` . Maksut Deari, bilbili i Pollgës - TV SHENJA

Maksut Deari, bilbili i Pollgës

Pas përfundimit me sukses të ciklit të ulët shkollor ka vazhduar mësimet në shkollën fillore “Mosha Pijade” (sot “Ismail Qemali”) në qytetin e Gostivarit, ku mësues të muzikës e ka pasur këngëtarin e mirënjohur Shaban Stafai, me të cilin ka ushtruar këngë të shumta të dëgjuara përmes valëve të Radio Shkupit, Radio Tiranës, Radio Prishtinës, Radio Kukësit etj.

Shkruan: Bekim RAMADANI, Tetovë

Një këngëtar që ka lënë gjurmë në historinë e muzikës popullore shqiptare është pa dyshim artisti pollnjan, Maksut Deari, i cili për më shumë se gjysmë shekulli ka bartur porosinë humane dhe universale, jo vetëm përmes këngës, por edhe përmes sjelljes njerëzore e burrërore.

Ka lindur më 6 maj 1943 në fshatin Gjonovicë e Poshtme të Gostivarit nga babai Qashifi dhe nëna Shefikja. Ndonëse i lindur dhe i rritur në një familje shumanëtarëshe, Maksut Deari ka pasur një fëmijëri të qetë përplot kujtime, që rezulton jo vetëm nga motoja e njohur për familjen “më shumë, më të lumtur”, por edhe nga fakti se është rritur në gjirin e natyrës duke ruajtur herë dhi, herë lopë e herë shqerra. Jeta idilike i ka mundësuar që të jetë në ujdi me veten dhe të tjerët, e ka bërë të arsyeshëm, të urtë dhe të gatshëm për të jetuar në harmoni edhe me botën magjike të muzikës. Në moshë fare të njomë ka arritur të mësojë përmendësh tre-katër këngë prej vëllait Nakilit dhe motrës Ajshes, kurse në moshën shtatë-tetë vjeçare ka filluar ta ndjejë ngrohtësinë e odës së burrave duke u provokuar nga ai skenar i pashkruar kur pas lojërave me filxhanë e kapuça kanë vijuar interpretimet nga shahirët e fshatit, si: Destan Ristemi, Ristem Ristemi, Gjelifat Ristemi etj., të cilët kanë bartur porosi mbresëlënëse përmes këngëve: “Zulçe begu”, “Sulltanja e Qafës”, “Se n’Stamboll na u knu gazeta”, “Jasha, jasha na u ba hyrijeti”, “Ma Zemani la lezeti”, “Sula i vogël”, “Halit Gashi”, “Xhem’ Sadria”, “Çik si Donja nuk ka n’Gjakovë” etj.

Pas përfundimit me sukses të ciklit të ulët shkollor ka vazhduar mësimet në shkollën fillore “Mosha Pijade” (sot “Ismail Qemali”) në qytetin e Gostivarit, ku mësues të muzikës e ka pasur këngëtarin e mirënjohur Shaban Stafai me të cilin ka ushtruar këngë të shumta të dëgjuara përmes valëve të Radio Shkupit, Radio Tiranës, Radio Prishtinës, Radio Kukësit etj. Këto këngë pastaj janë interpretuar me shumë emocion nëpër koncertet e organizuara në shkollë dhe në pallatin e kulturës me rastin e festave të ndryshme shtetërore. Vlen të përmendet kënga “Zog Tahiri”, si dhe kënga “Shumë pranvera kan’ kalu” në duet me Xhemile Keçain, motrën e Hanife Sejfulla Reçanit. Në garat regjionale të shkollave fillore nga Struga, Dibra, Gostivari dhe Tetova, të zhvilluara në vitin 1958 në sallën e kinemasë “19 Nëntori” në Tetovë, Maksut Deari ka fituar çmimin e parë nga juria për interpretimin e shkëlqyeshëm të këngës “Hajde, hajde moj Selvije” e shoqëruar me mandolinë, fizarmonikë dhe darabukë. Me këtë rast ka marrë edhe fjalë miradije nga muziktari i shquar dhe pedagogu i njohur Gani Jahja. Shpërblimin prej 9000 dinarësh e kujton me shumë mall, sepse me këto para ka pasur rastin që t’i largojë për herë të parë teshat e leshta dhe të blejë rroba të reja, të gatshme. Shkollimin e mëtutjeshëm e ka vazhduar në normalen “Zef Lush Marku” të Shkupit, ku mësimdhënësit e muzikës Nadire Krasniqi dhe Sureja Imami e kanë përfshirë shumë shpejt në grupin e koristëve. Gjatë shkollimit katërvjeçar ka qenë i angazhuar edhe si solist duke u dëshmuar për zërin e bukur dhe interpretimin e denjë në çdo paraqitje, në çdo shfaqje.

