Mali i Zi nënshkruan “marrëveshjen themelore” me Kishën Ortodokse Serbe

Mali i Zi nënshkruan “marrëveshjen themelore” me Kishën Ortodokse Serbe

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije, kanë nënshkruar në Podgoricë “marrëveshjen themelore” ndërmjet shtetit malazez dhe kësaj bashkësie fetare, raporton Anadolu Agency (AA).

Bëhet fjalë për marrëveshje e cila përcakton marrëdhënien mes shtetit dhe KOS-it, teksti i të cilës ditëve të kaluara u kritikua ashpër nga ana e sektorit joqeveritar dhe Akademisë malazeze të shkencave dhe arteve, por edhe nga ana e disa partive të caktuara politike.

“Një çështje e rëndësishme është bërë ‘ad acta’. Vazhdojmë tutje, fokusi është për një standard më të mirë të jetesës për qytetarët”, tha Abazoviç pak pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Në nënshkrimin e sotëm të “marrëveshjes themelore” morën pjesë mitropoliti i Malit të Zi, Joanikije, ministri i Drejtësisë, Marko Kovaç, ministri i Bujqësisë, Vladimir Jokoviç, ministri i Financave, Aleksandar Damjanoviç, ministri i Shëndetësisë, Dragoslav Sçekiç dhe ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve, Fatmir Xheka.