“Mbretëresha e kriptove” në listën e dhjetë më të kërkuarve të FBI-së

“Mbretëresha e kriptove” në listën e dhjetë më të kërkuarve të FBI-së

Ruja Ignatova, e njohur ndryshe edhe si “mbretëresha e kriptovalutave”, është vendosur në listën e 10 më të kërkuarve të FBI-së.

40-vjeçarja nga Bullgaria kërkohet për përfshirjen e saj në mashtrimin me kriptovaluta, njohur si OneCoin.

Hetuesit federalë akuzojnë atë për skema mashtrimi duke marrë 4.2 miliardë dollarë nga viktimat. Që prej 2017-s, nuk dihet vendndodhja e saj kur zyrtarët amerikanë firmosën urdhrin e ndalimit.

Më 2014-n, OneCoin filloi t’u ofronte blerësve komisione nëse shisnin kriptovalutën te më shumë përdorues. Por agjentët e FBI-së thanë se OneCoin ishte e pavlerë dhe asnjëherë nuk mbështetej në teknologjinë e blockchain, përdorur nga kriptovalutat e tjera.

Ishte një skemë ponzi që shitej si kriptovalutë. FBI-ja ofron 100 mijë dollarë për këdo që jep informacion për arrestimin e Ignatovas.

Ajo është gruaja e vetme në listën e 10 më të kërkuarve të FBI-së.