` . Mahmut Ferati – artisti me fuqi të pashtershme krijuese dhe interpretuese - TV SHENJA

Mahmut Ferati – artisti me fuqi të pashtershme krijuese dhe interpretuese

Mahmut Ferati është këngëtar me përvojë që kontrollon çdo rrokje, që zotëron disa lloj trilerësh, disa lloj vibratosh, solist që mjeshtërisht realizon glisandot, një interpretues që di t’i përmbahet edhe përmbajtjes epiko-lirike edhe induksionit emocional.

Shkruan: Bekim RAMADANI, Tetovë

Mahmut Ferati ka lindur më 13 maj 1961 në fshatin Odër (Tetovë) në një familje të varfër nga babai Lutfiu dhe nëna Fehmija si fëmija i katërt (i parafundit). I rrethuar me aromën e bjeshkëve të Sharrit dhe magjinë e folklorit burimor, ai është rritur me shpirt të lirë e të bardhë, me zemër artisti e krijuesi.

Që në fëmijëri ka shfaqur shenjat e dashurisë për artin, duke u interesuar për gjithçka që tingëllon këndshëm e që duket bukur. Ka shfaqur aftësi të jashtëzakonshme për të imituar, për të aktruar dhe për të kënduar. Frymëzimin më të madh për të jetuar me artin e ka marrë nga vëllai i madh, Murtezani (fizarmonicist virtuoz), i cili, edhe pse i verbër, ka vepruar me largpamje duke reflektuar ide të mrekullueshme muzikore dhe gjendje të fuqishme shpirtërore.

Në moshë të njomë, Mahmut Ferati, mes tjerash, ka arritur që shumë shpejt t’i mësojë përmendësh këngët lirike, epike dhe ato epiko-lirike me dhjetëra strofë. Andaj është ftuar shpesh nëpër odat e familjes më të gjerë dhe konakët e fshatit për të interpretuar krijimet e bukura popullore: “Skutaçja e caucës topa-topa”, “Jehojnë fushat, malet tona”, “6 tetor ‘68”, “E para pushk’ kur bani bam”, “Hasan Faslia“, “Këngën e Hasimes” etj., përmes të cilave ka reflektuar jo vetëm artin tradicional, por edhe porosi të vlefshme e këshilla të çmuara.

Talentin e tij për muzikë e kanë vërejtur që herët jo vetëm hoxhallarët e fshatit, në krye me xhaxhain e tij mulla Mixhaitin, të cilët janë përpjekur që ky të përgatitet për myezin i ardhshëm, por edhe mësimdhënësit e shkollës së përbashkët fillore “Vëllazërimi” të fshatit Odër dhe të fshatit Dobrosht (mësuesi Izet, mësuesi Tair, mësuesi Muhamet, pastaj mësuesi Emin Qamili dhe Natmir Beqiri i Koroshishtit të Strugës), të cilët e kanë angazhuar si pjesëmarrës në garat komunale që janë mbajtur asokohe në shkollën fillore “Liria” në Tetovë ku Mahmut Ferati, si nxënës i klasës së tretë, përmes interpretimit në çifteli dhe këngës “Me k’to tela po këndoj lavdi”, ka marrë çmimin “Solisti më i mirë“. Në aktivitetet kulturore të shkollës ka qenë i angazhuar gjatë tërë kohës, për çka është shpërblyer me lëvdata e fjalë miradije.

Gjatë asaj periudhe ka marrë pjesë, së bashku me të vëllain, edhe nëpër dasma e ahengje familjare, duke shijuar kënaqësinë e të qenit personazh i rëndësishëm, i respektuar dhe i vlerësuar. Më pas ka filluar bashkëpunimin me bashkëfshatarët Rasim Mustafa (çifteli) dhe Bedri Nuhiu (sharki), me vëllezërit Bakiu (Ademi – violinë dhe Bakiu – çifteli) nga fshati i afërm Nerasht, si dhe me shkupjanin Vehbi Xhigoli – violinë, duke zhvilluar kështu një veprimtari të dendur nëpër vendbanime të ndryshme të Pollogut, ku ka pasur rastin të njihet me vlerat më të vyera tradicionale. Në këtë terren të larmishëm, ku janë shtresuar kultura perëndimore dhe ajo lindore, ndikimet e ndryshme ekonomike, politike dhe zhvillimet e shumta historike, Mahmut Ferati, përveç artit të interpretimit, ka filluar ta zhvillojë edhe artin e hulumtimit, duke gjurmuar pjesët më të bukura të folklorit muzikor. Ai shumë shpejt është bindur se ndiqet nga një fat i madh e i bardhë, sepse gjallëron mbi një “minierë” të pashfrytëzuar, mbi një trevë, poshtë së cilës ka shumë “xehe” që duhen përpunuar e prezantuar para botës si vlera me përmasa të jashtëzakonshme. Kjo pasuri muzikore që mbështetet kryesisht në diafoni, në këndimin dyzërësh bordunal, që buron nga bota lirike e një populli të stërlashtë, i ka dhënë nxitje dhe kuptim këtij shpirti të çiltër për të depërtuar në thellësitë e ndritura të traditës dhe për t’u ushqyer gjithmonë me produktet më të mira të kuzhinës së artit folklorik. Duke qenë i bindur se këtë ndërmarrje fisnike mund ta bëjnë vetëm njerëzit me kompetencë dhe profesionalisht të përgatitur, ai ka marrë një vendim shumë revolucionar për kohën në të cilën ka jetuar dhe për rrethanat me të cilat është ballafaquar, duke u regjistruar në shkollën e mesme të muzikës në Prishtinë së bashku me bashkëfshatarët, kushërinjtë Gazmend dhe Rexhep Dalifi.

