Mbi 15 milionë automjete të reja janë regjistruar në BE në vitin 2018

Mbi 15 milionë automjete të reja janë regjistruar në BE në vitin 2018

Në vendet e Bashkimit Evropian (BE) gjatë vitit 2018 janë regjistruar mbi 15 milionë automjete të reja pasagjerësh, thuhet në një deklaratë të Asociacionit të Prodhuesve Evropian të Automjeteve (ACEA), raporton AA.

Numri i automjeteve të regjistruara, thotë Asociacioni, është gati se i barabartë me atë të vitit 2017, më saktësisht për 0,1 për qind më i lartë.

“Ndonëse rritja është tejet modeste, flet për vitin e pestë të rritjes së numrit të automjeteve të reja të regjistruara, me 15.2 milionë në tërë territorin e BE-së”, thotë ACEA.

Asociacioni i prodhuesve thotë se kërkesa është nxitur kryesisht nga vendet e Evropës Qendrore, ku është regjistruar një rritje prej 8 për qind vitin e kaluar. “Rezultatet ishin të ndryshme në pesë tregjet kryesore të BE-së”, thotë ACEA.

Kërkesa për automjete pasagjerësh në vitin 2018 u rrit në Spanjë (plus 7 për qind) dhe Francë (plus 3 për qind), ndërsa Gjermania (minus 0,2 për qind), Italia (minus 3,1 për qind) dhe Mbretëria e Bashkuar (minus 6,8 për qind) kanë shënuar ulje të kërkesës.

Grupacioni VW, markat kryesore të të cilit janë Volkswagen, Audi, Skoda, Seat and Porsche, ishte prodhuesi me përqindjen më të madhe të shitjeve në vitin 2018, ose 23,8 për qind nga totali.

Ky grupacion u ndoq nga PSA në pronësi të të cilit janë markat Peugeot, Citroen dhe Opel, si dhe nga Renault Group që kanë arkëtuar 16,5 për qind dhe 10,1 për qind të shitjeve.

BE-ja është tregu kryesor për eksportin e automjeteve nga Turqia ku aktualisht veprojnë Fiat, Ford, Honda, Hyundai, Renault dhe Toyota.

Eksportet e automobilave të prodhuara në Turqi në vitin 2018 arritën shumën mbi 25 miliardë dollarë ose 79,5 për qind të totalit të eksporteve automobilistike të Turqisë.