Më lehtë të ngushëllosh sesa të kërkosh përgjegjësi

Më lehtë të ngushëllosh sesa të kërkosh përgjegjësi

Kemi të vrarë pa vrasës, lindje pa prindër dhe pasuri pa punë! Të digjen 14 pacientë dhe askush të mos mbajë përgjegjësi, kjo është lemeri e shkuar lemerie dhe një shenjë tepër e keqe për të tjerët, të cilët ende nuk gjenden në mesin e viktimave, por që, nëse sot jo, me gjasë nesër po.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Kumanovë

Sado të jemi të kujdesshëm, sërish nuk do të jemi të përjashtuar nga gabimet, ngaqë jemi qenie shpirtërore dhe trupore, që e kemi patjetër të bashkëveprojmë dhe bashkërendojmë me veten tonë fillimisht, me rrethin, me rrethanat, me natyrën, me zhvillimet në natyrë, me kohën, me ecjen e saj të shpejtë që në fakt shumësia e punëve tona është krijim i përshtypjes së shpejtësisë së kohës, me teknikën, me teknologjinë, me elektriken, me ushqimin, me ekonominë, me financat e të ngjashme. Gabimet dhe aksidentet janë të pashmangshme, mirëpo a mund t’i pakësojmë ato? Patjetër se po! Vetëm se duhet mendim, përpjekje, marrje masash dhe zhvillim të kulturës së kërkimit llogari. Duhet të shohësh më larg se hunda dhe më gjatë se hapi i parë i këmbës. Pashmangshëm, të mos e harrojmë edhe egon tonë, ngaqë kjo di të jetë burim i shumë të këqijave, sidomos egoja në trupin e disa tregtarëve dhe disa politikanëve, të cilët në përpjekje për ta kënaqur atë janë në gjendje të vrasin me mijëra njerëz e t’ia bëjnë jetën ferr mijërave të tjerë.

Fatkeqësisht, njeriu i kohës së sotme është i prirë ta ngrejë fitilin e ndërgjegjes vetëm pas rasteve të fatkeqësive, mirëpo edhe ashtu drita e këtij fitili zgjat shumë pak dhe sërish njeriu i kohës së sotme është i prirë t’i kthehet gjallërisë së tij financiare, duke e mbajtur fjetur njëkohësisht ndërgjegjen dhe vetëdijen. Ndërgjegjja dhe vetëdija e zgjuar në mendësinë e sotme është digë dhe pengesë e rritjes së financave, paçka se vihet në rrezik serioz edhe siguria e jetës së njerëzve. Kryesorja, për mendësi të këtilla, të ecet përpara, qoftë edhe si balona që, pos ajrit, nuk kanë asgjë brenda ose si daulle, të cilat si rrjedhojë e zbrazëtisë lëshojnë zhurma, të cilat me kalimin e kohës mund t’i përkapim si britma neveritëse.

Shpesh po digjemi dhe në kuadër të kësaj shpeshtësie po mërzitemi, po shkruajmë letra ngushëlluese, po pikëllohemi e po lotojmë, madje për t’i mbuluar dështimet tona po shpërdorojmë edhe me të kuptuarit e caktimit të Zotit, thuajse anarkinë dhe papërgjegjshmërinë e veprimeve dhe veprimtarive tonë e kemi urdhër nga Zoti. Këta jemi, të cilët bëzajmë fort kur të na pickojë dikush, por pas pesë minutash jemi të prirë ta përqafojmë pickuesin! Për rrjedhojë dhe për fatin tonë jo të mirë, dy autobusë pësuan aksidente të tmerrshme, njëri u rrokullis e tjetri u dogj dhe, për pasojë, humbën jetën 61 njerëz të pafajshëm dhe 14 të tjerë në përpjekje për ta rikthyer shëndetin, ata jo që ngelën pa shëndet, por u dogjën prore, edhe atë në duart dhe pranë syve të shtetit. Rrjetet shoqërore gurgulluan, ndejat gufuan me larmi mendimesh e shqetësimesh, mediumet pamore zhvilluan kronika të veçanta për këto ngjarje të tmerrshme. Kaq! Perdja e teatrit tonë, ku komeditë i shikojmë dhe në tragjedi marrim pjesë, mbyllet për t’ia filluar secili me shqetësimet e veta ditore, qofshin ato të arsyeshme a qesharake. Hetimet vazhdojnë si proces, të paktën para syve të publikut, kurse përgjegjësia dhe përgjegjësit e lemerive asnjëherë nuk shihen dhe, për rrjedhojë, u lëshohet radha tragjedive të tjera. Në këtë qerthull kemi të vrarë pa vrasës, lindje pa prindër dhe pasuri pa punë! Të digjen 14 pacientë dhe askush të mos mbajë përgjegjësi, kjo është lemeri e shkuar lemerie dhe një shenjë tepër e keqe për të tjerët, të cilët ende nuk gjenden në mesin e viktimave, por që, nëse sot jo, me gjasë nesër po. Kësodore, çështja e viktimizimit tonë, që më lehtë ngushëllojmë sesa kërkojmë përgjegjësi, është vetëm çështje kohësh.

