` . Maqedonia si model për ndjekjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve - TV SHENJA

Maqedonia si model për ndjekjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve

Serbia përmes ish federatës jugosllave, donte ta përdorte Maqedoninë si territor provues jo vetëm për ta kufizuar rritjen demografike të shqiptarëve, por edhe për ta reduktuar shkollimin shqip dhe perspektivën e përgjithshme të shqiptarëve në Kosovë. Menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë në vijën antishqiptare ishte krijuar blloku serbo-malazezo-maqedon, kurse pas gjysmës së këtyre viteve në këtë front ishin inkuadruar edhe boshnjakët, kroatët dhe sllovenët.

Shkruan: Hivzi ISLAMI, Prishtinë

Për më se një shekull e gjysmë nuk prajtën përpjekjet e qarqeve hegjemoniste serbe për shkatërrimin e homogjenitetit etnik të trojeve shqiptare, për kolonizimin e Kosovës me elementin serb, për ndërrimin e kompozicionit etnodemografik dhe spastrimin etnik të tokave shqiptare, për dobësimin e forcës vitale të popullatës shqiptare dhe për pengimin e përtëritjes normale biologjike përmes masave të ndryshme të presionit e të dhunës deri te ndërmarrjet e hapëta gjenocidale, para së gjithash përmes ndjekjes së të rinjve dhe deportimit masiv të popullsisë shqiptare. Këto veprime dhe tendenca u ndalën vetëm në përfundim të shek. XX, kur u mposht definitivisht makineria militariste dhe policore serbe nga forcat e NATO-s.

Qasja neomaltusianiste dhe shoviniste e sllavëve të jugut ndaj dimensionit demografik të shqiptarëve

Për t’i jetësuar aspiratat shekullore për dominim dhe hegjemoni ndaj Kosovës, përveç me të ashtuquajturën “të drejtë historike” dhe Kosovën si “territor të shpirtit mesjetar serb”, spekulonin pandërprerë edhe me “argumentin demografik” me qëllim që Kosova të kundrohej si “çështje ekskluzivisht serbe” dhe “ekzistencë e popullit serb” (D. Bogdanović), ndërsa shqiptarët të privoheshin edhe nga të drejtat e tyre historike, edhe të drejtat e tyre aktuale, dhe atë jo vetëm për të vendosur vetë për fatin e tyre, por edhe për të jetuar në Kosovë! Sipas tyre, shqiptarët na qenkan këtu “element i huaj”, “i ardhur” këto 2-3 shekujt e fundit, madje edhe pas vitit 1941 si “uzurpatorë” në territorin e “shpirtit mesjetar serb” etj. (H. Islami). Prandaj, këto 150 vjetët e fundit ndërmorën veprime të pandërprera për ndërrimin e kompozicionit etnodemografik përmes politikës së spastrimin etnik të tokave shqiptare dhe kolonizimin e tyre me element serbosllav, pastaj përmes presionit e dhunës së pandërprerë deri te ndërmarrjet e hapëta gjenocidale. Politika e dëbimit të shqiptarëve vazhdoi gjatë gjithë gjysmës së parë të shek. XX, por dhe pas Luftës II Botërore preokupim kryesor i Serbisë dhe i ish-Jugosllavisë ishte që problemi i shqiptarëve përsëri të zgjidhej me dëbim në Turqi, kryesisht në shkretëtirat e Anadollit.

Në të gjitha projektet serbe të dy shekujve të fundit ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, si pjesë të programit nacional serb, plleshmëria e femrës shqiptare konsiderohej si një nga pengesat më të mëdha në mposhtjen e faktorit demografik shqiptar dhe në realizimin e aspiratave shtetmëdha serbe. Shkolla e Cvijiqit dhe në mënyrë më transparente angazhimet e Klubit Kulturor Serb (1937), ku shquhej Çubrilloviqi, i cili qysh në elaboratin e tij fashizoid kundër shqiptarëve e veçonin këtë komponent të progresit demografik të shqiptarëve. Në elaboratin e vitit 1937, qartë racist, V. Çubrilloviqi theksonte: “Në rastin tonë duhet pasur parasysh aq më parë që kemi të bëjmë me një racë të gjallë, të fuqishme dhe të plleshme për të cilën i ndjeri Cvijiq ka thënë se është raca më ekspansive në Ballkan. Gjermania prej vitit 1870 deri në vitin 1914 ka shpenzuar shumë miliarda marka që, gradualisht, duke e blerë tokën nga polakët, t’i kolonizojë trevat e veta lindore. Por, pllshmëria e nënave polake ka ngadhënjyer mbi organizimin gjerman dhe paratë gjermane. Në vitin 1918 Polonia e mori prapë Poznanjin e vet. Statistikat tona të vitit 1921 dhe të vitit 1931 tregojnë se edhe pjellshmëria e grave shqiptare ka ngadhënjyer mbi politikën tonë të kolonizimit” (V. Čubrilović).