Jeta e re në kushte e rrethana të reja i ka krijuar mundësi të reja. Jeta e konviktit përplot ngjarje, përplot takime, përplot risi, përplot përvoja, ka qenë pjesë e rëndësishme e portretit jetësor të artistit tetovar. Vetë prania e Mahmut Feratit në këtë mjedis ka qenë risi, sepse këndimi pollnjan për pjesën më të madhe të banorëve të konviktit deri atëherë ka qenë i panjohur. Afirmimi i shpejtë në këtë mjedis rrethues i ka mundësuar Mahmut Feratit që të vendosë kontakte edhe me këngëtarë të njohur të Kosovës (Hashim Shala, Shaban Baksi, djemtë e Sefë Mleçanit, Shaqir Cërvadiku etj.), të cilët kanë shfaqur interes të jashtëzakonshëm për këtë mënyrë të të kënduarit, për këtë pasuri të çmuar të folklorit muzikor të shqiptarëve. Takimi i rastësishëm me Milaim Mezinin në një aheng familjar në fshatin Biçec të Kaçanikut ka qenë shumë domethënës dhe frytdhënës. Si anëtarë të SHKA “Rrezet e Sharrit” të fshatit Biçec, këta të dy, për një kohë të gjatë, kanë dëshmuar vendosmërinë e një bashkëpunimi të ngushtë e të përzemërt, duke e pasuruar skenën muzikore me krijime përplot ngjyrë, përplot dritë e përplot shpresë. Me Milaim Mezinin ka krijuar një duet që ka tingëlluar në mënyrë të artikuluar e të harmonizuar, një duet që kudo është nderuar e admiruar. Si pjesëmarrës në revistat e folklorit burimor të Gllogovcit, gjatë fillimviteve të tetëdhjeta të shek. XX, dueti Ferati-Mezini, përmes këngëve “Zulçebegu”, “Moj e mira çufurake”, “Oj dora me kanë“ etj., ka arritur të lërë gjurmë në historinë e muzikës së re folklorike të shqiptarëve.

Inkuadrimi më vonë në SHKA “Bajram Curri” të Prishtinës dhe bashkëpunimi me muziktarët e dëshmuar, si Naim Abazaga, vëllezërit Spahiu etj., si dhe me këngëtarët Naim Abazi, Mihrije Braha, Lule Bajra, Suzana Tahirsylaj, Merita Spahiu etj., i kanë sjellë atij përvoja të reja dhe mundësi për udhëtime të shumta koncertale.

Në të njëjtën kohë ai i ka ndjekur edhe studimet në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë, duke iu përgjigjur të gjitha detyrave dhe obligimeve akademike. Qysh si absolvent ka qenë i angazhuar në shkollën fillore “Jeta e re” në fshatin Komoran, ndërkaq menjëherë pas diplomimit është punësuar në shkollën e mesme të kulturologjisë (tani gjimnazi i filologjisë “Eqrem Çabej”) në Prishtinë ku si mësimdhënës i përkushtuar ka arritur të zbulojë, mes tjerash, edhe të talentuarit e rinj, me të cilët ka punuar në realizimin e aktiviteteve kulturore të shkollës, duke marrë pjesë në shumë organizime e manifestime. Nxënësve ua ka përcjellë mësimin më të mirë të jetës, duke u thënë se muzika i qetëson edhe shpirtrat më të egër, se ajo është dhurata më e çmuar hyjnore. Ai komunikon lirshëm me nxënësit, jashtë rregullave strikte e formale. Dëshiron që ata të ndihen vetja. Fatmir Muja është pikërisht njëri nga nxënësit e tij, që i ka dhuruar pjesën më të madhe të teksteve për këngët shumë të njohura, si: “Nuk asht marre me kajt’ për ty”, “Loti në faqe”, “Fajtor jam”, “Zoti m’vrafte n’lypsha ma mirë”, “Mos më kërko”, “Thuaj”, “Maturanti”, “Dil ma shpesh ti moj çikë“, “Kënga e Universitetit”, “Komandant Roki” etj.

