` . Mbyllja e Kosovës me Ballkanin e hapur - TV SHENJA

Mbyllja e Kosovës me Ballkanin e hapur

Kosova e Shqipëria, ndonjëherë, i kanë interesat e njëjta, shpesh i kanë të ndryshme e herë-herë i kanë të kundërta.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut iu gjetën njëra-tjetrës në sikletet më të mëdha.

Në kohën kur Bullgaria i vuri telashe Maqedonisë së Veriut në rrugëtimin e saj europian, ajo iu kthye konkurrentit të vjetër të Bullgarisë – Serbisë. Serbia e Shqipëria iu gjetën asaj në këtë situatë, kurse Maqedonia e Veriut ua ktheu këtë shërbim, duke u bërë urë mes Serbisë e Shqipërisë, pasi Kosova e Mali i Zi e refuzuan këtë rol.

Shqipëria e Maqedonia e Veriut iu gjetën Serbisë në sikletin më të madh të saj. Serbia e rrethuar në të gjitha anët me vende të NATO-s e të Bashkimit Europian dhe nën presion të vazhdueshëm që ta njohë Kosovën, i dëshmoi Perëndimit se është akoma arrë e fortë dhe se mund ta ushtrojë ende rrolin e hegjemonit.

Për Shqipërinë relaksimi i marrëdhënieve me Serbinë do të thotë një treg i ri prej 6-7 milionë turistëve potencialë për plazhet e Shqipërisë. Serbia është vend pa dalje në det. Serbët, historikisht, i kanë shfrytëzuar plazhet e Kroacisë e të Malit të Zi. Që nga lufta e fundit (1991-1995) serbët më nuk janë të mirëpritur në plazhet kroate. Plazhet kroate janë bërë vendverimi i 100 milionë gjermanëve nga Gjermania, Austria e Zvicra, të cilët jo vetëm që e kanë plazhin më të afërt gjeografikisht, por edhe mentalitetin kroat e konsiderojnë të tyrin. Plazhet e Mali i Zi janë një vijimësi e bregdetit kroat në çdo kuptim. Ato vijojnë të jenë vendverim i qytetarëve nga Serbia, por gjithnjë e më pak për arsyet në vijim. Vija bregdetare e Malit të Zi është e vogël. Konkurrenca europiane i ka ngritur çmimet së tepërmi. Fërkimet politike Beograd-Podgoricë e kanë bërë efektin e vet përkundër faktit që malazezët janë serbë etnikë, por tani një komb me mentalitet e kulturë shumë distante nga ajo serbe.

Kështu për Serbinë bregdeti më i afërt mbetet ai shqiptar. Dhe, më i liri, njëkohësisht. Fakti që deri më tani bregdeti shqiptar nuk ishte shfrytëzuar nga turistët serbë vinte thjesht nga paragjykimet. Serbët e zakonshëm nuk dinin të bënin diferencë mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Insistimi i Edi Ramës për Ballkanin e Hapur dhe refuzimi i Albin Kurtit për të i ndihmoi edhe serbët me dije më të pakta politike që ta kuptojnë këtë dallim. Këtë gjë instinktivisht e ka kuptuar Edi Rama shumë kohë para takimit të parë me Vuçiqin dhe ai vijon t’i bjerë kësaj daulleje. Ftesa për Goran Bregoviqin në Tiranë dhe tani në Korçë ishte në funksion të këtij mesazhi për serbët – “ne jemi ndryshe nga kosovarët”. Madje, në Tiranë edhe mbiemrin ia shkruajnë e shqiptojnë ndryshe nga kosovarët: Bregoviç. As që u intereson se në fakt nuk quhet Bregovič (Bregoviç) po Bregović (Bregoviq). Gazetarët serbë shpotisin se si Edi Rama akoma nuk e ka mësuar se Presidenti serb quhet Aleksandar (Alleksandar) e jo Aleksandër dhe se mbiemri i tij është Vučić (Vuçiq) e jo Vučič (Vuçiç). Edi Rama nuk e ka hallin se a e përqeshin serbët apo jo. Halli është te paraja.

Të fitosh një treg 6-7 milionësh të turistëve potencialë është një interes madhor kombëtar për një vend të vogël prej 2 milionë e gjysmë banorësh siç është Shqipëria. Pikërisht ky interes madhor i Shqipërisë bie në kundërshtim me interesin kombëtar të Kosovës në shumë rrafshe.

E para e më e dukshmja është se shkuarja e një numri të madh të turistëve serbë në Shqipëri e rrit konkurrencën dhe, rrjedhimisht, i ngre çmimet në plazhet shqiptare. 99% të kosovarëve i shfrytëzojnë plazhet shqiptare për dy arsye të forta: 1. Janë më të lirat dhe 2. Duan që paraja e tyre të ngelet në Shqipëri e jo në ndonjë vend tjetër.

E dyta, më pak e dukshme, është pazari në Bruksel rreth njohjes së Kosovës nga Serbia. I gjithë thelbi i bisedimeve Prishtinë-Beograd qëndron në atë se çfarë çmimi do të paguajë Kosova në këmbim të marrjes së njohjes nga Serbia. Natyrisht, sa më i madh të jetë presioni i Perëndimit mbi Serbinë ajo do të detyrohet ta njohë Kosovën me çmim më të ulët dhe anasjelltas. Po kështu, sa më i madh që të jetë presioni i shteteve fqinje të Serbisë për ta detyruar atë ta njohë Kosovën, aq më i ulët do të jetë çmimi që do të detyrohet ta paguajë Kosova. E vërteta është se të gjithë fqinjët e Serbisë, pos Bosnjës e Rumanisë, e kanë njohur Kosovën, dhe laku ndaj Serbisë ishte i fortë në masë të konsiderueshme. Por, këtë lak të fqinjëve të Serbisë ndaj Serbisë ia largoi Shqipëria me projektin “Ballkani i hapur”.