Në vitin 1960, me rastin e 25 majit (Ditës së Rinisë), kori i shkollës “Zef Lush Marku” ka qenë i ftuar për të incizuar në Radio Shkupi, ku Maksur Deari ka interpretuar edhe dy këngë si solist: “Në zabel të erdha” dhe “O haj të dalim nëpër bahçe”.

Në vitin 1962 ka mbaruar shkollën për mësues dhe është punësuar në shkollën fillore “Përparimi” të fshatit Simnicë ku ka punuar tri vite me radhë si arsimtar i fizikës dhe i matematikës. Gjatë punës së tij si mësues në Simnicë ka themeluar grupin folklorik të nxënësve me çifteli, sharki, fyell e dajre. Gjithashtu e ka formuar edhe grupin e valltarëve. Gjatë këtyre tri viteve ka arritur të incizojë në Radio Prishtinë ca këngë si: “O rreth e rreth bahçes ju solla”, “Nëpër fusha e kodrina”, “Tuj shetit o për rreth pusit”, “Lule t’bukura ka Kavaja”, “Në gurbet morra iletin”, “Po shkon vasha rrethit lumit” etj. Gjatë vitit 1963, kur nëpër qytete të ndryshme të RM janë zhvilluar garat “Peam da te natpeam” (Këndoj të ta kaloj në të kënduar), ndërsa ai ka arritur në finalen që është mbajtur në stadiumin e KF “Vardar” në Shkup dhe, në një konkurrencë të ngushtë me këngëtaren shumë të njohur Husnije Rexhepova, sërish ka arritur ta fitojë vendin e parë. Në vitin 1965 ka marrë pjesë edhe në programin e vitit të ri në RTV e Shkupit së bashku me këngëtarin Gani Grubi. Gjatë kësaj periudhe ka incizuar shumë këngë, në mesin e të cilave edhe ato për Bajram Currin, për Tefik Çangën, për Ganimete Tërbeshin etj.

Në vitin 1966 ka udhëtuar për Beograd (kryeqyteti i ish RSFJ) për ta studiuar drejtësinë, ku për shkak të ca mosmarrëveshjeve rreth një burse të rreme ka qenë i detyruar që të kthehet në Shkup për t’u regjistruar në drejtimin Biologji-Kimi pranë Shkollës së Lartë pedagogjike. Gjatë studimeve ka qenë i kyçur në SHKA “Emin Duraku” në Shkup, ku ka vendosur një bashkëpunim të ngushtë me udhëheqësin artistik Sureja Imami. Me këtë shoqëri ka udhëtuar nëpër shumë qytete të Maqedonisë, duke u prezantuar si një këngëtar i suksesshëm dhe duke u shpërblyer gjithnjë me duartrokitjet më të ngrohta të publikut shqiptar. Mbresa të pashlyera ka nga manifestimi i 500-vjetorit të vdekjes së heroit Gjergj Kastriot Skënderbeut, që është mbajtur në Gjakovë në stadiumin e klubit të futbollit “Vëllaznimi”, ku e ka kënduar këngën “Fryn murrlani me stuhi”, për çka është kthyer tri herë në skenë duke krijuar emocione të zjarrta te spektatorët, në mesin e të cilëve ka pasur edhe nga ata që si rezultat i atmosferës tepër euforike kanë djegur shami, jelekë e këmisha.

