Masakrat serbe ndaj shqiptarëve dhe përjetimi i tyre përmes këngëve popullore

Masakrat serbe ndaj shqiptarëve dhe përjetimi i tyre përmes këngëve popullore

Serbia ndaj popullit shqiptar ka ushtruar dhunë të paparë dhe për çdo periudhë kohore njihen nga disa masakra, për të cilat ne do t’i trajtojmë në këtë shënim pjesërisht, meqë kjo temë është shumë e gjerë, gjë që meriton një trajtim më të thelluar dhe më të detajuar për një të ardhme.

Shkruan: Nexhat ÇOÇAJ, Prizren

Në fillim duhet të theksojmë se klasifikimi epikës historike në disa nëngrupe, sipas periudhave historike, nuk i parasheh në kuadër të asnjërit nëngrup këngët epike që u kushtohen masakrave, që kanë bërë pushtuesit e huaj ndaj popullit shqiptar (Të shihet Folklori shqiptar, Universtieti i Tiranës, Instituti i Folklorit, Tiranë, 1972) e në veçanti serbët ndaj shqiptarëve gjatë shekullit XX. Pa dashur të bëj ndonjë riklasifikim në lidhje me epikën historike, mund të them se këngët që u kushtohen masakrave ndahen në dy grupe më të mëdha: në këngët epike që u kushtohen masakrave serbe nga viti 1912 deri në vitin 1941 dhe këngë që u kushtohen masakrave nga viti 1945 deri në vitin 1999, për t’u ndarë më pas në nëngrupe sipas ngjarjeve historike, siç mund të jenë masakrat e pushtimit të Mbretërisë Serbe, masakrat e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene, masakrat e Luftës së Dytë Botërore dhe masakrat në luftën e fundit të UÇK-së.

Në vazhdim do të përpiqemi që përmes këngëve të regjistruara ose të kënduara nga rapsodë të shumtë shqiptarë. Këngët kushtuar masakrave serbe ndaj popullsisë shqiptare kanë qenë bartëse besnike të ngjarjeve historike, të cilat në një formë ose tjetër i kanë lënë anash edhe historia, përkatësisht institucionet, të cilat kanë qenë në varësi të pushtetit. Në një mënyrë, edhe kujtesa kolektive deri vonë, përkatësisht deri në fund të shekullit XX, i shprehte masakrat serbe në mënyrë shumët të rezervuar ose edhe të kufizuar dhe atë nëpër ambiente të mbyllura dhe rrethe të ngushta. Pavarësisht këtyre lëshimeve, këngëtari popullor, përmes këngëve e ka prezantuar nëpër mjedise (oda) dhunën e ushtruar serbe ndaj shqiptarëve, në mënyrë që ajo dhunë dhe ai terror i bërë ndaj shqiptarëve të pafajshëm të mos harrohet dhe të mos mbetet nën hijen e historisë së padrejtë. Janë një numër i caktuar i këngëve, të cilat nisën të këndohen pas viteve të shtatëdhjeta për masakrat serbe ndaj shqiptarëve, siç janë masakra e Tivarit, masakrat që i ka shkaktuar Rankoviqi etj.

Ende pa u shpallur pavarësia e Shqipërisë, forcat serbe nisën masakrat mbi popullin shqiptar, e në veçanti ndaj popullsisë së mbetur jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë politike. Prandaj, me të drejtë historianët shqiptarë në studimet e tyre thonë se dhuna dhe terrori ndaj shqiptarëve filloi menjëherë pas pushtimit serb të Kosovës, në vitin 1912. Por, jo çdo masakër serbe ndaj shqiptarëve u përjetësua në këngë, që për kohën dhe për rrethana të caktuara ishte e barasvlershme me “postimet” e sotme në rrjetet sociale, për ta marrë dhenë, përkatësisht për t’u interpretuar nga të tjerët më lehtë dhe më shpejt.

Serbia ka ushtruar ndaj popullit shqiptar dhunë të paparë, andaj për çdo periudhë kohore njihen nga disa masakra, për të cilat ne do t’i trajtojmë në këtë shënim pjesërisht, meqë kjo temë është shumë e gjerë dhe meriton një trajtim më të thelluar dhe më të detajuar për një të ardhme.