Kosova është një vend që nuk ka dalje në det dhe ka vetëm 4 fqinjë: Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Në një rast hipotetik ekstrem, ku 4 fqinjët e saj do të merreshin vesh t’i mbyllin tërësisht kufijtë me Kosovën e ku asnjë avion ose mjet transporti nuk do të lejohej të hynte ose të dilte nga Kosova, populli i Kosovës do të vdiste urie, sepse as krip nuk ka se ku të marrë. Natyrisht, “Ballkani i hapur” nuk është një izolim i tërësishëm i Kosovës, por është njëfarë izolimi nga të tria anët. Mali i Zi nuk është në “Ballkanin e Hapur”, por ai i ka gjasat më të mëdha nga të gjithë të tjerët në Ballkanin Perëndimor të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Kësisoj, Kosovës i mbyllet kufiri në masën sa i është i mbyllur me vendet e tjera të Bashkimit Europian.

A ishte politikë me vend ajo që lidershipi i Kosovës e kundërshtoi këtë iniciativë? Apo do të ishte me vend që Albin Kurti të jetë i pranishëm në këto takime të trilaterales Vuçiq-Zaev-Rama? Sado që Kosova mund të mos jetë e përgatitur për këtë hapje, ngaqë buxheti i saj varet kryesisht nga doganat dhe për më tepër importet më të mëdha i ka nga Serbia, izolimi do t’i kushtojë më shtrenjtë. Të vetmen dobi që do ta ketë Kosova nga ky izolim do të jetë ngritja e nacionalizmit të domosdoshëm, që aktualisht i mungon Kosovës. Kur kosovarët do ta shohin filoserbizmin e institucioneve në Shqipëri, kjo do t’ua hapë sytë kosovarëve siç iu hapën sytë Ramush Haradinajt kur pa në Berlin se Edi Rama e mbante anën Vuçiqit. Pak kohë para kësaj ngjarjeje gjithë Shqipëria qeshej me naivitetin e Ramush Haradinajt, sipas të cilit po të bashkohej Kosova e Shqipëria, ai do t’ia lëshonte vullnetarisht karrigen e kryeministrit Edi Ramës! Ky nuk është vetëm naiviteti i Ramush Haradinajt, por edhe i një pjese të madhe të popullsisë së Kosovës. Duhet Goran Bregoviqi e shumë bregoviqa të tjerë që kosovarët ta kuptojnë se nuk kanë rrugë tjetër, pos ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovën e tyre.

Kosovarët nuk kanë përse t’ia mbajnë dertin Shqipërisë për invazionin serb atje. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe shtetësia e saj nuk kontestohet më. Asnjë pushtues nuk mund t’ia bëjë më zi Shqipërisë se çfarë i ka bërë Enver Hoxha. Tek e fundit, çka janë më të tmerrshme këngët çetnike sesa këngët për Enver Hoxhën që shqiptarët i dëgjuan për 45 vite? Kur një kosovar dëgjon ndonjë këngë për Enver Hoxhën edhe mund të mos e shijojë, po të paktën nuk lëndohet nga kënga siç lëndohen ata që e kanë vuajtur Spaçin apo Burrelin. Rrjedhimisht, këngët çetnike edhe mund të mos pëlqehen nga publiku i Tiranës ose i Korçës, por me to nuk lëndohet askush në Tiranë ose Korçë. Dhe, përderisa përmes këtyre këngëve çetnike animohen turistët serbë, ato janë të mirëpritura në Shqipëri.

Ec e dije a është ironi më e madhe kur kosovari që ka mbajtur vite burgu pse ka pikturuar qytetin e Korçës dëgjon se si në Korçë të rinjtë shqiptarë dehen me këngë çetnike apo kur i dëgjon kosovarët duke kënduar për Enver Hoxhën shqiptari që ka mbajtur 20 vite burg në Spaç pikërisht pse ka shprehur dashuri për Kosovën.

Thjesht, duhet të pranohet fakti se njerëzit e një gjuhe e një gjaku (pra njerëz të së njëjtës etni) siç janë shqiptarët e Kosovës e të Shqipërisë, kanë ndjesi e mentalitetete të ndryshme. Mbi të gjitha kanë interesa të ndryshme. Kosova e Shqipëria, ndonjëherë, i kanë interesat e njëjta, shpesh i kanë të ndryshme e herë-herë i kanë të kundërta. Kjo është dëshmia më e fortë se bëhet fjalë për dy kombe tashmë mirë të etabluara në diferencat mes vete. Fakti që një pjesë e shqiptarëve të Shqipërisë e kundërshtojnë ftesën për Goran Bregoviqin në Korçë nuk është se ata lëndohen nga kënga e tij “Kallashnikov”, por ata kundërshtojnë se nuk duan të lëndohen vëllezërit e tyre të gjuhës e të gjakut (kosovarët). E qartë, pjesa tjetër nuk shqetësohet se a lëndohen kosovarët apo jo.