Nga fillimi i viteve të 80-ta të shek. XX, diskursi ndaj dimensionit demografik të Kosovës, veçanërisht ndaj natalitetit të shqiptarëve ishte sa neomaltusianist, aq edhe shovinist; ai zhvillohej në mungesë të plotë të gjykimit racional, duke u injoruar ligjësitë objektive të zhvillimit shoqëror dhe qasjet humaniste e shkencore ndaj zhvillimit të popullsisë së një kombi të tërë. Jo vetëm që me të madhe përdoreshin termat “eksplozion demografik” dhe “ekspansion demografik” i shqiptarëve të kohës së dominimeve kolonialiste dhe neokolonialiste, por indoktrinimi antinatalist dhe antishqiptar kishte marrë përmasa të gjera në të gjitha shtresat e shoqërisë serbo-jugosllave, saqë fyhej rëndë femra shqiptare, e cila në çdo forum politik dhe në mediume cilësohej si “makinë për prodhimin e fëmijëve”. Në mitingjet populiste-nacionaliste të kohës së regjimit të Millosheviqit, ku bëhej homogjenizimi dhe mobilizimi etnik i masave serbe dhe ku shfrytëzohej e tërë energjia e popullit “hyjnor” serb kundër shqiptarëve dhe përgatitjes për konfrontim me të gjithë popujt joserbë, nxirreshin parulla me përmbajtje thjesht raciste e gjenocidale, si p. sh. “Shqiptarët shumohen shumë, por farën e kanë të prishur”, “Shqiptarët duhet dëbuar”, “Shqiptarët duhet vrarë” etj! Ose, siç ndodhi në fshatin Batusë afër Prishtinës në vitin 1987 kur me insistimin e ideologut serbomadh dhe ish-kryetarit të Serbisë, Ivan Stambolliq, pas rrënimit të shtëpisë para kamerave televizive, familja shqiptare me 10 anëtarë u dëbua nga fshati, ndërsa me kërkesën e kryetarit të organizatës partiake të Beogradit, Dragisha Pavlloviq, në fabrikën e posandërtuar në këtë fshat (1987) nuk u pranua në punë asnjë shqiptar. Këto monumente segregacioniste dhe raciste, që i ngriti pushteti serb, nuk kishin se si të fshiheshin nga kujtesa e qytetarëve shqiptarë.

Në Maqedoni nisi çdo e keqe ndaj shqiptarëve

Serbia përmes ish federatës jugosllave, donte ta përdorte Maqedoninë si territor provues jo vetëm për ta kufizuar rritjen demografike të shqiptarëve, por edhe për ta reduktuar shkollimin shqip dhe perspektivën e përgjithshme të shqiptarëve në Kosovë. Menjëherë pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë në vijën antishqiptare ishte krijuar blloku serbo-malazezo-maqedon, kurse pas gjysmës së këtyre viteve në këtë front ishin inkuadruar edhe boshnjakët, kroatët dhe sllovenët. Maqedonia sikur shihte frikë edhe më të madhe nga numri i shqiptarëve dhe dinamika e tyre natyrore demografike. Numri zyrtar i shqiptarëve në vitin 1981 në Maqedoni ishte 377.726 ose 19,8% në popullsinë e përgjithshme (në punësim merrnin pjesë vetëm me 6,7%).