Siç dihet botërisht, shpallja e pavarësisë së Shqipërisë ndodhi në kohën kur Kosova po lahej me gjak nga sulmet serbe, të cilat nuk pushuan pothuajse gjatë gjithë shekullit XX. E shoh të udhës që me këtë rast t’i përmend disa nga qindra masakra që ndodhën gjatë shekullit XX, për të cilat këngëtari jo se nuk deshi t’u kushtojë vëmendje, por për hir të së vërtetës ato pak gjetën mbështetje nga populli, që edhe kishte frikë nga përhapja e jehonës së këtyre këngëve. Disa nga masakrat serbe, deri në vitet shtatëdhjeta, që rapsodët u kushtuan këngë, janë: për masakrën e Ujzit, për masakrën e Rogovës së (prill 1941), për masakrën e Tivarit (prill 1945), për masakrat e aksionit të armëve (1955/56, që janë të njohura si periudha e Rankoviqit, për të ardhur më pas te masakrat që ndodhën gjatë luftës së fundit të luftës së UÇK-s siç janë: masakra e Likoshanit dhe Qirezit, më 28 shkurt dhe 1 mars 1998, masakra e Prekazit më 5-7 mars 1998, ku u vranë 59 shqiptarë, nga të cilët 55 janë nga lagjja e Jasharajve; masakra në Kleqkë, më 27 gusht 1998, masakra e Reçakut, më 15 janar 1999, ku u vranë e masakruan 43 banorë të këtij fshati, masakra e Rogovës së Hasit, më 29 janar 1999, ku u masakruan 26 shqiptarë, masakra e Leshanit, më 2 mars 1999, ku u vranë dhe u masakruan 29 shqiptarë, masakra e Skenderajt, më 20 mars 1999, ku u vranë 29 shqiptarë, masakra e Kotlinës, më 24 mars 1999, ku janë ekzekutuar dhe masakruar 26 persona, masakra e Podujevës, më 24 e 25 mars 1999, ku janë vrarë 36 persona, masakra e Godenit, më 25 mars 1999, ku u masakruan 28 banorë të këtij fshati, masakra e Celinës, më 25 mars 1999, ku u vranë e u masakruan 82 persona, masakra e Bellacërrkës, më 25 mars 1999, ku janë vrarë 46 shqiptarë, masakra e Krushës së Vogël, më 25 e 26 mars 1999, ku u masakruan 113 shqiptarë, masakra e Krushës së Madhe, po më 25 e 26 mars 1999, ku u masakruan 206 shqiptarë, masakra e Izbicës, më 28 mars 1999, ku u ekzekutuan 114 shqiptarë, masakra e Lugishtës së Hasit, ku u vranë 48 veta, masakra e Poklekut, më 17 prill 1999, ku u vranë 41 shqiptarë e dhjetëra masakra të tjera me qindra shqiptarë të masakruar, ku këngëtarët pothuajse për secilën nga këto masakra u kushtuan këngë, për t’ua transmetuar brezave dhunën serbe të ushtruar ndaj shqiptarëve.

Në secilën nga këto këngë flitet për ngjarjet që kanë përshkruar historinë e përgjakshme të popullit shqiptar. Në pamundësi që t’i trajtojmë të gjitha këto masakra, që u përjetësuan në këngë, do t’i përzgjedhim kësaj radhe disa prej këtyre, që mendojmë se janë përfaqësuese të periudhave të caktuara historike, për të parë se si kënga popullore e ka përjetuar dhunën serbe dhe si e ka përhapur e vazhdon ta përhapë edhe sot, me qëllim që kjo dhunë të mos harrohet, por të bëhet shkas për ta vazhduar jetën, duke u angazhuar në ndërtimin e shtetit, që i ka rrënjët e lara në gjak.

Kënga kushtuar masakrës së Ujzit, në të cilën në nëntor të 1913-tës u dogjën të gjallë 72 shqiptarë, anëtarë të familjes Gashi nga Ujzi i Hasit, e pasqyron në detaje ngjarjen se si kishte ndodhur kjo masakër. Ndonëse për numrin e saktë të të masakruarve në këtë masakër, nga konsujt e huaj në Prizren, kemi të dhëna të përafërta, burimet franceze detajojnë se “në Ujzi midis Gjakovës e Prizrenit Avdyl Zeqa me 20 anëtarë të familjes u dogjën, Ali Tafa me 9 pjesëtarë, Halil Sadiku me 6 pjesëtarë …” (Shaban Braha, Gjenocidi serbomadh dhe qëndresa shqiptare (1844-1990), Tiranë, 1991, f. 222.) Të dhënat historike, edhe pse kanë munguar edhe për këtë masakër, siç mungojnë edhe për masakrat e tjera, kënga popullore – përmes kujtesës kolektive – e ka ruajtur të freskët atë ngjarje, me qëllim që të mos harrohet historia dhe mizoritë serbe. Kënga e prezanton këtë masakër në këtë mënyrë:

“O muaj nandor 1913

N’histori ai ka me metë

Ka me metë në histori

Shkrue me gjak për shqiptari.