Në anën tjetër, qeveria jonë joqeveritare vetëm pasi të ndodhë lemeria njoftohet për lëshimet e mundshme dhe problemet e shumta, sikurse ajo amvisja përtace, që sa herë e zhvendosë një gjësend brenda dhomës, pluhuri e mbeturinat i dalin sheshit. Ata nuk kanë nën kontroll asgjë, prandaj vetëm pasi të ndodhë e keqja, ata reagojnë. Përndryshe, përmbajtja e punës dhe synimit të tyre nuk është reagimi, por parandalimi ose, të paktën, udhëheqja me krizën deri te asgjësimi i krizës. Këta marrin rroga si qeveritarë, por punën e bëjnë si qytetarë. Ndërkaq, qytetari ynë vetëm pasi të ndodhë tmerri njoftohet për vlerën reale të çmimit të lirë. Në mungesë të parave të mjaftueshme dhe në sajë të dëshirës për të udhëtuar, qytetari ynë është i prirë të udhëtojë lirë pa e ditur se, nën këmbët e tij, pronarët xhepthellë bëjnë tregti, duke i rrezikuar edhe jetët njerëzore. Ndërkaq, pranë këtij realiteti të zymtë brenga e vetme e shtetit tonë është mbajtja në jetë e qeverisë “evropiane”, duke bërë larmi përllogaritjesh, aq sa çdo kuptim e tharm edhe politikës ia avulluan.

Për çdo ditë jemi dëshmitarë të anarkisë sonë. Mjeshtri ngjitet në kulm pa asnjë masë mbrojtëse. Mekaniku futet nën veturë pa asnjë masë mbrojtëse. Ngasësi i makinës flet në celular dhe njëkohësisht lëviz me shpejtësi jashtë normave të komunikacionit. Po e njohe dikë në kontroll teknik, mund ta kalosh edhe veturën që asnjë fre nuk i punon. Kuzhinieri më së paku interesohet për cilësinë e ushqimit dhe për pastërtinë në kuzhinë. Në kohën e pjekjes së dredhëzave, autostrada Shkup-Tetovë merr pamje tregu, ku shitësit që punojnë për koren e bukës rrezikojnë jetën e tyre dhe të kalimtarëve të tjerë me vetura. Për ditë shohim autobusë të stërmbushur me udhëtarë e me shumë probleme teknike. Kur të shkosh në spital, lutja më e theksuar është të mos kthehesh edhe më i sëmurë. U jepen leje ndërtimi ndërtesave që nuk kanë dalje emergjente, nuk kanë bombola për ta fikur zjarrin, nuk kanë trotuare, nuk kanë park e nuk kanë parkingje. Afër shkollave shohim pompa të benzinës e kazino. Rrugë të ngushta në përpjekje për t’i zgjeruar oborret private, paçka se vihet në rrezik jeta e fëmijëve dhe e kalimtarëve. Gjithë këto lëshime dhe kultivime të rrezikut bëhen para syve të shtetit dhe me pajtimin e qytetarit, qoftë pajtim përmes heshtjes. Prandaj, edhe vajtojmë aq shpesh, jo pse Zoti deshi kështu, por sepse nuk e dëgjuam Zotin kur na urdhëroi të mos bëjmë çrregullime në tokë. Nuk e mohoj se gjithçka që ndodhë, ndodh me lejen e Zotit, por kjo leje nuk na liron prej përgjegjësisë. Përkundrazi, mjerë për neve, të cilët edhe lirinë e zgjedhjes së Zotit e përbuzëm skajshmërish. Përtacinë tonë e përshkruam  si paracaktim të prerë të Tij. Me pak fjalë, po nuk i morëm masat me kohë, do të duhet të mbajmë mbi supe edhe shumë tragjedi të tjera, të cilat janë edhe një tregues plus se me neve, thellësisht, nuk është në rregull shumëçka.