Trendi i lindshmërisë dhe i rritjes së numrit të popullsisë shqiptare në Maqedoni një kohë relativisht të gjatë ishte bërë faktor shumë shqetësues për qarqet politike dhe kulturore maqedonase. Në vitet e ‘80-ta të shekullit të kaluar pushteti maqedonas nxori disa rezoluta e dekretligje dhe ndërmori një varg masash administrative të tipit indiano-kinez për pengimin e lindjeve të shqiptarëve, por edhe për kufizimin e ardhjeve të tyre në Maqedoni nga viset jashtë saj dhe nga fshati në qytet brenda vetë Maqedonisë. Edhe në nivel të komunave u nxorën vendime dhe dekrete për të ushtruar presion në sferën e lindjes, duke insistuar që familjeve që kishin mbi dy fëmijë t’u kufizohej e drejta për shkollim, punësim, mbrojtje shëndetësore të fëmijëve etj. Për ngushtimin e perspektivës së përgjithshme të shqiptarëve dhe trajtimit të tyre si qytetarë të dorës së dytë dhe si pakicë kombëtare, Maqedonia u bë territor provues për të gjithë shqiptarët në ish-Jugosllavi. Politika shtetërore e Serbisë dhe institucionet shkencore e kulturore të saj gjatë gjithë pjesës së dytë të shekullit XX përpiqeshin që të gjitha metodat e egra të mundshme kundër shqiptarëve në Kosovë dhe në tri komunat në lindje të Kosovës (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja) më parë të provoheshin te shqiptarët e Maqedonisë në mënyrë që më lehtë t’i zbatonin pastaj edhe në Kosovë, çfarë ishte p. sh. rasti me reduktimin natalitetin, arsimin në gjuhën shqipe, statusin politik të shqiptarëve etj.

Numri dhe shtrirja e shqiptarëve

Shqiptarët në Maqedoni, përveç në anën lindore, në të gjitha anët e tjera kufizohen me rajonet e banuara me shqiptarë: me Shqipërinë, Kosovën dhe komunën e Preshevës, ku afër 98% janë shqiptarë. Shqiptarët në Maqedoni gjatë gjithë historisë së tyre ishin pjesë përbërëse e tërësisë etnike, duke marrë pjesë aktive në të gjitha proceset dhe lëvizjet kombëtare, politike dhe ekonomike të kombit shqiptar. Ata sot shtrihen në 355 vendbanime, ku pjesa dërmuese janë të tipit rural dhe atë kryesisht në Maqedoninë Perëndimore. Ata jetojnë sot këtu në një numër të madh dhe kanë një shtrirje territorialisht të pakëputur, duke filluar nga shpatet lindore të Malit të Zi, të Shkupit (Karadaku), fushëgropës së Shkupit, shpatet e Maleve të Sharrit dhe fushës së Pollogut, e deri te liqenet e Ohrit dhe të Prespës. Numrin e vërtetë të tyre pushteti maqedonas gjithnjë e ka fshehur, duke manipuluar me të dhënat në të gjitha regjistrimet zyrtare të popullsisë. Edhe në regjistrimin e vitit 1994, të bërë kinse nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, ligji maqedonas mbi regjistrimin e popullsisë nuk mundësoi përfshirjen e plotë të shqiptarëve, ku vlerësohej se rreth 30% e tyre mbetën pa u evidentuar.

Më tepër shqiptarë në Maqedoni jetojnë në rajonin e Shkupit, pastaj në Tetovë me rrethinë, ku dominojnë (mbi 70%), në Gostivar me rrethinë (mbi 65%), në Dibër me rrethinë (mbi 50%; si qendër urbane mbi 75%), në rrethinat e Strugës dhe të Kërçovës (mbi 50%), në rajonin e Kumanovës (rreth 40%) etj., ndërsa në numër më të vogël jetojnë në rrethinat e Manastirit, të Ohrit, të Resnjës, të Krushevës, të Velesit etj. Në zonën e qytetit të Shkupit ose në bashkësinë e komunave të Shkupit jetojnë rreth 200.000 shqiptarë, ndonëse statistika zyrtare i paraqet më pak në saje të ndarjeve territoriale-administrative që i konvenojnë pushtetit maqedonas (në regjistrimin zyrtar më 1981 u evidentuan 86.804 ose 22,5%, sipas vlerësimit të Entit Maqedonas të Statistikës, më 1991 ishin 99.225 ose 17.6%; në regjistrimin e bërë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare më 1994 u evidentuan 441.104 shqiptarë, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2002 edhe më pak – 71.483 ose 15,2% në popullsinë e gjithmbarshme). Shkupi deri vonë, pas Tiranës, njihej si qendra e dytë urbane me numër të shqiptarëve, ndërsa sot, sipas instancave zyrtare maqedonase, vjen jo vetëm pas Prishtinës, por edhe pas Prizrenit dhe Pejës. Regjistrimi i vitit 2002 është realizuar në bazë të ndarjes administrativo-territoriale të vitit 1996, që ishte më e dëmshmja për shqiptarët, sepse disa vendbanime ku dominonte popullata shqiptare, që i takonin zonës urbane të Shkupit, i lente jashtë saj.