Krahas SHKA “Emin Duraku” ka marrë pjesë edhe në shoqërinë kulturore artistike studentore “Mirçe Acev”, me të cilën ka udhëtuar brenda dhe jashtë Maqedonisë. Ka marrë pjesë në koncerte të shumta nëpër Greqi, Bullgari dhe gjithashtu në manifestimin ndërkombëtar “Marmara festival” në Stamboll (Turqi) në vitin 1969. Gjatë qëndrimit njëmujor në shtëpinë e studentëve të këtij qyteti ka pasur mundësi të njihet me artdashës të shumtë nga 78 shtete të botës. Koncertet i kanë zhvilluar në teatrin historik “Açıkhava Tiyatrosu”. Maksut Deari, si anëtar i vetëm shqiptar i kësaj shoqërie, ka kënduar 4 këngë: “O hajde t’dalim nëpër bahçe” – shqip, “Zajdi, zajdi sonce” – maqedonisht, “Jabllani se povijaju” – boshnjakisht dhe “Kızılcıkta olduğma selfere dolduğma” – turqisht, duke nxitur duartrokitje të fuqishme nga çdo anë. Pas një muaji të ngjeshur me nga dy koncerte për çdo mbrëmje nëpër vendbanimet më të mëdha, është zhvilluar nata finale, ku Maksut Deari e ka fituar vendin e parë si solist, kurse SHKA “Mirçe Acev” vendin e dytë si ansambël.

Këto kujtime rinore janë akoma të freskëta në kujtesën e z. Dearit. Ai flet me shumë emocion për kohën studentore në Shkollën e Lartë Pedagogjike, për aktivitetin e tij në shoqatën “Përpjekja”, për klubin futbollistik “Skënderbeu”, për diplomimin, për orët e para gjatë shtatorit të vitit 1969 si arsimtar i lëndës Biologji-Kimi në Shkollën Fillore “Mosha Pijade” (sot “Ismail Qemali”) në Gostivar. Pastaj tregon për aktivitetet e tij në kërkim të të talentuarve të artit muzikor (këngëtarë e instrumentistë), për formimin e grupit folklorik (në kuadër të të cilit kanë vepruar Rizvan Sinani, Ali Osmani, Faruk Nuhiu, Minir Osmani dhe Remzi Nuhiu), për punën e këtij grupi dhe kontaktet me producentin Ismail Hoxha, për dështimin e incizimit të një albumi prej 6 këngësh në shtëpinë diskografike “Jugoton” në Aleksandrovac të Serbisë, për bashkëpunimin me Radio Televizionin e Shkupit, për bashkëpunimin shumë frytdhënës me intelektualin dhe veprimtarin Murteza Peza etj.

Me insistimin e shkrimtarit dhe redaktorit të programit në gjuhën shqipe në Radio Televizionin e Shkupit, Murat Isaku, diku nga fundvitet e ‘60-ta të shekullit XX ka incizuar në vreshtat e fshatit Gjonovicë e Poshtme një program muzikor duke interpretuar këngët: “Në zemër t’Kosovës”, “Ganimete Tërbeshi”, “Halit Gashi” etj. Për këtë institucion të rëndësishëm ka dhënë kontribut edhe gjatë vitit 1976, atëherë kur redaktor ka qenë Nijazi Salihu, duke incizuar në një shtëpi arkaike të fshatit Dobridoll të Gostivarit disa këngë, si: “Zulçebegu”, “Hasan Simnica”, “Ani ku ke çik’ kur un’ krisa n’pushkë” etj.

Me bashkëpunëtorët e tij të folklorit ka kryer një aktivitet të ngjeshur kulturor nëpër odat shqiptare të Pollogut, kurse nga viti 1974, atëherë kur grupi muzikor pajiset me teknikë të përparuar zërimi, transformohet në një orkestrinë popullore (Remzi Nuhiu – violinë, Faruk Nuhiu – bas kitarë, Ali Osmani – fizarmonikë, Shefki Hasani – klarinetë dhe Ismail Veliu – bateri) për t’i mbuluar dasmat shqiptare nga Kumanova deri në Prespë, nga Kërçova deri në Manastir dhe nga Shkupi deri në Ohër. Maksut Deari, më këtë formacion ka bashkëpunuar plot 24 vite (nga viti 1969 deri në vitin 1993), duke e kultivuar traditën muzikore përmes këngësh epike e lirike.

