` . Lugina e Preshevës – konstruksion i regjimit titist - TV SHENJA

Lugina e Preshevës – konstruksion i regjimit titist

Shtetet e Ballkanit, përfshirë Serbinë dhe Kosovën nuk kanë arritur të jetësojnë modelin qytetar të shtetit. Në mungesë të këtij koncepti është pranuar homogjiniteti etnik – një shtet një popull, referencë e kultivimit të demokracisë. Në mungesë të demokracisë qytetare, është pranuar formula e etnizimit shoqëror si mundësi e ndërtimit të sistemit demokratik me homogjenitet etnonacional

Shkruan: Nexhmedin ADEMI, Preshevë

Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjithnjë kanë bërë përpjekje që prezencën e tyre biologjike në Serbi sa herë që iu është dhënë rasti ta dëshmojnë si vullnet i imponuar i zhvillimeve historike të ndarë nga trungu etnik kombëtarë shqiptarë. Lugina e Preshevës është konstruksion politik i regjimit titist në ish Jugosllavi, si përpjekje për tkurrje territoriale dhe me qëllim të ndryshimeve të strukturave demografike. Këto ndryshime demografike kanë krijuar konfiguracion të ri në përbërjen etnike të regjioneve të caktuara, konkretisht shtimin e numrit të popullsisë serbe në Kosovë. Politikisht janë fuqizuar e faktorizuar serbët etnik në Kosovë. Shqiptarët të shkëputur nga trungu etnik kombëtarë duke iu bashkangjitur dhunshëm njësisë administrative territoriale të Serbisë, janë margjinalizuar si pakicë kombëtare në Serbi. Mbetja e shqiptarëve në Serbi, politikisht i ka defaktorizuar me statusin politik të pakicës nacionale dhe i ka provincializuar kultoroligjikisht nga tërësia e zhvillimeve kulturore e politike tënjësisë etnike kombëtare shqiptare.

Bashkimi legjitimon vullnetin politik të shqiptarëve

Historikisht është e dëshmuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë qëndruar krahë zhvillimeve më të rëndësishme të të gjitha ngjarjeve me karakter kombëtarë që nga Lidhja e Prizrenit e deri te zhvillimet më të reja që kanë rezultuar me shpalljen e shtetit të pavarur të Kosovës. Në këtë kontekst të zhvillimeve politike, është e drejtë legjitime historike, morale, juridike, në përputhje me zhvillimet moderne mbi të drejtën e themelimit të shteteve kombe, që Lugina e Preshevës të kërkojë bashkëngjitjen me shtetin e Kosovës para një procesi paqësorë, në nisje të bisedimeve politike në mes Prishtinës dhe Beogradit. Marrëveshje e cila do të duhej të përfundonte me njohje reciproke dhe pajtim historik në mes shqiptarëve dhe serbëve, ashtu si po promovohet nga liderët politik të të dyja vendeve.