Bijt e shkinës në kamë janë que

trojet shqipe me i shkrumue

me xhandarë e me ushtri

Ujzit t’Hasit ia kanë msy.

Ujzit t’Hasit përpjetë po shkojnë

Avdyl Gashin pe rrethojnë

Avdyl Zeqa burrë i kuvendit

Ish pjesëmarrës i Lidhjes Prizrenit

N’Lidhjet’Prizrenit ke kuvendar…” (popullore)

 

(Vargjet janë cituar nga  rapsodi  Besim Muhadri.)

Masakrat që i bënin forcat serbe mbi popullsinë shqiptare kishin misione të qarta. Fillimisht kishin menduar që përmes kësaj masakre, gati në kufi me Shqipërinë administrative, t’ua pamundësonin shqiptarëve tentimet që të iknin për në Shqipëri, por të detyrohen të shkojnë në Turqi, ku e kishte edhe qëllimin kryesor politika hegjemoniste serbe. Gjithashtu masakrat serbe mbi popullsinë shqiptare asnjëherë nuk bëheshin pa ndonjë prapavijë të caktuar. Së pari zgjidheshin familjet me ndikim për mjedisin, përkatësisht i veçonin personalitetet me kontribut atdhetar, që ta neutralizonin çështjen kombëtare, siç ishte rasti i Avdyl Zeqë Gashit, pjesëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe njëri ndër krerët e Degës së LSHP-së për Has. Pos masakrës, aparati i dhunës serbe nuk lejoi që as të vrarët, përkatësisht të djegurit për së gjalli, të prehen të qetë në varr dhe varrosja e eshtrave të kësaj masakre u arrit pas dy viteve.

“Fjaltë s’vanojnë urdhni zbatohet

Gasht e Ujzitn’flakë mbulohen

I mloi flaka e timi i zi

Gjama e britma sa larg janë ndi

Gra, burra e fmi n’zjam janë djegë

Hiq ma pak se 70 vetë

Lajmi zi ka mbulue trollin

Dhimbje e madhe e pushtoi kombin

Ndjeu Evropa e krejt shqiptaria

Se çka bani n’Has Serbia

M’ia fikë hisen AvdylZeqës

Me u harrue për jetë t’jetës.” (popullore)

 

Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore janë të njohura shumë masakra serbe ndaj shqiptarëve përkundër propagandës për gjoja vëllazërim-bashkim. Kështu masakra e Rogovës  ndodhi në prag të Pashkëve të vitit 1941, me ç’rast u masakruan 64 të krishterë nga Kusari, Doli, Kushaveci, Bishtazhini e fshatra të tjerë dhe të gjithë të masakruarit më 15 prill u sollën në xhaminë e Rogovës, me qëllim që të fusin përçarje ndërmjet shqiptarëve të besimit katolik dhe mysliman. Por, kjo masakër i mobilizoi hasjanët edhe më shumë dhe më 1946, kur serbët deshën të kthehen si kolonistë, sepse deri para prillit 1941 ishin të vendosur në fshatrat e Hasit 705 familje, “falë” kësaj masakre nuk u lejuan që asnjë prej tyre të rivendoseshin në fshatrat e Hasit. Kënga popullore, e kënduar nga rapsodi Agustin Uka, që njihet me emrin “Masakra e Hasit e vitit 1941” e përjetëson këtë masakër dhe dhunën serbe ndaj shqiptarëve e përshkruan në këtë mënyrë:

“Ai Kral Pjetri n’kam ish çue

Shumë urgi na i ka bashkue,

O i hike Hasit shipi për ship

Mledhke t’vjetër besa mledhke t’i

Zullum t’rand ai u ka shti

O don me i gri more dy ka dy…”

 

Pasi i mbledhin mbi 50 burra të fshatrave, i nisin për në Rogovë të Hasit, ku është planifikuar të kryhet masakra. Kënga e përshkruan në këtë mënyrë këtë akt të krimit serb ndaj shqiptarëve:

“Po dojnë të gjithë me i gri

Se n’Rogovë i shtinë në xhami,

Po i rreshtojnë ata dy kah dy

O dy kah dy o i kanë rreshtue

O i kanë shti shahadet me maru

O janë ra n’guj tuj gjimue

Besa kaj batare jav kanë n’shue…”

