Marrëveshja me kishën serbe, Abazoviqit i del kundër partia e Gjukanoviqit

Marrëveshja me kishën serbe, Abazoviqit i del kundër partia e Gjukanoviqit

Qeveria e Dritan Abazoviq nuk e ka më mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS).

Kështu është shprehur zyrtari i kësaj force politike, Jevto Erakoviq pas mbledhjes së Kryesisë së partisë këtë të diele, shkruan RTCG.
Partia e kryesuar nga presidenti Milo Gjukanoviq, lëshoi një deklaratë ku theksohet keqardhja për ndryshimin e kursit politik të Malit të Zi, ku përmendet edhe miratimi i Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Sipas DPS, marrëveshja është votuar pa u konsultuar, ka mangësi të shumta që janë shpallur publikisht nga opinioni profesional, përfaqësues të sektorit joqeveritar e subjekte të shumta politike si dhe përbën rrezik për shtetin.
Të premten, qeveria malazeze e drejtuar nga Dritan Abazoviq miratoi Marrëveshjen Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Nga 18 ministra të pranishëm, 13 prej tyre votuan pro ndërsa 5 abstenuan.

Ndërsa, mijëra qytetarë u mblodhën të enjten mbrëma në Podgoricë për të protestuar kundër nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje.

Protestuesit mbanin flamujt kombëtarë, të Bashkimit Evropian si dhe pankarta ku shkruhej se kryeministri Abazoviq, “do të përgjigjej për keqbërjet e tij”.

Qeveria e Abazoviqit mbahet nga votat e deputetëve të partisë së Gjukanoviqit.