Matrica ideologjike e kremlinokratëve

Matrica ideologjike e kremlinokratëve

Ky realitet politik rus korrespondon me argumentimin e Richard Pipesit se konservatorizmi është fryma dominuese e mendimit politik rus, ndërsa pikërisht botëkuptimi shtetcentrik është artikulim i pozicionit nativist e konservator, në të cilin duhet të ruhej status quo-ja, integriteti territorial, stabiliteti, siguria dhe vlerat e vendosura shoqërore.

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Interpretimet e mendimtarëve rusë të rrymave të ndryshme të mendimit për ta kuptuar botën, vendin e Rusisë në të dhe identitetin rus, janë përpjekje për ta nxjerrë në pah atë që quhet Ruskaya Ideya (Ideja Ruse). Këtë nocion mund ta kuptojmë si lloj i veçantë rus ose si filozofi ruse e kulturës, historisë dhe politikës, përfshirë këtu edhe politikën e jashtme ruse. Linjat e mendimit politik dhe debati ndërmjet grupimeve të ndryshme mbi vetëperceptimin ose përkatësinë identitare të Rusisë, konsiderohen si pikë fillestare, ndër të tjerash, edhe të vizionit rus mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe komunikimin e Rusisë me botën.

Tendencat për westernizmin e Rusisë në fund të shek. XX hasën në kundërshtime nga ata të cilët nuk pranonin që Rusia të trajtohej si fuqi dytësorе brenda kuadrit të komunitetit ndërkombëtar, por ajo duhej ta rimarrë vendin që i takon në çështjet e zhvillimeve globale. Përveç tipareve nacionaliste, e në disa raste sllavofile, ky grupim u cilësua edhe si shtetcentrik (gosudarstveniki), duke nënkuptuar ata që ishin të përqendruar tek krijimi i një shteti të fuqishëm, i cili arrin ta mbajë kohezionin social tek populli dhe stabilitetin politik në qeverisje. Termi gosudarstvenik tregon përpjekjet për posedimin e një shteti të fortë dhe të fuqishëm, i cili është i aftë për ta ruajtur rendin dhe për të shërbyer si një garantues kundër anarkisë dhe paqëndrueshmërisë. Кjo është pikëpamja tradicionale ruse për rolin që duhet ta ketë shteti.

Nocioni gosudarstvenik ose paradigma shtetcentrike është identike me nocionin e Nikolai Karamzinit –samodrzhavie – që e definon shtetin rus si të atillë i cili nuk është i varur nga asnjë shtet i huaj dhe që është në gjendje të hyjë në marrëdhënie diplomatike me cilindo shtet tjetër.

Linja shtetcentrike, që ndryshe njihet edhe si statiste, konsiderohet shkolla më me ndikim në artikulimin e politikës së jashtme ruse, prandaj kjo linjë kishte disa përparësi diskursive në theksimin e vlerave të stabilitetit dhe sovranitetit shtetëror mbi atë të lirisë dhe demokracisë.

Ky realitet politik rus korrespondon me argumentimin e Richard Pipesit se konservatorizmi është fryma dominuese e mendimit politik rus, ndërsa pikërisht botëkuptimi shtetcentrik është artikulim i pozicionit nativist e konservator, në të cilin duhet të ruhej status quo-ja, integriteti territorial, stabiliteti, siguria dhe vlerat e vendosura shoqërore.

Në diskursin politik të këtij grupimi i hasim konceptet si ekuilibri i fuqisë, zona e influencës, ose statusi i fuqisë së madhe (velika derzhavnost), koncepte këto që zakonisht bëjnë pjesë në retorikën e doktrinës së real-politikës. Megjithëse të lartpërmendurit nuk dëshironin të shiheshin si neosovjetikë dhe si ringjallës të sistemit të vlerave komuniste, për ta Federata Ruse duhej të ishte pjesë e botës multipolare dhe të zë vend të merituar në sistemin ndërkombëtar, ngjashëm sikurse shtetet e tjera më të fuqishme të planetit.

Madje, për këtë arsye një ndër studiuesit më të spikatur rus të marrëdhënieve ndërkombëtare, Aleksei Bogaturov, pohoi se alternativa unipolare e pas-Luftës së Ftohtë nuk mund të zgjaste gjatë në të ardhmen dhe se disa fuqi do të dilnin për t’i sfiduar parimet unipolare me Rusinë në mesin e tyre.

Sipas këndvështrimit të tij, deri atëherë rendi botëror duhet të përcaktohet si unipolaritet pluralistPluralisticheskaya Odnopolarsnost. Ky koncept nënkupton se rendi ndërkombëtar nuk udhëhiqet nga një shtet i vetëm, por nga një grup shtetesh, shtatë ose tetë shtete më me ndikim në botë, ndërsa objektivi parësor i Rusisë duhet të jetë inkurajimi i tendencave drejt pluralizmit brenda sistemit.

Për botëkuptimin gosudarstvenik, hapësira post-sovjetike duhej të ishte zonë primare e influencës dhe hegjemonisë ruse, ndërsa Rusia, gjithashtu, duhet të jetë garantuese e stabilitetin politik dhe ushtarak në territoret e këtyre hapësirave.

Identifikimi me kombin për ta i përfshijnë rusët etnikë, rusishtëfolësit, të asimiluarit në kulturën ruse dhe ata të cilët janë të përkushtuar ndaj atdheut rus, pavarësisht origjinës etnike. (Kjo është arsyeja se pse kadirovët – brigadat çeçene nën udhëheqjen e Ahmed Kadirovit luftojnë krah për krah me ushtrinë ruse në Ukrainë. Ata tashmë, në perceptimin e Kremlinit, ndonëse ruajnë traditat dhe kulturën çeçene, duhet të jenë pjesë e shtetit shumëkombësh rus. Në rastin çeçen, sovraniteti politik është këmbyer me mirëqenien ekonomike dhe sociale –sado qofshin ato – që ua ofroi Moska pas periudhës së vitit 2000). Kjo mënyrë e identifikimit të kombit i ngjan përkufizimit të superthnosit, të zhvilluar nga antropologu rus Lev Gumilev, ku secili popull e zinte vendin e tij të veçantë, ndërsa në të njëjtën kohë i përkiste superethnosit më të madh, në këtë rast atij euroaziatik. Në të vërtetë, idetë e Lev Gumilevit, në një farë mase, zinin vend në kuadër të integrimeve euraziatike, që i projektoi elita politike ruse në krye me presidentin Putin.

Shtetcentristët argumentuan se Federata Ruse duhet të vazhdojë të zhvillohet përgjatë linjave demokratike dhe të orientuara drejt tregut, por me patriotizëm të theksuar dhe pa kopjuar verbërisht modelin perëndimor. Demokracia sovrane, në realitetin rus, lindi si rrjedhojë e këtyre botëkuptimeve.

Pikërisht produkt i kësaj linje politike llogaritet presidenti aktual Vladimir Putin dhe elita qeverisëse ruse, e cila përmes ideologjisë shtetcentrike e parasheh shtetin rus si një entitet me institucione të fuqishme, të centralizuar, madje qoftë edhe me përzierje të formës autoritare, gjithë kjo me qëllim që ta ruajë stabilitetin politik në vend, por njëherazi ta transferojë Rusinë në një aktor i cili është konkurrues në planin global!