Një kontribut të çmuar ka dhënë edhe në SHKA “Besa” që nga themelimi i saj (21.6.1971) e deri më sot. Këngët e para, që i ka kënduar me këtë ansambël, kanë qenë: “Artizane Lumës je” dhe “Bajram Curri”. Me këtë shoqëri kulturore artistike ka zhvilluar një veprimtari të ngjeshur si organizator e si këngëtar, kurse në periudhën 1992-2000 ka qenë edhe kryetar i saj. Në gusht të vitit 1975 me ansamblin “Besa” ka qenë në Stamboll, ku ka realizuar disa koncerte (Kadıköy, Alibeköy, Taksim etj.). Në Babaeski në “Karpuz Festivali” kanë marrë vendin e parë. Aty është prezantuar në duet me Advie Fetahun duke kënduar këngën “Tungjatjeta djali Gostivarit”. Në këtë festival kanë marrë pjesë edhe Shaban Stafaj, Shahindere Bërlajolli, Hanife Sejfulla Reçani, Dashurie Deari, Mustafa Kamberi, Sedali Saliu, Magbule Vreskalla, Bukurie Lahu, Hajrulla Volina, Enver Stafai, Ajshe Rrushiti – Vishka, pastaj me kavalle – Rizvan Sinani dhe Sallah Shabani etj. Me grupin folklorik të “Besës” ka marrë pjesë në Festivalin e Zagrebit të vitit 1978, ku janë shpërblyer me vendin e parë. Sukseset nuk kanë munguar kurrë, sepse gjithnjë është punuar me dinjitet artistik dhe optimizëm revolucionar. Gjatë nëntorit të vitit 1980 “Besa” ka bërë një turne 10-ditore në Shqipëri, duke shfaqur program të larmishëm me këngë e valle burimore nëpër disa qytete të mëdha dhe duke u vlerësuar lart nga kritika muzikore e kohës. Mirëpo, pas kthimit nga Shqipëria ky ansambël është ballafaquar me një sërë akuzash të pabaza vetëm e vetëm për t’u ndaluar aktiviteti tij i mëtejmë kulturor. Këto kanë qenë çaste të vështira për tërë popullatën shqiptare të Gostivarit, sepse “Besa” është tretur dhe puna e këtij ansambli ka vazhduar në kuadër të SHKA “Braqa Gjinovski”. Tërë kjo situatë është arsyetuar përmes elementesh ekonomikë, edhe pse “Besa” ka qëndruar në këmbë me ndihmën financiare të artdashësve, vullnetarëve, simpatizuesve dhe shqiptarëve fisnikë, gjithandej. Presionet kanë qenë të pashmangshme, andaj anëtarët janë tërhequr dhe “Besa” ka bërë një pauzë disavjeçare deri në vitin 1992, kur është rimëkëmbur sërish nga punonjësit kulturorë me Shaban Stafain – kryetar, Maksut Dearin – nënkryetar, Mahir Asanin – arkëtar dhe nga anëtarët e shumtë të angazhuar me aktivitete në seksionin folklorik, orkestrën popullore dhe seksionin e valleve.

Maksut Deari ka bërë një jetë aktive, tepër të gjallë, duke marrë pjesë nëpër ndeja, nëpër konakë, nëpër dasma, koncerte e festivale, si dhe nëpër emisione të ndryshme të radios e të televizionit.

Në vitin 1989 është larguar nga puna për shkak se skenari i ceremonisë së synetisë së djalit të tij “nuk paska qenë në frymën e politikës së kohës”. Me 3 maj 1993 i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në kordën e majtë zanore, me ç’rast ka humbur zërin dhe mundësinë për të rrugëtuar më tej në botën muzikore.

Ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me Radio Gostivarin, me Radio Tetovën, me Radio Televizionin e Shkupit, me RTP-në, pastaj me televizionet lokale e regjionale: Globi, TV2, Tv-Koha, Tv-Art, Tv-Top Estrada etj. Ka marrë pjesë në festivalin “Këngë Jeho” në Strugë, “Sharri këndon” në Tetovë, “Oda dibrane” në Peshkopi etj. Është fitues i shumë çmimeve, mirënjohjeve, diplomave, dhuratave dhe motivacioneve në formë të folur e të shkruar.

Talenti i tij për këngën është i natyrës biologjike, i trashëguar brez pas brezi, një dhunti që është përcjellë edhe te fëmijët Yllza, Kujtimi e Trëndelina. Në tërë këtë histori një rol të rëndësishëm ka luajtur edhe bashkëshortja Safije Deari (gazetare e moderatore), e cila ka dhënë një kontribut të çmuar në jetën kulturore të Pollogut dhe jo vetëm.

Maksut Deari, edhe pse në moshë të thyer, ndihet i fuqishëm, i lumtur, i plotë, i buzëqeshur, përplot kujtime të bukura e të paharruara, që i japin energji rinore dhe motiv për të kënduar me zemër ngado që sillet. Ai frymëzohet nga gjithçka e bukur dhe, thjesht, e do jetën. Është përplot shpresë dhe beson fuqishëm në këngën: “Robi s’plaket kur vjen mosha, robi plaket kur do vetë”.