Në fillim të shek. XX Shkupi kishte shumë shqiptarë, madje mbi gjysma e popullsisë ishte shqiptare. Sipas Institutit Kartografik të Sofjes të vitit 1903, që përmban një statistikë të plotë të vilajeteve të Selanikut, të Kosovës e të Manastirit, nga gjithsej 10.355 shtëpi sa kishte kazaja e Shkupit, 5.941 ose 57,3% ishin shtëpi shqiptare (të tjerat ishin bullgare e serbe dhe pak turke, vllahe e çifute), ndërkaq nga 4.474 shtëpitë e qytetit të Shkupit, 2.336 ose 52,8% ishin shqiptare, kurse të tjerat ishin rome, çifute dhe vllahe. Këto të dhëna për qytetin e Shkupit pothuajse përputhen me rezultatet e statistikës turke të viteve 1908-1909, sipas të cilave shqiptarët përbënin 55,5% të popullsisë së gjithmbarshme të qytetit (Shqipnia përpara Konferencës së Paqës, Ble i Parë – dokumenta zyrtarë të paraqitun nga ana e Dërgatës Shqiptare, qysh prej 12 shkurt e deri më 5 qershor 1919, e të botuem nga ana e Qeverriës së Përkohshme, Roma, 1919, f. 390).

Menjëherë pas Luftës II Botërore, sipas regjistrimit të parë zyrtar (1948), shqiptarët përbënin afër një të pestën e popullsisë së Shkupit. Më vonë përbërja etnike e qytetit u ndërrua në saje të ardhjes më masive të maqedonasve në të nga viset e tjera të Maqedonisë, veçanërisht pas tërmetit të vitit 1963. Në përgjithësi është rritur përqindja e popullsisë maqedonase në qytete pas Luftës II Botërore; niveli i urbanizimit të saj në vitin 1991 ishte rreth 60%. Ndër të gjitha komunitetet kombëtare koncentrimi më i vogël në qytete është i shqiptarëve; sipas vlerësimit të vitit 1991, vetëm një e treta e shqiptarëve jetonte në qendrat urbane të Maqedonisë (32,8%).

Atmosfera dramatike e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi

Nën parullën kinse të nacionalizmit agresiv shqiptar, pushteti maqedonas e theksonte vazhdimisht problemin e natalitetit të shqiptarëve dhe ardhjen e tyre “masive” nga Kosova në territorin e saj. Prandaj e ndaloi rreptësisht ardhjen e shqiptarëve nga Kosova dhe trojet e tjera etnike shqiptare, ndërsa ndaj popullatës shqiptare në Maqedoni ndërmori një varg masash në reduktimin e të drejtave në lëmin e shkollimit e të komunikimit publik në gjuhën shqipe, në kufizimet në punësim, në shtesa të fëmijëve, në mbrojtje shëndetësore të fëmijëve tepricë etj. Ky pushtet nxori edhe ligjin mbi kufizimin e ardhjeve të shqiptarëve në vendbanimet e Maqedonisë, ku përsëri, sikurse edhe te nataliteti, filloi nga Tetova (S. Drakulić). Ai frikësohej se nga shtimi mekanik (imigrimi) dhe shtimi natyror shqiptarët kinse do ta krijojnë “Kosovën e Dytë në Maqedoni, “Shqipërinë e Dytë” në Maqedoni dhe “Shqipërinë e Madhe”. Çdo kërkesë elementare njerëzore dhe kushtetuese e shqiptarëve nga politika zyrtare maqedonase dhe jugosllave kualifikohej si kërkesë “kundërrevolucionare”!