Në teoritë e ndërtimit të shteteve kombe në modernitet është e njohur se roli i nacionalizmit ka qenë vendimtarë. Sipas Gellnerit, është i nevojshëm unifikimi i njësisë etnike me atë territoriale dhe me një trashëgimi historike e kulturore të përbashkët, mjaftueshëm sa për të njohur sovranitetin shtetërorë të një populli. Rilindësit shqiptarë u munduan që në vijën e këtyre teorive moderne dhe ngjizjeve të identiteteve kombëtare të krijojnë shtetin shqiptarë pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane nga ku lindën edhe shtete tjera nacionale; serbe, greke, malazeze, bullgare etj. Projektin nacionalist për ndërtimin e shtetit shqiptarë më kuptimplotë e iniciuan rilindësit e shquar Sami Frashërit dhe Vaso Pasha. Ata mendimin e tyre programatik nacionalist e projektuan në kuadër të idesë për bashkimin e katër vilajeteve të Perandorisë Osmane në një vilajet të vetëm, nga ku më pastaj do të rezervonin të drejtën legjitime të njohjes së këtij vilajeti në një shtet shqiptarë me të gjitha trojet bashkërisht. Me këtë rast do të përfshihej njësia etnike me atë territoriale shqiptare. Natyrisht se këtu do të duhej të përfshiheshin edhe shqiptarët autokton të Luginës së Preshevës dhe pjesë tjera të trungut etnik shqiptarë të mbetura jashtë Shqipërisë londineze. Rrjedha e ngjarjeve e dalluar me agresivitetin e nacionalizmave fqinjë ballkanikë, të cilët ushqenin idenë e ndarjes dhe grabitjen e trojeve etnike shqiptare, deri më sot e ka penguar këtë ide programatike të rilindësve të shquar. Bazuar në këtë shpjegim edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës ahtisariane na del si projekt antinacionalist shqiptarë. Pavarësisht kësaj, e gjithë kjo nuk ia mohon të drejtën legjitime shqiptarëve të Luginës së Preshevës në pajtim me të drejtën historike, gjeografinë etnike, të drejtën juridike të sovranitetit kombëtarë, dhe përvojën mbi teoritë moderne të ndërtimit të shteteve kombe, të kërkojnë të drejtën e tyre natyrale për t’u bashkangjitur me Kosovën.

Etnizimi i problemit

Demokratizimi i shoqërive parimisht do të duhej të krijonte mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët. Shteti me koncept qytetarë avancon të drejtat dhe liritë e qytetarëve, duke i kursyer nga çfarëdo lloji i diskriminimit, përfshirë edhe pakicat nacionale. Shtetet e Ballkanit, përfshirë Serbinë dhe Kosovën nuk kanë arritur të jetësojnë modelin qytetarë të shtetit. Në mungesë të këtij koncepti është pranuar homogjiniteti etnik – një shtet një popull, referencë e kultivimit të demokracisë. Në mungesë të demokracisë qytetare, është pranuar formula e etnizimit shoqërorë si mundësi e ndërtimit të sistemit demokratik me homogjenitet etnonacional. Bashkësia Ndërkombëtare është pjesëmarrëse e këtij koncepti me amnistimin e politikanëve me referenca te krimit në emër të ruajtjes së një status quo-je te shteteve me demokraci jo funksionale. Në këto shtete, oligarkia, plutokracia, krimi dhe korrupsioni, kanë bashkëjetuar me sistemin, duke u bërë pengesë e zhvillimit të shtetit dhe armiq të zhvillimit të demokracisë. Prandaj, nënjë situatë të këtillë historike, si rezultat i dështimit të ndërtimit të modelit qytetarë të shtetit është e pakuptueshme t’i kërkohet shqiptarëve të Luginës së Preshevës të mos kërkojnë bashkëngjitjen me Kosovën për të rrezikuar qëndrimin nën Serbi në pritje të vendosjes së standardeve me demokraci të avancuara. Është avanturizëm politik që nuk i lejohet një lideri, e jo mënjë populli apo etnie nacionale, t’i bindet thirrjeve që Serbia e Aleksandër Vuçiqit do të demokratizohet me nivele të kënaqshme demokratike sa të binden shqiptarët ta formësojnë veten si etnitet nacional e entitet juridiko politik, në aspektin  të drejtave politike, kulturore, religjioze në Serbi. Sot kemi një Serbi me model kushtetues qytetarë progresist, ku partia e një presidenti me një të kaluar shumë të dyshimtë, fiton 62 % të votave të elektoratit në zgjedhjet e 21 qershorit. Është e pakuptimtë që shqiptarëve të Luginës së Preshevës t’i kërkohet të ndërtojnë perspektivë të jetës ekonomike e kulturore duke pritur standardizimin demokratik të Serbisë.

