Mediat angleze zbulojnë: Ronaldo iu ofrua Chelseat, drejtuesit e United të shqetësuar

Mediat angleze zbulojnë: Ronaldo iu ofrua Chelseat, drejtuesit e United të shqetësuar

Pronari i ri i Chelseat, Todd Boehly është takuar me agjentin e Cristiano Ronaldos, Jorge Mendes në Portugali javën e kaluar, dhe një nga temat ishte transferimi i tij eventual në Stamford Bridge, raporton “The Athletic”.

Ronaldo është përfolur për një largim nga Manchester United që nga fillimi i merkatos së verës, më së shumti për shkak se Djajtë e Kuq nuk do të luajnë në Champions League sezonin e ardhshëm, që është edhe kompeticioni primar në të cilin portugezi dëshiron të garojë.
Së fundmi u përhap lajmi se agjenti i Ronaldos i ofroi lojtarin e tij Bayernit, por drejtuesit e klubit gjerman refuzuan dhe as që tentuan të negociojnë me portugezin.
Nga ana tjetër, aktualisht mediat në Itali shkruajnë se Ronaldo mund të vijë edhe te Roma, por ky është një lajm që nuk duhet marrë tepër seriozisht sepse është vërtet e vështirë të pritet që të kalojë tek verdhekuqtë, duke patur parasysh ambiciet e portugezit.

Chelsea, nga ana tjetër, është një opsion shumë më realist dhe nuk ka dyshim se menaxheri i ekipit Thomas Tuchel do të donte ta shihte Ronaldon në krye të sulmit dhe do të donte të punonte me të. Mediat angleze shtojnë se pas takimit të përmendur në të cilin u fol për kalimin e Ronaldos te Chelsea, nuk ka pasur vazhdim të negociatave.
Fabrizio Romano shton se drejtuesit e Manchester United dhe trajneri i ri Ten Hag besojnë se Ronaldo do të qëndrojë në klub, por gjithashtu janë të shqetësuar me sjelljen e agjentit të tij.