U konstruktua teza për “vërshimin” e shqiptarëve nga Kosova në Maqedoni, që shfrytëzohej si justifikim për sulm të paparë kundër shqiptarëve të atjeshëm. Sa e sa herë është folur e shkruar pas vitit 1981 për tezën e rrejshme se vetëm në komunën e Tetovës në vitet e fundit nga Kosova kanë ardhur më tepër se 15.000 shqiptarë, ndonëse sipas regjistrimit zyrtar të vitit 1981 në tërë territorin e Maqedonisë nga Kosova kishin ardhur 21.245 veta gjatë gjithë shekullit XX, ndërkaq ardhja më e madhe ishte shënuar në periudhën 1946-1970, ku dominonin migrimet e martesave, ndërsa sipas të dhënave të lajmërim-çlajmërimit, prej 01.06.1983 deri më 31.12.1988 nga Kosova në Maqedoni kanë ardhur gjithsej 1.154 persona. Është e vërtetë se Maqedonia ishte “atraktive” për shqiptarët në vitet e ‘50-ta e të ‘60-ta të shekullit kaluar, kur rridhte intensivisht shpërngulja për në Turqi. Këtu ndërrohej përkatësia kombëtare në atë turke dhe këtu merreshin pasaportat dhe vizat (visikat). Për këto qëllime funksiononin shërbimet speciale ditën dhe natën, të cilat përgatitnin dokumentet e shpërnguljes.

Periudha e shpërnguljes masive ishte ajo e viteve 1953-1961, por numri i popullsisë së shpërngulur dhe sipas nacionaliteteve nuk dihej. Përmendet se vetëm “në periudhën 1955-1958 janë shpërngulur nga Maqedonia 160.000 turq” (D. Anakiovski), ndërkaq ky emigrim ka qenë më markant më vonë, pas vitit 1958. Theksohej gjithashtu se “migrimi i popullsisë myslimane në periudhën 1953-1961, marrë johistorikisht, është fenomen që bën përjashtim” (D. Vogelnik). Sociologu maqedonas, me prejardhje shqiptare (ortodoks), J. Sinadinovski, atmosferën në të cilën është zhvilluar procesi i shpërnguljes në Turqi, e përshkruan si dramatike: “Për atë që nuk ka mundur ta përcjellë atmosferën në të cilën në periudhën e mëparshme është zhvilluar shpërngulja masive dhe qëndrimi ndaj pjesëtarëve të kombësisë shqiptare dhe turke, kjo dukuri mund të duket sot shumë enigmatike. Mirëpo, ajo bëhet e kuptueshme vetëm kur të kihen parasysh këto fakte: së pari, procesi i shpërnguljes masive të turqve dhe shqiptarëve ka filluar pas vitit 1958, edhe pse grupet e para të pjesëtarëve të tyre nisën të shpërngulen nga Maqedonia që nga vitit 1953 dhe diçka më herët; së dyti, të përfshirë në psikozën e shpërnguljes masive dhe nën ndikim të drejtpërdrejtë të saj, shqiptarët filluan në pikëpamje kombëtare të deklarohen si turq; më shumë u deklaruan kështu ata të cilët si të papërcaktuar në pikëpamje kombëtare filluan të vijnë suksesivisht nga Kosova, Sanxhaku dhe BeH. Si një nga shkaqet e shpërnguljes mund të konsiderohet gjithsesi edhe fakti se pjesëtarët e këtyre kombësive e kanë ndier veten si të huaj në kushtet e reja të ndërtimit socialist në Jugosllavi” (J. Sinadinovski ).     Për shpërnguljen në masë ka rëndësi të madhe krijimi i psikozës për shpërngulje: “shkuan të gjithë”, “mbetëm vetëm ne”, “nuk jemi ne më të mençurit”, “mbesim pakicë, na mbysin” etj. Këtij fakti i jepte shumë rëndësi autori i “etnisë së pastër”, V. Çubrilloviqi, në elaboratin e tij të vitit 1937, të cilin e nënvizon edhe J. Sinadinovski. Një nga mënyrat e krijimit të psikozës për shpërngulje në masë, sipas Çubrilloviqit, është fakti se “Dihet se masat myslimane në përgjithësi bien shumë lehtë nën ndikim, sidomos fetar, sepse besojnë lehtë dhe janë fanatike. Prandaj, për shpërnguljen e shqiptarëve duhej të përfitoheshin klerikët e tyre dhe paria autoritative ose me para ose me kërcënime. Duhej të gjendeshin sa më parë agjitatorët që do të agjitonin për shpërngulje, sidomos në qoftë se vetë Turqia do të donte t’i pranonte. Ata duhej ta përshkruanin bukurinë e viseve të reja të Turqisë, jetën e lehtë dhe të këndshme atje, të ndezin në masa fanatizmin fetar dhe ta zgjojnë tek ata krenarinë shtetërore turke” (V. Çubrilloviq).

