Me duru, me pa, me mendu

Me duru, me pa, me mendu

Vetë njeriu don kohën e vet për me u përmbushë, për me çelë. Prandaj ne duhet me pas durimin me e pritë njëri-tjetrin, sepse askush nuk mundet me qenë siç do të donim të ishte, por ashtu siç është, ai apo ajo që është. As vetë ne nuk mund të jemi ashtu siç do të donim të ishim, nji pamundësi kjo që është bekim për ne, sepse ne nuk e dimë me siguri se cila është ma e mira për ne.

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

Në Kuran thuhet: “Nuk janë verbu sytë, por zemrat në kraharorë.” (Kurani, 22: 46)

Jo rastësisht Jung-u thekson se “është ma e nevojshme me u mësu njerëzve artin për me pa”.

Natyrisht, siç duket qartë, nuk bahet fjalë me pa me sytë e ballit, por me syrin e brendshëm, me zemër, siç e ban dallimin edhe vargu kuranor.

Nji prej shqetësimeve që pat ngritë Heidegger-i në esenë “Ça don me thanë me mendu?”, është se ne nuk po mendojmë ose nuk po e marrim seriozisht të menduarit. Por, ndoshta para se me shku te kjo pikë, pra për me arritë me mendu, fillimisht duhet me mësu me pa, me vëzhgu/kundru, për me i hapë në këtë mënyrë udhën mendimit.

“Nëse dyert e perceptimit do të ishin të pastruara, atëherë njeriut çdo gja do t’i shfaqej ashtu siç është: e pafundme.” (Blake)

Por, edhe para se me pa, na duhet me përbrendësu artin e durimit, domethanë na duhet me ba durim për me vjelë frytet e të parit, sepse prej atij shikimi që mjaftohet vetëm me syprinën e gjanave apo prej shikimit të shpejtë zakonisht nuk përkapet ndonji gja që ia vlen me u shënu. Pothuajse asnji arritje e qenësishme njerëzore nuk ka ardhë pa kalu ma përpara nga shkolla e durimit.

“Hana don kohën e vet për me u ba e plotë.” (Rumi) Në fakt, çdo gja don kohën e vet për me arritë plotninë, për me marrë trajtën e duhur.

Vetë njeriu don kohën e vet për me u përmbushë, për me çelë. Prandaj ne duhet me pas durimin me e pritë njëri-tjetrin, sepse askush nuk mundet me qenë siç do të donim të ishte, por ashtu siç është, ai apo ajo që është. As vetë ne nuk mund të jemi ashtu siç do të donim të ishim, nji pamundësi kjo që është bekim për ne, sepse ne nuk e dimë me siguri se cila është ma e mira për ne; sepse siç mendojmë tani, nuk mendojmë mbas nji ore; siç mendojmë sot për veten, nuk mendojmë nesër. Ajo që mund të bajmë ne është përpjekja për ma të mirën që dimë e që mundemi këtu dhe tani, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë të mirën këtu dhe përtej. Jo vetëm kaq, por kjo sjell me vete edhe çlirimin tonë prej “makthit” të kohës, prej dertit për të ardhmen, si dhe prej stresit që njihet si “nuk kam kohë”. Kemi kohën tonë, mrekullinë tonë të papërsëritshme, fytyrën e patëdytë, sepse nuk kemi pse e ngarkojmë veten për çfarë iku, as për çfarë është përtej mundësive tona. Kemi vetëm udhën tonë, që, siç thotë poeti, “të tjerët mund ta bajnë me ne, por askush nuk e ban për ne”. (Rumi)

Për sa ma sipër, përpjekja është ma e rëndësishme se suksesi, sidomos kur kujton se ka nji kult patetik për të ashtuquajturin “njeri të suksesshëm”. Përpjekja është ma afër njeriut se suksesi, sepse përpjekja është vazhdimësi, ndërsa suksesi është nji stopim që të mpin. Përpjekja është përqendrim, kurse suksesi sjell jo pak shpërqendrim. Duhet theksu se kjo nuk nënkupton se nuk na duhen arrtije të caktuara. Qëllimi këtu është me e pa edhe arritjen si përpjekje.

Kështu, fillimisht na duhet durim, mandej dëliret vizioni dhe si përfundim hapet shtegu me mendu.

Mund të bajmë edhe këtë formulim: me jetu don me thanë me duru, e me duru don me thanë me u përpjekë.