Lufta në Ukrainë, pasojat për Ballkanin dhe roli i Bullgarisë

Lufta në Ukrainë, pasojat për Ballkanin dhe roli i Bullgarisë
????????????????????????????????????

Aspekti ekonomik i krizës ka përmasa tepër të mëdha. Bashkimi Europian duhet të angazhohet me mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes instrumenteve të tij financiare, por edhe me programe dhe fonde të reja nëse do të ketë nevojë. Duhet të ndërmerren hapa të shpejtë për rregullimin e tregut të energjisë, sepse çmimet janë tepër të larta dhe e rrezikojnë jo vetëm mirëqenien e qytetarëve në rajon, por edhe stabilitetin ekonomik.

Shkruan: Anton PANÇEV, Sofje

Lufta në Ukrainë, si rezultat i agresionit rus, krijoi një situatë të re në fushën e sigurisë rajonale dhe asaj globale. Ballkani do të preket në mënyrë të thellë nga këto zhvillime gjeopolitike jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike me Rusinë dhe me konfliktit në Ukrainë, por edhe për shkak të mangësive kronike të shteteve tona – institucionet e brishta politike, dobësitë strukturore ekonomike, problemet sociale, tensionet e mundshme ndëretnike në disa vende, politikat destabilizuese të Beogradit etj.

 

Pasojat nga lufta në Ukrainë për Bullgarinë

 

Pasojat humanitare dhe demografike – mbi 300 000 bullgarë jetojnë në viset jugore të Ukrainës. Dhjetëra mijëra prej tyre, së bashku me shumë ukrainas, rusë e gagauzë, kërkojnë shpëtim në Bullgari (deri më 20 mars mbi 80 000 erdhën në Bullgari, duke kërkuar strehim). Biznesi bullgar është i gatshëm të krijojë 200 000 vende pune për këta njerëz dhe ka pozita të shumta sidomos për specialistët e IT-së. Gjithashtu, dhjetëra mijëra rusë kanë apartamente në Bullgari dhe për këto dhe disa arsye të tjera mund të presim se shumë prej tyre, që po ikin nga regjimi në Moskë, do të vendosen në Bullgari. Kjo situatë çon në përforcimin e shtetit bullgar në aspektin demografik në të ardhmen, por edhe krijon sfida të ndryshme.

Pasojat politike – në Sofje qeveria e koalicionit prej katër partive përballet me shumë sfida (si të gjithë qeveritë në Europë) dhe stabiliteti qeveritar është shumë i nevojshëm në një krizë të tillë. Duhet të merren vendime shumë të vështira dhe është normale të ketë mosmarrëveshje midis partnerëve të koalicionit, sidomos kur dihet se ata kanë profile të ndryshme ideologjike. Bullgarisë nuk i nevojiten zgjedhje të reja të parakohshme në një situatë të tensionuar, sepse edhe zgjedhjet e reja me shumë gjasa nuk do të sjellin stabilitet politik dhe vendi mund të zhytet në një krizë të thellë politike me pasoja edhe për sektorët e tjerë të shtetit. Pra, kësaj qeverie nuk duhet t’i bëhet presion të jashtëm në lidhje me tema të tjera që janë esenciale për interesin bullgar në një kohë me kaq tensione.

Pasojat ekonomike – Bullgaria është prodhues kryesor i mallrave strategjike, si gruri (7,16 mln. tonë në vitin 2021), luledielli (940 000 tonë në vitin 2021) dhe produktet e tjera ushqimore, por dhe prodhues i energjisë elektrike në rajonin e Ballkanit (Bullgaria eksporton mbi 1300 megavatë orë energji elektrike). Në një kohë kur prodhuesit kryesorë në botë (Rusia dhe Ukraina) nuk mund ta furnizojnë botën me grurë, si edhe për shkak të bllokimit në një shkallë të madhe të kanaleve transportuese, roli ekonomik i Bullgarisë po rritet vazhdimisht. Edhe pse relativisht vend i vogël, Bullgaria e ka peshën e vet edhe në tregun botëror të disa produkteve strategjike dhe në disa segmente kryesore, siç janë bakri, produktet kimike, elektronika, armët dhe municioni.

Pasojat strategjike dhe ushtarake – Bullgaria kthehet në një vend primar në politikën e NATO-s dhe të BE-së për bllokimin e diktatorit rus dhe për mbrojtjen e bllokut euroatlantik në Detin e Zi dhe në Europën Juglindore. Ndihma ushtarake për Ukrainën, deri në një shkallë, varet nga Bullgaria, për shkak se armët, pjesët e tyre dhe municionet, që janë në posedim të ushtrisë bullgare dhe prodhohen në fabrikat bullgare, janë me licenca sovjetike, pra të njëjtat si në Ukrainë, dhe ushtarakët në këtë shtet mund t’i përdorin pa trajnime të veçanta. Në këtë situatë dinamike Bullgaria mund të bëhet ndër furnizuesit kryesorë të ushtrisë ukrainase.