Se si manipulohej me përkatësinë kombëtare këtë më së miri e tregon gjuha amtare që e ka folur atë kohë bashkësia turke. Sipas regjistrimit të vitit 1953, për kombësi turke ishin deklaruar në ish-Jugosllavi 259.535 banorë, ndërsa kishin deklaruar se gjuhën turke e flisnin vetëm 181.887 veta (Popis stanovništva 1953. Narodnost i maternji jezik, SZS, 1959). Ndërsa, sipas regjistrimit të vitit 1961, e në bazë të të dhënave që i kishte përpunuar Qendra për Hulumtime Demografike e Beogradit, prej 182.964 turqve sa ishin evidentuar me deklarim, vetëm 90.883 (50%) e kanë folur gjuhën turke (CDI, IDN, Beograd, 1978). Shpërngulja në Turqi la pasoja të shumta në të gjitha sferat e jetës, e para së gjithash në pasqyrën etnodemografike të shumë fshatrave shqiptare: pasoi procesi i shpopullimit. Një numër i madh i fshatrave mbeti krejtësisht pa njerëz, ndërsa shumë sipërfaqe të punueshme u shndërruan në kullota e lëndina, kurse në qytete pothuajse u zhdukën disa zanate e veprimtari të tjera shërbyese me të cilat merrej popullsia e shpërngulur (M. Panov). Edhe shqiptarët e Maqedonisë, të ngulitur në Turqi, janë grupuar dhe organizuar në shoqata dhe grupe folklorike, që mundësojnë ruajtjen e identitetit te një pjesë e migrimit të vonë, të pas-Luftës II Botërore, si p.sh. në qytetet e mëdha (Stambolli, Bursa, Izmiri, Adana, Adapazari etj.). Janë të njohura shoqatat që i mbajnë emrat sipas krahinave prej nga kanë ardhur: e gostivarasve, e pejanëve, e tetovarëve, e prishtinasve, e gjilanasve, e kumanovasve, e kërçovarëve, e prizrenasve etj. (G. De Rapper).

Numri i saktë i të ardhurve nga Kosova dhe nga viset e tjera në Maqedoni nuk dihet, sikundër që nuk dihet as numri i saktë i të shpërngulurve shqiptarë në Turqi, ngase këto të dhëna ishin fshehtësi shtetërore. Në rrethanat kur në mënyrë ekspansive shtoheshin përpjekjet për reduktimin e të drejtave të shqiptarëve dhe represionin e madh ndaj tyre në Maqedoni (burgosjet, përjashtimet e arsimtarëve nga puna, mbyllja e shkollave, rrënimi i mureve, ndjekja e zejtarëve privatë etj.), ishte krejtësisht e qartë se kjo republikë nuk mund të ishte atraktive për imigrantë shqiptarë nga Kosova dhe rajonet e tjera. Për shembull, rrënimi i mureve të shqiptarëve ishte pjesë e elaboratit të V. Cubrilloviqit të vitit 1937 dhe ajo që mbeti pa u realizua atëherë, pushteti komunist maqedonas nisi ta realizojë pas vitit 1981. Fushata filloi me agresivitet dhe u ndal pas një incidenti në fshatin Haraçinë, i cili përfundoi me një shqiptar të mbytur nga muri i rrënuar. Masa e tubuar e mori arkivolin dhe u nis në këmbë për në Shkup dhe para Kuvendit të Maqedonisë e ekspozoi arkivolin. Qëllimi i pushtetit maqedonas, sikurse edhe i pushtetit serbo-jugosllav ishte që të krijohej klima e mosdurimit dhe ata të merrnin rrugën e braktisjes së vendit të tyre. Zinxhiri i shpërnguljes në Turqi sikur pëlciti para Plenumit IV të Brioneve (01.07.1966) kur u mënjanua nga pushteti policor e komunist A. Rankoviqi. “Para botës, Jugosllavia socialiste nuk mundi më të angazhohej për interesa ekstreme serbe, çfarë është ringjallja e Kosovës serbe”! (Sh. Maliqi).