Prishtina dhe Tirana me një platformë për Luginën

Ka qenë dëshirë e vazhdueshme që të ndihet prezenca e aktivitetit politik dhe diplomatik e Tiranës dhe Prishtinës në Luginën e Preshevës. Nuk është koha e largët kur përfaqësia diplomatike e shtetit shqiptarë në Beograd nuk e ka pasur në agjendë fare kontaktin me të drejtat politike, kulturore të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ishte një kohë kur stafi i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd e ngjallte kuriozitetin për shqiptarët e Luginës së Preshevës, vetëm duke kaluar transit për në Beograd, me pamjen piktoreske që i krijonin xhamitë për rreth si dëshmi e ekzistencës së shqiptarëve. Ky është pohim i një diplomati të karrierës të shtetit shqiptarë. Entuziazmi i folklorizmit populist për vizitat e krerëve të lartë nga Prishtina dhe Tirana ka marrë fund. Në fokus të itinerarit politik të tyre do të ishte politizimi i statusit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në të gjitha nivelet, forumet regjionale e ndërkombëtare. Prandaj, është koha që Tirana dhe Prishtina të ndryshojnë qasje ndaj politikëbërjes me Luginën. Diskursi i ri politik i mbështetur nga këto dy qendra kombëtare do të duhej të fitonte një qasje të re të aktivizimit politik në Luginë në raport me këto qendra. Hartimi i një platforme politike detyruese për orientimin politik të liderëve lokal, pa pasur të drejtë kontestimi të këtyre iniciativave të veçuara me karakter integrues brenda kombëtarë. Ky mjedis i ri i formulimit politik, nuk do të lejonte politika të kulisave ditore për hesape të brendshme apo revanshiste. Është koha e fundit që të imponohet një platformë politike kombëtare që do të shtyhet nga Tirana dhe Prishtina, e cila në fokus do ta kishte në rend të parë zgjidhjen e statusit politik të shqiptarëve. Kjo platformë do të duhej të avancojë politikat integruese kombëtare, më shumë se të shtyhej agjenda integruese shtetërore në nivele qendrore, sikur ishte vizita e fundit e ministrit të Jashtëm shqiptarë z. Cakaj. Deri tani Lista Serbe në Kosovë e mbështetur nga Beogradi është  faktorizuar në jetën politike në Kosovë duke u bërë faktorë përcaktues në zhvillimet e brendshme politike.

Ne mund të dukemi emocional, jo racional, në kërkesat tona për bashkëngjitje me Kosovën. Mund të na thuhet se projekti i bashkimit dëmton interesat shqiptare duke krijuar çekuilibra politikë e gjeostrategjikë në rajon. Të gjitha këto mund edhe pak a shumë të qëndrojnë. Megjithatë, ne edhe kësaj here, aq më shumë kur po flitet për bisedime paqësore shqiptaro – serbe, me ngulm do të kërkojmë negociimin e statusit politik të Luginës së Preshevës. Nga këndi i vullnetit tonë politik, korrigjimi apo shkëmbimi, do të jenë opsione të mundshme përfundimtare që mundësojnë bashkëngjitje me Kosovën. Varianti tjetër i mundshëm mund të jetë edhe avancimi i statusit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, konform vullnetit politik që i siguron kjo marrëveshje, status apo entitet politiko – juridik pakicës etnike serbe në Kosovë.

Pavarësisht ankthit që na ka kapluar në prag të këtyre bisedimeve, ne jemi munduar që zërin qytetarë ta ngremë në dobi të kërkesës legjitime për bashkim. Instrumentalizimi deklarativ nuk na ka bërë fëmijërorë para kërkesave tona. Në rast se nuk përfshihet statusi politik i Luginës së Preshevës në këto bisedime natyrisht se do të mbetemi të zhgënjyer, të braktisur e të tradhtuar. Përtej kësaj, frika për t’u shndërruar në një Medvegjë, Plavë e Guci apo edhe Çamëri, Presheva dhe Bujanoci është më se reale. Cili do të jetë epilogu i këtyre bisedimeve, vullneti politik për bashkim i shqiptarëve të Luginës mbetet i pandryshueshëm. Ai është i lidhur fort me fatin ekzistencialist të shqiptarit të këtyre trojeve.

Nëse jo sot, një ditë do të ndodhë.