Rrugëtimi i Mahmut Feratit drejt sukseseve të larta ka qenë goxha i vështirë, përplot drithërime, peripeci e përgjegjësi. Përkrahjen më të fuqishme në këtë rrugëtim e ka pasur nga bashkudhëtari i jetës, nga bashkëshortja e mrekullueshme Shqipe Berbatovci, e cila i ka qëndruar pranë në çdo sfidë, në çdo hamendje, në çdo iniciativë, duke i dhënë këshillat më të përzemërta dhe duke i sjellë në jetë dhuratën më të çmuar, dy fëmijët, po ashtu të mrekullueshëm, Argjendën dhe Granitin.

I njohur për qëndrimin këmbëngulës dhe energjinë platonike, Mahmut Ferati e ka ndërtuar karrierën e tij të ndritur përmes betejave të shumta si krijues, si interpretues, si grumbullues materialesh nga terreni, si pjesëmarrës turnesh kombëtare e ndërkombëtare, si këngëtar koncertesh humanitare, si autor videoklipesh e albumesh muzikore, si pjesëmarrës aktiv nëpër emisione televizive, si pedagog etj. Ngado që është kthyer ai ka qenë i mbuluar nga karakteri bashkëpunues që e ka dëshmuar gjatë gjithë karrierës artistike, duke vënë kontakte me këngëtarë (Shyhrete Behluli, Shkurte Fejza, Violeta Kukaj, Violeta Kajtazi, Motrat Mustafa, Remzie Osmani, Sherife Sherifi, Manjola Nallbani, Artiola Toska, Arif Vladi, Nikollë Nikprelaj, Ilir Shaqiri, Sabri Fejzullahu, Kastriot Tusha, Afrim Aliu etj.), me humoristë (Rasim Thaçi – Cima, Ibrahim Krajkova – Leci, Sevdai Radogoshi – Qumili, “Stupcat”, “Mister X” etj.), me produksione muzikore (“FM Production”, “Dardania”, “Lahuta”, “Emra Com” “Vizioni Libonia”, “Jehona”, “L&I Company” etj.), me producentë muzikorë (Valton Beqiri, Shpëtim Saraçi, Edmond Zhulali, Nexhat Mujovi – Virusi, Bekim Malsia, Rrahman Kryeziu, Burim Krasniqi, Fatos Canolli, Artan Mezini, Dritan Fazliu, Muhamet Selimi, Shpejtim Gashi, Lulzim Sadiku, Astrit Halimi etj.), me autorë tekstesh (Fatmir Muja, Milaim Islami, Milaim Mezini, Abaz Selmani, Sami Aliu etj.), me etnomuzikologë e kompozitorë (Rexhep Munishi, Bahtir Sheholli, Medi Bajri, Gjergj Kaçinari etj.), me grupe muzikore (“Margaritarët”, “Dasmorët” etj.), si dhe me shumë organizatorë, koordinatorë e udhëheqës manifestimesh kulturore e artistike.

Të paktë janë ata që nuk e kanë ndjerë emocionin dhe kënaqësinë nga magjia e zërit të ndjeshëm përmes këngëve të pavdekshme: “O mor pampur t’u kputshin telat”, “Moj syzeza”, “K’non bilbili”, “Bilizik në dorë”, “Lamtumir’ e dashur”, “Ibër lum’ i gjate”, “Hasan Aga”, “Çka po i thot’ Dema Kadrisë“, pastaj “Xhemë Gostivari”, “Amerik’ oj nanë”, “Dola n’bahçe”, “Çka po m’rrin karshi”, “Ah mori mollë” etj.

Mahmut Ferati është këngëtar me përvojë që kontrollon çdo rrokje, që zotëron disa lloj trilerësh, disa lloj vibratosh, solist që mjeshtërisht realizon glisandot, një interpretues që di t’i përmbahet edhe përmbajtjes epiko-lirike edhe induksionit emocional. Edhe pse tenor baritonal dhe me një vëllim të kufizuar, Mahmut Ferati posedon një teknikë të lehtë interpretuese, një ngjyrë të veçantë, një zë të ëmbël, të ngrohtë, të butë, që të mposhtë në çdo kohë e në çdo situatë. Ai di të këndojë edhe këngën popullore, edhe këngën në frymën popullore, edhe këngën e përpunuar. Për shkak të kërkesave bashkëkohore të tregut, ai ka krijuar edhe këngë të reja, me gjuhë të re, me frymë të re, por gjatë tërë jetës i ka qëndruar besnik këngës pollnjane, melosit të saj, si roje e denjë dhe si ambasador i vërtetë.

Mahmut Ferati, gjatë rrugëtimit të tij nëpër botën e artit muzikor, kurrë nuk ka dalë jashtë kornizës melodike origjinale, kurrë nuk ka shkelë mbi parimet e etnomuzikologjisë shqiptare, por gjithnjë është kujdesur jo vetëm për timbrikën popullore, por edhe për ndjenjën që ajo transmeton. Të gjitha këngëve që ka realizuar ai u ka përçuar veçoritë e botës së vet muzikore, duke i shndërruar në krijime autentike, origjinale, të përjetshme, sepse ai asnjëherë nuk ka qenë hija, por vetëm drita.