Çdo zgjerim demografik të shqiptarëve drejt Maqedonisë Qendrore, Podgoricës dhe Serbisë së Jugut, përmes komponentit imigrues në vitet e ‘80-ta të shekullit të kaluar, shpjegohej si “zgjerim i hartës nacionaliste të Shqipërisë së Madhe” (S. Šuvar). Në anën tjetër, pushteti jugosllav i akuzonte pandërprerë shqiptarët se vetë po hyjnë në geto etnike, kulturore dhe sociale. Pas viteve të ‘80-ta të shek. XX shqiptarëve u ndalohej madje edhe ardhja në fshatrat serbe dhe serbo-shqiptare, sikurse në Maqedoni ardhjet e shqiptarëve në vendbanimet të banuara me shumicë maqedonase!

Shqiptarët në Maqedoni kishin një shpërngulje masive, që u reflektua drejtpërdrejt në lëvizjen e numrit të popullsisë së tyre. Si para Luftës II Botërore, ashtu edhe pas saj, shumë shqiptarë nga ky vend ishin të përfshirë në valët intensive të emigrimit në Turqi, ndonëse të gjitha instancat maqedono-jugosllave i cilësonin si turq. Meqenëse vetëm si turq mund të shpërnguleshin me lehtë në Turqi, në vitet e ‘50-ta e ‘60-ta (regjistrimet zyrtare 1953 dhe 1961) filloi deklarimi masiv i shqiptarëve si turq, gjë që vërehej edhe nga rritja ekspansive e numrit të turqve. Në Shkup funksiononin shërbime speciale, të cilat i përgatitnin dokumentet e shpërnguljes, pasaportat dhe vizat (“visikat”) dhe ndërrimin e përkatësisë kombëtare, si vazhdim i fushatës mirë të konceptuar dhe të organizuar i viteve të ‘30-ta të shek. XX. Fushata e viteve të ‘50-ta të shekullit të kaluar, për dëbimin e shqiptarëve, ishte bërë me dijen dhe nxitjen e kreut të shtetit jugosllav, përfshirë J. B. Titon, i cili për këtë qëllim edhe kishte marrë pjesë në takimet me autoritetet turke. “Rezultati formal ishte Konventa për shpërnguljen e ‘elementit josllav’ (200.000 njerëz) nga viti 1938 dhe e ashtuquajtura “Marrëveshje xhentlemene midis Titos dhe shefit të diplomacisë turke, Koprili” (Fuad Koprili, ministër Punëve të Jashtme të Turqisë – H.I.) nga viti 1953, e cila duhej ta “ringjallte” konventën e mëparshme (1938) nëpërmjet formës së “bashkimit të familjeve” (Dr. Vladan Jovanović, bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin për Histori të Re të Serbisë, në radio-emisionin Peščanik, Beograd, 29.03.2013).

Politika e reduktimit të të drejtave kombëtare dhe qytetare të shqiptarëve edhe pas Plenumit të Brioneve (1966)

Edhe pas ndërrimit të raporteve politike në ish-Federatën Jugosllave (1966 e këndej) dhe ndërprerjes së shpërnguljes në Turqi, në Maqedoni vazhdoi politika e reduktimit të të drejtave kombëtare e qytetare të shqiptarëve. Për këtë arsye shumë shqiptarë nga Maqedonia nisën të vinin në Kosovë, kryesisht të rinjtë përmes shkollimit. Pasi Kosova fitoi një shkallë të autonomisë dhe nisi të trajtohej si entitet i veçantë në ish-Federatën, u hap Universiteti dhe shumë shkolla të mesme, të cilat për shqiptarët në Maqedoni mungonin. Andaj shqiptarët e atjeshëm vinin në Kosovë, veçanërisht në Prishtinë, për t’u shkolluar, ndërsa një numër i konsiderueshëm i tyre, pas kryerjes së shkollave dhe fakulteteve, mbetej përgjithmonë në Kosovë, sepse në vendet e lindjes nuk mund të punësoheshin. Nuk ishte numri i vogël edhe i atyre që vinin drejtpërdrejt me familje për të njëjtat arsye. Madje, edhe pas vitit 1981, kur në Kosovë gjendja ishte mjaft e rëndë, pozita e shqiptarëve në Maqedoni ishte edhe më e nderë. Prandaj shumë familje dhe individë, përmes lidhjeve tashmë të krijuara miqësore e familjare, gjenin strehim dhe punë në Kosovë.

