LSDM do ta shqyrtojnë mundësinë për zgjedhje, BDI kundër (Video)

LSDM do ta shqyrtojnë mundësinë për zgjedhje, BDI kundër (Video)

Zëvendëskryeministrat Radmilla Shekerinska dhe Bujar Osmani janë të ndarë në mendime për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Shekerinska thotë se po që se paraqitet nevoja, nuk do të ishte problem të organizonin edhe një proces të tillë, po ashtu me Qeveri teknike, siç dikton Marrëveshja e Përzhinos. Ndërsa, Osmani vlerëson se tani nuk është koha e duhur për edhe një palë zgjedhjesh të tjera.

Radmilla Shekerinska, zv/kryeministre

“Fytyrat e atyre personave në konferencën e VMRO-së flisnin qartë, se kërkojnë zgjedhje por luten që ato të mos ndodhin. E dhanë këtë incitiativë vetëm pesë minuta pas votimit të ndryshimeve kushtetuese në Parlament, sikur të mos ketë ndodhur që Maqedonia të ketë zgjidhur një çështje tejet të rëndësishme. Kjo temë nuk u shkon atyre për shtati pasi kjo dëshmon se nëse dëshiron që të zgjidhësh diçka mund ta zgjidhësh, nëse dëshiron ta shmangësh shtetin nga izolimi, mund tia hapësh dyert e perspektivës. Ne do ta shqyrtojmë këtë iniciativë seriozisht, pasi ka shumë argumente pro kësaj ideje. Për dallim prej VMRO-së, ne do ti respektojmë ligjet e këtij shteti. Kështu që përgjigja ime është po, në një skenar të tillë, ne do ti respektojmë ato që janë në ligje deri në pikën e fundit”

Edhe pse është i bindur se partia e tij do të dalë edhe dy herë më e fortë në këto zgjedhje, Osmani beson se viti që ka filluar duhet të jetë i fokusuar vetëm në integrimin e Maqedonisë dhe në zhvillimin ekonomik.

Bujar Osmani, zv/kryeministër

“Por të organizohen zgjedhje që nesër, BDI-ja do të ketë rezultate dyfish më të mira se sa në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2016. Por, çështja e BE-së dhe NATO-së, doemos duhet të rrumbullaksohet. Marrëveshja për zgjidhjen e çështjes së emrit nuk ishte vetëm sa për ta mbyllur këtë kontest, por qëllimi më i lartë janë BE-ja dhe NATO. Vlerësoj se e gjithë energjia politike tani duhet të fokusohet në anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, dhe viti 2019 le të jetë vit i ekonomisë”

Shekerinska dhe Osmani janë të bindur se këtë vit, Maqedonia do të lulëzojë në çdo aspekt, pasi tani ka shoshitur të gjithë problemet me fqinjët, dhe kështu i është hapur dera e perspektivës  dhe pozitës më të mirë politike dhe ekonomike në rajon. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/