Mbështetësit e grupit terrorist YPG/PKK zhvillojnë demonstrata në Suedi

Mbështetësit e grupit terrorist YPG/PKK zhvillojnë demonstrata në Suedi

Një grup i mbështetësve të organizatës terroriste YPG/PKK mbajtën një demonstratë në sheshin Gotaplatsen në Goteborg, duke i bërë thirrje Suedisë që të vendosë embargo armësh ndaj Türkiye-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta vazhdoi për rreth dy orë, ku pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe simbole të grupit terrorist.

Duke reaguar ndaj zhvillimeve, Mikail Yuksel, kryetar i Partisë së Ngjyrave të Ndryshme (Nyans) në Suedi, tha se “qeveria suedeze thotë se e konsideron PKK-në një organizatë terroriste, por zbaton një politikë me dy fytyra”.

Suedia dhe Finlanda aplikuan zyrtarisht për t’u bashkuar me NATO-n muajin e kaluar, një vendim i nxitur nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt.

Por Türkiye, një anëtare e vjetër e aleancës, ka shprehur kundërshtime ndaj ofertave për anëtarësim, duke kritikuar vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve. YPG/PKK është dega siriane e PKK-së.

Sipas zëdhënësit presidencial të Türkiye-s, İbrahim Kalın, Ankaraja i ka bërë thirrje Stokholmit dhe Helsinkit që të parandalojnë grupin terrorist që të mbledhë fonde, të rekrutojë anëtarë të rinj dhe të sigurojë që t’i japë fund aktiviteteve dhe propagandës kundër Türkiye-s.