Një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve nga Maqedonia, duke mos pasur kurrfarë mundësie që të punësohej në vendin e vet, mori rrugën e mërgimit për në viset e tjera të ish-Jugosllavisë si fuqi punëtore si kurbetçinj dhe, më masivisht, për në Evropë. Sa i përket shpërnguljes, dukuria më brengosëse ishte emigrimi i shqiptarëve përtej oqeanit, në SHBA, Kanada dhe Australi. Ky emigrim, si gjithmonë, nisi i përkohshëm, por gradualisht u shndërrua në emigrim pa kthim. Shumë familje i kanë mbyllur me vite të tëra shtëpitë e banimit, ku kthejnë vetëm një ose më së shumti dy herë në vit, ndërsa toka e bukës ka mbetur djerrë dhe pemishtet e vreshtat janë braktisur e dëmtuar.

Që nga paraqitja e pluralizmit politik në ish-Jugosllavi edhe shqiptarët e Maqedonisë formuan partitë politike, rreth të cilave u tubuan dhe i artikuluan kërkesat e tyre për barazi në të gjitha rrafshet. Që nga viti 1991, kur u formua shteti maqedonas (i pranuar nga bashkësia ndërkombëtare si FYROM), shqiptarët gjithnjë participuan në jetën institucionale, në Parlament dhe në Qeveri (të paktën një parti shqiptare gjithnjë ishte pjesëmarrëse në qeveri). Por, shteti maqedonas edhe në vitet e ‘90-ta u soll keq me shqiptarët. Njëri nga antishqiptarët e përbetuar për shumë dekada, funksionari i lartë maqedonas Stojan Andov, në një intervistë këto vitet e fundi, deklaroi: “Për fat të keq, në vitin 1991 nën ndikimin e regjimit të trashëguar të Millosheviqit në Serbi, ne në Maqedoni nuk arritëm të mbledhim forcë që t’i kundërvihemi asaj propagande dhe për këtë shkak bëmë disa gabime, veçanërisht ndaj qytetarëve tanë shqiptarë” dhe “po të merreshim vesh me shqiptarët, do të evitohej edhe konflikti i armatosur në vitin 2001. Gabimi i parë ishte që nuk u dakorduam me shqiptarët sesi si të bëhej pyetja e referendumit dhe ajo procedurë për ne maqedonasit na bën të marrim një përgjegjësi të madhe që shqiptarët nuk dolën në referendum në vitin 1991. Kjo çoi edhe që deputetët shqiptarë në Kuvend të mos e votojnë kushtetutën e parë të Maqedonisë së pavarur” (Intervista tesheshi.com, 8 nëntor 2015; intervistoi Mensur Krasniqi).

Pas konfliktit të armatosur të vitit 2001, për t’i fashitur tensionet ndëretnike dhe për ta përmirësuar pozitën e gjithmbarshme të shqiptarëve, në vitin 2001 u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, përmes së cilës duhej të realizoheshin të drejtat qytetare dhe kombëtare të shqiptarëve. Por, shumë dispozita të kësaj marrëveshjeje ende nuk janë zbatuar. Lufta politike e shqiptarëve për pozitën e tyre, përshirë atë konstitutive, vazhdon. Shqiptarët e Maqedonisë u treguan shumë solidarë, duke i ndihmuar shqiptarët e Kosovës me para, ushqim e veshmbathje gjatë gjithë viteve të ‘90-ta të shekullit të kaluar, pastaj në luftën e armatosur të viteve 1998-1999 dhe me strehimin e qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës me rastin e deportimit masiv nga regjimi i Millosheviqit nga 24 marsi e deri më 10 qershor 1999.