Në një kohë lufte, kur Bullgaria zë një pozicion kaq të rëndësishëm për Ballkanin dhe për bllokun euroatlantik, çdo sjellje jokorrekte ndaj Bullgarisë, ndaj bullgarëve jashtë Atdheut, duhet të trajtohet si pjesë e luftës hibride ruse kundër shtetit bullgar dhe kundër BE-së dhe NATO-s.

 

Politika e Bashkimit Europian ndaj Ballkanit

 

Aspekti humanitar është me shumë rëndësi, sepse, nga njëra anë, të gjitha vendet e BE-së do të preken pak ose më shumë nga miliona refugjatët e Ukrainës, derisa, nga ana tjetër, institucionet e Brukselit duhet t’i ndihmojnë këto shtete afër Ukrainës, që po e pranojnë shumicën e refugjatëve. Kryeministri bullgar, më 11 mars, propozoi që BE-ja të krijojë një fond për refugjatët nga 10 miliardë euro dhe ky propozim u pranua, por do të jenë të nevojshme përpjekje të vazhdueshme për përballjen me këtë krizë. Vendet e Bashkimit Europian duhet të zbatojnë rregulla të përbashkëta për regjistrimin e refugjatëve, për dhënien e lejeqëndrimeve, për lëvizjen e ukrainasve midis shteteve, për vendet e punës, për përfshirjen e fëmijëve në kopshte, shkolla dhe universitete vendore, për garantimin e shërbimeve shëndetësore, sociale dhe kulturore.

Aspekti ekonomik i krizës ka përmasa tepër të mëdha. Bashkimi Europian duhet të angazhohet për mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëdimor përmes instrumenteve të tij financiare, por edhe me programe dhe fonde të reja nëse do të ketë nevojë. Duhet të ndërmerren hapa të shpejtë për rregullimin e tregut të energjisë, sepse çmimet janë tepër të larta dhe e rrezikojnë jo vetëm mirëqenien e qytetarëve në rajon, por edhe stabilitetin ekonomik. Në kushte të tilla duhet të ndryshojnë edhe politikat energjetike dhe të lejohet vazhdimi i punës së termocentraleve me qymyr, madje edhe të ndërtohen kapacitete të reja prodhuese, duke marrë parasysh refuzimin e gazit dhe të naftës ruse (p.sh. qeveria bullgare planifikon të heqë dorë nga gazi rus nga 1 janar 2023).

Aspekti gjeopolitik, gjithashtu, është me rëndësi të veçantë. Në këto kushte të turbullta gjeopolitike BE-ja duhet të jetë e fortë dhe e bashkuar dhe nuk mund të lejojë plasaritje ndërmjet vendeve anëtare dhe kompromise as me kriteret e ndryshme për pranimin e kandidatëve të rinj për anëtarësim, as me parimet e politikës së tij të jashtme. Mjafton të citojmë Kriteret e Kopenhagës – Kriteret politike: stabiliteti i institucioneve që garantojnë demokracinë, shtetin e së drejtës, të drejtat njerëzore dhe mbrojtjen e pakicave. Bashkimi Europian dhe vendet anëtare duhet të angazhohen në mënyrë të qartë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ta çojnë përpara procesin eurointegrues, duke i respektuar parimet dhe rregullat e tij. Nisja e negociatave për anëtarësim, mbyllja e kapitujve, madje edhe pranimi i anëtarëve të rinj në mënyrë formale do të krijojë probleme të rënda për integritetin e Bashkimit Europian dhe për unifikimin e tij në kriza të ndryshme në përgjithësi. Në lidhje me këtë Serbia tashmë 10 vjet zhvillon negociata për anëtarësim në BE, por ky proces nuk ka rol për zvogëlimin e ndikimit rus në politikën e Beogradit. Në të kundërtën, pikërisht Serbia është dera e hapur për ndikimin rus në Ballkan edhe më gjerë.

Bashkimi Europian zbaton procedura të gjithanshme të pëlqimit që sigurojnë se anëtarët e rinj do të pranohen vetëm kur ata mund ta demonstrojnë vullnetin e tyre që t’i mbulojnë përgjegjësitë e tyre, pikërisht:

  • që të përputhen me të gjitha standardet dhe rregullat e BE-së;
  • ta kenë pëlqimin nga institucionet e BE-së dhe nga të gjitha shtetet anëtare;
  • të kenë pëlqimin e qytetarëve të tyre – shprehur përmes miratimit në kuvendet përkatëse kombëtare ose përmes referendumit.

