Mediat serbe spekulojnë për kërkesën e Trumpit për zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Mediat serbe duke u thirrur në burime diplomatike nga Brukseli kanë paralajmëruar se cila mund të jetë kërkesa e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë.
Burime diplomatike nga Brukseli besojnë se Washingtoni kërkon “zgjidhje të qëndrueshme” për raportet e Serbisë dhe Kosovës përfshirë edhe “korrigjimin e kufijve” të pranueshëm nga të dyja palët.

Por, në qarqet e Bashkimit Evropian nuk ka shumë bindje nëse kjo mund të realizohet, raportojnë mediat serbe, transmeton lajmi.net.

Pikërisht për këtë çështje pritet të bisedojnë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai rus, Vladimir Putin më 17 janar, në vizitën e këtij të fundit në Beograd.

Çështja e Kosovës pritet të jetë edhe temë e diskutimeve mes Washingtonit dhe Moskës në nivel të lartë. Për shkak të festave të vitit të ri, disa zyrtarë të diplomacisë ndërkombëtare në BE kanë paralajmëruar se vetëm në vikendet e ardhshme mund të pritet angazhim më i madh në këtë drejtim.

BE-ja nuk është tërhequr nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës kurse bisedat teknike me ekipin e ri negociator të Prishtinës në Bruksel të martën pritet të zgjidhen dy tema, transmeton lajmi.net.

Së pari duhet të mësohet nëse ai ekip negociator do t’i ofrojë mbështetje kryenegociatorit Hashim Thaçi, si shenjë e bashkimit më të madh brenda fuqive politike të Kosovës dhe nëse përbërja e ekipit të ri negociator do të jetë frenues për veprimet e Thaçit.

Gjendja brenda BE-së nuk u shkon në favor përpjekjeve të mëdha për të arritur një zgjidhje, edhe më tepër pas vendimit për taksë prej 100 për qind ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnaj e Hercegovina.

Marrëveshja është e kërkuar nga të gjithë, SHBA, por edhe BE pritet të angazhohen maksimalisht për arritjen e saj, por pala serbe ka kërkuar edhe përfshirjen e Rusisë e Kinës.