 

Në periudhën e Luftës së Dytë Botërore masakra më e rëndë që bën regjimi serb ndaj shqiptarëve njihet masakra e Tivarit, e cila ndodhi në fillim të prillit 1945. Sipas të dhënave historike, shqiptarët e rekrutuar nga ushtria jugosllave u nisën për në frontin e luftës në tre grupe: grupi i parë, prej 3,700 vetash, u nis më 24 mars 1945; grupi i dytë, me 4,700 vetë, u nis me 26 mars dhe marshoi për katër ditë në vijën Prizren-Zhur-Kukës-Puk-Shkodër-Tivar dhe grupi i tretë, me 2,700 veta, u nis me 27 Mars 1945 dhe pas arritjes në Dubrovnik një grup prej 800 vetash u helmua nga një helm i panjohur pas vendosjes në një depo baroti, me pasoja fatale për shumicën. Mendohet se në këtë masakër u vranë 4,200 shqiptarë. Për këtë masakër u kënduan shumë këngë, meqë kënga ishte e vetmja mënyrë e përhapjes së kësaj të vërtete, që kishte ndodhur, sepse deri në fund të shekullit XX kjo masakër nuk përmendej në librat e historisë që mësoheshin në shkollat shqipe. Kënga popullore këtë masakër e shpreh në këtë mënyrë:

“Prej gjashtmdhejtë deri në gjashtëdhjet vjet

Në Kosovë mashkull o mos me met

Naj ka nisë o për Mal në Zi

I lan nanat me dur në gji.

Metën nuset pa burra t’ri

Edhe motrat pa vallzni…”

 

Kënga popullore kujton se populli, duke harruar të kaluarën, shumë here ka rënë pre e harresës kolektive, andaj sjell ndër mend dhunën dhe terrorin serb ndaj shqiptarëve në këtë mënyrë:

“Populli jonë, o besnik gjithmonë,

Shpesh me jetë o po i kushtojnë

Biringji në ato rrugë shkue

Në Prizren o i kanë tubu, o i kanë tubue.

Në të vjetrën atë kala

Një fjalim ua kanë ba

Për Tivar u thane kem me shku

Dojmë armikun o me luftu, o me luftue.

………………………………………………………

Vrajshin shqiptarë me bajonetë

Xhenazet metshin për korba t’shkret

Shoqi shojt shkojshin tuj thanë

Kush asht ma i zoti me vra shqiptarë…”

 

Këngët që i ngritën në përmendore masakrave të bëra nga forcat serbe ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare janë ato të luftës së fundit të UÇK-së. Sot aktualisht janë mbi 120 këngë të tilla, që u kushtohen masakrave e që fatkeqësisht për këtë cikël të këngëve nuk është bërë asnjë punim shkencor, për të shtjelluar jo vetëm përmbajtjen e tyre, por edhe mesazhin që përcjellin këto këngë për breznitë. As ne në këtë shkrim nuk pretendojmë të bëjmë shumë, por të paktën do ta nisim analizën me këngët e dy masakrave më të njohura që patën jehonë në botë, siç është masakra e Reçakut, masakra e Rogovës dhe ajo e Poklekut.

Fenomeni që duhet të veçohet në këngët, që u kushtohet masakrave  që kanë ndodhur në luftën e fundit është fakti për ndryshim të rregullimit të varreve, ku pothuajse në të gjitha varrezat, ku janë varrosur të masakruarit, janë vendosur edhe simbolet e UÇK-së, gjë që nuk e nënvlerëson peshën, por e dëmton argumentimin se në Kosovë forcat serbe kanë vrarë e masakruar qytetarë të pafajshëm e të paarmatosur. Prandaj, mund të themi se këngëtarët që u kanë kushtuar këngë këtyre masakrave kanë qenë më të kujdesshëm në shprehjet e tyre se si e kanë argumentuar masakrën. Më 15 janar të vitit 1999, në orët e hershme të mëngjesit, forcat policore dhe ushtarake serbe u futën në fshatin Reçak, ku pas disa orësh të zhvillimit të operacionit, vranë 45 civilë shqiptarë. Kjo masakër u cilësua si masakra që e ndryshoi historinë e Kosovës. Ajo u cilësua nga misioni i vëzhguesve si krim dhe masakër ndaj civilëve. Jehona e kësaj masakre dhe e asaj që ndodhi dhjetë ditë më pas në Rogovë të Hasit ndikoi që të ndryshojë qasja e botës ndaj Kosovës dhe në veçanti ndaj luftës së UÇK-së në përgjithësi. Masakra e Raçakut, për shkak të rëndësisë së saj, që i dha jehonë dhunës serbe në gjithë botën, është masakra që më së shumti i janë kënduar këngë. Janë më shumë se dymbëdhjetë variante të këngëve që i kushtohen kësaj masakre dhe secila në formën e vet e prezanton ngjarjen. Rapsodi Valon Haliti shprehet në këtë mënyrë përmes këngës që ia ka dedikuar kësaj masakre:

