjasa se djemtë të tregojnë simptoma të depresionit, të lidhura me përdorimin e mediave sociale, kryesisht për shkak të ngacmimeve online dhe gjumit të çrregulluar.

Sipas të dhënave të publikuara në një studim, vajzat adoleshente janë të prekura nga depresioni edhe për shkak të imazhit të dobët për trupin dhe vetëvlerësimin e ulët.

Studimi analizoi të dhënat e rreth 11.000 të rinjve në Britani dhe studiuesit zbuluan se vajzat 14-vjeçare ishin përdoruese më të shumta të mediave sociale, duke qëndruar në ato më shumë se tre orë në ditë.

Studimi gjithashtu tregoi se 12 për qind e atyre që i përdorin më pak mediat sociale dhe 38 për qind e atyre që i përdorin pesë orë e më shumë, treguan shenja të depresionit.

Kur hulumtuesit shqyrtuan proceset themelore që mund të lidhen me përdorimin e mediave sociale dhe depresionin, ata gjetën se 40 për qind e vajzave dhe 25 për qind e djemve kishin përvojë në ngacmimin online. Gjumi i çrregullt u raportua nga 40 për qind e vajzave krahasuar me 28 për qind të djemve. Ankthi dhe gjumi i dobët janë të dyja të lidhura me depresionin.

Yvonne Kelly, një profesor në Institutin e Epidemiologjisë dhe Kujdesit Shëndetësor të kolegjit Universitar të Londrës, i cili bashkë-udhëhoqi hulumtimin, u kërkoi prindërve dhe politikëbërësve të kenë në vëmendje rezultatet e këtij hulumtimi.