Malajzia nuk do të organizojë asnjë aktivitet ku merr pjesë Izraeli

Malajzia nuk do të organizojë asnjë aktivitet ku merr pjesë Izraeli

Pas vendimit për të mos pranuar në vend izraelitët që dëshironin të merrnin pjesë në “Kampionatin Paralimpik Botëror të Notit 2019” që do ta organizojë Malajzia, qeveria e këtij vendi vendosi që në të ardhmen të mos organizojë asnjë aktivitet në të cilën është i përfshirë edhe Izraeli, raporton AA.

Ministri i Jashtëm i Malajzisë, Saifuddin Abdullah, pasi rikujtoi se qeveria javën e kaluar konfirmoi që përfaqësuesit izraelitë nuk mund të hyjnë në Malajzi për sporte apo ngjarje të tjera, ka theksuar se qeveria nuk do të bëjë tolerime në lidhje me çështjen e atletëve izraelitë të cilëve nuk i është lejuar të marrin pjesë në kampionatin paralimpik të notit i cili do të zhvillohet në vend.

“Kabineti gjithashtu ka vendosur që të mos organizojë aktivitete ku marrin pjesë izraelitë apo përfaqësues të tyre. Sipas mendimit tim ky është një vendim ku qeveria reflekton qëndrimin e saj kundër problemit izraelit”, është shprehur më tej Saifuddin.

Çështja e Palestinës nuk është vetëm çështje fetare, por në të njëjtën kohë është një çështje e të drejtave njerëzore, tha Saifuddin, duke vënë në dukje se “Kjo është në lidhje me luftën e kryer në emër të të shtypurve”.

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Seyit Sadik, në një deklaratë më 13 janar në lidhje me refuzimin e aplikimit të vizave të shtetasve izraelitë që dëshironin të merrnin pjesë në kampionat, ishte shprehur se kjo temë ishte diskutuar në kabinet, por se kryeministri Mahathir Muhammed nuk kishte miratuar hyrjen e notarëve në vend.

“Do t’i dërgojmë njoftim Komitetit Ndërkombëtar Paralimpik dhe qeverisë së rajonit Sarawak ku do të zhvillohet kampionati”, ishte shprehur ministri Seyit duke bërë të ditur se ndalesën e vendosur nga qeveria do t‘ia përcjellë autoriteteve përkatëse.

Kryeministri Mahathir Muhammed më 11 janar konfirmoi ndalimin e hyrjes në Malajzi të notarëve izraelitë për të marrë pjesë në kampionat gjë e cila ishte reflektuar edhe në shtypin izraelit. “Mund ta provojnë nëse duan të tërheqin të drejtën e Malajzisë për të organizuar kampionatin”, kishte theksuar kryeministri Mahathir Muhammed.

Kampionati Paralimpik Botëror i Notit 2019 ku do të marrin pjesë më shumë se 600 notarë nga 70 vende do të zhvillohet me 29 korrik-4 gusht në rajonin Sarawak të Malajzisë.