Që t’i realizojë qëllimet e tij afatgjata për stabilizimin e rajonit dhe për integrimin e tij, Bashkimi Europian duhet ta garantojë integritetin territorial, kufijtë, sovranitetin e çdo shteti në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nuk duhet të bëhet asnjë lëshim në këtë drejtim;

Mbrojtja e të drejtave të qytetarëve duhet të realizohet sipas kushtetutave dhe ligjeve të vendeve të rajonit, por me realizimin e ndryshimeve të nevojshme në përputhje me vlerat europiane. Respektimi i këtyre të drejtave është parakusht për anëtarësimin në BE dhe nuk mund të bëhet fare fjalë për “kompromise”, për “negociata”, për “multiperspektivita” etj. Në lidhje me këtë duhet të respektohet identiteti i të gjithë njerëzve, ku përfshihet edhe mosfalsifikimi i historisë, të hiqet gjuha e urrejtjes, të respektohen artefaktet dhe të rindërtohen monumentet e shkatërruara, kjo si pjesë e trashëgimisë së përbashkët europiane. Çështjet e të drejtave të njeriut janë thelbi i Bashkimit Europian dhe ato nuk mund të zëvendësohen me zhvillimin e kontakteve ekonomike ose me ndërtimin e infrastrukturës;

Shtetet e Ballkanit Perëndimor, që dëshirojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian, duhet t’i dënojnë në mënyrë të prerë krimet e regjimit komunist në rajon. Arkivat e shërbimeve sekrete dhe ato të organizatave shtetërore të regjimeve totalitare duhet të hapen, kurse viktimat e totalitarizmit duhet të rehabilitohen;

Përmbushja e traktateve dhe e marrëveshjeve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, si edhe midis tyre dhe shteteve anëtare të BE-së, është kusht shumë i rëndësishëm për fillimin e negociatave dhe për ecjen e tërë procesit përpara;

Çështjet e diskutueshme midis palëve duhet të zgjidhen mbi parime të qarta dhe jo të merren vendime mbi bazën e “interesit” të çastit. Asnjë çështje nuk duhet të injorohet, por duhet të kërkohet zgjidhje e shpejtë;

Bashkimi Europian duhet të përqendrohet edhe mbi luftimin e sulmeve hibride ruse në Ballkan. Përveç propagandës ruse, përdorimit të grupacioneve ekstremiste etj., këtu përfshihen projektet gjeopolitike ruse (sovjetike) nga e kaluara, që përdoren edhe sot për krijimin e përçarjeve ndërmjet vendeve të rajonit dhe brenda tyre.

 

Përfundime

 

Në muajt, por ndoshta edhe në vitet në vijim (në qoftë se nuk do të ketë zhvillime pozitive në udhëheqjen ruse dhe pastaj në politikën e Moskës), termi kryesor rreth të cilit do të ndërtohet politika e jashtme dhe e brendshme e shteteve europiane do të jetë “siguria”. Bullgaria duhet të kujdeset jo vetëm për sigurinë e saj kombëtare, por do të marrë përsipër edhe një pjesë të rëndësishme të mbrojtjes euroatlantike.

1) Siguria ushtarake – Përveç pozitës së saj gjeografike, Bullgaria do të jetë faktor kyç edhe për furnizimin e Ukrainës me armë, për shkak të profilit të ushtrisë dhe të industrisë ushtarake bullgare. Bullgaria mund të dërgojë së paku 30 aeroplanë të tipit Mig dhe Su, si edhe sistemet antiraketore C-300 për Ukrainën, së bashku me armë dhe municione të tjera. Kjo u bë edhe qendra e vizitës së sekretarit amerikan të Mbrojtjes në Sofje më 18-19 mars, por çështja do të diskutohet në javët e ardhshme, varësisht nga zhvillimet në Ukrainë. Gjithsesi, këto zhvillime mund të ndodhin nëse shtetet e tjera anëtare të NATO-s do ta furnizojnë ushtrinë bullgare me armë relevante;

2) Siguria energjetike – Bullgaria e merr gazin natyror kryesisht nga Rusia (rreth 85%). Në verë do të jetë gati interkonektori me Greqinë dhe Bullgaria do të furnizohet me gaz nga Azerbajxhani dhe me gaz të lëngshëm, por aleatët perëndimorë duhet të garantojnë sigurinë dhe çmimet e furnizimeve, si dhe të lejojnë punën e termocentraleve bullgare, pra për një periudhë të heqim dorë nga “politika e gjelbër”;

3) Siguria humanitare – në Bullgari do të vazhdojnë të vijnë refugjatë nga Ukraina edhe në të ardhmen, sepse problemet ekonomike dhe sociale në këtë vend do të vazhdojnë pavarësisht përfundimit eventual të luftës. Bashkimi Europian duhet të sigurojë mjaft fonde për akomodimin e përhershëm të këtyre njerëzve;

4) Siguria rajonale – institucionet bullgare më se miri i dinë problemet, arritjet dhe rreziqet para integrimeve të Ballkanit Perëndimor në Union dhe Sofja zyrtare duhet të marrë mbështetje të plotë nga institucionet e BE-së për kryerjen e misionit të saj, kurse Brukseli duhet të angazhohet me të gjitha nismat bullgare për garantimin e rrugëtimit europian të vendeve të rajonit.