“Kur Kosovën e mbuloi gjaku

N’histori hyri i Reçaku

Kjo masakër besa historike

O ra si bomba atomike.

Ra si bume, o për mbi njerzimin

O n’shqiptari o e rriti krimin

Kur Kosovën e mbulo tmerri

Aty erdh vet ViliamVokeri….”

 

Ndërkaq rapsodi tjetër popullor, Sadik Krasniqi, e shpreh në këtë mënyrë interesimin e vëzhguesve:

“Çka me ni e çka ame pa

I tan Reçaku në gjak asht la

Në Prishtinë naj shkoi haberi

Në vend të ngjarjes erdh Vokeri…

Është betu burri atë ditë

Këtë masakër n’dritë kam me qitë.”

Ndërsa në këngët tjera të kësaj masakre kemi edhe përshkrime e përjetime të rënda të familjarëve të të vrarëve. Kështu rapsodi Jeton Fetiu, duke e përshkruar përjetimin e një vajze shtatëvjeçare, e cila i afrohet babait të saj të vrarë shprehet:

“Në Reçak, o bash n’atë kodër

Fort po kanë një vajzë e vogël

Shtatë vjeçare ajo sabi

Kishte ra babës vet përmbi

Lot e saj po i shkojnë si shi

Gjakun e babës tuaj ja fshi

Zoti ju vraftë juve more shki

M’lat pa bab bre m’lat pa shpi

M’lat pa motra e pa vllazbi,

Po ni besë babë po ta jap

O ni vllat’vlla o qi e kam

Kam me rrit e me bataman

Me ta marr baba gjakun tan…”

Po kaq peshë historike ka edhe masakra e Rogovës së Hasit, e cila ndodhi më 29 janar, për të cilën u thurën disa këngë, të cilat janë shumë të ngjashme me këngët e masakrës së Raçakut, mbase për shkak se ndodhën në të njëjtin interval kohor dhe ndikimi i vëzhguesve ndërkombëtarë ishte shumë i madh në të dy këto raste.

Të gjitha  këngët që u kushtohen masakrave serbe, që janë barë gjatë viteve të luftës, janë shumë emocionale, sepse këngëtarët në përputhje me ngjarjet reale që kanë ndodhur i përshkruajnë në mënyrë artistike ato vrasje, gjaku i të cilëve u shndërrua në gurthemel të pavarësisë dhe të shtetndërtimit të Kosovës.

Në poklek të Drenicës, në lagjen Muqolli

Pranvera me gjak dimrin e përcolli

‘do me pa Poklekun as në hartë

Rrufeja i godet veç lisat e lartë.

…………………………………………

Por kur t’jakthejsh armën shaku e ka zanat

ik e shkon e i vret njerzit duar thatë

Shaku lyp veç gjak e nuk lyp arsye

Trimave çlirimtarëve nuk kush ju ka kthye

Me vra gra e motra trimave të lirisë

Emblemave të krahut pse ua kanë qendisë….”

 

Në fund të këtij punimi të shkurtër duhet të theksoj se këta pak rreshta duhet të merren vetëm si një përpjekje për t’i prezantuar vuajtjet dhe masakrat e shumta në Kosovë, shumë prej të cilave u përjetësuan në këngë. Gjithashtu, duhet të theksoj se me këtë rast janë përzgjedhur vetëm disa këngë, e që në fakt ka pasur vend edhe për shumë të tjera, ndërsa në një të ardhme duhet të përmblidhen të gjitha këngët që u janë kushtuar masakrave që i ka shkaktuar regjimi serb ndaj shqiptarëve gjatë shekullit XX e në veçanti në luftën e fundit në Kosovë më 1999, madje pse jo edhe të bëhet një studim i zgjeruar në këtë fushë, që në fakt i mungon literaturës sonë.

“Kënga është vaji i popullit” – thoshin të moshuarit, andaj pse të mos e përjetësojmë atë vaj, në një të ardhme të shkurtër, në një vepër muzikologjike.